POETI DHAMO NË GJEOPOEZINË E RE

0
1021

Faslli Haliti

Përmbledhja poetike “Moda e varfërisë” e poetit Konstandin Dhamo, është koherente si dhe një sfidë ndaj poezisë nebulozë dhe të zhvidhosur, të çakorduar, manieriste, eksentrike, snobiste që duket here-herë në tregun e lire të sotëm poetik, por që për fat mbetet stok, pasi me gjithë këmbënguljen e pseudokritikëve dhe recensentëve panegjeristë, ajo shpërfillet nga lexuesi. Në gjoksin poetik të Dhamos nuk ka zënë e nuk zë vend papagalli dhe majmuni, ai sheh me sytë e tij teleskopikë, dëgjon më me hollësi, ecën me hapin e tij, pa marrë asnjë shqisë apo gjymtyrë poetike me qira. Kjo nuk do të thotë që ai është indiferent ndaj formës, figuracionit të ri, teknologjisë së re në perfeksionim, përkundrazi, realist i mprehtë, i thellë, i gjerë gjithë kolor, ai nuk është dhënë e nuk jepet si një adoleshent pas arteficeve, modave dhe snobizmave që në hapat e para të krijimtarisë së tij poetike e deri tani në pjekurinë e tij të plotë.

Poeti Dhamo, i zhytur i tëri në thellësitë e realitetit sjell prej këtyre thellësive perla temash, ide të rëndësishme të shoqëruara me figura stilistike, detaje, përfytyrime poetike. Poezisë së tij të qartë e të drejtpërdrejt nuk i mungojnë as tropet e thjeshta; krahasimi, epiteti, as tropet e ndërlikuara; metafora, metonimia, simboli, ironia dhe sidomos inversioni poetik etj..Përkundrazi. Vetë titulli Moda e varfërisë është një paradoks, sepse paradoksale dhe tejet snobiste ishte dhe moda e varfërisë që filluan të ndiqnin të rinjtë tanë që në ditët e para të viteve nëntëdhjetë. Si kontrapunkt i ardhjes së diktaturës me këngë valle, saze, daulle, gëzim dhe hare fiktive, teatrale, paradoksale, absurde, komike, demokracia erdhi te ne, me modën e varfërisë teatrale, me imitim leckash dhe zhelesh:

Po sa s’të shkon ty, moj Shqipëri e mjerë,
Kjo varfëri e imituar…

Poeti duke qenë i dhënë pas së bukurës, nuk e duron dot imitimin si një shfaqe të shterpësisë, të paaftësisë për krijim, fantazi e origjinalitet. Origjinalitetin, poeti, nuk e kërkon si një qëllim në vetvete, por si një përpjekje për identitet, pasurim, prurje të reja, të papara. Këtë kërkon ai në jetë, po këtë kërkon dhe në krijimtarinë poetike. Dhamo është po ai poet i më parshëm, por me shqetësime më të mëdha, ai ka po atë ballë poetik të mençur poetik, por me rrudha më të dendura, më të thella, ka po atë zemër poetike, por më të gjerë, me rrahje më të shpeshta ndaj shqetësimeve, halleve shoqërore,ndaj prapështive si atyre moniste dhe postkomuniste, e mbushur plot ndjenja ende më të bukura globale dhe intime; qielli i frymëzimit të tij është po ai qiell poetik, por me kaltërsi më të kthjella; gjoksi i tij poetik është po ai, por me shkulme më të furishme dhe qëtësi të reja, më i gjerë e më i prirur ndaj së resë, më dimensional.
Po pse s’e pranon poeti këtë modë të varfërisë në jetë e në art? Ai nuk e pranon sepse ajo është teatrale, është një imitim i verbër i modës që ka praktikuar e praktikon rinia e vendeve me mirëqenie të lartë. Atje kjo modë teatrale as ka cenuar, as s’cenon gjë. Dikur, në vendet kapitaliste, ajo ishte një protestë e butë, kurse sot është thjesht diçka ëmbëlake, indiferente ndaj bezdive etiko-morale. Në vendet ish socialiste, përkundrazi, kjo modë, jo vetëm ndalohej, por edhe dënohej, sepse nxirrte në shesh varfërinë reale të cilën diktatura bënte çmos që ta mbulonte me propaganda rozë:

Moda ishte krim,
Krim dashuria ishte.
Përballë shtetit
Fajtor duhet të ndiheshe !

