Nga: Saranda Iséni[1], recension
Lund, 26 nëntor 2020
Sot doli nga shtypi një libër i ri përmbledhje me poezi”NJË PJESË TË ZEMRËS ” të poetit Bahri Shyti), botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
(Kritikë letrare për librin e titulluar ”NJË PJESË TË ZEMRËS ” të poetit Bahri Shyti)
Të pamundshmen në jetë, njeriu e bën të mundshme përmes poezisë. Me forcën e saj të pashtershme, poezia ia kthen fjalës funksionin e saj vital. E tillë është krijimtaria artistike e poetit. Plot dinjitet, trimëri dhe elegancë atdhedashurie janë vargjet e Bahri Shytit. Mjet karakteristisk shprehës i kësaj përmbledhjeje poetike është kontrasti[2] i brendshëm dhe i jashtëm artistik.
Poeti në mërgim, në një qytet të largët, shumë larg vendlindjes, i vëren dhe i ndien ngjyrat e kontrastit shoqëror dhe atij njerëzor. Nga njëra anë e shpreh atë mallin dhe ndjenjën e flaktë të atdhedashurisë dhe nga ana tjetër pakënaqësitë dhe padrejtësitë që e mllefosin dhe e brengosin shpirtin e trazuar në mërgim. Poeti në fjalë, me një mjeshtëri të rrallë dhe shumëngjyrëshe, përshkruan shkëlqimin e flamurit kombëtar dhe dëshirën e zjarrtë për ta pasur atë edhe në momentin kur autori nuk frymon më.
Sikurse Papa Gjon Françesku Klement XI Albani, që la amanet që varrimi i tij të ishte shumë i thjeshtë, por mbi varr të shkruhej se kishte pasur gjak shqiptari, edhe poeti Bahri Shyti: pa të s’do të hyjë në varr; lexo këto vargje:
Gjaku i trimave në ty kulluar
Kurrë një herë pa t’u tharë
Por me zemër unë të dua
Pa ty n’varr s’dua me ra.
Tek një numër i madh i poezive të para, poeti shpreh lirshëm të gjitha nuancat e mbështetura tek atdhedashuria, që është synimi dhe qëllimi parësor e artistik i tij. Ai shkruan me zemër të plotë dhe me mall të pashuar për tokën e të parëve tanë.
Çfarë është atdheu për poetin? Në fakt, gjithçka.
Sa më shumë që t’i lexosh poezitë e autorit, aq më shumë rritet bindja se poeti dhe vepra e tij poetike janë mishërim i pashkoqur i rritjes sonë shpirtërore dhe kombëtare. Nëpërmjet poezive, autori të bën ta ndiesh rrahjen e vërtetë të zemrës për të dashurin mëmëdhe dhe ëndrrën shekullore: bashkimin kombëtar. Këtë triumf shpirtëror e shohim më së miri tek vargjet e poezisë ”Nëntori”:
Në nëntor troket ndërgjegjja kombëtare
Aty ku janë thellë rrënjët shqiptare
Ato i pranojmë kur janë të sinqerta
Urime urime kështu e ka jeta.
Imazhi i jashtëm në poezinë e Bahri Shytit spontanisht dhe artistikisht vihet në funksion të portretizimit shpirtëror të këtij kurbetçiu me penë të zgjuar. Që do të thotë se, poezia e Bahri Shytit është diçka e veçantë. Ajo vjen si një horizont me mall, nderim e dashuri, duke e ndjerë impulsin jetësor, duke vlerësuar dhe nderuar figurat kombëtare, shkrimtarët, mjekët, politikanët dhe miqtë e tij të artë.
