“POETE MË KA BËRË DHIMBJA, QË KAM KALUAR!…”

0
517

(Bisedë me krijuesen Dava Gjoka-Lleshaj)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Tashmë, është bërë e zakonshme, që pyetjet për krijuest tona, i nisim: për prejardhjen, familjen e shkollimin… Kështu, edhe me ty, mike e nderar Davë, me këtë pyetje po e fillojmë Bisedën tonë të përbashkët, për të cilën të falanderoj nga zemra!… Pra, çfarë dëshiron të tregosh, shkurtimisht?

– I nderuar profesor Murat Gecaj! Ju përshëndes me shumë respekt dhe ju falënderoj përzemërsisht për ftesën tuaj, në këtë bashkebisedim, rreth jetës e krijimtarisë sime poetike!

Kam lindur në fshatin Bukmirë, të rrethit Mirditë, më 12.7.1957. Shkollën fillore e kam mbaruar në fshatin tim të lindjes. Ndërsa shkollën 8-vjeçare dhe të mesme i kreva në qytetin e Rrëshenit.

Sapo fillova gjimnazin, në moshën 15-vjeçare, më vdiq babai dhe unë mbeta jetime, më e madhja e katër femijëve të tjerë, me nënën të sëmurë (invalide). Pra, kalova një fëmijëri dhe rini shumë të veshtirë!

Pasi mbarova gjimnazin, fitova të drejtën për të vazhduar studimet e larta ushtarake, ne Tiranë. Pas mbarimit të kësaj shkolle, u emërova oficere në Forcat e Armatosura të Ushtrisë Shqiptare, po në Tiranë. Këtu banoj e jetoj, që nga ajo kohë e deri më sot, me bashkëshortin e dy djemtë e mi.

2. Kur të lindi dëshira të krijosh e pikërisht në fushën e poezisë dhe cilët ishin frymëzuesit, nxitësit ose mbështetësit kryesorë, në këtë drejtim?

– Edhe pse profesioni im është ushtarake, brenda vetes sime kam patur edhe poezinë. Këtë gjë e kam vënë re që në hartimet e mija, në shkollën e mesme… Më kujtohet se i bëja me shumë dëshirë dhe me shumë kënaqësi Ndërsa në vitet e fundit kam filluar të shkruaj më shumë …

Nëse mund të quhem poete apo krijuese, mund t’u them se të tillë më ka bërë dhimbja, që kam kaluar?!…

Mbështetësi dhe përkrahësi im kryesor, në këtë udhë, kam nisur, është ,padiskutim, bashkëshorti im. Atë e kam koleg dhe shok të jetës sime, njëkohësisht dhe nxitesin kryesor, që unë të shkruaj në vazhdimësi.

3. Cili ishte libri yt i parë dhe a mund thuash diçka për tematikën kryesore të tij?

– Libri im i parë, me te cilin dola para lexuesit, është libri me poezi, i titulluar “Dallget e jetës”. Më 2 shtator 2017 u bë dhe përurimi i tij, me organizimin e shkrimtarit, gazetarit, publicistit e moderatorit të njohur, Albert Zholi. Ajo ditë, për mua, s’do të harrohet kurrë.

Përfitoj sot, nga kjo bisedë me ju, që t’i falënderoj nga zemra, edhe një herë, të gjitha ata miq e mikesha dhe të afërm e dashamirës te artit, që e mbushën sallen e madhe të Muzeut Historik Kombëtar, duke marrë pjesë aty dhe duke më vlerësuar mua, me pjesëmarrjen dhe fjalët e tyre!

