Shkruan Prof. Zymer Mehani
Abstrakti
Dritëro Agolli është një nga poetët më origjinalë dhe më të rëndësishëm të letrave poetike shqipe. Poet, prozator, eseist, njeri erudit dhe me shije të holla estetike, idealist dhe progresist me kontribute të fuqishme letrare e jashtëletrare, Agolli është një zë unik, i papërsëritshëm në letërsinë e botës shqiptare.
Agolli mbetet një ikonë e mendimit shqiptar, një moderator i madh, që prodhon vlera në një shoqëri që ka aq shumë nevojë për këto vlera, për kualitete kulturologjike, etike dhe morale të përmasave të tij.
Me të drejtë shprehet poeti se raporti i drejtë i heroit lirik me shoqërinë, të cilës i drejtohet, është një nga punët më të vështira të poetit, pasi prej këtej, përveç të tjerave, varet edhe suksesi i poezisë së tij.
Që kur erdhi në letrat shqipe këtu e 60 vjet më parë e gjer më tani, kur ende vazhdon të shkrujë poezi dhe të krijojë vlera të kualiteteve të larta artistike, Agolli ka qenë dhe mbetet një krijues i dashur për shtresat më të gjëra të shoqërisë shqiptare, një bard i këngëve të vendit të tij, të cilin e ka mbartur me vete kudo ku i ka shkelur këmba, si peng dashurie dhe malli të pacak.
Njësimi i poetit me etninë, si pjesë e vektorit psiko-gjeohistorik të një etniteti të caktuar, është dimensioni më i epërm i sprovave të tij estetike dhe jashtestetike në tentativën për t’u identifikuar në horizontalitetin dhe vertikalitetin e botës së letrave poetike. Ajo që me të drejtë studiuesi i mirënjohur Sabri Hamiti e quan “poezi e etnisë” mund t’i shkonte ndoshta më shumë për shtat se gjithkujt në botën e letrave shqipe Dritëro Agollit, këtij apostulli të poezisë, që i ka rrënjët në tokën e tij, mes njerëzve të vendit të tij.
Hyrje
Pelegrini i vonuar është i pari vëllim me vjersha i Agollit pas vëllimit Udhëtoj i menduar të vitit 1985, dhe i pari ndër librat e tij të shkruar pa u përgjuar nga syri i censorit të padukshëm.
Është një përmbledhje që të le mbresa të mëdha e të thella, me 217 vjersha të pabotuara më parë, në të cilat ndeshemi me një kapitull të ri, jo vetëm në jetën e poetit, por edhe në luftën e popullit të tij për të mbijetuar. (1). Do të duhen vite që shqiptarët të marrin veten pas aq dekadash izolimi, egërsie e terrori që përjetuan nën regjimin surrealist të Enver Hoxhës. (2)
Ashtu sikundër ndodh me viktimat e një aksidenti të papritur rrugor, ata vetëm tani po zgjohen, dalëngadalë e me dhëmbje, për të ndjerë e për të kuptuar se ç’goditje marrë dikur. Poetit të moshuar i mbetet të marrë pjesëzat e jetës e t’ia fillojë nga e para.
Unë jam prej kohësh pelegrin,
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer,
Jam ndarë pa dashur nga karvani im
Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer. (3) Në një shënim në fund, Agolli rrëfehet: “Për poetët e brezit tim erdhi koha e zhgënjimeve dhe e dilemave, erdhi koha e peshimit të atij materiali që e prodhuam, pa e harruar dhe pa e mohuar atë të bukur dhe humane që kemi sjellë tek njerëzit. Por ajo kështjellë idesh dhe idealesh që e kemi besuar, ku përgjithësisht e ku pjesërisht, pothuaj se u rrëzua dhe në muret e saj digjen zjarret e ëndrrave tona. Këto zjarre zgjojnë një poezi të një lloj tjetër…”
Motivet e Agollit janë nga më të ndryshmet, si dheu i vendit të tij , plisat dhe balta e arave, ugaret, grunajat, pyjet dhe ahishtat e tokës së tij, sharmi dhe bukuria virgjine e një bote, që vetëm ai dinte ta sillte në filtrin e një poezie elitare, me shijen dhe ngjyrat e gjalla të tokës dhe dashurisë njerëzore, me të cilat edhe u u identifikua. Motive të ngjajshme janë edhe toka e atdheut të tij, rrënjët e vendlindjes, vetëdija e plotë e dashurisë për njerëzit e thjeshtë dhe gjërat e thjeshta të kësaj bote.
