POEZI MALLI, PËR SHQIPNINË…

0
1688
Martial Eagle

Nga: Parid A. Markaj

N’ty mendoj, kur agon drita,
kur bylbyli mallshëm këndon;
n’ty mendoj, kur soset dita,
terri botën, kur po e mblon…
Veç se ty, të shoh unë n’andërr;
veç se ty, çuet t’kam n’mendim;
ndër t’vështira, ti m’je çandërr;
për ty, i lehtë, m’vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle,
unë kam pa, larg tue ba shtek;
e shikova unë tjera valle,
n’tjera lule syu m’u rrek…
Por nji fushë ma e blertë nuk shtrohet,
por nji mal ma bukur nuk rri,
ma i kulluet nji lumë s’diktohet,
moj Shqipni e bukur, si i ke ti!

N’ ty ma i bukur lulzon prilli,
janë ma t’kandshme stinë e mot;
n’ty bylbyli, ende pa le dielli,
i këndon, ma ambël, t’Madhit Zot.
Pa ty, lules s’ m’i vjen e mirë era;
pa ty, as pema fryt nuk më bjen;
mue, pa ty, nuk m’del prandvera;
pa ty, dielli qartë nuk m’shkëlzen!…

Dersa t’mundem me ligjërue,
e sa gjallë me frymë unë jam,
kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
edhe n’vorr me t’përmendë kam!

Shqipe, shko ti n’fluturim,
çoma mallin, n’Atdheun tim!

Nju Jork (ShBA), 28 nëntor 2017