Ndërsa në jetë poeti duket disi i ashpër, në poezi ai shfaqet i butë, i ndjeshëm edhe kur trajton motive që përmbajnë revoltë, protestë, zemërim, ai bëhet melankolik dhe nervoz, por nervozizmin e tij e mbyt zhgënjimi i tjetërsimit të njerezve dhe rrënimi i mjedisit…

Po ku janë tani ato femra
Që mbajtën të parat minifunde ?
Ata djem që veshën të parat xhinse.
Ku janë?

Unë i kujtoj me mall,
Melankolik bëhem, madje nervoz
Në Rrugën e Durrësit të harruar,
Po ku të pi një kafe, ku ?
Te Flora, tashmë
Shkëmbehet valutë…

Ky poet i ashpër dhe nervoz në dukje, në poezi është i butë e pikëllohet thellë kur sheh një nëpunës që shkon e kthehet nga zyra në këmbë po me atë kostum dhe njerëzit thonë, / Sa i ndershëm, siç do të thoshin, sa i marrë/ që dhe /Fëmijët në shkollë s’i rregulloi dot/, që /Gruaja e tij në dimër,/Pallton e vjetër sërish veshi/, apo kur sheh një ish drejtor të papunë /Tek rri në radhë kokulur me të tjerët/ për të marrë asistencën sociale, / Ndërsa nëpunësja e shtetit / Ul sytë kur i zgjat lekët/. Por pikëllimi i poetit shtohet, sidomos kur sheh që /Ministria e Brendshme i detyron fëmijët/ Në qese tejdukse celofani t’i mbajnë librat, /Dhe t’i kontrollojnë te porta fëmijët/ Për bomba, apo për granata,/ Në vend që të kontrollojnë kriminelët…/ U dhemb fëmijëve për çantat bosh, hedhur në një qoshe,/ Çanta blerë gjithë qejf, me figurat e Tomit e Xherrit/ Mbretit Luan, apo Batman…/. Frymëzimi I poetit është aty ku janë njerëzit në nevojë. Ai radhitet shpirtërisht krahë gjithë atyre që emigrojnë për mbijetesë apo të zhgënjyerve që synojnë El Doradon. Pa dyshim edhe këtu kemi të bëjmë me një paradoks të vërtetë të kohës.
Pikëllimi i poetit kulmon kur vë re kolegun e tij me një plumb në dorë të përhumbur thellë dhe që

Ndihet fajtor, mjekër ka lënë,
………………………………
Cigarja i digjet si fitil dinamiti
Dhe flet pak, psherëtin shumë.
Ndoshta plumbi është nxjerrë nga trupi – lule i një fëmije…

Poezia e Dhamos është, jo vetëm poezi e rrokjes mrekullisht të të përgjithshmes poetike, por ajo është edhe poezi e kapjes mrekullisht të detajit poetik duke e pasuruar kështu të përgjithshmen poetike, pa e cenuar atë aspak.

Por muret e ambasadës s’kapërcehen dot;
Madje, mbi ta shkëlqejnë verbueshëm
Telat me gjemba sit ë nazistëve,
Apo si të kufijve të diktaturës…

Detaji i mureve të ambasadave me tela këtu nuk është një bravurë apo fioriturë poetike, por thellësish dramatike dhe në funksion të domethënies. Kishim para syve një cortino di ferro gjatë diktaturës, dhe ja na u vu para syve një cortino di vetro. Ndërsa perdja e hekurt s’kalohej, por edhe s’na linte të shihnim përtej kufirit, tani perdja qelqore posdiktaturë na lejon të shohim përtej kufirit, por ne përplasemi në të si mizat në qelq. Zhgënjim i madh.

Ja një detaj tjetër monumental për ndërrimin e pushtetit në demokracitë perëndimore no koment:

Ish presidenti
Kodin atomik i dorëzon
Presidentit të ri
Monumentalisht përshëndeten,
Si dy epoka ndahen.

