Sherafedin Kadriu
Prologu si nxitje për interpretim
As e kisha dëgjuar si kishte hyrë në zyrën time, vetëm kur m’u terrua para sysh. Ma kishte qitur përpara shuplakën e të djathtës. Ngrita kokën… Miku im Tahir Dalipi, profesor i frëngjishtes, edhe vetë poet, po habitej pse isha thelluar aq shumë gjatë leximit!
– Hë, pse je habitur? Çfarë po lexon kështu?!, – më pyeti si me të qeshur.
– Një vëllim poetik të Prend Buzhalës.
– A, mirë, paske të drejtë. Të paska marrë përpara poetika e tij.
– E njeh veprimtarinë letrare të Prendit?
– Jo shumë. Po, ato poezi që i kam lexuar prej tij, më kanë bërë përshtypje për bukurinë e shprehjes dhe shumëkuptimësinë e tyre. Në to kam hasur poetin e sinqertë, të cilin vështirë ta gjesh sot. Një sinqeritet të tillë poetik e kam vërejtur dikur në poezitë e MirkoGashit.
I këtillë është admirimi për poetin PrendBuzhala nga lexuesi, veçanërisht lexuesi elitar. Ky, një tjetër fakt nxitës për një interpretim.
Vëllimi poetik “Psherëtima pergamene”, i Prend Buzhalës vjen si mozaik ngjyrash ylberore, i strukturuar në nëntë cikle poetike, ndërsa përzgjedhja e poezive për secilin cikël është bërë mjeshtërisht, duke u bazuar në strukturën poetike të vetë poezive. Secili cikël pastaj, ka ngjyrën e tij shprehëse estetike. Në këtë përvijim, do të thoshim se shpërfaqja e së bukurës si tërësi ka zënë vend mu mbi horizontin e tabanit të tokës së vet, duke formësuar relievin e ATDHEUT që nga prehistoria, antika e mesjeta arbërore dhe duke i vënë cilësitë e mira dhe veset shëmtarake, si shëmbëllim jo për të sotmen, e cila nuk është se meriton hyjnizim, sepse vetë shëmtira nuk është përjashtim. Kështu siç është kompozuar, mbetet një shëmbëllim për të ardhmen konkrete, kurdo që përsosmëria e jetës të arrijë bukurinë e vargut poetik.
Ja, përpara e keni një urnë që mban hirin e dëshirave të zjarrta, është vargu me të cilin nis poezia e parë “Shkëlqimi që më përcjell në gjumë e ëndërr” e këtij vëllimi, që vjen nën përzgjedhjen e prof. Anton Nikë Berishës, i cili i ka dhënë një tjetër shkëlqim poetikës së PrendBuzhalës, siç ka ndodhur dhe me çdo vepër që ai e monumentalizon si përzgjedhës. Duket se shtjellimi i këtillë i këtij vëllimi e shpërfaq më mirë unin poetik të Prendit, atë unin që e nxjerr prej vetvetes si një projeksion përfytyrues (fantastik, sipas Borhesit), që kësaj here formësohet nga fjala poetike dhe dija hulumtuese (arkeologjike).
Pra, është urna, ajo karakteristikë e ritit të varrimit dardan, që përsërit artin e jetës dhe të vdekjes njëkohësisht, e që në poezinë e Buzhalës vjen si simbolikë e kujtesës që lidh hirin me shkëlqimin, fatkeqësisht vetëm në gjumë e ëndrra, pa asnjë dëshmi shkronjash në pergamenë, as pa farë synimi se do ta zbulojë sekretin e së ardhmes, aq më pak duke provuar të marrë rolin e orakullit, pse profecia edhe kur del e vërtetë, e trand poezinë. Mjaftohemi me mesazhin: edhe kur humbim në të tashmen konkrete, e jo rrallë na ndodh, tek urna gjejmë atë pjesë të vetes sonë që na mungon.
