POETI ZYMER MEHANI NË LETËRSINË SHQIPE

0
686

Shkruan Sahit SHALA, shkrimtar

Zymer Mehani, në letërsinë shqipe, me shumëllojshmërinë e opusit krijues, në radhë të parë njihet me poezitë e tij përkushtuese për dëshmorët e atdheut, të cilat i gjejmë të përmbledhura në vëllimet poetike “Yje të qiellit tim”, Prishtinë, 2017; “Sandokani rron”, Prishtinë, 2017 e “Pranverojnë lulëkuqet tona”, Prishtinë, 2017.

Por, ky autor nga lexuesit njihet edhe për poezinë lirike të dashurisë, me vëllimet “Shtrëngoj dorën tënde”, Prishtinë 2015; “Arbora, qe dora!”, Prishtinë, 2016 dhe “Ku je, Arbora?”, Prishtinë, 2016. Po ashtu, emrin e autorit Zymer Mehani e kemi hasur dhe po e shohim me shkrime të ndryshme nëpër portalet tona “Shqipëria jonë”, “Bashkimi i Shqipërisë”, “Fjala e lirë”, “Zemra shqiptare” etj., si edhe nëpër faqet e gazetave “Bota sot”, “Kosova sot”, “Epoka e re” etj. ku plason kryesisht vështrime, komente dhe analiza, kryesisht për letërsinë dhe për veprat letrare që botohen te ne. Me këto studime, recensione e vështrime autori Mehani po i bën një shërbim të denjë kulturës dhe letërsisë sonë.

Mos ta harrojmë faktin se z. Zymer Mehani deri më sot është redaktor, recensent dhe lektor i mbi 100 librave të ndryshëm, shkencorë, artistikë, publicistikë etj.

Si në shkrimet studimore, po ashtu edhe në skalitjen e vargjeve, pena e prehtë e autorit Zymer Mehani ka arritur t’i prek majat e suksesit (si krijues dhe studiues i denjë). Natyrisht, mendimin tonë e mbështesim në faktin se emri i këtij autori tanimë njihet në tërë gjeografinë letrare shqiptare, sidomos me vëllimin poetik, kushtuar heroit të kombit, Abedin Rexha, të titulluar “Sandokani rron”, Prishtinë, 2017, që lirisht mund ta quajmë kryevepër të autorit.

Kur i lexojmë vështrimet, analizat, recensionet dhe studimet e autorit Zymer Mehani, vërtet shpesh mbesim të mahnitur nga shkathtësia, potenciali i fuqisë së tij studimore e letrare, i fokusuar në ngjarjet me ngjyrim krejt kombëtar. Me të gjitha këto angazhime studiuesi dhe poeti Zymer Mehani na mbush mendjen dhe na bind plotësisht se vetëm me punë dhe vullnet mund të arrijmë atë që duam ta arrijmë.

Poeti Mehani, thuajase tërë potencialin e tij krijues e ka vënë vetëm më shërbim të atdheut, ngase lajtmotiv i poezisë së tij është atdhedashuria. Ai udhëhiqet nga intuita tejet e saktë dhe nga një vizion poetik, sa thua se është gjithnjë i pagabueshëm.

Vepra poetike e autorit Mehani ngërthen në vete vlimet, shqetësimet dhe trazimet, por gjithmonë me rrezatim optimizmi. Ky poet nisi të proferojë në poezi me një përvojë dhe përgatitje teoriko-letrare, ngase, siç e dimë është edhe studiues i letërsisë shqipe.

Duke lexuar vargjet, sidomos ato me motiv atdhetar të poetit Zymer Mehani, hasim në një vitalitet poetik që del faqendritur kurdoherë dhe kudo që përqëndrohet; shpërthen kjo fuqi talenti prej shpirtit të poetit duke i dhënë një fuqi vargut e shprehjes poetike në tërësi, prandaj edhe vetë poezitë e tij na bëhen të afërta, të ngrohta dhe të pranueshme nga të gjitha shtresat dhe moshat e lexuesve. Ndodh kështu për faktin se syri krijues i intuitës dhe i vizionit të poetit Mehani ka një fuqi depërtuese, privilegjin e të vërejturit të dimenzioneve të pavërejtura.

Të shkruash qartë, të përvetësosh çdo profil lexuesi, pikërisht me afshin e afërsisë, ngrohtësisë, atdhedashurisë, ashtu siç ndodh me autorin Zymer Mehani, do të ishte lakmi e çdo poeti.

Që nga kujtimet e mbresat e kohës së fëmijërisë (vëllimi për fëmijë “Diellza diellon”, Prishtinë, 2018), kthimi nga lashtësia krenare (“Gjithçka ke, atdhe”, Prishtinë, 2010, “Jeho, këngë shqiptare!”, Prishtinë, 2010), lirika intime (“Shtrëngoj dorën tënde”, Prishtinë, 2015, “Arbora, qe dora!”, Prishtinë, 2016, “Ku je, Arbora?”, Prishtinë, 2016, dhe “Dëlirësi buzëqeshjesh”, Prishtinë, 2016), qëndrueshmëria heroike dhe erërat brutale që prore qëndruan dhe qëndrojnë ende mbi kokën e popullit tonë, tradhtia si sinonim i shëmtisë njerëzore (vëllimet “Yjet e qiellit tim”, Prishtinë, 2017, “Sandokani rron”, Prishtinë, 2017, e “Pranverojnë lulëkuqet tona”, Prishtinë, 2017) autori Zymer Mehani mbështetet në mendimin për besim në të drejtën dhe të vërtetën, në humanizëm, duke i dhënë udhë dhe jehonë vargut të tij margaritar.

Pra, autori Mehani ka zgjedhur vetëm një rrugë, vetëm një alternativë, por nga më të mirat, besimin në vetvete, në triumfin e së vërtetës njerëzore, prandaj, një ngrohtësi, një llavë vullkani prore përzihet në vargjet e tij plot qëndrueshmëri, besim e gjallëri.

Mendojmë se si të tilla, poezitë e poetit Zymer Mehani në çdo çast, qoftë në disponim apo në dëshpërim, në çaste të zymta prej ndonjë monotonie, apo në çaste të hareshme plot ngazëllim, na rrëmbejnë vrullshëm duke përçuar tek ne hove gjallërie dhe optimizmi, ngase, tek e fundit, ky është edhe misioni i poezisë dhe i artit përgjithësisht, të cilin e di fort mirë edhe autori Mehani. Ai sublimon në vete edhe vlerat e vargut që vërshon dhe ther pamëshirshëm, bashkë me butësinë dhe ëmbëlsinë e brishtë të shpirtit të tij skofjar.