POETI THEODHORI PROKO KA REZISTUAR NË TRADITËN MË TË MIRË TË POEZISË SHQIPTARE

1
678
Theodori Proko - Nektari më i ëmbël

Për një libër të dikurshëm me poezi të Theodhori Prokos “Nektari më i ëmbël”, Neraida, Tiranë 2016

Vargjet i kam mbjellë si lulet,
Me merak prej bahçevani,
I kam ngrohur me frymën time,
Të çelin gonxhe si jargavani.

Nga Enver Lepenica

Kur kam mbaruar punët e ditës dhe shtrihem të shlodhem, hedh sytë nga biblioteka dhe marr një libër për ta lexuar. Këtë radhë mora librin me poezi të Theodhori Prokos, “Nektari më i ëmbël”, që më la mbresa, e që po i parashtroj në këtë shkrim. Në 215 faqe të këtij libri, përmblidhen 180 poezi të redaktuara nga Kleo Lati.

Dashuria e pa kufishme që poeti gjysh ka për nipin Joanin, i ka dhënë edhe titullin librit: “Ti çapkëm dhe yll i bukur,/ Si filizi në shpërthim,/ Unë i urtë e plak i muzgur, / Si një ditë në perëndim”. Poezia mbyllet me merakun e poetit që nipi ti ngjajë gjyshit që shkroi vagje.
Poezia më solli në mendje të ndierin mikun tim, professor Nexhat Mersinin, që kur kthehej nga Kanadaja ku kishte qenë tek vajza e tij shkencëtare me emër të madh, më tha: “Enver, atje jam me nipin. Në të ri njeriu e ka dashurinë tek fëmijët, por Zoti nuk na lë pa dashuri. Në moshë të thyer dashurinë e kemi tek nipat dhe mbesat”.

Theodhori Proko pa dyshim është nga poetët më produktiv të Vlorës. Në poezitë e këtij vëllimi shfaqet bota e ndjeshme e tij, shqetësimi për shoqërinë. Ndërkaq, poetin e mundon dilema e problemeve dhe halleve të shumta që ka shoqëria jonë. Proko është i urtë, nuk di ta ngrej zërin, nuk bën zhurmë për krijimtarinë e tij, por di të gdhendi në vargje ndjenjat e mendimet për shoqërinë.

Është jashtë fuqive të mia, si ekonomist, për të analizuar dhe vlerësuar veprën e poetike të Theodhori Prokos po më shumë unë mora detyrën e lajmësit se lexuesi nuk duhet të humbasë rastin pa lexuar “Nektarin më të ëmbël“ të këtij poeti, e aq më tepër në kufijtë e një artikulli s’mund të themi gjithëçka që ndiejmë.

Megjithë drujtjen time qëllimit tim për t’ia bërë të njohur publikut veprën e Theodhori Prokos ia kam arritur.

* * *

Në poezitë e para të këtij vëllimi poeti trajton luftën përditëshme të njeriut, për të triumfuar mbi vështirësitë dhe pengesat e jetës, kështu ai përshkruan jetën e tij: “Të dy bashkë, o jeta ime, / Sup më sup kësaj rruge ecëm, / Diku vrapuam posi dreri, / Diku ramë e diku ngecëm.” (f.5)

Ndërsa në poezinë pasuse poeti arrin në përfundimun se do të jemi në luftë me vetveten, për të mos na mposhtur mendimet e liga.

Më tutje ai i ngre himn njeriut të thjeshtë që nuk lakmon podiume e foltore që nuk lakmon uiski e martini por: “Një godë raki dhe një qepë,/ për mua janë kënaqësi më vete”, thotë poeti.

Në poezinë “Kapu te vetja jote”, poeti e shikon triumfin në jetë tek besimi dhe mbështetja tek vetvetja.

Diku poeti me një gjuhë fine krahason të dehurin me raki, me të dehurin nga dashuria: “Ti je bërë tapë me raki,/ Unë i dehur nga një vshtrim”, pra të dy janë të dehur, njeri kërkon godën e tjetri: “Ku t’i gjej prapë ata sy, / Që më ndezen si qiri”.

