Shkruan Zymer Mehani
Lumturije S. Drenica u lind në fshatin Borje të rrethit të Kukësit, më 1 gusht 1973. Pa e pasur fatin që të lindet e jetojë në trojet e gjyshit të saj, Rexhep Drenica… i biri i Tafil e Sadije Drenica, që lindi më 18 mars 1907 në fshatin Lubinje të Drenicës së Kosovës… Që në moshën 12- vjeçare, për të shpëtuar nga duart e shkaut, i drejtohet nënës Shqipëri, ku punon dhe jeton e krijon familje të përkryer në Fshatin Borje të rrethit të Kukësit, duke marrë për grua mbesën e dëshmorit Zahim Hamza nga Topojani i Kukësit… Ashtu fillon dhe zgjerimi i familjes duke u mbushur plot me nipa e mbesa. Familje e madhe me besë e mikëpritje dhe duke u edukuar me dashuri të madhe për atdheun.
Lumturija ishte një fëmijë me ëndrra për jetën, duke mbaruar shkollën tetëvjeçare në fshat me nota të shkëlqyera. Donte të vazhdonte edhe në lart, nga pamundësia për t’u larguar nga familja, vazhdoi gjimnazin në një fshat fqinjë, në fshatin Shishtavec të rrethit të Kukësit….Tri vitet e para i mbaroi aty dhe vitin e katërt e mbaroi me korrespondencë në Kukës me rezultat të lartë. Në vitin 1991 emërtohet Komandante e Çetës Vullnetare në fshatin Borje. Po në vitin 1991 martohet dhe ëndrrat e saj për vazhdim studimesh marrin fund…Krijoi familje …Më 1995 merr rrugën e mërgimit me familjen si shumë të tjerë duke lënë prapa gjërat më të çmuara…atdheun dhe njëzit e saj më të dashur… Sot 22 vjet banon e jeton në Greqi, duke shpresuar se një ditë do të kthehet në atdhe.
Veprat letrare:
1.”Veç një atdhe” bashkautore me poetin Zymer Mehani; (2017);
2. “Ah, Shqipëri!…“, 2018 (autore).
3. “O male hijerëndë” (Prishtinë, 2018).
4. “Ndjesi dhe mall” (Prishtinë, 2019).
VËLLIMI “AH; SHQIPËRI!…” (Prishtinë, 2018)
Vëllimi poetik “Ah, Shqipëri” është i pari i poetes Lumturije S. Drenica. Në të vërtetë ajo si bashkautore, vitin e kaluar (2017) botoi edhe përmbledhjen “Veç një atdhe”.
Përmbledhja “Ah, Shqipëri…” është dëshmi e bukur se poetja po përparon dhe ka çfarë të na thotë. Ky vëllim poetik tregon dhe na bind se poetja Lumturije S. Drenica ka prirje, dridhje shpirtërore, vibracione mendimesh e lakueshmëri shprehjesh, të cilat i përshkojnë të gjitha poezitë e vëllimit në fjalë, dhe si të tilla, këto poezi na duken si deskripcion i një ndjenje (atdhedashurie), por edhe si metaforë, që në vetvete përmbajnë shumë më tepër se sa duket në shikim të parë.
Edhe përkah vetë motivet dhe variacionet e tyre, e deri diku edhe përkah transponimi, variabiliteti i kualiteteve etj, poetja Lumturije S. Drenica arrin të shprehet shumë bukur. Madje në këtë përmbledhje kemi një dëshmi të fortë se poetja vërtet me zërin e këtyre poezive dëshiron të trokasë në ndërgjegjen e secilit prej nesh.
Fuqia e ndjenjave dhe trajtat interesante janë karakteristike kryesore e kësaj përmbledhjeje, me të cilën poetja Drenica u nis dhe bëri hap serioz drejt shtegtimit të sigurtë nëpër shtigjet poetike. Ajo përmes vargjeve të veta na sjell kënaqësi me përmbajtje, motive, tematikë dhe me shprehje të zgjedhura, gjithnjë besnike e frymëzimit artistik, që shumë mirë lidhet me traditat e krijimtarisë sonë letrare. Ajo e ka pasuruar mjaft shprehjen e vet lirike dhe është duke e zgjeruar e ngritur deri në pohim a paralajmërim se në poezinë e saj, në trajta të shumëngjyrshme ka elemente që janë më të natyrshme për t’i pritur, e që do të mund t’i quanim sukses në poezinë e saj.
