Poeti i talentuar Nikoll U. Ndrejaj

0
1789
Nikaj Mertur - turizmi

Nikoll U. Ndrejaj, nji poet qe sa vjen dhe lartesohet ne krijimtarin e tij.
Jane nji seri librash te botuar dhe te tjere qe presin botimin! Ministria e kultures ase qe merre mundimin te kontaktojë me penat brilante, nuk jane pake! Po neser doi duhen brezit te sotem dhe atyre qe vin.
Papunesia, flakja nga puna e z. Nikoll nga pushtetar te pa pergjegjshem e ka lodhur shpirtin krijues te ketije burri fisnik e fjalë pake.
Politika e çdo ngjyre qofte, njerzit me kontribute shume vjeçare, specialist te afet ne profesion, hidhen ne rruge per militantizem!ku ndodhe kjo hata ne vendet demokratike?
Poeti, shkrimtari e mbi te gjitha nji qytetar me integritet si Nikoll U.Ndrejaj perbadhet me pa drejtesit e kohes… pena dhe mendja krijuese duhen trajtuar me shume kujdes nga ç’do qeveri qe vjen dhe shkon ne pushtet,inteligjenca eshte truri i çdo kombi… urime miku im Nikolle.

Nikollë Ulndreaj

VENDLINDJES TIME NIKAJ MËRTURIT

Po ç’më gjeti mua të gjorin me këtë vendlindje
Më ndjek nga pas si qengj në perëndim e lindje
Një fije bari mbi flokë një copë balte në këpucë
Pak pjalm mbi supe në çorape pakëz llucë
Pak kreshtë në ballë, në zemër prush nga guri
Si dy vullkane të mëdhenj Nikaj e Mërturi
Ç’më dogjën me llavë ngado nëpër botë
Herë si yll, herë si diell, herë si hënë e plotë
Sa herë ulem të fle po më varet te qerpiku
Kjo planprishse e egër s’po më lenë të iku
Më piskatë trishtueshëm “ kthehu tek pragu”
Shtojzovalle e zana të presin më lule zambaku
E unë zihem me këmbët se larg më kanë tretur
Syri më rigon lot buzës së etur
E qaj. E qaj. E qaj, e qaj
Pastaj më zë gjumë i ëmbël në krahët e saj
E ngrihem në tjermë në vendin e huaj
Buzëplasaritur, buzëshkrumbuar për ujë..


Dorëshkrim, roman

…Atë mëngjes nëntori frynte një erë ulëritëse. Degët e gështenjave kërcëllinin sikurse donin të qanin. Ca gjethe gështenje fluturonin si zogjtë ajrit a thua se doni të bëjnë gallatë me njëra tjetrën. Maja e Marinit shikonte punën e vet, si një burrë i moçëm një shall mjegulle e kish hedhur rreth qafe. Dhe rrinte qetë pa e prishur terezinë. Dikund në anë të Qafës dukej sa një shami qiell i kaltër. Dhe pikërisht atëherë kurë ngjasonte se koha do të bëhej tejet e vështirë dhe e pashpresë për udhëtim ndodhi e kundërta. Retë e lanë të lirë qiellin. Me sa dukej kishim marrë udhë tjetër. Me kaq qe mbyllur puna e shiut. Dhe unë e ndjeva vetën të lehtësuar. Nëna ime shtatgjatë rendte nëpër shtëpi pa mëdyshje. Që nga maja e flokut gjerë në thembër i rridhte bukuria. Fytyra e kuqe si mollë i kuqëlonte. Flokët e gjatë të bërë bystek i rrinin mjaftë bukur. Sytë e kaltër i shkëlqenin me një shkëlqim të pazakontë. Vetullat e saj të zeza të binin në sy si tuflak çetine.

Dhëmbët e gjatë e të bardhë i vinin sipas fytyrës. Kraholi i qëndisur, këmisha e bardhë, rripi i gjerë i brezit me lulore e zinxhir serëm, fundi i gjatë i kremte, çorapët me yrnek të veçantë, opingat me lëkurë të kuqe, shtati i hedhur e bënin një femër të jashtëzonshme që im atë nuk ia heqtë dot sytë. E ngazëllonte për një mend. I dukej më e ëmbël. E bënte ti lëvizte shtati kurë i kalonte pranë. Ishte i bindur se kishte një bashkëshorte të zgjuar dhe të këndshme. Ai e dinte se kish marrë një grua tek një kullë Mërturi me rrënje e taban. Pjesa më e mirë e nënës time ishte ajo e padukshmja që ndodhet brenda zemrës së njeriut. Ajo të lexonte në sy. Kështu thoshte edhe babai. Një gjë ish e sigurtë, se ajo e merrte me mend se ku i dhëmb babait, madje e dinte edhe se çfarë ti sillte në sofër kurë im atë priste mysafir apo të njohur. Sigurisht pas një nate të gjatë vjeshte të vonë, im atë e im gjysh që kishin ndenjur zgjuar dalë nga dalë zjarri i bisedës po fikej. Çka kishin për të vjelur nga historia e rrëfimit tashmë e kishin vjelur. Gjithçka që kishin përpara po thuajse e kishin mbaruar. S’do mend se filloi të tallej gjyshi. Se, në fund të fundit ai vetëm do mbetej. Do të detyrohej ti gatuante vetës. Kështu që dukej pak nervoz. Dorën e kish harruar në dorezën e derës.