Dhe më poshtë:

Jehojnë brohoritjet, ndrit entuziazmi,

Dhe

Sa i pranishëm shteti, sa i pranishëm,
Sa i sigurt
Sa mizorisht i sigurt!

Detaji këtu përmban habi, por tërthorazi edhe një keqardhje të skajshme për rrotacionin e pushtetit te ne dhe për mungesën e shtetit ligjor e të drejtë.

Intelektualëve që marrin ndihma poeti u rezervon këtë detaj të dhimbshëm poetik:

Ah, sa dhunshëm të poshtëron varfëria !

Dhamo është edhe një peizazhist i tipit të Savrasovit. Peizazhet e tij poetike janë jo vetëm thellësisht shqiptare, por edhe gjithë kolor e freski të realizuar me figurat më adekuate. I dashuruar me token, pemët, ujërat, florën, faunën peneli I tij poetic lëviz si krah dallëndysheje në telajot e strofave duke na dhënë akuarele tejet të freskëta qelqore:

Fusha ndanë zallit, male dhe re,
Fshatra fshehur mjegullash diku…
Shkumon Shkumbini;
Shelgjet brigjesh
Si shatërvanë derdhen, dridhen flu.

Freskia realizohet këtu nëpërmjet një aliteracini Fanolian.

Por Dhamo përdorë me mjeshtëri dhe inversionin poetik, figure kjo e përdorur nga Majakovski dhe Kadareja ynë. Inversionin e hasin pothuaj në gjithë librin, por veçanërisht atë e hasim në poemën furi ’’Zoti Kallashnikov’’

Prisnim CNN –in, RAIN – in prisnim
Ose

Shqipëria rrezikoi përsëri të copëtohej,
Të zhdukej krejt rrezikoi

Poeti Dhamo jepet më shumë sukses pas lirikës shoqërore, por edhe pas asaj filozofike e erotike. Ndonëse disi të rralla po kur ai trajton lirikën e dashurisë, derdh në të gjithë pasurinë e tij poetike, tretet I tëri në këtë ndjenjë që konkurron dhe vetë blerimin bjeshkor:

Gjer larg e ndjek tek ikën.
Ndodh që kokën kthen.
Humor të mire në punë
Kam, kur e shoh përherë…

Dhe më tej:

Një ditë do ta ndal, patjetër,
Të shihemi ndër sy në fund.
Le t’i ndreq flokët kur ecën,
Tek ecën çantën le ta und…

Fill pas poemës ’’Zoti Kallashnikov’’ e cila është krijimi më i frymëzuar i përmbledhjes, ku trajtohen me realizëm, fantazi dhe nerv poetik e civil të gjitha prapështitë e ndodhura gjatë viteve postkomuniste dhe sidomos ato të vitit të çartur ’97. Nervi rritet, kur stigmatizohet imoraliteti politik dhe sidomos kur poeti jep prishjen e kulteve fetare, paradoksin e tjetërsimit të tyre nëpërmjet pyetjesh retorike:

Po kush në botë si ne
Prishi kisha dhe xhami ?
Kush ua ktheu në kulla vrojtimi zjarrfikësish
Minaret dhe kambanore ?
Kush i ktheu vetë ato në magazine veglash bujqësore;
Në depo pesticidesh, në depo municionesh ?
Kush në botë I bëri qendra të edukimit politik ?
Palestra sportive kush i bëri ?

Dhe vazhdon po me pyetje dërrmuese retorike:

Pse s’ecën ky vend,
Si të tjerët, pse s’ecën ?

ose

Po të ikurve sot
Në çfarë u kthehet balta e mëmëdheut vallë?

Siç kuptohet, nëpërmjet këtyre vargjeve del në pah zhgënjimi i thekshëm i të emigruarve për mbijetesë apo për pasurim të përralltë. Dhe u duk sikur

Një mëngjes shqiptarët nga fajdet,
Si n’ëndërr të pasur u gdhinë.

Por

Nga fajdet një mëngjes përsëri
Si n’ëndërr të varfër u gdhinë

Dhe

Ku do t’i gjenin tani paratë,
Punë, ku do të gjenin tani ?
Ç’na bëre moj qeveri?