Në të njëjtën kohë, poeti e ka një stuhi të brendshme shpirtërore që e mundon herë pas here, por përsëri për një çast dëshiron ta qetësojë, ta shuajë dhe ta pakësojë atë dhimbje, atë brengë – stil i natyrës së tij. E shfaq dukshëm mendimin e tij, buçimën[3] e zërit të tij, por përsëri, me urtësinë e tij, nuk e derdh lehtë emocionin, nuk boshatiset, nuk e bën shkretëtirë. Ai e frenon këtë stuhi dhe këtu qëndron bukuria e madhështisë dhe e fuqisë së vargut poetik të këtij poeti. Lexo në vargje:
Po të përbej pashë diell e hënë
A e di besën që ke pas dhënë
Veç një vëlla nëse e prek
Edhe tokën do t’jua djeg.
Sot për sot, mund të thuhet me siguri, se vepra poetike e këtij shkrimtari do të vazhdojë të nxisë kureshtjen tek të gjithë lexuesit. Me qëndrimin e tij ndaj jetës dhe ndaj krijimtarisë poetike, me respektin, vlerësimin dhe nderimin e të gjitha shtresave të lexuesve, autori Bahri Shyti është shembull se si duhet mbrojtur ideali kombëtar dhe dashuria për atdheun në krijimtarinë poetike. Këtë vepër poetike, këto vargje të veçanta i përjetojmë të gjithë si udhëtarë jete, por në veçanti dhe më thellë ne si mërgimtarë. Kjo shfaqet më së miri tek poezia ”Zëri i nënës”:
Kur më vjen në vesh zëri i nënës
Me lot në sy ia them këngës…
Zjarri i mallit është i pangushëllueshëm dhe ai shndërrohet në një dhembje therëse, por përsëri të frenuar dhe të ndrydhur nga brenda dhe i freskuar kohë pas kohe nga kujtimet. Poezia ”Pa ty” në këtë vëllim është ilustrim i kësaj natyre:
Më fal që derdha lot
Dhe sytë po më verbohen
Çdo ditë e më shumë
Kujtimet më shtohen…
…sikurse tek poezia ”Rri i heshtur”:
Unë do të qëndroj i heshtur
Në zemër do të vendos mur
Do ta vështroj gjithësinë
Po s’do të përkulem kurrë
Unë nuk mbledh helm
Por vetëm nektar
E kësaj jete të shkurtër
T’i vijë fundi mbarë…
Poeti Bahri Shyti e posedon me meritë një zulmë[4] poetike. Fjala e tij rrezaton qëndresë dhe krenari. Ajo është e plotë dhe ecën teheve të drejta, është e dashur, fisnike dhe bujare. Fjala e tij poetike identifikohet lehtë dhe bashkudhëton nëpër shtigjet e përditshmërisë, duke mos harruar të kaluarën. Vargjet poetike të autorit janë vlerë e përhershme shpirtërore, që të bëjnë për vete, duke hapur dyer të shpirtit dhe të mendjes e të cilat monumentohen si vlera relevante.
[1] Ka lindur më 18.3.1981, në fshatin Kalishtë të Strugës. Rrjedh nga një familje arsimdashëse dhe atdhetare kombëtare. Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, për të vazhduar shkollën e mesme ”Niko Nestor” në Strugë. Ka diplomuar në Fakultetin Jiridik, Master of Laë, në Universitetin e Lundit në Suedi. Nënkryetare e Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Ish-kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Suedi. Juriste dhe shefe e kompanisë ”Juristbyrån Saranda AB” në Lund. Bashkautore me Hysen Ibrahimin e librit të titulluar ”DHOMA 334”, 2017.
[2] Dallim shumë i madh ndërmjet dy a më shumë sendeve, njerëzve ose mendimeve të tyre, që arrin deri në kundërvënie; kundërshtim a kontradiktë që shprehet hapur dhe qartë. Ka kontraste. Zbutja (shuarja) e kontrastit ndërmjet qytetit dhe fshatit.
[3] Zhurmë a krismë e fortë, që shpërthen menjëherë dhe me jehonë; zë i lartë dhe i fuqishëm; thirrje prej shumë zërash; ushtimë, uturimë. Buçimë shurdhuese. Buçima e topave (e minave). Buçima e traktorëve. Buçima e daulles.
[4] Famë; lavdi. Zulma e heronjve. Zulma e Skënderbeut. U kthye me zulmë.