I shkrirë në një botë të thjeshtë e të hyjnizuar, me aromën e tokës, të bimëve, me aromën e barit të kositur, me lulet e pemëve, me erën e maleve, me idilin baritor të blegërimave të deleve, me sharmin e odës shqiptare, me kënaqësinë e të shijuarit të rakisë, të ujit dhe bisedave me bashkëfshatarët dhe bashkatdhetarë e tjerë, me sakrificat dhe kënaqësinë e jetës kudo në atdhe, poezia e tij është një testament i gjallë, ku ai na porosit që dashuria ndaj atdheut dhe njerëzimit t’i tejkalojë dhe t’u jap kuptim e vlerë të gjitha dashurive.
Ali Podrimja do të konstatojë me të drejtë se poezia e poetit tonë rrëshqet kah poezia e hapët si krijim dhe tenton të jetë një poezi e këndimit kolektiv, të kapë dimensione të mëdha kombëtare siç ndodh me poemat … (4) Për shkak të kësaj afërsie deri në shkrirje me këto gjëra kaq të thjeshta dhe kaq të prekshme ai është një poet i thjeshtësisë së madhërishme, dehëse dhe trallisëse, i asaj thjeshtësie që mban gjallë dhe më këmbë të gjitha ndjesitë e bukura njerëzore të kësaj bote:
idilin dhe delikatesën, mallin, erotizmin, finesën etj. Vargjet e tij poetike janë shprehur me kthjelltësinë e thjeshtësisë e mprehtësisë së mençurisë shqiptare, me një logjikë të shëndoshë ndërthurjesh artistike, ku me një bukuri të këndshme përthithet, përvetësohet, shijohet si uji i krojeve që buron nga rrënjët e ahut gjithë fuqia sugjestive dhe kreative e artit të tij poetik.
Nëse të kuptuarët e së kaluarës i mundëson njerëzit si të merren me të sotmen e si të përgatiten për të ardhmen, Dritëro Agolli -buka e poezisë, siç shprehet një poet i ri kohët e fundit -me siguri do t’i ndihmojë shqiptarët të kalojnë traumën kolektive që ka pësuar kombi i tyre.
Në këtë dimension të poetikës së Agollit është tentativa e tij për t’u bërë pjesë e rrënjëve të gjenezës historike, pjesë e traditës dhe modernitetit, pjesa e fatit dhe fatalitetit historik, në kërkim të gjurmëve të etnisë, si esencë e vetë artit të poezisë që ai shkruan.
Agolli ndërton paralele figurative në kohë dhe hapësirë, me anë të të cilave ravijëzon burimin autokton të mitit dhe historisë me finesën, bukurinë, fuqinë dhe qashtërsinë e simboleve më autentike të botës shqiptare.
Poetika e Agollit
Poetika agolliane është plot humor, plot dashuri, plot tipare njerëzore, plot thyerje dhe oshtima, që vijnë sa nga realiteti i gjallë, i ngritur madhërishëm në art poetik, aq dhe nga fiksioni, përfytyrimi dhe fantazia e pasur iluministe e këtij bardi të madh.
Kushdo që ka lexuar e shijuar vargjet e Dritëroit ka mësuar nga vepra e tij, ka marrë nektarin e luleve të pyllit e fushës, ushqimin më të shëndetshëm shqiptar, që është dashuria për natyrën dhe shpirtin e bukur kolektiv kombëtar e mbarënjerëzor.
Dritëro Agolli, duke shkruar për nënën Shqipëri, ka shprehur në mënyrën më të natyrshme dashurinë për të.
Mendimet e mia më mblidhen si bletët rreth nënës Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri! (5) Duke evokuar historinë, luftërat, përpjekjet e popullit shqiptar, të Shqipërisë dhe të kombit tonë për të mbijetuar, për të gjallëruar, për të trashëguar bijtë e saj e duke i identifikuar dëshmorët e heronjtë dhe njerëzit e devotshëm shqiptarë me Shqipërinë, shpërthejnë vargjet e fuqishme artistike, që kanë simbolikën e veçantë letrare dhe na thotë:
Duart e tua që u regjën nga puna Dhe gishtërinjtë që zunë kallo nga këmbëzat e dyfekëve, Dhe mesi që u hollua nga gjerdanët e fishekëve, Dhe ballin që u rrudh dhe u lërua nga mendimi, Dhe beben e syrit që u mpreh nga shënjestra, Dhe këmbët që u zmadhuan nga ecja e mundimi, Dhe qerpikët që dogjën nga baruti në shkrepa. (6) Vetëm nga këto vargje mund të dalë një studim i mirë letrar.