Lirizmi është element karakteristik dhe i veçuar, ngase poetja Lumturije S. Drenica më shumë është në vetvete, në botën e vet subjektive, e brengosur, dhe ndonjëherë, e pikëlluar deri në zhgënjim nga dukuri dhe vese, që ajo i vëren te njeriu ynë, si brenda në atdhe, ashtu edhe në mërgatë.
Mes rreshtash lexojmë se autorja brenda në atdhe, në ditët e errëta të diktaturës, pati të njëjtin fat si të popullit të vet, duke përjetuar ditët e varfërisë, gati deri në shkallën e mjerimit dhe të urisë, vrazhdësitë dhe kataklizmën e epokës së komunizmit. Si e re, po me rini të këputur, të dërrmuar, ka ëndërruar shpeshherë çlirimin e atdheut dhe të popullit dhe ka shpresuar rilindjen e vet dhe të popullit, që i takon. Prandaj, poezia e saj është e përshkuar edhe me melankoli, por edhe me krenari. Ajo është thuajase e tëra heroike, shpesh e përshkuar prej nostalgjisë, por tejet e vrullshme, shumë e gjallë në thelbin e saj krijimtar dhe në formimin e koncepsioneve dhe të vlerave të veta artistike.
Me të gjitha vlerat që ka, poezia e poetes Lumturije S. Drenica mbetet jo vetëm kontribut i çmueshëm dhe i bukur, por edhe premtim se shpirti poetik i kësaj autoreje është i pasur dhe burim i pashtershëm frymëzimi.
Atë që duhet thënë tash, pas përmbledhjes “Ah, Shqipëri…” është fakti se poetja Drenica ka gjetur mënyrë të përshtatshme për t’i zbatuar dëshirat e veta duke i shfrytëzuar fuqitë intelektuale në zgjedhjen e të gjitha elementave më të vlefshme poetike, duke i shkrirë në trajta të harmonishme të thurjes poetike, duke u nisur nga parimi i caktuar dhe i qartë se çfarë është dhe ç’kërkon poezia e saj prej jetës dhe si shprehet në të si funksion.
Ndonjëherë e kemi përshtypjen se poetja Lumturije S. Drenica vargjet e veta i ka shkruar me forcë, e ndonjëherë si me qëllim e ka bërë këtë gjë, sepse ajo ka eksperimentuar dhe me, apo pa qëllim e ka lënë të errësuar deri diku mendimin. Sidoqoftë, fjala e saj poetike meriton një kujdes serioz, sepse përmban në vete mjaft elemente karakteristike.
Nganjëherë në poezinë e Drenicës hasim edhe elemente të epikës, kur kemi të bëjmë me përshkrime të ngjarjeve, ndonjëherë me motive, që më tepër i takojnë botës objektive se sa subjektive. Përshkrimet janë të pasura, të dendura, por kompleksi i ndjenjave është modest.
E ripërsërisim se poezia e poetes Lumturije Drenica është e përshkuar dhe e vulosur me motivin e atdhedashurisë dhe identifikohet si e tillë. Poezia e saj është rrëfim i zakonshëm, nganjëherë edhe i ndërlikuar, serioz, i qetësuar dhe i kthjellët, poezi e rrjedhshme dhe ritmike.
Poezia e poetes Lumturije S. Drenica, në të vërtetë mund të themi se është poezi atdhetare, të cilën poetja e kultivon me ëndje dhe asnjëherë nuk e lë pasdore.
Në ndërtimin e vargut, poetja kryesisht është përpjekur që metrika të jetë e rregullt dhe origjinale. Vargjet po ashtu janë të rimuara (rimash të ndryshme). Gjuha është kryesisht letrare, e në dy-tri poezi, dialektore (në gegërishte).