Pas kësaj poeme furtune, vendoset një tufë fine haikesh si një varg brilantesh splendid në gjoksin e librit. këto nuk durojnë komente, ato e venitin çdo koment më dritësinë e tyre. Haiket e Dhamos shijohen, jo duke i komentuar e analizuar, por duke i lexuar e rilexuar.

Duke mos ndjekur modat si adoleshent, apo si ç’bëjnë të patalentuarit,duke përthithur arritjet e artit botëror, duke përpirë çdo formë të re të vërtetë krijuese si poet me talent të konsoliduar, ai është dhe do të mbetet poet i tri dimensioneve kohore: i së djeshmes, i së sotmes dhe i së nesërmes. Poezia vitale ka vetin të rritet, të hedhë shtat vazhdimisht, kurse poezia dekorative, artificiale, si lulet prej letre s’e kanë këtë veti shtathedhëse. Duke qenë poet koherent edhe stili i tij është koherent. Ai ruan tiparet qenësore të stilit të tij që nga fillimi i krijimtarisë 45-vjeçare, duke e përsosur atë pa i cenuar atij asnjë tipar. Ndërsa përmbajtja është e të gjithëve, stili i tij është vetëm i tij. Stili është vetë poeti. Edhe pse në dukje e ashpër, sita poetike e Dhamos sit imët, zëri i tij poetik timbron hollë, sidomos në poezitë lirike dhe peizazhet me dritë të blertë. Poeti Dhamo afishon edhe kulturë edhe stil në poezitë e tij. Poezitë e tij e kanë në sinkron mendim dhe ndjenjën. Ai e ruan mrekullisht masën në përdorimin e figuracionit dhe ndjenjës. Sepse siç thotë Hugoi, ndjenja e tepërt është si vaji i që e shuan zjarrin. Poezitë e Dhamos kanë një prush të butë si prushi i drurit të mollës, qershisë, blirit.
Ai ka kultin e fjalës. E kërkon atë kudo, e gjen në jetë, në të folurën e përditshme, në krijimet orale, e përthith dhe e fut në poezi, krijon neologjizma, jo për ta bërë të errët poezinë, por për ta bërë më të pasur dhe të qartë. Veç kultit të fjalës, poeti Dhamo ka të zhvilluar dhe kultin e qartësisë si një sfidë ndaj paqartësive të poezive belbane. Atij s’i pëlqen të këndojë si bretkosat nën akull…
Në fushën fertile në ide dhe formë të letërsisë shqiptare, Dhamo ka parcelën e tij poetike të kultivuar e të harruar nga çdo lloj barërërash. Ai e meriton të përfshihet në kolonën e poezisë së zgjedhur shqipe. Ai ka vendin e tij në gjeopoetikën e re.

