POEZI BASHKËKOHËSE POLAKE: ZBIGNIEW HERBERT

0
1654

( Zgjodhi dhe përktheu nga polonishtja MAZLLUM SANEJA )

ZBIGNIEW HERBERT
RAPORTI I QYTETIT TË RRETHUAR

Tepër i moshuar që të mbaj armë dhe të luftojë si të tjerët

më caktuan për hir të rolit vartës të kronistit
shkruaj – nuk dihet për kë – historia e rrethimit

duhet të jem i saktë ndonëse nuk di kur filloi pushtimi
para dyqind viteve në dhjetor, shtator ndoshta dje në agim
të gjithë këtu lëngojnë nga humbja e ndjenjës së kohës

na ka mbetur vetëm vendi i lidhjes me vendin
ende përdorim gërmadhat e tempujve fantazmave kopshteve
dhe shtëpive
nëse humbim gërmadhat asgjë nuk do të mbetet

shkruaj ashtu si mundem në ritmin e javëve të pafundme
e hënë: depot e zbrazëta njësitë monetare u bënë mi gjirizesh
e martë: kryetari bashkisë i vrarë nga kriminelë të panjohur
e mërkurë: bisedimet për armëpushimin armiku i internoi
deputetet

ne nuk e dimë vend-qëndrimin e tyre domethënë vendin e torturave
e enjte: pas një takimi të vrullshëm u refuzua me shumicë votash
propozimi i blerësve i kohëve të dikurshme me dorëzim të
pakushtëzuar
e premte: fillimi i murtajës
e shtunë: bëri vetëvrasje N.N. mbrojtësi i paepur
e diel: nuk ka ujë e zmbrapsim një sulm
pranë portës lindore të quajtur Porta e Besëlidhjes

e di e gjithë kjo është monotone asnjeri nuk e brengos

i shmangem komenteve i përmbaj emocionet shkruaj për faktet
me sa duket vetëm ato vlerësohen në tregje të huaja
por me pak krenari dua ta informoj botën
se ne kemi edukuar falë luftës një ndryshim të ri të fëmijëve
se fëmijët tanë nuk pëlqejnë përrallat dëfrehen në vrasje

në zgjëndërr dhe në ëndërr ata ëndërrojnë për supën bukën
dhe eshtrat
plotësisht si qentë dhe macet
në mbëmje më pëlqen të endem nëpër periferi të qytetit
përgjatë kufijve të lirisë sonë të pasigurt
shikoj nga lart në grumbullin e ushtrisë dritat e tyre
dëgjoj zhurmën e daullave të britmave barbare
vërtet e pakuptueshme që Qyteti ende po mbrohet

rrethimi zgjat një kohë të gjatë armiqtë duhet të ndryshojnë
asgjë nuk i lidh ata veç gjakimit të shfarosjes sonë
Gotët Tatarët Perandorët regjimentët e Shpërfytyrimit të Zotit

kush i numëron vallë ato
ngjyrat e flamurit ndryshojnë si një pyll në horizont
nga e verdha delikate e shpendëve në pranverë përmes të gjelbrës
e kuqja deri te e zeza e dimrit
ndaj në mbrëmje i liruar nga faktet mund të mendoj
për çështjet e dikurshme të largëta për shembull
për aleatët tanë prapa detit e di ata na mëshirojnë
na dërgojnë thasë të miellit na trimërojnë dhe këshilla të mira
na japin
ata as nuk dinë se etërit e tyre na tradhëtuan
aleatët tanë ishin nga koha e Apokalipsit të dytë
bijtë janë të pafajshëm meritojnë mirënjohje ndaj jemi mirënjohës

ata nuk mbijetuan rrethimin e gjatë si përjetësinë e rrethimit
ata që përjetuan fatkeqësinë janë gjithmonë të vetmuar
mbrojtësit e Dalajlamëve Kurdët malësorët afgan
tani kur shkruaj këto fjalë ithtarët e marrëveshjes
fituan një epërsi mbi partinë e pathyeshme
dhe një ngurrim i zakonshëm i disponimit të fateve ende peshon

varrezat rriten zvogëlohet numri i mbrojtësve
po mbrojtja vazhdon dhe do të zgjasë deri në fund

dhe nëse Qyteti bie dhe do të shpëtojë një
ai do të mbart në supe Qytetin në udhët e mërgimit
ai do të jetë një Qytet

të shikojmë ballë për ballë në fytyrën e urisë fytyrën e zjarrit
fytyrën e vdekjes
më e keqja e të gjithave – fytyra e tradhtisë

dhe vetëm ëndrrat tona nuk u poshtëruan

ÇFARË KAM PARË

Kam parë profetë duke ndukur mjekrra artificiale
kam parë gënjeshtarë që hynin në sektin e fshikulluesve
xhelatë veshur me lëkurë deleje
që iknin nga zemërimi i popullit

i kam parë i kam parë

kam parë njeriun e nënshtruar torturave
ai tash i sigurt në rrethin familjar
rrëfen barcoleta ha supë
shikoja gojën pakëz të hapur
mishin e dhëmbëve – dy degëza me gjemba
të hequra nga korja
kjo ishte e papërshkrueshme e paturpshme
kam parë tërë lakuriqësinë
gjithë poshtërimin

pastaj
akademia
shumë veta lule
zagushi
dikush pareshtur fliste mbi deformimet
mendoja për gojën e tij të deformuar

a thua ky është akti i fundit
i dramës të shkrimtarit anonim

i rrafshët si shtresë
me dënesa që të zënë frymën
me të qeshura me zë të atyre
që marrin frymë me lehtësi
që prapë arritën
pas heqjes së rekuizitave të vdekura
ngadalë
të ngrenë

perden e njollosur me gjak

1956

POROSIA E ZOTIT COGITO

Shko ku shkuan ata në vise të errëta
pas Bashkës së Artë të boshësisë së shpërblimit
tënd të fundit

shko drejt mes atyre që në gjunj
mes shpatullave të kthyera të përmbysura në pluhur

shpëtove jo që të jetosh
duhet dëshmuar se ke pak kohë

bëhu i guximshëm kur mendja zhgënjen
bëhu i guximshëm
vetëm kjo llogaritet në llogarinë përfundimtare