Poeti shpreh dashurinë pa kushte për atdheun: “Të kam dashur dhe të dua/ Plakur rrudhur sido që je,/ S’e mohoj dot veten time/ Të kam mëmë, të kam atdhe”. ( 59)

Në poezinë e Prokos dëgjohen britmat e popullit për hallet dhe problemet e përditëshme të tyre. Kështu ai bëhet më shumë se poet, bëhet interpret i britmave të popullit për jetën e vështirë. Ankesat e përditëshme të qytetarëve merren dhe vendosen në poezinë e tij në atë formë që ndikon në gjykimin e shoqërisë.

Pra kemi të bëjmë me nje poezi me ide, me mesazhe, një poezi që lexohet me ëndje, që prek mëndjen dhe shpirtin e lexuesit. Kështu në poezinë “Në udhëkryq”, me një gjuhë të bukur dhe metaforike ai prek çështjen e emigracionit: “Të rri këtu…? Po si të jetoj…?/ Njëlloj më duket horizonti,/ Det – andej, e lum – këtej”. Poezia e tij regjistron ngjarjet e njerëzve të mundur e të varfër, kështu ai bëhet interpret i shpirtit të popullit të tij. Studenti që ka mbaruar universitetin me dhjeta paraqitet për punë, por në zyrën e shefit të madh merr një përgjigje asgjesuese: “Këtë, (diplomën) më tha, vare në qafë për hajmali/ Teserë partie a ke, mor zotri?” (f.169)

Është e dhimëshme, plaga e shoqërisë sonë që njerëzit vlerësohen nga kontributi që japin në partitë politike dhe jo nga vlerat, plagë që e lë shoqërinë në prapambetje.

Dashuria për Theodhori Prokon është komplekse. Poeti nxjerr nga vargu i poetëve klasikë, sikundër janë Lasgushi dhe Ali Asllani, frymën e këngës mbi dashurinë, duke shtruar edhe si koncept të meditimit poetik. Poezia e tij ka një gjuhë fine, mbreslënëse kur shkruan se kishte pirë e ishte dehur nga se vajzën e romanit në dorëshkrim e kishte vrarë! “Dhe rashë përmbyes e vajtova,/ Deri vonë ndaj të gdhirë”.

Poezia “Porositë e nënës”, nga më të bukurat e këtij vëllimi, nuk mund të harrohet. E kush nuk shkroi për nënën? Po sejcili në mënyrën e vet, e sejcila poezi është e bukur, se prek zemrën e mëndjen, kështu edhe poetit tonë i del në ëndërr nëna me shumë porosi, dhe poetin:

Nga dhimbja zemra më lëshon,
Në lot mbytem nga të qarët,
Ah, moj nënë, psherëti me shpirt,
Ty të kam mbi gjith të gjallët.

Po kështu poeti vajton, qan e loton edhe për babanë: “Sikur të ishte në dorën time/ Të mos shuhej kandili yt,/ Me pika gjaku nga trupi im,/ Do ta ushqeja ditë për ditë.” (f. 39)
Te një poezi tjetër poeti në moshën e pleqërisë në tre strofa na lë mbresa për shfaqjen natyrore të dëshirave njerëzore edhe në moshën e thyer: “Iku, shkoi, zjarri u shua / Po lakmia s’ka të sosur, / Zemra s’mba më dritherima, / Syri sheh e s’ka të ngopur.” (f. 28)

Në emigracion poeti sheh shokun e klasës dhe afrohet t’i flasë, por ai i thotë: “Me cilin kam nderin të flas, s’të kuptoj tha, nuk flet greqisht? Poeti ndjen dhimbje shpirti me këta bastardë të racës njerëzore, që harrojnë gjuhën e nënës dhe atdheun ku kanë lindur e ku kanë varrin e të parëve.” (f.30)

Poetit i dhemb zemra kur troket në derën e ish shokut që tashmë shef dhe përpara i del sekretaria e i thotë se shefi nuk pret. E megjithëatë poeti është zemërbutë kur thotë: “Për ty në shprit ndjeva keqardhje/ Kolltuku kaq shumë të të ketë tjetërsuar.” ( f. 99)

Te poezia “Moj Sarandë e moj Delvinë”, poetit i dhemb zemra se ikën djemtë dhe e lanë, “Zjarri i mallit ju zhuriti,/ Moj Sarandë e moj Delvinë”.