Secila poezi në vazhdim të këtij vëllimi poetik sjell mesazhe artistike që të shumtën e herëve marrin nga shërbimi i keq njerëzor. Nga ai shërbim që nuk do duhej ta bënin njerëzit e gëzuar tej mase, kur thonë: qëndrestarët me kokën lart, po skuqen nga turpi, kur po na nënshtrohen. Kjo është thënia filozofike më se absurde e kohës sonë. Kjo është thënia etike e poetike e PrendBuzhalës, e poetit pa mangësi morale. Kjo është thënia që këshillon e lut, që thërret e vret ndërgjegje, të cilat s’e kanë kuptuar, a nuk duan ta kuptojnë pasjen e armiqësisë për të bukurën. Dhe, e bukura nuk është përtallja e trimave, se atëherë dështojnë heronjtë (Përpjekje për ta ndalë kohën që të mos shprishet). E bukura është ndryshe, është shpirtgjerësia, jo shpirtngushtësia, se kështu si ka nisur pritja të mos bëjë gjë, një ditë zgjimi do të jetë i rëndë (Për një jetë të zhveshur e krejt të kotë). Kaq. Sikur nuk thotë më shumë as një novelë e tërë e GabrielGarsia Markezit, ajo me titull kuptimor: “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”.
Sa i mirë e i vendosur është Prendi, se është në anën e së drejtës. Nuk e ka drojën ta thotë troç: Jam këtu për të mos e humbur veten, ata e duan të vërtetën e vdekur (I pathyer të vazhdosh nën kujdesin e yjeve). Tjetër punë është nëse dikush e kupton ose do a s’do ta kuptojë.
Kjo është poezia e Buzhalës, me një varg-fjali ndryshe, ku ballafaqohen përvoja e hidhur me ëndrrën e ëndërruar, me vizionin e trazuar. Duket se Prend Buzhala s’ka dhe as nuk duhet të ketë ndonjë ankth për poezinë e tij, sepse gjënë kryesore, fjalën, ka ditur ta strukturojë në varg, ta thurë me të poezinë si tërësi, për njeriun, për jetën e tij, për momentet që mund të zvogëlohen në zhgënjimin ndaj të rriturit që bëhet lutës a lypsar duke u zvogëluar; për fëmijën që rritet me drejtësinë e vogëlsisë së përvojës.
Për ta ndjerë atë trandje në vargun poetik, poezinë e Buzhalës duhet lexuar me kujdes, sepse bëhet fjalë për përzgjedhje të fjalëve kuptimisht të lidhura me temën e trajtuar dhe për kombinime nga më të ndryshmet, të cilat i kanë dhënë tekstit bukurinë e duhur artistike. Jo rrallë disa prej tyre (fjalëve) të nisura me shkronjë të madhe, nuk paraqesin ndonjë teknicizëm, por secila veçmas dhe në kombinim me të tjerat, jo vetëm theksohet ndryshe në varg, por merr edhe trajtë simbolike.
Në të gjitha poezitë, në një mënyrë ose tjetër, shprehet ndjesia për njeriun dhe veprën e tij, për mësimet dhe për pësimet, për jetën dhe për vdekjen, pastaj për rolet e ndryshme të personazheve lirike, për besimin dhe zbatimin, për situata konfuze në kohë e hapësirë, për trimat e për ndejtarët, për bukuritë e për shkallmimet shpirtërore.
Pa dyshim që ndjesia për Vendin është e madhe. Ajo ka zënë vend, siç zë vend fëmija në prehrin e nënës. I këtillë është PrendBuzhala në krijimtari, një dashnor i refuzuar estetikisht (Dashnor i refuzuar, – se ku e kam lexuar këtë shenjë gjuhësore kështu bukur të kombinuar?).
Një nga personazhet lirike është Mësuesi i Vjetër, i bërë Doracak për ndezjen e zemrës së luftëtarit. Ai që në mos tjetër, të mëson mësimin e të qenët nxënës i përjetshëm. Në daç të jesh i guximshëm për t’u përballur me jetën. Këtë s’e bën askush tjetër, as nuk di, e as nuk do ta bëjë. Këtë e bën vetëm mësuesi, i cili pa hezitim ua dhuron të tjerëve edhe shëtitjet deri te ëndrra e tij. E, ëndrra e mësuesit është lumturia e dëshiruar e nxënësit, fare më pak se ç’i dëshiron prindi fëmijës së tij.
Ç ’është e vërteta, është vështirë ta klasifikosh krijimtarinë artistike të Prend Buzhalës, jo të tërën, po këtë më të renë, nëse është prozë poetike, apo poezi e mirëfilltë. Teknikisht i afrohet prozës për shkak të strukturimit të tekstit (të them: formës teknike). Poetikisht është varg prozaik. Sidoqoftë, këto shkrime paraqesin një model më të përpunuar se zakonisht, po dhe më delikat gjithsesi. Në këtë rrjedhë, kjo ndryshe, është njëfarë kënaqësie estetike dhe intelektuale që buron nga cilësitë e tekstit.
