Ndoc Selimi
Pjerin Ndreka (Pier Kolend) vjen para lexuesve me kët’ volum poezishë, të cilat bulzojnë dhe rriten ngadalë në mes nesh pa zhurmë e bujë. Poeti qëndron afër tokës e nuk ik horizonteve me kerkue frazologji, metafora e krahasime. Vargjet poetifikojnë vetvedin dhe lexuesi asht pjesë e jetës përditëshme; jam unë, ti, vetë poeti, janë ditet që iken e ato që kanë me ardhë, pra na shfaqen anët e dukëshme e të padukëshme të realitetit ku jeton çdo njeri.
Rreth 340 vjet ma parë nji ndër poetët e papërseritshëm të popullit francez Nikola Baulo në hymje te poezisë së parë shkruante:
“Më kot nji autor i krisun, mes poezisë,
N’Parnas mendon t’arrijë në kulm të naltsisë:
Nëse nuk ndjen prej qiellit atë ndikim të fshehtë,
Nese nuk asht thanë të lindet poet…”
Poeti Pjerin Ndreka asht i lindun nën ndikimin e fshehtë qiellor, ashtu si vetë Shkodra e tij, për të na sjellë copëza jete mjaft interesante, realitetin e kapshëm, ku mjafton të shtrishë dorën dhe të zbresin të gjitha menjëherë si petale trandafilash të pjekun tuj lanë frutin e mbështjellun me dashni.
Përsonazhet nuk kanë emna, por janë përemna dhe si të tillë mbajnë vulën e gjallë dhe nuk lakohën, nuk kthehën në manikinë cepave të dyqanëve për t’ba një reklam malli, ata ecin, punojnë, tregojnë, dashurohen, por edhe mashtrojnë e rebelohën. Paralel me ta ritmohën edhe vargjet e poezisë, strofat e vetë poezia. Kohorja përzihet harmonikisht me të shkuarën e të ardhmën tuj rrëshqitë si padashje ndonjiherë në greminen e pesimizmit për me nxjerrë atë duf që i vlon përbrenda poetit kur i mohuen fjalën, lirinë, flakën rinore mbi zemër. Poeti del para botës ashtu lakuriq tuj kujtue vetvedin e rrugën e ardhjës.
“Unë jam nji lule e mbjellun prej Atit
me zellin e kopshtarit mirë.
Lehesh jam rritë, i plehnuem prej fatit.
M’ka vaditë bulza e lodes s’dlirë.”
Kjo asht mirësia, asht mrekullia. Asht ai gen shqiptar i trashëguem me mijëra vjet e kshtu duhet të kishte vazhdue – thotë poeti, por shpejt ai revoltohet, idhnohet e rebelohet tuj mos i msheh asgja realitetit, bile tuj lshue piskamën në kupë të qiellës e tuj denoncue dorën ku ra lulja – njeri e njeriu – lule, ashtu siç ka ndodhë me vetë autorin dhe brezin e tij, që kanë kalue moshen ma të mirë nën pesha të randa me ngarkesa kryqesh pa ma të voglin faj.
Kshtu pena e poetit i mshanë me forcë letres e bahet dëshmitar i asaj çka ndodhi realisht:
“Unë nuk e dita se kanë me m’lmue
gishta të ndyet kopshtarësh pa erz.
Edhe aromën ma kanë qelbsue,
sa m’vjen zor me dalë ndër njerz”
Faqe mbas faqesh poeti Pjerin Ndreka këndon në poezitë e tij amel e me nji tematikë shumë të gjanë e plot ngjyra e deri te kujtimi i shokut që nuk asht ma: “Ku e ke lanë shokun e vjetër” e ma andej vinë me radhë : “Mall për Shkodrën”, ku spikatë ma shumë se kudo ky mall në shpirtin e poetit mergimtar dhe deri te retrospektiva, kujtimet e nji kohe të largët e pa kthim.
Zemra e poetit tkurret e trishtohet kur “Dikush kërkon me ma tremb diellin”, kur “Hasmi e ka n’mend sante me vue pritë”, kur “Keqardhja gjoksin po ma ndrydh”, por asht po kjo zemër që di me rregullue balancat e gëzohet si nji fëmij kur sheh progresin, mirësinë, të ardhmën.
Fjala i bahet zog e fluturon nalt: “Ktheja sytë njiherë diellit. Shif si ka vue buzen në gaz” dhe se “Kaiher’ andrrës keqe i hyp n’shqelma shpresa” e ma andej kerkon lirinë e humbun dikur: “Të dal prej kafazit. Të jem zog i lirë”. Nëpermes fjalës e vargut të thjeshtë tuj perdorë vetëm gjuhen veriore, i jep shumë vlera kuptimit, por ma tepër nënkuptimit, sa shpesh të befason me sjelljen e risive të reja në këtë materie.
Leximi i poezive që përmbanë ky liber i poetit Pjerin Ndreka, janë për këdo njohje dhe dije e perfitume, Urime autorit!