Edhe pse fjalët na duken të thjeshta, ato janë brumë, i tëri artistik dhe fuqi e thellë patriotike. Janë një pasqyrë e një vetëdije të lartë njerëzore dhe estetike, një himn madhështor dhe konkret i thjeshtësisë tronditëse, që i përfshin e gjitha në vorbullat përpirëse të saj, në kredon dhe kreativitetin e një pene aq të gjallë dhe dinamike, sa të duket sikur poeti nuk është vetëm shkrues dhe kumtues i një arti të madh poetik, por dhe protagonist i madh historik i fateve të kombit të tij.
Kur poeti e gdhend mirë fjalën, kur ajo buron nga zemra dhe shkon drejt zemrave, siç e ka thënë Dritëroi, ajo bëhet aq e afërt, aq shpirtërore, sa nuk ka asgjë që mund ta shqitë lexuesin nga një krijimtari e tillë. Prandaj lirisht mund të thuhet se në tërësi vepra e tij është pasuria më madhe e letërsisë së sotme shqipe, që e ka bërë lexuesin e ndërgjegjshëm shqiptar të mos shqitet nga krijimtaria e këtij shkrimtari, që i mbushi plot 80 vjet dhe vazhdon të jetojë për hir të artit poetik, për hir të artit të shkrimit estetik në përgjithësi, për hir të atyre mijëra e mijëra lexuesve nga Shqipëria, Kosova, Shqipëria Lindore, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria, diaspora – gjithë hapësira etnike dhe shpirtërore e botës shqiptare, që e ka bërë poezinë e këtij vigani të letrave tona pjesë e identitetit dhe shpalimeve të veta artistike dhe kulturologjike.
Dritëro Agolli na ka dhuruar pasurinë letrare- artistike të mendjes së tij të ndritur dhe na ka frymëzuar për një Shqipëri të bashkuar, për ta zhvilluar e përparuar dhe për t’iu përkushtuar asaj tërësisht, për të sakrifikuar e mbrojtur me të gjithë qenien tonë për të ruajtur në zemër dashurinë për atë të freskët dhe mbi të gjitha dashuritë të tjera.
Për misionin e shenjtë që kanë, të gjitha poezitë e Agollit, pa përjashtim, janë të mira dhe shumë prej tyre të shkëlqyera. Ato janë poezi të drejtpërdrejta, të pastra dhe të depërtueshme, me një kolorit të fortë gjuhësor, strukturor, të pasur në figura dhe në emocione. Ajo që të tërheq vëmendjen është hollësia e detajeve, seleksionimi i kujtesave, pastërtia e imazheve, një botë që lëviz në harmoni me natyrën dhe shpirtin njerëzor, me vogëlsirat, në dukje, të jetës, por që në fakt janë sharmi dhe bukuria e saj.
Letërsia shqipe, posaçërisht poezia, sidomos në këtë gjysmëshekullin e fundit, me aq shumë kthesa dhe përplasje historike, me aq shumë fitore dhe humbje të pariparueshme qoftë në kohën, qoftë në imazhin e botës shqiptare, duhet të jetë fatlume që pati në gjirin e saj një poet dhe një shkrimtar të përmasave të Dritëro Agollit, i cili është një ikonë e gjallë e një arti poetik elitar, një shkollë poetike, ku mund të mësojnë të gjithë brezat e krijuesve të poezisë, e cila, siç thotë një tjetër simbol i madh poetik, mjeshtri Jeronim de Rada, ka lindur në këto brigje dhe në këto brigje do të kthehet.
Poezia e Agollit krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë, në shqetësime dhe në mjeshtërinë letrare. Me krijimtarinë e vet Dritëro Agolli ka treguar se di të rrezikojë në letërsi. Dyzet vjet më parë, duke botuar vëllimin e parë poetik “Në rrugë dola” (1958), ai huajti për titull pjesën e parë të një dyvargëshi të mirënjohur të poetit skocez Bërns: “Në rrugë dola / Pas meje porta u mbyll”. (7) Rruga e rritjes së tij poetike shprehet dhe në titujt e librave poetikë: Hapat e mia në asfalt (1961), Shtigje malesh dhe trotuare (1965), Devoll-Devoll (1964), Mesditë (1968), Baballarët (1969), Nënë Shqipëri (1974), Fjala gdhend gurin (1977), Udhëtoj i menduar (1985), Pelegrini i vonuar (1993), Lypësi i kohës (1995), Fletorkat e mesnatës (1999) e libra të tjerë.