Rrallë më ka rënë që të lexoj poezi përkujtimore a përkushtuese të arrira artistikisht. Një e tillë ndodhet në këtë vëllim poetik. Ajo që i është kushtuar Át Luigj Palajt, një figure emblematike të rezistencës shqiptare gjatë pushtimit serbo-malazias të viteve 1912-1913, të cilin e vrasin xhandarët serbë më 7 mars 1913 (A. Kamberi). Fjalësi kryesor i përdorur për këtë poezi është i përbërë kryesisht nga shprehje të ritit të krishterë, por, madhështia e poezisë dhe e poetit qëndron në përplotësimin e tyre me elementë të rinj, që marrin edhe kuptim kombëtar. Kështu, lutja hyjnore “Ati ynë… Bukën tonë të përditshme na e jep sot”, te PrendBuzhala del “Ati Ynë, falna Bukën e Atdheun tonë sot”.
Është Atdheu që ka dhurim vetëm flijimin e frymës së tij, atë frymën elegjiake, e cila nuk vjen me vaje e të rëna gjoksit, as edhe me shkulje flokësh si për mort, por si një kontrast artistik e i çuditshëm realisht. Kosova është e bukura e burgosur. E mallkuar nga bukuria e vetmisë, e braktisur edhe nga historia si një figurinë, të cilën e duan vetëm për ta ekspozuar muzeve të botës. Ndryshe, është një princeshë e mbyllur, diktuar nga kobi i bukurisë, të cilës mund t’i dhurohet vetëm flijimi i frymës së vet.
Çfarë mund të bëjë poeti tjetër, pos të ngre përmendore me fjalë të latuara që i burojnë nga shpirti e mendja. Ama, për t’u realizuar bukuria vetë: u dashka që Fjalën Tonë ta dërgojmë te Hyji për një botë më të mirë, ashtu siç thotë poezia me të njëjtin titull. E pra, është fjala e shndërruar në jetë, në mos jeta e shndërruar në Fjalë-lutje, është dehja ndaj së bukurës që gjithçka fsheh, dhe si delikate që është, vetëm pak kuptimin e saj zbulon (Fjalën Tonë ta dërgojmë te Hyji).
Nga Ati Ynë që banon në qiell, autori i kthehet vetes së tij, i kthehet popullit të vet. Se ç’ka me të?! është vështirë të thuhet. Ama një tip këshille, mbase si me inat ia thotë:
Asgjë tënden përreth nuk e vëren, atëherë e kërkon veten e humbur
Nuk e di ku e ke as emrin tënd, testamentet e të parëve i ke shitur
I kthehesh Librit të Amzës dhe aty filli të bëhet krejt lëmsh
Futesh në situatë tragjike: nuk e di kush je, kah vjen e ku shkon(Asgjë tënden përreth nuk e vëren)
Mos është ky një gjykim i ngutshëm? Se, ç’është e vërteta, edhe fare pa bazë nuk është gjykimi. Po, ndoshta mund të thuhej pakëz më butë, në vend të një mohimi hiperbolistik, ndoshta mund të përdorej një litotë eufemistike.
Kështu shkruhen romanet e jetës në udhëtimin drejt diellit. Këtë punë po e bën përditë Prend Buzhala, mirë e më mirë. Ama, një ditë do të vijë ai kapitulli i gjethes së rënë në errësirë. Vjen ajo ditë, kur kalohet Pragu i Jetës për në Qiell. E natyrshme që dikush tjetër fluturon në vendin tënd, por, këtu nuk merr fund fundi. Lum si ai që krijon me shpirt pafundësisht të ri, sepse edhe sythi që shpërthen do të rrëfejë në vend të kallëzimit të poetit.
Në përfundim të kësaj qasjeje për këtë vëllim poetik, them se poezia e Prend Buzhalës është fjalë e qëmtuar dhe e kombinuar me të tjerat me shumë mjeshtëri në tekstin poetik të përftuar. Vlerësimi i poezisë së këtij autori tejkalon çfarësinë e koncepteve teorike-letrare, sepse poezia e këtij poeti “nuk është pasqyrë e natyrës […], përkundrazi ajo riprodhon një hije të natyrës, duke shkaktuar përthyerjen e vetë natyrës në formën e vet përmbajtjesore”, njëkohësisht karakterizohet me ide, të cilat “nuk janë sajime reale, por formula verbale që imitojnë sajimet reale” (sipas Northo Fraj (Anatomia e kritikës, f. 120)
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, studiues i letërisisë, poet e prozator