TREGIME TE PJEKURA NE DIELLIN E ZEMRES

Në euromaksin e letërsisë shqipe, përmbledhja me tregime Rruga e Dibrës ose Broadway, e shkrimtarit Konstandin Dhamo, përbën pavijonin narrativ më me jetë, e jo vetëm më me jetë, por më me jetë shqiptare; me personazhe e mjedise shqiptare të djeshme e prezente, me ide dhe filozofi të kohës. Personazhet , edhe pse asnjerin nuk e shohim me qeleshe në kokë, apo të veshur me gunë e me paraqitje të tjera etnografike, të gjithë kanë karakter , temperament dhe integritet shqiptar, por edhe tipik ballkanik dhe europian. Shkrimtari përqëndrohet te shpirti dhe jo tek etnografia apo te dekori, aparenca e këtij apo atij personazhi. Lexuesi këtë e vë re menjëherë , sapo nis te lexojë faqet e para të përmbledhjes së tij dhe e ndjek autorin gjatë rrëfimit timgullor, ritmik e koloristik, e dëgjon, bisedon e dialogon me të. Dhamo tregon por nuk përpiqet të ndikojë me dhunë në veprimet, bëmat , mendimet, shijet, bindjet e personazheve apo të lexuesit; nuk imponon lexuesin që të pranojë idetë , shijet, bindjet, qëndrimet e veta ndaj botës e jetës.Ai e lë të lirë lexuesin që të ndalet atje ku i pëlqen,të dëgjojë ato që i duken më domethënëse e kumbuese, të aprovojë e të disaprovojë, të kalojë me indiferentizëm zonat që atij i duken me më pak interes. Dhamo gjithçka e jep reale, natyrshëm. Ai nuk ndreq me artin e tij, por emancipon, iluminon, të ndriçon rrugën, nuk të pajis me këmbë. Tregimet ai nuk i ka çekanë që ngulin apo drejtojnë gozhdë të shtrembëruara, apo bisturi për të operuar zemrën apo trurin e njerëzve.Me narracionin e tij , ai bën që zemra të rrahë më gëzueshëm apo më revoltueshëm dhe truri të rrisë gjykimin dhe arsyetimin në maksimum. Pothuaj në gjithë tregimet e librit shihet menjëherë sensi i plotë , konkret material i fjalës. Nuk e ka fare shijen e të ashtuquajturës frazë e bukur, edhe pse frazën ai e ndërton me fjalë të zgjedhura, të paezauruara, të gjalla , gjithë estetikë, me qëllimin e vetëm që të jepet e plotë dhe e bukur e vërteta, e shoqëruar kjo me hedonistikë, me sens. Optika e personazheve dhe e narratorit protagonist është e qartë , e kulluar , me kapacitet intelektual. Tregimet mund t’i marrësh si të thjeshtë, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një thjeshtësi të pasur e të thellë. Ndodh pak a shumë si me ujin e kulluar të liqenit që ta afron fundin duke të krijuar një optikë iluzore, për thellësinë apo cektësinë.
Dhamo ka një stil e teknikë kompozicionale shumë origjinale në tregimet e tij. Ky origjinalitet vjen, sepse autori komunikon drejtpërdrejt me jetën, me realitetin , duke qenë përherë i vëmendshëm dhe i përqëndruar në maksimum. Ai është si ai magneti që s’lë pa thithur asgjë metalike. Tregon për të tjerët dhe për veten.Zbulon virtytet dhe dobësitë e vetes dhe të tjerëve, pa asnjë lloj mëshire dhe kompromisi..Gati, në tregimet e librit nuk gjen pothuaj , përdorimin e asnjë flash – back, mjet ky i forcës dhe kompozicionit që përdoret zakonisht në filma, romane , novela e tregime. Kjo bën që rrjedha e tregimit të mos bëjë indietro, por të rrjedhë siç rrjedh burimi, mes gjetheve të vjeshtës e mes blerimit pranveror. Autori ka për zemër Paustovskin, Çehovin, Bukovskin, Mopasanin, Heminguejin , por kur ulet të shkruajë , ai ka shok vetëm veten.
Tregimet janë jo vetëm polivalentë, por edhe polifonikë.
Shkrimtari ka disa fije në dorën krijuese, dhe me to thurr e modelon tregime gjithë kolor, dinamikë dhe përfytyrime të pastra qytetare edhe kur ato vijnë nga bota rurale.
Tregimet e Dhamos nuk janë të homogjenizuara, ato krijohen e zhvillohen nën diellin e zemrës dhe seliten nën një kujdes tepër racional. Kjo i bën të kërkuar tregimet e tij midis morisë së tregimeve të modifikuara , të homogjenizuara që qarkullojnë në tregun libror; regimet flasin shqip, kundërmojnë erë bliri, kanë fërfërimën e plepave, shelgjeve të peisazheve tona plot fole zogjsh, kanë vrullin e lumejve tanë, nervin dhe bonsensin shqiptar.Janë tregime alerte.Në to has të parin realizmin lakuriq e të ashpër, por aty këtu edhe hiperrealizmin , morinë e detajeve si sytha me lulen dhe frytin në gojën e fjalës. Por këto detaje dhe imtësi, ruajnë masën që të mos mbyten e të mos konkurrohen dhe eklipsohen personazhet prej këtyre imtësive dhe detajeve. Personazhet merren kryesisht nga jeta, ose nëpërmjet ngjarjeve që ndodhin e tregohen.Këto personazhe të krijuar me thjeshtësi, me sintagma dhe fraza të gjalla, të ngjyrosura me fjalë dhe lokucione narrative, të godasin në shpirt në mënyrë të beftë, sa ti ke dëshirë të rrish e të kolovitesh mes tyre. Personazhet janë të individualizuara në kulm, janë pesonazhe të tillë si Vinçierja banale dhe delikate sipas mjedisit, Meri, librarja e bukur, që bën një martesë surprizë dhe të beftë, Silvi, poetesha apokrife; Semi që më në fund martohet pas një operimi të rëndë, Aksinja që harbontërbon në çdo muaj prill grunjave të kooperativës me gazetarin e internuar, Fatma lubia, lakmuesja e lavdisë letrare, Ed Fregeni i dashuruar, që pranon se s’ishte dhe aq e rëndë ndarja ; doktor Kondi, me ndergjegje dhe përgjegjshmëri të lartë profesionale, i gjendur e human; Sara , bestsellerja që shkruan romane si Daniel Still, për lavdi dhe para dhe përkrahet nga disa filistinë, por mbi të gjithë spikat Shefi i Shtabit, edhe pse ushtarak, tolerant dhe pa korniza të disiplinës së bezdisshme ushtarake.