Ndoshta nuk e kishte parashikuar se do ti duhej rreth tri javë të ngryset dhe të gdhihet i vetëm. Pastaj lëshoi dorezën e derës dhe filloi të ecte si në ankth. Sapo kish filluar ta ndiente vetminë. Por gjithsesi nuk e jepte veten. Pash më pash zbriti shkallët e kullës. Lidhur me litar për një huri një mushk qime zi sapo kish mbaruar të ngrënit e mëngjesit. Tashmë ishte gati për udhë. Do ti marrësh ca gështenja im atë e pyeti gjysh Zymerin. Me gjithë qejf iu përgjigj gjyshi. Më mirë një thes gështenja ti bëj barrë mushkut se një gurë prroni iu përgjigj gjyshi. Dhe qeshi me të madhe. S’të vjen keq të më sjellsh një kosh Ndokë. Një nga ata kosha të thurur me thupra shelgu. Po, Zymer kamë bërë disa kosha. Zgjidh një, cilin të duash ti. Sidoqoftë një kosh do ta marr. E kam për Nikollën. Për tënd bir bre burrë. Po qe kështu merri dy kosha Zymer. Në njërën anë im birë dhe në tjetrën anë gështenjat. Gjyshi qeshi. Ti më jep gështenja unë të jap patate, Ndokë. Im atë fërkoj duart. Pra Zymer, ti me njërën dorë merr dhe me tjetrën jep. Po, duhet. Duhet. Të japësh dhe të marrësh. S’ka rendësi. Ai që ka jep. Afrohu më thirri gjyshi. Hajde. Luaj këmbët. Mos u friko. Duhet të rrish gjithë rrugën në kosh. More apo s’more vesh, çamarrok. Mblidhe veten, se je burrë Nikajsh. Unë kam frikë se m’i ndodhë gjë djalit tha im atë. Jo. Mos u friko Ndokë. Mushku im është i urtë, dhe ec kujdesshëm. Tani mirupafshim Ndokë.

Të shtunën e ardhshme në dasmën e Dedë Rrustemit. Mirë u gjetsha Zymer. Dhe i foli mushkut. Ec Dori. Mushku filloj të ecën rrugës nga kishte ardhur. Ime nënë filloj të fliste me mua. Ma lerë mua moj bijë tënd djalë. Ç’është e vërteta unë nuk hapa gojë. Isha kapur me kujdes për koshi. Ndoshta ky udhëtim do të hynte në jetën time për një periudhë kohe tejet të gjatë. Dhe ecëm për një farë kohe në heshtje. Pastaj biseda hyri sigurisht në hulli krejt normale në pjesën më të madhe të kohës. Eh, moj bijë i tha gjyshi, kollaj është të flasësh. Por, burri e ka të vështirë ti shërbej vetës. Njeriu ka nevojë kurë është i vetëm të flasë edhe me një zog mali. Epo s’ke ç’t’i bësh, babë. Burri im është i ri. Ai din ti shërbej vetës. Ka qenë ushtarak. Ai mund të ngrohet me një qiri që i bënë dritë. Se është njeri me disiplinë shpirtërore të fortë. Ka aftësi fizike e syri nuk i ka frikë për asgjë. Me një fjalë ai e këqyr botën rreth e rrotull me sytë e ti. Nëna ndigjonte fjalët e gjyshit. Ndërsa ndiente se si zemra i rrihte për bashkëshortin e saj. Mushka ecte me hap të zakonshëm. Biseda mes gjyshit dhe nënës time herë zinte fill herë këputej. Sigurisht, sapo kaluam urën e Mëriturit gjyshi e ndjeu veten në tokën e vet. Dheu ia nihet putrën. Fytyra filloi ti qeshte, megjithëse rruga gjerë tek kulla e Ukshin Brahimit të Mulajt, edhe me e matë me sy ishte e largët. Plot shkëmbinj duhet kaluar ende muzgu pa shkelur nëpër rrugë.

