Poetja Bukurie Binjaku – penë e spikatur nga diaspora jonë

0
307
Bukurie Binjaku - Një gjuhë kanë mirësitë

Zymer Mehani

1.
Bukurie Binjaku është lindur dhe rritur në një fshat malor, që quhet Gjinar, i cili ka qenë dhe është pikë turistike.
Rrjedh nga një familje e fisnike që jetonte me bukën e saj. Ka pasur dy prindër të shkëlqyer, punëtorë, bujarë e të ndershëm.

Në vendlindje mbaroi shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen bujqësore.
Në lëndët gjuhë e letërsi ka qenë e shkëlqyeshme, sikur edhe në të tjerat, por zemra për gjuhën dhe letërsinë shqipe i rrihte më shumë. Për shkaqe ekonomike nuk mundi t’i vazhdonte studimet!

Në moshën 18-vjeçare, bashkë me familjen u shpërngul në një fshat në periferi të qytetit të Elbasanit, që quhet Hajdaran.
Në moshën 24 vjeçe u martua, ku sot ka tri vajza. Në vitin 1997 mori rrugën e mërgimit, në Greqi, për një mbijetesë nga varfëria e asaj kohe. Sot jeton në qytetin Katerinë të Greqisë.

Krijimtarinë dhe këngën e ka pasur pasion që nga vegjlia, por për shkak të kushtetve të e vështira ekonomike, qindra poezi i mbylli në sirtar.
Sot, që iu dha mundësia e teknologjisë së përparuar, ndjehet e lumtur që mund të shpërndajë dritën e shpirtit të saj poetik krijues.

2.
Bukurie Binjaku është pete nga Elbasani, por prej kohësh gjendet me vendqëndrim të përkohshëm në Katarina të Greqisë. Ajo është një krijuese e talentuar dhe deri më sot ka botuar disa vëllime me poezi, (në Tiranë dhe në Prishtinë) kryesisht me motivin atdhetar dhe social. Lajtmotiv i vargjeve të saj, pra është atdhedashuria, që e ka pasion dhe e shtjellon në krijimet e saj me përkushtimin më të madh.

Shkrimtarja Bukurie Binjaku tashmë ka formuar individualitetin e vet poetik, që lexuesi ynë e njeh nëpërmjet veprave: “ Drejt teje… “ (Tiranë, 2017), me të cilin hodhi hapat e parë drejt shtegtimit në shtigjet e poezisë sonë shqipe, “Rreze të zjarrta” (Prishtinë, 2018), “Mall mërgimtari për atdhe”, (Prishtinë, 2018), “Dritare me pika loti” (Tiranë, 2019),“Në portë të qiellit trokita” (Prishtinë, 2019), Me ëndrra plot” (Prishtinë, 2020) dhe “Dritë dielli mirësia” (Tiranë, 2021).

Tani (më 2021), kjo autore para lexuesve po del me librin e saj të radhës “Një gjuhë kanë mirësitë”(Prishtinë, 2021).
Laryshia e tematikës dhe motivikës që është shtjelluar në poezitë e përmbledhjes “Një gjuhë kanë mirësitë” të poetes Bukurie Binjaku, tregon se pena e saj majemprehtë është e kujdesshme në skalitjen e vargjeve poetike, të cilat nga përmbledhja në përmbledhje, hetohet se po i liron nga trajtat tanimë të tejkaluara. Poezitë e saj të përmbledhura në këtë vëllim janë shkruar me përkushtim të shtuar dhe autorja ka kërkuar dhe gjetur mjetet e nevojshme artistike për të shprehur thellësinë e mendimit, duke i freskuar vargjet me shprehje adekuate sipas kërkesave teoriko-letrare, me të cilat e fascionon lexuesin.

Fjalët dhe mendimet i shpreh me një leksik të pastër, ngase mendimet i thotë me zemër (dhe për zemrat), me një psikologji individuale, duke i trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me ndërtim të karakterit të individit, siç janë virtytet njerëzore (mirësia, urtësia, dhembshuria, sinqeriteti, humaniteti etj.), prandaj sapo t’i lexojmë ato vargje, padyshim se na dhurojnë emocione të forta, ngase na prekin në shpirt me dëlirësinë, me butësinë dhe me mesazhin e tyre.

Vetë titulli i përmbledhjes në fjalë na orienton dhe na bën me dije se kemi të bëjmë pikërisht me poezi shpërthyese që burojnë nga shpirti skofjar i poetes Binjaku, të cilat shprehin dhe e himnizojnë dashurinë e jo urrejtjen, butësinë e jo dhunën, fjalën e besën e jo tradhëtinë e hipokrizinë etj.

Magjia e fjalës artistike, ritmi, notat poetike, porosia që përcillet te lexuesi, të gjitha këto e ngrenë përmbledhjen në lartësinë e veprave të mirëfillta poetike, prandaj vëllimi poetik “Një gjuhë kanë mirësitë” i poetes Bukurie Binjaku është një përmbledhje poezish që të josh me magjinë e fjalës poetike dhe me mendimet të skalitura bukur në çdo fjalë e varg. Duke lexuar këtë përmbledhje, ne çmojmë pa masë humanizmin e autores së kësaj përmbledhjeje, diapazanin e gjerë të saj krijues dhe artistik.