Marinari poet, që gëzimi i botimit të librit të parë iu kthye në kob dhe, e degdisi në ishullin e Sazanit, duke iu kthyer në një dramë fatale, Muratori që u ngrit në detyrë, gjer në majën e piramidës së artit, i shastisur nga lartësimi i papërballueshëm, marramendës duke harruar të ecë, përfundon në rrotat e një makine, pranë monumentit të Partizanit të Panjohur; Gëzim Gjergji, lakmues i protagonizmit; Leifenist, autori teknologjisë Leifeniste të heroizimit; Dramaturgu që i traskuruar nga shteti dhe bosët vendos të botojë dramat me lekët e hequra mënjanë për varrimin e tij, duke menduar se pas botomit të dramave do të bëhej i pavdekshëm. Disa nga personazhet përdorin fjalë banale, por që nuk tingëllojnë të tilla brenda kontekstit, gjendjes së krijuar në çastin e përdorimit të tyre.

Madje disa nga banalitetet tingëllojnë të pranueshme si kur përdoren brenda kontekstit , si dhe kur përdoren jashtë tij , më vete.. lexuesi i pranon sit ë natyrëshme shprehjet: Taksisti kishte vënë një kasetë me recitimin e poemës Kallashi. Autori i poemës dhe shoku i tij në taksi, pasi dëgjojnë recitimin e saj, e pyesin taksistin: po si e ka emrin autori e di, ? “ E kush ia qiu t’ëmën “ Këtu shprehja nuk tingëllon aspak banale, sepse thuhet natyrshëm, pa të keq. Po kështu shprehjet e hetuesit “ Të dhjefsha librin ! Tani shporu ! Tani t’u fry ty të paraqitesh ? Edhe këto shprehje duke u thënë natyrshëm , në nervozizëm e sipër, nuk tingëllojnë banale por prepotente.

Tjetër është kur disa krijues i mbushin tregimet apo poezitë e tyre gjithë fjalë banale, për t’u treguar të kohës e modernë. Ata janë jo vetëm të panatyrshëm në përdorimin e banaliteteve , por edhe imitues të rëndomtë të autorëve me emër.
Dhamo nuk ka vetëm temperamentin e revoltuesit , protestuesit, por edhe të një vëzhguesi jo skeptik e të qetë me natyrë të thellë e të gjerë njerëzore.. Autori nuk e përsërit , por e pasuron veten nga tregimi në tregim me prurje të reja . Edhe kalimi i ndonjë motivi nga poezia në tregim , tregon se ai nuk i ndahet poezisë , edhe kur shkruan tregime.