Ndoshta kishte kaluar më shumë se një orë udhëtim. Gjyshi ecte, por dukej sikur i rënë në mendime. Diçka ndjeu sapo vuri këmbën në këtë fshat qe mbante erë buke. Fshati i bajraktarit të Mëriturit. I shkiti fjala nga goja. Një fjalë si e lyer me mëndafsh, por që e theu heshtjen. Nga biseda me nënën time kish disa dekika që kish hequr dorë si pa dashje. Dhe kjo fjalë që i doli nga goja me sa duket qe rastësore. Serish ra në heshtje. Shqetësimi që me sa duket nuk e kish braktisur aspak. Kish filluar një vesë shiu. Rruga gjerë në Mulaj ishte e largët. Dhe asaj hullie rruge që zor që mund të lëvizte këmbë njeriu. Sigurisht që e kuptoj se po i vështirësohej rruga. Po sikur të shpeshtohej shiu duhej të bënin mendonte nëna. Gjyshi e kuptoj shqetësimin e saj. Ai e dinte fort mirë se ku i rrinte mendja nënës time. Mua m’u kish lagur fytyra, por rrija i paluar në kosh si një lepurush i vogël. Pas pak ndjeva se në curril uji po më shkiste nga zverku drejtë kurrizit. Fol o çarrata a je lagur mu drejtua gjyshi. Jo i thash me një gjysmë zëri. Ja edhe pak dhe arritëm. Po ku e pyeti nëna.

Tek shtëpia e kushërinjve tanë. Mua më kish hipur inati ndaj vetes se pse nuk i kisha treguar se jam lagur. Kujdes. Kujdes i thirri mushkës teksa po i shkisnin patkonjtë mbi një rrasë guri. Mushka e qetësoj hapin. Fytyra e saj sikur u ngjall. Ajo u zmbraps një hap. Fshiu nga kujtesa një farë dyshimi. Dhe me një hap e kaloj rrasen. Sapo dolëm nga përroi, në kodër ku dukej një kullë madhështore dy katesh që ngjasonte me një kështjellë mushka e ngadalësoj hapin. Ndoshta mendoj se duhet ecur drejtë kësaj kulle. Kush e di se sa netë në atë kullë kish fjetur im gjysh. Në këtë kullë të vjetër por të dëgjuar. Kulla e Lepur Vuksanit të Mëriturit. Por gjyshi skish ndermen të shkonte në atë kullë, jo se nuk dëshironte. Por e dinte se nuk e kish të lehtë të ikte pa fjetur aty. Sigurisht këtë mendonte. Se e vuri buzën në gaz. Diçka iu kujtua. Mbase ndonjë herë kishin lënë ndonjë bisedë për gjysmë. Ndoshta iu kujtuan edhe vitet e rinisë. Në fytyrë i lëviznin ca muskuj. Qerpikët i dridheshin lehtë, ca bulëza djerse shprehnin natyrën e tij energjike. Hodhi një vështrim rreth e rrotull, theu mëdyshjen dhe nuk e pa të arsyeshme të ndalonte tek kulla e Lepur Vuksanit…

Fill pas pak ecje, poshtë udhës që të shpie për në Bëtoshë tymonte një kullë një katshe. Dhe për në oborrin e asaj kulle u drejtua mushka. Gjyshi e la të ecte për qejfin e saj. U dëgjua një e lehur qeni i rrëmishtë. Një burrë hapi derën e kullës dhe doli në oborr. Mirë se të pruni zoti Zymer Isufi. Mirë se të gjeta kushëri. Ne hymë brenda në kullë. Ndërsa i zoti i shtëpisë mori mushkën për dore dhe iu drejtua stallës së bagëtive. Oxhaku i dhomës së pritjes qe i mbushur plot me dru. Prushi i zjarrit dukej si lavë vullkani, që unë e shikoja me sy gjysmë të mbyllur ngase nuk doja të më shqetësonte. Nëna ish ulur pranë meje. Pasi më la të merrja pak frymë lirshëm. Më hoqi xhaketën dhe filloj ta thante pranë zjarrit. Unë nuk kundërshtova megjithëse nuk dëshiroja ta hiqja nga trupi. Por e mblodha veten. Sa hap e mbyll sytë një grua e moshuar, por e mbajtur solli kafetë dhe nga një gotë raki për gjyshin e nënën. Mua më solli një gotë me qumësht, dhe ma vuri përpara. Pije bukurosh m’u drejtua. Mirë se vini u drejtua ajo gjyshit e nënës. Mirë se të gjetëm ia kthyen përgjigjen të dy së bashku.