VËLLIMI “O MALE HIJERËNDË” (Prishtinë, 2018)
Poezia e poetes Lumturije Drenica është e përshkuar dhe e vulosur me motivin e atdhedashurisë dhe mallin për atdheun, që edhe identifikohet si e tillë. Poezia e saj është rrëfim i zakonshëm, nganjëherë edhe i ndërlikuar, serioz, i qetësuar dhe i kthjellët, poezi e rrjedhshme dhe ritmike. Ajo është poezi atdhetare, të cilën poetja e kultivon me ëndje dhe asnjëherë nuk e lë pasdore.
Duke lexuar përmbledhjen “O male hijerëndë” të poetes Lumturie Sulejman Drenica, menjëherë na bie në sy volumi i preokupimeve të kësaj autoreje me jetën aktuale dhe me problemet e saj, siç janë varfëria, plagët e kurbetit, vetmia etj. Ndonëse në poezitë e saj nuk mund të gjejmë ndonjë personazh të veçuar lirik, në to hasim portretin e mërgimtarit shqiptar, por shumë i shpeshtë është edhe portreti i nënës së vetmuar, që herë në dritare, herë në prag të shtëpisë, prore i pret me mall bijtë apo bijat e veta, që kurbeti i ka degëdisur gjithandej nëpër botë. Autorja Lumturije S. Drenica këto dy portrete (mërgimtarin dhe nënën) i fikson si palë komunikuese, qofshin në situata të largëta, që shfaqen në trajtë vegimesh dhe kujtimesh.
Në poezinë e poetes Lumturije S. Drenica ndeshemi me theksin evokativ, qoftë si evokim i kohës së largët (nga vitet e fëmijërisë, ditët e arta të rinisë, apo kohës së kurbetit), që përmbledhjen e pasurojnë në planin referencial të tekstit poetik.
Poezia e poetes Lumturije S. Drenica është përplot ide. Gjuhësisht është mjaft bashkëkohore. Shquhet për laryshi vargjesh. Të shumtën e herës poezitë janë të rimuara. Poezia e saj shquhet edhe për nga saktësia e fiksimit të detajit dhe për nga krijimi i imazhit të qartë, ravijëzimit të idesë, sugjerimit të gjendjeve. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një poete që në poezinë e saj di të ekuilibrojë kuantumin e tekstit dhe të substratit poetik.
Te poezia e Lumturije S. Drenicës lehtë mund t’i dallojmë tiparet e origjinalitetit, siç janë kualiteti i përceptimit individual artistik, diskursi i mëvetësishëm dhe ekspresiv, figuracioni poetik autentik dhe shumë veçori të tjera.
Edhe në vëllimin poetik “O male hijerëndë” të poetes Lumturije S. Drenica, padyshim se bie në sy imagjinata e bujshme poetike, prodhim i së cilës janë sendet dhe objektet konkrete, proceset aktuale jetësore, dukuritë e manifestimet, që në kontinuitet lidhen me njeriun, qoftë brenda në atdhe, qoftë jashtë tij, në mërgim.
Pothuajse çdo poezi e autores Lumturije S. Drenica përshkohet nga dimensioni social, por në poezinë e saj ajo i këndon të kaluarës së lavdishme, të ardhmes, sikurse edhe preokupimeve, qoftë personale, qoftë kolektive.
Në poezinë e autores Drenica mund të hasim edhe në përafrime të poezive të saj, për nga motivet, me poezinë e traditës. P.sh. me poezinë e Filip Shirokës (motivi i mallit për atdhe), apo me poezinë e Çajupit (motivi i atdhedashurisë).
Lumturije S. Drenica vargjet e veta i ka shkruar me forcë, e ndonjëherë si me qëllim e ka bërë këtë gjë, sepse ajo ka eksperimentuar dhe me, apo pa qëllim e ka lënë të errësuar deri diku mendimin. Sidoqoftë, fjala e saj poetike meriton një kujdes serioz, sepse përmban në vete mjaft elemente karakteristike.
VËLLIMI “NDJESI DHE MALL”, (Prishtinë 2019)
Poezia e Lumturije s. Drenicës është rrëfim i zakonshëm, nganjëherë edhe i ndërlikuar, serioz, i qetësuar dhe i kthjellët, poezi e rrjedhshme dhe ritmike. Ajo është poezi atdhetare, të cilën poetja e kultivon me ëndje dhe asnjëherë nuk e lë pasdore.
