POETIKA E RRËFIMEVE TË MITRUSH KUTELIT

0
1895
Mitrush Kuteli

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Rrëfimet e Kutelit kanë një varg tiparesh që përcaktohen nga brendia e laryshia tematike, por edhe nga veçanësia e mjeteve shprehëse, nga poetika që ai ka shfytëzuar në raste të ndryshme.

Poetika e rrëfimeve të tij është poetika e rrëfimit popullor, veçse e përpunuar artistikisht nga mjeshtri, e kthyer në një mekanizëm të të strukturuarit artistik. Një shqyrtim nga afër nxjerr në pah natyrën dhe veçoritë e poetikës kuteliane. Së pari, në të, ashtu siç ndodh dhe në rrëfimin popullor, një rol të rëndësishëm luan figura e rrëfimtarit. Ai krijon raporte të caktuara me dëgjuesin, me kohën dhe me hapësirën dhe kthehet në personazh unik i gjithë prozës së tij tregimtare. Rrëfimtari dhe autori shpesh shkrihen në një ose zëvendësojnë njëri-tjetrin.

Studiuesi i njohur i veprës së Kutelit, Nasho Jorgaqi në parathënien e veprave të Kutelit thotë:”S’ka dyshim se forcat kryesore krijuese Mitrush Kuteli i derdhi në lëmin e prozës tregimtare, prandaj edhe dimensioni i tij zotërues është ai i prozatorit. Në këtë gjini Kuteli dha një ndihmesë të veçantë.

Funksioni i rrëfimtarit të Kutelit është i gjithanshëm. Me anë të tij bëhet zbulimi i tipit dhe karakterit të personazheve, përshkrimi i situatave psikologjike dhe i gjendjeve shpirtërore, shtjellimi i konflikteve.

Nga mënyra si ai tregon ngjarjen, si zbulon figurën, çfarë thotë e çfarë lë pa thënë, detaji që përdor, të gjitha këto i shërbejnë strukturimit artistik të veprës.

Nga ana tjetër, në këtë lloj tregimi merr rëndësi të veçantë raporti i rrëfimtarit me lexuesin, pasi ai synon të jetë më i natyrshëm e komunikues e të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë mbi një bazë të përligjur psikologjike. Në këtë mes, fjala ka një peshë të madhe semantike dhe emocionale dhe artikulimi i saj gjatë rrëfimit varet në një shkallë të madhe nga ritmi i të treguarit.

Elementët e poetikës në rrëfimet e Kutelit duhen parë dhe në veçoritë e subjektit e të fabulës, në pasurinë e detajit, në variacionet e ligjërimit, në origjinalitetin e kompozicionit.

Fabulat kuteliane paraqiten në dukje të thjeshta, pa ndërlikime e me një zhvillim të natyrshëm, por rrokin shumë anë të realitetit, duke depërtuar në thellësi e duke u shtrirë në hapësirë e në kohë. Në qendër merren ngjarje të rëndësishme, çaste kulmore të jetës dhe ndërthuren konflikte të ashpra me tension dramatik. Përveç kësaj, Kuteli, në prozën e tij rrëfimtare e historike, udhëhiqet nga sqarimi retrospektiv që i bën kohës së fabulës dhe kohës së veprimit. Kjo do të thotë se largësia kohore është veçori e poetikës së tij. Një gjë e tillë vërehet qartë nga mënyra e të perceptuarit të ngjarjeve, nga sistemi i ndërtimit të personazheve dhe raportit midis tyre, si dhe nga dialogu e monologu dhe, veçanërisht, nga pikëvështrimi i rrëfimit.

Zakonisht rrëfimet ngrihen mbi një subjekt të përbashkët, por ka dhe sosh që subjekti përfshin brendapërbrenda ngjarje dhe episode, personazhe dhe mjedise, që i bashkon filli i rrëfimit të rrëfimtarëve ose autorit. Disa herë kemi ngjarje të lidhura zinxhir, apo brenda tregimit thuren rrëfenjëza për të bërë pastaj kalimet përmes disa nyjeve lidhëse. Kjo s’duhet parë si dobësi kompozicionale, por në natyrën e rrëfimit popullor. Në rrëfimin kutelian detaji është një nga mjetet më efikase të procedeut artistik dhe si i tillë paraqitet i shumëllojshëm. Me vetitë e tij artistike, detaji i shërben drejtpërdrejt procesit të individualizimit e të tipizimit, konkretizon natyrën e fenomenit në përputhje me logjikën psikologjike e artistike.

Ashtu si te tregimtarët e tjerë, dhe te rrëfimet e Kutelit gjejmë edhe gjykimin e rrëfyesit mbi atë që tregon, siç gjejmë dhe përshkrimin, dialogun e monologun. Por merita e autorit tonë, në këtë rast, është se këto forma e mjete të njohura i ka përdorur e shfrytëzuar me origjinalitet e me mjeshtëri të lartë artistike.

Kështu, vërejmë se të treguarit e Kutelit është sa analitik aq edhe sintetik, i shprehur zakonisht me ritmin e kadencën e bisedës, me një dinamikë të brendshme. Mënyra si tregon e rrëfen jo vetëm pasqyron e vizaton, por bën të përftohen veprime e lëvizje.