Pas pak i zoti i shtëpisë hyri në dhomën e pritjes. Zymer mushkut i vura të hajë në grazhd. Përsipër i hodha një plaf të dhinë të mos ftohet. Të lumëshin duart o kushëri i tha gjyshi. Ti je doktor për gjithçka. Nuk kemi kohë të rrimë. Veçse sa të kaloj ky rrebesh shiu. Unë them të hamë drekë se edhe tridhjetë dekika ka mesdita. Ne hamë drekë. Dhe shiu pushon bre burrë. Jo nuk do të hamë drekë. Një vrap kali janë Gjonpepajt. Atje e kemi ngrënë mëngjesin. Qeshi. Dhe e kthej një gllënkë raki rrushi. Gjyshi u kthye me fytyrë nga i kushëriri sikur donte të shkonte bukuritë karakteristike të tij. Vërtet kish një pamje fisniku me një shikim të ëmbël. Mustaqet e prera i shkonin sipas fytyrës ishte pakëz zeshkan. Mbante rreth kokës një shami të larme që i rrinte mjaft bukur. Kishte një fytyrë të pa trazuar nga koha. I pëlqenin bisedat rreth sofrës. Nga dritarja që ish gjysmë e hapur shikohej se shiu kish pushuar. Ndërkaq dhe dielli shfaqej krejt i qeshur diku nga mesi i qiellit. Shqetësimi i shiut kish marrë fund. Serishmi e morëm rrugën për në Mulaj. Dhe unë fillova të mendoj se kishte ardhur çasti të takoj një njeri që me shpirt më donte. E ky njeri ishte Dedë Rrustemi. Nuk e di nëse kamë parë një njeri të ngjashëm me atë njeri. Një bukurosh i gjatë sa një gdhe bjeshke.

Sy shbiruas, vetulltrashë e të dendura. Flokët ngjyrë gështenje, fytyrën e gjatë e të hijshme, gjoksin e madh, i gjallë e gjithmonë i sinqertë. Pikërisht tek ky njeri e kisha përqendruar vështrimin, e më saktë kurë i pashë fytyrën për të paren herë, që kisha filluar të mbaj mend u binda se e kish marrë malli për mua. Vërtet e kish marrë malli se e kish derdhur gjithë vështrimin tek unë. Me duar më fërkonte flokët. Më puthte në ballë e faqe. Gjithnjë nga shikimi i vëmendshëm i tij i rridhte një kënaqësi e veçantë. Vetë të më marr mua në krah kish zbritur gjerë të Karrikat poshtë kullës së Terak Sylës. Gati dhjetë dekika mbeti veç me mua. Mbi të gjitha kish harruar të fliste me gjyshin dhe nënën. Sigurisht që nuk e kish harruar. Se i thërriste babë. Dhe nënës time motër. Dhe ata ishin aty, ishte fakt. Por miqësia e kish lidhur shumë me mua. Pasi u shmall me mua u përqafua me gjyshin dhe me nënë time. Më nxori nga koshi miqësisht. Me një të qeshur të këndshme më mori “kalistrof” e morëm rrugën për tek kulla trekatëshe e Ukshin Brahimit…

(vijon)


Nikoll Ulndreaj

POETì MËKAT DASHURIE

Kërkoj ndjesë për besë
Nëse nuk ishte vesë..
Ne qerpikë të lules
Këputur në mëngjes…
Nëse ishte lot
Më fal, më fal o zot…
* * *
Kupën e helmit do pi në duar të saj
T’më duket sikur fle me një yll drite
Ethe dashurie t’më pushtojnë pastaj
Gjersa të shuhem si meteor nëpër vite
E nga loti i saj të mugullojë boronica e plisi
Shi le të bjerë kur të dal në prag të derës
T’mos e shikojë hijen time që e pret tek lisi
T’ia mikloj gushën sikur flladi i erës…
Tiranë me dt. 19.06.2016

NJË TUFË BUZËQESHJE PËR TY

N ‘mos rëntë hëna sonte
ndriçohen bjeshkët
me fener syri.
* * *
Aromë boronice
ky mëngjes veson
në buzët e tua.
* * *
Bëhu dallëndyshe,
të të marr me vete
kur ik larg.
* * *
Çastin e puth,
që të petalojë
Lulja e kujtimit.

……………………………………………………………..

KURË DEHEM NGA MËRZIA

Sapo zgjohem në dheun e huaj e hapi sytë
Det i trishtuar nëntë ballësh përpara më del
Kthej kokën mbas dhe një trishtim i dytë
Djersë të ftohta më nxjerr, më var në çengel
Zabelit faqes loti zbret duke rrëfyer mëkatin
Krahët e mpirë të ëndrrës thyhen pikëlluar
I tëri zhytëm në pusterr sysh tu të gjej fatin
E muza këndon këngën e poetit pikëlluar
Dehur mërzie flokët kaçurrela i kreh trishtimit
Kambanës shpirtit i bije rrëmisht si një i shkret
Ringjallur shëtis dhimbjen tramvajit mjerimit
Rendi pas qiejve e qiejt më mbytin në det
Zogjtë habitur pse e fsheh brengën e trishtë
Detesh me gjokes shty dallgët t’mos humbi
Buzët digjen në errësirë si meteor i brishtë
Duke gdhend mëngjesin në krahë pëllumbi