Zemërimi yt i pafuqishëm le të jetë si deti
saherë që dëgjon zërin e të përulurve të rrahurve

motra jote Përbuzja le të mos lërë vetëm
ndaj spiunëve xhelatëve frikacakëve – ata do
të fitojnë lojën
do të shkojnë në varrrimin tënd e me lehtësi
do të hedhin një grusht dhe
e brumbulli do ta shkruajë biografinë e zbukuruar

dhe mos fal vërtet kjo nuk është në fuqinë tënde
të falësh në emër të atyre që u tradhëtuan në
dritën e agimit

megjithatë ruaju mendjemadhësisë së panevojshme
shikoje fytyrën tënde të marrë në pasqyrë
përsërit: jam i thirrur – a nuk pati më të mirë

ruaju zemërftohtësisë dashuroje gurrën mëngjesore
zogun me emër të panjohur dashuroje lisin dimëror
dritën në mur shkëqimin e qiellit
atyre nuk u duhet frymëmarrja jote e ngrohtë
qeniesojnë vetëm ata që thonë: askush nuk
të ngushëllon

ndaj vigjilo – atëherë kur drita në male ndizet
– ngritu dhe shko
derisa gjaku qarkullon në krahëror yjet e tu të zez
përsëriti magjitë e moçme të njerëzisë përrallat
dhe legjendat
se vetëm kështu do të pushtosh të mirën të cilën
nuk do ta mbërrish
përsëriti fjalët e mëdha përsëriti me ngulm
si ata që shkuan në shkretëtirë e vdiqën në rërë
e do të shpërblejnë për këtë ata që kanë në duar
fshikullimën e qeshjes të vrasjes në hedhurina

shko se vetëm kështu do të pranohesh në rrethin
e kafkave të ftohta
në rrethin e stërgjyshërve të tu: Gilgameshit
Hektorit Rolandit
mbrojtësve të mbretërisë pa kufij dhe qytetit
të hirave

Bëhu besnik Shko

SHËNIME PËR AUTORIN

Zbigniew Herbert (1924-1998) Poet, drematurg, eseist dhe përkthyes. Lindi më 1924 në Lvov. Kreu Fakultetin Juridik në
Universiteti Nikolla Kopernik në Torun dhe Filozofinë në Universitetin e Varshavës. Botoi, mes të tjerash këto libra:” Shtigje të dritës”, “Hermesi, qeni dhe ylli”, “Sudimi i objektit”, “Barbari në kopsht”, “Mbishkrimi”, “Drama”, “Poezi të zgjedhura”, “Zoti Cogito”, “Raporti i qytetit të rrethuar”, “Elegjia e lamtumirës”, “Rovigo“ etj.

Famën mbase më të madhe ia solli vepra poetike Zoti Cogito. Zbigniew Herbert është laureat i shumë shpërblimeve dhe cmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare çfarë janë çmimet me renome autoritative botërore “G.von Herder “(Gjermani), “Bruno Shulc”(SHBA) si dhe “Çmimi i Jerusalemit”, të cilin çmim mëparë e fituan Bertrand Rasël, Maks Fisher, Graham Grin, Oktavio Paz Horhe Luis Borhes …

Është e udhës të vëmë në spikamë se të gjitha veprat e Herbertit janë të botuara dhe të përkthyera anë e kënd botës. Gati të gjitha veprat e e tij poetike, dramaturgjike dhe eseistike – i shquan gjuha moderne, subtile dhe tejet intelektuale, që dëshmon se kemi të bëjmë me një artist të formatit botëror, po edhe me një mendimtar dhe erudit me kuturë të jashtëzakonshme dhe formim të lartë intelektual.

Zbigniew Herbert është poet i kursyer në fjalë, i papërsëritur në sintaksën poetike. Ai në poezinë moderne polake dhe botërore solli një ndjeshmëri dhe intonacion të ri poetik. Në veprën e tij ai shtron probleme të ekzistencës njertëzore, të rëndësishme në luftën e individit përballë sistemeve totalitare për liri dhe demokraci, të individit të mbërthyer me trauma e kriza gjithfarëshe, në kohën që karakterizohet si një shekull i qytetërimit teknik, po edhe i shkatërrimeve më të mëdha njerëzore, për të cilat dëshmon historia.

Tërë krijimtarinë poetike të Zbigniew Herbertit e karakterizon një saktësi e përkryer e fjalës, një lakonizëm dhe ironi e fuqishme.

Kritika letrare polake dhe botërore e karakterizojnë Herbertin si humanist dhe intelektual të rrallë, i cili me veprën e vet të fuqishme iu kundërvu me ngulm sistemeve totalitare, duke u vënë në mbrojtje të lirisë së individit. Për këtë dëshmon vepra e tij poetike “Zoti Cogito” e vecmas poezitë antologjike “Raport i qytetit të rrethuar” dhe “Porosia e Zotit Cogito”, që konsiderohen nga poezitë më tronditëse, më të arrira, të shkruara ndonjëherë në poezinë polake dhe evropiane.