Poemë për Kryengritjen e vitit 1981
Tek po pija kafenë e mëngjesit,
një zë shumëzohej nga qyteti;
lashë kafenë dhe dola në rrugë
Në Prishtinë, kudo kryengritje
Ajo këngë e zëshme e Kosovës,
ai zemërim gjigant i studentëve,
bekimin e kishte nga populli,
nga vuajtja e tij dhe padrejtësia.
O sa heroik ishte himn i rinisë!
O sa e bukur mu duk Prishtina!
Me të tëra ato duar të bëra grusht
E pashë urtësinë e një vullkani.
Unë, më i vogli poet i Kosovës,
një qytetar i thjeshtë dhe pa tituj,
mblodha vetë disa pika të gjakut
që ai mars-prill 1981 të shkruhet!…
2
———————————–
Studentët, loçkat e shpirtit,
më të mirët e kombit, më të
dashurit; më të patremburit,
thyen xhama, pasqyra, orendi,
goditën figurën e pushtuesit,
për ta nxjerrë në shesh të
vërtetën, dhe atë ferr të bërë.
Në kryengritjet 1968 – 2000
mbi rininë trime të Kosovës
u sul e gjithë ushtria e serbit,
individë të muzgut, karkalecë-
policë me medaljone krimesh,
njerëz me urejtje të përtejme
specialistë të ndëshkimeve,
titistë me babë dhe me bir,
udbëistë të çajtoreve, berberë
miq të armiqve të sofistikuar,
drejtorë bankash, komunistë,
gjykatës me pozita në shtet-
iu vërsulën rinisë së Kosovës,
moshës sonë më trimërore…
3
———————————-———–
Në ato vite të kryengritjeve
dhe të urtësisë së vullkanit,
një natë në Prishtinë , në
Tavnik e në Ferizaj, në Pejë
e Prizren , në Gjilan dhe në
Gjakovë, në Tetovë e Ulqin,
në Prizren e Skënderaj, në
Preshevë e Kumanovë, në
Mitrovicë dhe në Medvegjë
edhe ëndërrat kullonin gjak…
Prej se njihen të mbjellat
dhe prej se njihen të korrat,
Kosova të bukurën e saj e ka
në gjuhë, në armë, në luftë, –
flisnin gjyshet dhe gjyshërit…
Nëpër traktet e viteve 1981
të çdoditshme ishin thirrjet;
vullneti i popullit nuk shkilet,
vullneti i popullit nuk jepet,
vullneti popullit nuk shuhet,
as me tanke, e as me burgje
Kosova s´heq dorë nga liria!…
4
———————————–———-
Në ato vite të pushtimit serb
shqiptarët ishim të kërcënuar
natën, ditën, në rrugë, në punë;
sulmoheshin shkollat shqipe,
mielli dhe buka; mësuesi dhe
libri, emri e mbiemri, identiteti
sulmoheshin veshjet, dasmat
kostumi dhe veturat, punët e
ditës, ndenjat e vona, njerëzit
e zakonshëm, të mbjellat dhe
të korrat, të drejtat për festat
fëmijët na i arrestonin, sa herë
I kremonim festat e betejave…
Në ato vite të pushtimit serb
serbët pakicë na gjenociduan,-
të përkrahur nga Beogradi,
shtienin në çdo gjë shqiptare,
vrisnin që të shpërnguleshim
nga tokat tona stërgjyshore.
Në ato vite të gjenocidit serb
në sofër të familjes shqiptare
mungonin fëmijët, shija dhe
ngjyra e një Kosove të lirë!
5
—————————————-——-
Në Kosovën e atyre viteve
Prishtina, kryengritësja jonë,
u ngrit lotët t´i kthejë në gurë,
në grushta, në armë, në beteja!
Zullumi këputet prej së trashi
-shkruan në librin e urtësisë
Prishtina , trimja e Kosovës,
pështyn ekranin e televizorit,
natën e zezë pis dhe ngrihet
shtypjen me grusht ta mbysë!..
Vlimeve të mëdha të Kosovës
kryengritësja kudo na thërriste
të bëhemi me më shumë duar
dhe më me shumë grushta!…
Preshevë, Shkup dhe Tetovë,
të mblidhemi në sheshet tona,
që Kosovën ta bëjmë të lirë,
të bukur dhe të përbashkuar!..
6
——————-————————-
Kosovë, bëje dorën grusht!
Është çasti i sprovës sonë,
mbaje sqimën, mos u tremb!
Prishtina sonte s´ ka gjumë,
ajo na do të jemi në betejë
dhe kudo ku ka një prangë
të shtjejmë mbi pushtuesin…
Unë, më i vogli poet, më i
vockli, një banor i Kosovës
i mblodha ca pika të gjakut
kjo poemë të mos humbasë.
Kosovë, sonte nuk jam poet,
sonte jam i njëjtë si gjithë të
tjerët, kam aq gjak në trup
që të jem së bashku me ju…
Prishtinë, e bukura e atdheut,
këngën mos e le të të ikë,
mbaje fort dhe shtrëngoje,
është gjakja jonë e shpirtit!
7
————————————–
Kosovë, te ti jam më afër ajrit,
Më afër ujit më afër frymës,
Më afër betejave dhe flamurit,
dhe më afër dheut dhe atdheut!..
Këngë të lirisë, këngë trazirash,
Kryengritja fillon tek shtëpitë
Në shesh i kemi djemtë e lirisë
Bijtë e dardanisë së lashtë, bijtë
e Çamërisë; labeatët e Ulqinit,
Këtu kemi Shkupin e Prevezën
dhe Preshevën deri në Nish!…
Prishtina sonte nuk ka gjumë,
Ajo është e tëra në sheshet e
saj, populli ynë është atdhetar,
Tokat e tij ai nuk di t´i falë!..
Armik, kot qahesh për fitoren
tonë, zullumi këputet prej
së trashi, atë e thotë populli
se ti preke atë që s´ preket,
dhe shkele atë që s´shkilet?!
8
————————————
S´njoh dashuri më të madhe
Se liria, se dheu i atdheut
U ngrita nga birucë e burgut
Ti mar tokat që ti m´i more!
Se prej këtu e këtej unë jam
zot i tokave të mia, i qiellit
Shqipërinë kam dhé e atdhe
përderisa të ketë diell e yje!…
Serbi, famën e prangave tua
e rrëzuam, të quem në Hagë
Dhe atje ty të dhanë dënim
Për krimet tua të përtejme
Plagët janë të freskëta, kur
policët tu gajaseshin, tiiiiiiii,
kur na i dhunonit grtë e vajzat!
Serbi, armike e kombit tim!
Ti preke barkun e butë të
grave tona, pikën më të
ndjeshme të së bukurës së
njeriut! Zullumi këputet prej
sëtrashi!Këtë e thotë populli
Kosova lirinë e ka Shqipëri!..
9
—————————————–
Të gjitha kohërave gjak u dhamë
në beteja luftash e burg të rëndë
i vumë plisin Kosovës Dardane
në Trojën e parë Trojën e ndanë,
në Trojën e dytë Trojën e vranë
në Trojën e tretë turqit na ranë
Të gjitha kohërave gjak u dhamë
të lirë të rrojmë në vendin tonë
gjak dhamë për tokë e për qiell
gjak dhamë të rrojmë më mirë!..
Të gjitha kohërave gjak u dhamë
vet të jemi zot në atdheun tonë
që diellit t´i themi mirëmëngjes
dhe lirisë t´i themi këtu të kem!..
Rrustem Geci – Prishtinë, mars-prill, 1981