POETIKA E ARISTOTELIT NË OPTIKËN MË TE RE TË A. N. BERISHËS

0
906

Isak A h m e t i

Kohë më parë, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Anton Nikë Berisha nxori në dritë librin e tij më të ri studimor-monografik: VËZHGIME MBI”POETIKËN” e Aristotelit, SHB “FAIK KONICA”, Prishtinë 2018, fq. 138.

Është ky një studim monografik, i rrallë, që i jepet lexuesit dhe studiuesit shqiptar e ku, në mënyrë të thelluar shkencore, studiuesi Anton Nikë Berisha iu ka qasur “Poetikës” së Aristotelit. Vëzhgimi i pikëpamjeve të Aristotelit shprehur në veprën “Qasje artit poetik” -“Poetika”, nga studiuesi A.N.Berisha, përkatësisht qasja mendimeve të tij për artin e fjalës, nuk domëthënë kthim prapa, kodifikim i përcaktimeve të dukurive të letërsisë, po njohje më e mirë, hapje dhe pasurim i mendimeve dhe vlerësimeve, vetëdijësim i mundësive të pafund të komunikimit dhe të interpretimit të veprës letrare si strukturë gjuhësore poetike.

Që këtej prandaj, edhe sipas Gadamer-it, të cilit i referohet edhe studiuesi A.N.Berisha, del se tradita nuk është vetëm një përmbledhje mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri.

Libri: Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit i A.N.Berishës hapet me një Hyrje shumë përmbajtësore (fq. 9-22), ku, ndër të tjera, theksohet se tri ishin, pos tjerash, çështjet kryesore që e kanë shtyrë t’i qaset dhe ta vëzhgojë”Poetikën” e Atistotelit:

  1. Në këtë vepër, në një mënyrë ose në një tjetër, Aristoteli sublimoi përvojën dhe dijen për letërsinë e kohës së tij… letërsia që u krijua në gjuhën e lashtë greke në kohën e Aristotelit u mbështet në letërsinë që u zhvillua edhe më parë…

2. Njohja e mendimit të Aristotelit për letërsinë, mënyra se si lindin veprat mbi bazën e mimesisit, njohja e natyrës së poezisë (letërsisë), përballë historisë, pastaj njohja e veçantive të llojeve-gjinive letrare, sidomos të tragjedisë dhe të epikës, të mundësisë së ndikimit të së bukurës të veprës letrare – poetike në marrësin, të dukurisë së katarsisit, që shprehet sidomos gjatë shfaqjes në skenë të veprës dramatike, ndihmon të vërejmë sa ka ndryshuar dhe sa ka shkuar përpara mendimi teorik, estetik dhe interpretues i letërsisë dhe i veprave të veçanta letrare përballë asaj që ka thënë Aristoteli rreth 2300 vjet më parë.

3. Duke u marrë me mendimin e Aristotelit për letërsinë i jepet jetë studimit të mëtejshëm të saj, i cili ka për dëtyrë të dëshmojë që letërsia si art të bëhet e të jetë pjesë e pandashme e veprimtarisë shpirtërore të njeriut, që sot funksionon dhe përcillet, pra dhe ndikon, përmes mjeteve të ndryshme bashkëkohore teknologjike, e jo vetëm përmes të librit ose shfaqjes së veprës në skenë.

Libri: Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit i Anton Nikë Berishës hapet me një Hyrje shumë përmbajtësore (fq. 9-23), ku, ndër të tjera, theksohet se tri ishin, pos tjerash, çështjet kryesore që e kanë shtyrë autorin t’i qaset dhe ta vëzhgojë “Poetikën” e Aristotelit (fq. 22-23).

Librin në fjalë autori e ka strukturuar në katër pjesë

I. TRADITA PARA ARISTOTELIANE
– Arsyet e vështrimit të “Poetikës” së Aristotelit
– Tradita ku u mbështet Aristoteli

II. LETËRSIA SI ART I FJALËS
– Aristoteli për artin e fjalës
– Ndryshimi midis poezisë dhe historisë

III. ÇËSHTJE TEORIKE-POETIKE TË LETËRSISË
– Mimesis-i bazë e përtëritjes dhe e pasurimit të artit të fjalës
– Rëndësia dhe qenësia e katarsës shpirtërore
– Tragjedia dhe veçantitë e saj
– Mbi veçantitë e poezisë epike
– Afritë dhe ndryshimet e tragjedisë me epikën

IV. ÇËSHTJE TË ESTETIKËS SË LETËRSISË
– Estetika e veprës letrare dhe estetika e marrësit.
– Të dhëna biografike të Aristotelit
– Disa vepra të rëndësishme kushtuar Poetikës së Aristotelit.

Nga studimi që i bën “Poetikës” së Aristotelit studiuesi Anton Nikë Berisha del se kjo vepër shënon fillimin e shkencës së letërsisë evropiane. Kjo vepër e Aristotelit, si një monument kryesor i periudhës klasike greke, kushtuar shtjellimit sistematik të problemve të krijimtarisë artistike apo teorisë së letërsisë, edhe sipas studiuesit Berisha, ka një rëndësi të shumëfishtë, për të mos thënë të jashtëzakonshme për arsye se në të vështrohen një varg çështjesh të rëndësishme për letërsinë, në mënyrë të veçantë për dramën dhe epikën, për rëndësinë e veprës letrare, për marrësin, pra për estetikën e autorit.

Dukuritë e vështruara dhe të përcaktuara në “Poetikën” e Aristotelit, sipas studiuesit Berisha, përligjin mëvetësinë e natyrës së letërsisë, të veprës letrare, të komunikimit dhe të ndikimit estetik të saj në marrësin (Për estetikën në përgjithësi dhe për estetikën e letërsisë në veçanti më gjerësisht te vepra e përbashkët: ESTETIKA DHE ESTETIKA E LETËRSISË, e Anton Nikë Berishës&Labinot Berishës, SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2018, fq. 460).

Krejt në fund linfoe të theksojmë se vepra: Vezhgime… e Anton Nikë Berishës është një kontribut i çmueshëm rreth Poetikës së Aristotelit që do t’u shërbejë jo vetëm studentëve dhe profesorëve të letërsisë por edhe gjithë atyre që në një mënyrë ose në një tjetër u intereson Poetika e Aristotelit sikundër edhe estetika dhe zbatimi i saj në studimin dhe interpretimin e veprave letrare-poetike.