Në vëllimin në fjalë, poetja do t’u këngëtojë dëshmorëve të Kosovës, si Jasharëve (Shabanit, Ademit, Hamzës), Abedin Rexhës-SANDOKANIT, Fehmiut e Xhevës, Zahir Pajazitit, Bacë Adem Demaçit, simbolit të rezistencës sonë kombëtare, dëshmores më të re Antigona Fazliu etj. etj.
Në vëllimin poetik “Ndjesi dhe mall” të autores Lumturije Sulejman Drenica ngriten dy probleme qenësore të shoqërisë sonë shqiptare: atdheu me fatet e tij dhe kurbeti dhe plagët që ai i shkakton. Të dy këto probleme shtrijnë krahët në tërë gjeografinë tonë kombëtare (shqiptare), por edhe jashtë kufijve, në diasporën tonë shqiptare, duke u vënë në kontekstin historik dhe shoqëror.
Pikënisje e tekstit poetik të autores Lumturije S. Drenica është atdheu i saj, Shqipëria (me viset natyrale të saj: Kosova, Çamëria, Ilirida, Lugina e Preshevës), ku nga atje jeta shpaloset, degëzohet e artikulohet.
Duke hecur gjurmëve të poetes Drenica, nga poezia në poezi, nga vargu në varg, por edhe në tërë përmbledhjen poetike “Ndjesi dhe mall”, do të mësojmë se atdheu i saj (edhe yni) është një vend i bukur, me gurra të dëlira, bjeshkë e lisa, me fusha dhe male, i kredhur në hallet e veta. Kështu fjala poetike me magjinë e saj na bëhet gjithnjë më domedhënëse, më dinamike, duke mbyllur në vete peizazhe, erëra, furtunë e stuhi gjatë historisë kombëtare. Kësisoj, atdheu i poetes, vërtet është vend me kulla të gurta dhe qëndrestare gjatë rrebesheve të kohëve të turbullta, me ura gati të rrënuara, por ajo që e bën jetën e vështirë, gati tragjike është kurbeti, kjo plagë në shtat të kombit, që prore lëngon dhe e trandë gjithë qenien tonë kombëtare.
Në atdheun e poetes Lumturije S. Drenica gjendja e rëndë sociale është rrjedhë e shumë brengave dhe e dramave, megjithatë, ka diçka në truallin tonë arbëror, që e inkurajon poeten si krijuese dhe si njeri, që poezisë së saj i jep freski, duke e gjallëruar me optimizëm dhe shpresë për një jetë më të denjë në trevat tona. Është ky karakteri shqiptar i fortë, që kurrë s’u dha para të keqes dhe presioneve, çfarëdo qofshin ato dhe ngado që të vijnë. Kjo forcë jete dhe besimi vërehet në tërë vëllimin poetik “Ndjesi dhe mall” të poetes Lumturije S. Drenica. Poetja porosit se forca për jetë qëndron vetëm në unitet.
Pothuajse çdo poezi e autores Lumturije S. Drenica përshkohet nga dimensioni social, por në poezinë e saj ajo i këndon të kaluarës së lavdishme, të ardhmes, sikurse edhe preokupimeve, qoftë personale, qoftë kolektive.
Në poezinë e poetes Lumturije S. Drenica ndeshemi me theksin evokativ, qoftë si evokim i kohës së largët (nga vitet e fëmijërisë, ditët e arta të rinisë, apo kohës së kurbetit), që përmbledhjen e pasurojnë në planin referencial të tekstit poetik.
Poezia e poetes Lumturije S. Drenica është përplot ide. Gjuhësisht është mjaft bashkëkohore. Shquhet për laryshi vargjesh. Të shumtën e herës poezitë janë të rimuara. Poezia e saj shquhet edhe për nga saktësia e fiksimit të detajit dhe për nga krijimi i imazhit të qartë, ravijëzimit të idesë, sugjerimit të gjendjeve. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një poete që në poezinë e saj di të ekuilibrojë kuantumin e tekstit dhe të substratit poetik.
Pothuajse çdo poezi e autores Lumturije S. Drenica përshkohet nga dimensioni social, por në poezinë e saj ajo i këndon të kaluarës së lavdishme, të ardhmes, sikurse edhe preokupimeve, qoftë personale, qoftë kolektive.