Me poezinë e tij Dritëro Agolli e çkanonizoi vjershërimin e traditës dhe njëherësh krijoi një traditë të re e çliroi poezinë shqipe nga një frymë monumentalizmi të gënjeshtërt, nga deklarativizmi dhe ngurtësia; ndryshoi përdorimin për “temën e madhe”, duke kërkuar madhështi poetike jo vetëm prej luftës dhe heroizmit të jashtëm, por edhe prej përjetimeve të “heroit të dobësisë”; duke zgjeruar shumëfish hapësirën e realitetit në poezi dhe duke i ndryshuar rrënjësisht raportet ndërmjet tyre.
Agolli krijoi një poezi antologjike me motive të përditshmërisë së jetës.
Poezia e Agollit ka ndikime të drejtpërdrejta prej poezisë popullore, prej artit të Naim Frashërit e të Lasgushit, prej Bërnsit e autorëve rusë të fillimit të shekullit të 20-të. Kjo poezi emancipoi në tërësi mendimin letrar në Shqipëri dhe futi frymën e konkurrencës për ide të reja dhe cilësi në art.
Gjithashtu krijimtaria poetike e Dritëro Agollit mund të cilësohet si liriko-epike. Kjo ishte një shmangie e madhe nga tradita, e cila mbahej kryesisht në lavdinë epike. Agolli e pruri poezinë shqipe prej kozmocentrizmit në homocentrizëm.
Poezia e D. Agollit e ktheu vëmendjen në jetën e njeriut në kohë paqeje. Në kohën kur u botuan librat e parë poetikë të tij, botën e sundonte slogani “t’i ktheimë armët në plugje”. Kjo ishte një thirrje e përgjithshme e njerëzimit në gjysmën e planetit.
Në këtë kohë Agolli shkroi poezi që përshkohen nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, babait. Ishte një prurje e re në letërsinë shqipe pretendimi i tij për të qenë një “unë” i identifikuar në letërsi. Kjo u shpreh qartë, fillimisht në poemat “Devoll-Devoll”, dhe “Poemë për babanë dhe për veten”.
Nga ana tjetër në tërësinë e vet poezia e Dritëro Agollit sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe i bagëtisë. Në këtë tipar të poezisë së tij rishfaqen panteizmi i Naimit dhe gjurmë të botëkuptimit bektashian.
Në mënyrën e vet Dritëro Agolli krijoi “një Shqipëri alterna-tive”, që mbështetej në një ideal romantik. Kjo është një marrëdhënie e zakonshme poetike me realitetin, e njohur në traditën shqiptare dhe atë të huaj. Të gjithë e dinë se Naimi e kishte fare mirë të qartë se cila ishte Shqipëria, por ai krijoi Shqipërinë e vet plot bukurira imagjinare. Ismail Kadare e krijoi “Shqipërinë tjetër” duke mërguar në lashtësitë e moçme shqiptare.
Ndërsa “Shqipëria tjetër” e Dritëro Agollit, që hyjnizohet tek “Nënë Shqipëri” dhe në vepra të tjera, është kulti i atdheut, përthirrja e krenarisë kombëtare. “Nënë Shqipëri”, si duket, u shkrua si një “Bagëti e bujqësi” e kohëve moderne. Fryma naimiane e futurizmit romantik (“Shqipëria, ç’mund të jetë”, siç do të shprehej Samiu), ndihet e plotpushtetshme në poemë. Agolli dëshironte të ndërtonte një Shqipëri të lumtur.
Poetikësht kjo mund të arrihej ose në formën e mitit të së shkuarës (nostalgjisë për “motin e madh”, si e bënë shumica e rilindësve), ose në formën e utopisë – kultit të së ardhmes, idealizimit të një “vendi që nuk ekziston” (nga greqishtja.
“u-topos”, “vend që s’është”). (8) Dhe në vëllimet më të fundit poetike, D. Agolli s’ka pushuar së qeni një poet mjaft popullor, që s’mban kurrëfarë distance me lexuesin e thjeshtë; që dhimbjen, gëzimin dhe dobësinë njerëzore i merr si ndjenja universale dhe i shkrin me filozofinë jetësore. Raportet jetë / vdekje, lumturi / hidhërim, tradhti / besë etj. bashkëjetojnë dhe përplasen me njëra-tjetrën sa në realitetin e jashtëm aq edhe në atë të brendshëm.
Dritëro Agolli që nga fillimet e deri më sot mbeti një poet i trishtimeve “të vogla” për një zog të vrarë apo një qen të shtypur dhe poeti i dhimbjeve të mëdha për udhëkryqin e historisë shqiptare. Asnjë poet më shumë se Agolli nuk e ka të shprehur kaq me sinqeritet dobësinë e vet njerëzore.
Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim, Por në një vend të huaj dhe të largët… (Sikur s’jetoi në vendin tim) … Dhe gishtat kërcas si kokrra arrash të forta është koha kur mblidhem shuk nën peshën e natës Dhe pres i friksuar kusarët të vijnë te porta (është koha) Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë, E mbylla dhe derën që rrinte e hapur… … Diku në një skaj të largët do prehem Me qafën e futur në jakën gri të xhaketës… ( Trishtimi) Libri poetik “Fletorka e mesnatës” u botua nga Dritëro Agolli në 40-vjetorin e botimit të vëllimit të parë, “Në rrugë dola”.
Gjatë 40 vjetëve krijimtari, poezia e Dritëro Agollit ka ruajtur disa tipare përveçuese, të cilat janë të pranishme vijimisht:
kultin e tokës dhe të bukës, shenjtërimin e natyrës dhe të njeriut, raportin vetjak me botën, mitin e dheut të të parëve dhe të historisë së tyre, përmasën e një të ardhmeje optimiste dhe zhgënjimin për humbjet e së shkuarës.
Përfundimi
Në vitet ’90 Agolli iu paraqit lexuesit të vet me një ringjallje poetike. Kjo qe një sfidë e fuqisë krijuese. Pas “Pelegrinit të vonuar” dhe “Lypësit të kohës”, në një periudhe kulturore që erdhi me tronditje të rënda të referencave të shoqërisë, poeti shfaqi një tjetër pjesë të fshehtë të vetes, që ruhej diku në “Fletorkën e mesnatës”.
Në këtë libër shpërfaqet po ai Dritëro që prej vitesh “udhëton i menduar”, po ai qytetar që mundohet të shohë fatin e vet në fatin e bashkësisë ku jeton, i njëjti poet që e gdhend fjalën sikurse mjeshtri gurin. “Fletorka e mesnatës” është një vëllim me të cilin poeti ka shprehur përjetimet e dhimbshme të një kohe me tronditje të mëdha, prej vitit 1996, kryesisht të vitit 1997, disa edhe të vitit 1998. Me këtë vëllim është paraqitur një hapësirë tjetër e poezisë së tij.
Vjershat e “Fletorkës së mesnatës” janë bisedë e dhimbshme me veten, me miqtë, me aleatët dhe kundërshtarët, me njeriun ashtu sië është. Nata është e ngarkuar me zymtësi dhe njeriu është mirë të mos mendojë gjatë natës. Nata është depresive dhe njeriu është mirë të ruhet prej rënies, sidomos në kohëra të rënda. Mirëpo ndërgjegjja e poetit nuk mundet ta pranojë këtë luks. Dhe është një fat që ndërgjegjja e poetit ka ndenjur zgjuar e ka kthyer në art situata e ndjesi që njeriu i zakonshëm do t’i shmangte lehtë me një qetësues nervash. Poeti ka nyjëtuar në artën e tëj vuajtjet e njerëut që e di përgjegjësinë e tij para opinionit, që t’i tregojë atij se ë’vlerë ka dhimbja. Po, edhe dhimbja ka vlerë! Eshtë një ndjenjë fisnikëruese.
Ka qenë një fat për njeriun shqiptar, subjektin që pret letërsinë në gjuhën shqipe, që këto dhimbje poeti la sjell atij si një “realitet të dytë”, si realitet letrar. Ne dridhemi nga dhimbja e poetit, që vjen prej “realitetit të parë”, ngjarjes së ditës, gjëmës së ditës, tronditjes së ditës, të cilin poeti nuk e ka përjetuar si poezi. Përmes dhimbjes letrare që arriti të shprehë Dritëro Agollë ne kemi mundur të kuptojmë vlerën e mahnitshme të gjuhës që flasim e që kanë folur të parët tanë, vlerat e kësaj pasurie që i lidh shqiptarët me burimin e kryehershëm të popujve evropianë e indo-evropianë, finesat e saj të brendshme, që vetëm një mjeshtër i fjalës mund t’i bëjë të ditura.
LITERATURA:
1. Dritëro Agolli, Fjala gdhend gurin, Naim Frashëri, Tiranë,1977, faqe 250 2. Robert Elsie, Një fund dhe një fillim, Buzuku, Prishtinë, 1995 3. Dritëro Agolli, Pelegrini i vonuar, Tiranë, 1993 4. Të pagjumët (D.Agolli), Rilindja, Prishtinë,1980, faqe 15 5, 6, 7,8, Dritëro Agolli, Të pagjumët, Rilindja, Prishtinë, 1980.