Në disa poezi trajtohet karakteri njerëzor. Poeti mbron idenë se njeriu duhet të rrojë me djersën e ballit, dhe duhet të jetojë jo vetëm për veten e tij, por edhe për shoqërinë. (f. 40)

Në poezinë “Guxoj të flas me Zotin”, me gjuhë filozofike trajtohet çështja e pa shpegueshme: “Pse ta vuaj dhimbjen unë/ Dhe shkaktari të bëjë sehir?”.

Po ashtu lëshohet klithma se shpirtin njeriu nuk duhet ta shesë: “pa shpirt s’do isha më njeri”, thotë poeti. (f.43) Poeti nuk bëhet merak se sa vite ka kaluar në jetë dhimbja e tij është se sa “sa prej tyre shkuan kot” (f. 54)

Me poezinë “Malli m’u kthye në dhimbje” poeti na përcjell dhimbjen njerëzore kur takon pa pritur profesorin e tij dhe e vështron atë me mall, por: “Gjithëçka tjetër ishte tretuar/ Me gishta bënte llogarinë,/ Fliste nën buzë e pëshpëriste/ Sa më mbeten për insulinë?” (163)
Emigracionit dhe plagët që vijnë prej tij poeti i ka kushtuar disa poezi në forma të ndryshme, por poezia “Këngë e re, histori e vjetër”, lexohet me dhimbje që vjen nga largimi i të rinjve nga atdheu dhe pasojat që mbeten pas.

Nuk mund të mos preket zemra njerëzore kur nëna i shkruan letër të birit: “Ditët shtyjmë, unë dhe yt atë/ Pak nga pak mblidhet litari,/ Sot të presim te pragu i shtëpisë,/ Nesër do të flasim nga varri”. E po të më pyeste mua Theodhori Proko do ti thoshja se titulli i kësaj poezie duhet të ishte: “Nesër do të flasim nga varri”.

Vëllimi poetik “Nektari më i ëmbël”, mbyllet me këto vargje:

Po kjo punë është si qiriu,
Kur ndizet edhe do të tretet,
Lum ai që bën të mira,
Flake kujtimi do të mbetet. (f. 207)

Përfundime
Në kohën e sotme kur poezia shfaqet në shumë forma poeti Theodhori Proko ka rezistuar në traditën më të mirë të poezisë shqiptare. Rezistenca e tij për të qëndruar në traditën e poezisë së Ali Asllanit e Lasgush Poradecit është ushqyer në radhë të parë nga dashuria e poetit për vendin dhe poezinë.

Ai ecën në gjurmët e poezisë traditës sepse ata që hodhën bazat e kësaj poezie që nga Rilindja kanë mbetur edhe sot e kësaj dite të pa tejkaluar në fuqinë e krijimtarisë së tyre për të depërtuar tek populli e për t’u përvetësuar prej tij.

Tek lexojmë vargjet e poezive të Prokos:

O mendime që më vini
Si mysafirë të pa ftuar,
Ma bëtë mëndjen katrahurë
Brenda kokës duke zhurmuar. (f. 196)

A nuk na kujtojnë këto vargje poezinë tradicionale te Rilindjes, të Ali Asllanit dhe Lasgush Poradecit? Kështu Theodhori Proko vazhdon traditën e poezisë shqipe aq të dashur dhe të dëshëruar nga populli. Ai shkruan me rimë dhe i ka vënë vetes detyrë që idenë, mesazhin ta shfaq përmes poezisë tradicionale, me strofa katërshe, me vargje standarde tetërrokëshe.

Edhe për nga arsenali i figuracionit poetik, ai ka përdorur një sërë figurash, si: metaforë, krahasim, epitet, simbol etj. Vargu i tij të nxitë ta lexosh edhe për muzikalitetin që krijon. Vargu është i matur dhe i ngjeshur me rimë të alternuar, duke krijuar kështu ritmin që shkakton muzikalitetin e vargut.

Teksa e lexojmë fund e krye vëllimin me poezi të Theodhori Prokos na vijnë mesazhe jete që na emocionojnë dhe na frymëzojnë për idenë dhe mesazhin, që përçojnë te lexuesi.

1 KOMENT

  1. Thjesht dhe bukur, pa shume zhurme por poezia e Theodhori Prokos, le gjurme, te ngacmom ndjenjat, hera heres te ben te bertasesh kunder padejtessive dhe hera heres te zbut, te sheron plaget, te mbush me mall. Njafton te lexosh poezite e tij per ta kuptuar thellesine. e mendimit te shprehur ne vargje.

Komentet janë mbyllur.