Karakteristikë e dukshme në të gjithë librin dhe krijimtarinë e Dhamos, është prania e peizazhit. Peizazhi vendoset kudo, në hapësirat e tregimit, ose në fillim ose në mes ose në fund si konkluzion qetësues apo sinjifikativ. Kjo prani e peizazhit nuk është manieriste apo romantizante, ajo buron natyrshëm nga shpirti ekologjist i shkrimtarit. Edhe në jetën e përditshme Konstandin Dhamo , ndalet dhe sodit mahnitshëm një copë blerim, një radhë me plepa kavakë, rrape buzë rrugës, trotuarit, bulevardit dhe, kënaqet si me leximin e një poezie, tregimi, apo si me dëgjimin e një sonate, sinfonie, por dhe revoltohet kur për të vendosur një tabelë reklamë, apo për të mos i zënë pamjen vitrinës së dyqanit, njerëz të papërgjegjshëm , i presin ose i thajnë pemët. Kjo dashuri për natyrën është në çdo ind të tregimeve dhe s’ka të bëjë me hipokondrinë e autorit. Kjo dashuri për natyrën jepet magjistralisht në tregimet Kumbullat e Kuqe, Ed Fregeni, Pjergulla, Lasgushi, Rrugicë Tiranase, Prilli i një Aksinje etj.

Si edhe në poezinë e tij , shkrimtari dënon e demaskon me intransigjencë imoralitetin politik e dyfytyrësinë ideologjike të atyre që dje ishin të parët në shembjen e kulteve fetare , dhe sot i sheh duke u falur të dielave në kishë apo ditët e xhumave në xhami.Janë të famshëm për këtë tregimet Të dielën në mëngjes, Qoftexhinjtë e Presidentit , Një teknologji heroizimi, et j. Shkrimtari është në anën e ndryshimit , por jo me kthesat pelivaneske , zhongleriane të të pafytyrëve.

Një karakteristikë tjetër është dhe mungesa e emrave në disa tregime, ku në vend të emrit të personazhit, ai përdor një ndajshtim të veçuar për ta bërë më të gjallë , më interesant personazhin ose për ta mbajtur mend më lehtë, autori në vend të emrave thotë: muratori, shefi i shtabit, marinari, dramaturgu, vinçierja, qoftexhinjtë, etj. Ka dhe tregime tabllo, ku s’ka emra, por ka diçka poetike, pak nostalgji për atë që s’është më në rrugicë, në periferi dhe për ndryshimet në peizazh e aty – këtu në natyrë.

Në përmbledhje ka edhe ndonjë tregim si Libri i parë, që premton për roman apo ka staturën e romanit.

Proza e Konstandin Dhamos, sidomos tregimi, nuk duhen kaluar me një lexim vertikal, sa për t’u kontrolluar ose sa për të marrë informacion. Edhe pse krijimtaria e Dhamos, është një krijimtari realiste , realizmin ajo nuk e përcjell varfërisht , por me shtresime të dendura , fine artstike. Proza e tij është e kondensuar , ajo s’të lë t’i kalosh shkel e shko fjalët, pasi çdo fjalë ka funksion kuptimor, estetik, edukues, hedonistik në krejt tekstin . Ka një mendjemadhësi të disave që kanë marrë kot e traskurojnë kolegët , që ose nuk i lexojnë ose hiqen sikur s’i lexojnë dhe , kështu e kanë më të lehtë që të flasin rroma përtoma, gjuhë që e ka tallur prej kohësh Servantesi.

Me Dhamon ndodh si me Paustovskin, që nuk të lë të ecësh më tej , sikur të kapërcesh qoftë edhe një fjalë. Autori dashuron njëherësh idenë dhe fjalën. Duke qenë se është fjala ajo që bën të duket qartë mendimi , ideja , filozofija , autori impenjohet shumë me fjalën. Në libër ka shumë fjalë që përdoren nga ky autor për herë të parë. Këtë autori e bën me guxim , pa merakun se kjo e vështirëson tekstin , kuptimin ; përkundrazi, ky është më tepër një pasurim, sesa një vështirësim, kështu që ia vlen barra qiranë që lexuesi të lidhet pak e të ketë durim.

Kolanës së tregimit të zgjedhur shqip, i mungon ky lloj tregimi i pahomogjenizuar, i pjekur në diellin e zemrës dhe jo në zemrën e librave. Këtu kemi të bëjmë me një libër që ka për burim jetën dhe, jo librat të cilët nga ana e tyre, janë një rrëke që e kanë një burim.
Përmbledhja Rruga e Dibrës, e pasuron kolanën e tregimit të zgjedhur shqip. Këtë do ta dëshmojë koha.