Libri ”333 Tercina” (Poezi trevargëshe), të autorit Shban Pllana, botoi “PROKULT – press”, Prishtinë 2016
Milazim F. KADRIU
poezia është ushqim shpirti
që lind kur poeti shoqërohet me vetminë
në çastet e ëndërrimit
Këto janë vargjet që hapin librin më të ri të poetit Shaban Pllana që është një libër që përmban 333 tercina apo trevargëshe. Ndonëse Pllana edhe më par e ka shkruar një libër me tercina në të cilën ai ka përfshi 111 tercina kësaj radhe atë e ka zgjeruar në 333 sosh dhe i ka ndarë në pesë pjesë (Vargje me fjalë të gurta, Vargje me fjalë porosie, Vargje me fjalë urtake, Vargje me fjalë mallëngjyese, Vargje të fjalës intime).
Edhe nga vetë poezitë dhe mesazhet që ai përcjell shihet ndikimi nga thesari i porosive popullore ngase autori është mbledhës i pasionuar i krijimtarisë popullore në Trevën e Llapit,ku deri më tani nga kjo lëmi ka botuar katër libra me këngë popullore, lojëra popullore, anekdota popullore dhe fjalë të urta popullore.
Të arrish që me pak vargje të shprehësh gjithë atë që të zgjon frymëzimin është një dhunti shumë e madhe për një poet. Pak vargje thonë shumë,sepse poezia, edhe kur përbëhet nga dy apo një varg i vetëm, mund të prodhojë ndjenja dhe përshtypje.
atdheu është si guri i poshtëm i mullirit
nuk lëviz asnjëherë qëndron stoik
por pa të guri epërm që sillet s`bluan dot
Vëllimi me poezi i Shaban Pllanës dallohet nga shumica e vëllimeve me vargje që po dalin në dritë jo vetëm për atë se janë trevargëshe por që poezia e tij është një poezi tradicionale, me mesazhe popullore, por njëkohësisht janë të çlirtra dhe moderne. Poezitë janë koncize, të shkurtra që e arrijnë maksimumin e sintezës në krijime trevargëshe me plot forcë shprehëse.
fjalët e plakut mbilli në kopshtin e shpirtit,
s`i dihet…
ndoshta do të nevojiten në jetë
Poeti llapjan Shaban Pllana, ka zgjedhur një formë mjaft të vështirë komunikimi me lexuesin e vet nga se vetëm me një talent të rrallë mund të japësh aq shumë nga vetja me tri vargje.
Edhe më herët nga studiues të ndryshëm është thënë se të shkruash haiku do të thotë të vëzhgosh botën me një sy të kujdesshëm, tepër të fiksuar pas ngjarjes në momentin e kryqëzimit të vëmendjes me faktin.
Dashuria e poetit për t’u marrë me këtë formë të vjershërimit është më e hershme ngase ai edhe më parë ka botuar një përmbledhje me 111 poezi trevargëshe por që tash e ka zgjeruar në 333 sosh. Kjo është zgjedhja e tij më e preferuar si stil ku vjen në shprehje zbrazja e katarzës së tij me fuqinë plot meditacion.
Fjala, që del nga goja e njeriut,
është një tis i hollë
prapa te cilit fshihet fytyra e vërtetë e folësit
Mendoj se vargjet e librit “333 Tercina” janë të rralla e emblematike dhe se kanë një formë elegante ku me pak fjalë ka thënë shumëçka.
mollës së Kuqe karpatianët ia shijojnë frutat,
ne na kanë mbetur vetëm kujtimet për stërgjyshërit
të cilët pushonin nën hijen e saj
Për nga përmbajtja ashtu edhe si i ka nda poeti poezitë janë me fjalë të gurta, me porosi, urtake,mallëngjyese dhe me fjalë intime. Ato përkojnë me atdheun, natyrën, dashurinë… e që janë emocionet e poetit por që ka të bëjë me gjithçka që ka ndodh dhe po ndodhë në jetën tonë.
me fijet e flokut tënd të artë
m`i qep plagët e shpirtit,
ke mbetur për gjithnjë në ëndrrat e mia
Marrë në tërësi,libri “333 tercina” i poetit Shaban Pllana,ka sjellë freski,begati, cilësi e krenari te lexuesi i cili me siguri do e pret këndshëm këtë libër të cilin e përfundon me këto vargje:
poeti është kopshtar metaforash
me penën e tij mbjell ato në kopshtin letrar
që t`i japë kënaqësi shpirtërore lexuesit