4. Gjithashtu, po lidhur me pyetjen e mësipërme: Çfarë ndiesishë përjetove, me këtë rast dhe si u prit ai nga lexuesit?

– I nderuar profesor! Ndjesitë e asaj dite, për të cilat fola dhe më lart e që i mora në përurimin e librit tim të parë, mund t’u them se ishin emocione të paprjetuara ndonjëherë në jetën time… Kisha dëgjuar shpesh, në biseda mes miqsh, se dalja e librit të parë mund të krahasohet me gëzimin e lindjes së femijës së parë dhe, në të vërtetë, ndjeva se ishte një gëzim shumë i madh ..E këtë e besova, pikërisht në ditën e atij përurimi…

Më ka lënë shume mbresa ajo ditë, ku gjysma e sallës ishte e mbushur me miqësine time virtuale, të cilët më ndjekin çdo ditë në krijimtarinë time modeste. Edhe një herë, dua t’i falënderoj të gjithë ata, për vlerësimin, përkrahjen dhe mbështetjen e tyre!

5. Po publikime të tjera, ku ke bërë: Në përmbledhje të ndryshme poetike, në faqet e Internetit etj.?

– Kam marr pjesë në disa antologji letrare poetike, si:”Na bashkoi poezia”, me autorë Ymrije Beqiri e Ilmi Dervishi; në atë të botuar në Suedi, me titullin “Të dashurosh, nuk është mëkat”, me autorë Hysen Ibrahimin e Ymrije Beqirin; në antologjinë për dëshmorin Selim Berisha, me autor Milazim Kadriun; në revistën “Lissalba”, me botues Ndue Dragusha. Po kështu, kam marrë pjesëë në librin “Oficeret shqiptare, në rrjedhën e historisë”, me autorë Kujtim Boriçin e Suzana Jahollarin, si oficere dhe krijuese në fushën e poezisë.

Gjithashtu, pothuajse çdo ditë, poezitë e mija i postoj në ne fb për të ndarë mendimet dhe kënaqësitë me të gjithë lexuesit e mi.

Kam ndjekur e vazhdoj t’i ndjek shumë veprimtari të ndryshme letrare, që zhvillohen, në Shqipëri e në Kosovë.

6. Sa e si je e lidhur ose e informuar, për krijimtarinë poetike të kolegëve, si në Shqipëri e Kosovë, në trojet tjera amtare dhe në emigracion?

– Po, e ndjek me shumë kënaqësi veprimtarinë krijuese poetike, të gjithë kolegëve e kolegeve të mija, si në vendet tona dhe në të gjithë, nëpëërmjet rrjetit të madh social fb. Por dhe i kam ndjekur nga afër, disa prej tyre, nëpërmjet ftesave, që më bëjnë, si këtu dhe në Kosovë.

Në biblioteken time kam shumë libra të kolegëve dhe kolegeve krijuese, të cilët i lexoj me shumë kënaqesi.

7. Merret me mend, se krijimtaria jote poetike nuk mund të jetëë vetëm një libër. Pra, a ke ti krijime të gatshme, me të cilat mund ose ke planifikuar të botosh një libër, së shpejti?

– Sigurisht, që unë nuk do të ndaloj së shkruari, pasi poezia për mua është si një ilaç, që më shëron dhimbjen.

Kam në doreshkrim, gati për t’i botuar edhe 10 libra të tjerë. Por kuptohet vështirësia për të botuar, këtu në Shqipëri, pra mundësia është shumë e vogël, pasi dhe gjendja financiare është e tillë. Shpresoj të vijë dita, që të përsëri para lexuesve të mi me librin e radhës…

8. A dëshiron të shtosh diçka tjetër, në mbyllje të kësaj Bisede tonë modeste?

– Së fundi, dua t’u falënderoj edhe një herë, përzemersisht, i nderuar profesor Murat Gecaj, për ftesën, që më bërë, në këtë bashkebisedim! Ju uroj vetëm shëndet e mbarësi, në punën tuaj tepër njerëzore e shumë fisnike, që bëni në mbëshstetje dhe nxitje të fjalës se bukur shqipe. Respekt dhe mirënjohje të thellë ndaj jush!

– Duke të falënderuar nga zemra, për bisedën e sinqertë dhe fjalët tua dashamirëse, e nderuar mike Dava Gjoka-Lleshaj, të urojmë: Shëndet e mbarësi, krijimtari sa më të bukur e të dashur për lexuesit dhe gëzime e lumturi, në jetën vetjake e familjare!

Tiranë, 5 maj 2019