POEMAT E SYVE TU

0
506

Xhemail Peci

Sa shumë poema ka në sytë e tu blu! Sa shumë flasin sytë e tu, flasin me një gjuhë të papërsërishme poemash lirike! Sa shumë poema me konstaleacion yjesh ka në ata dy sytë e tu blu. Sikur kuvendojnë me shtatë palë qiej ata sytë e tu të kaltër, sikur shpalosin një dritë shenjtërie ata dy sy si dy diej të vegjël që shndrisin universin, që llamburisin qiellin me të kaltërtën e tyre. Sa margaritarë të rrallë ata sogjetarë amshimi që ndrijnë për nën ballë.

Sa e ëmbël gjuhë e rrallë e poemave të syve tu blu! Sa ligjërime të pafundshme lirike ka në sfondet e syve tu, sa përgjërime të pafundshme yjesh dhe sa shtigje drite ka në sytë e tu. Në kuvendime netësh e në zbardhëllime agimesh, në muzgjet e përflakura e në agsholet e hershme, poemat e syve tu shtrihen në gjithë rruzullimin.

Sikur kanë etje të pashuar, sikur kanë etje të pashkruar, sikur kanë etje të pathënë, poemat e syve tu. Poemat e syve dalë nga sfondet e tyre, rethuar me harkun e qepallave që bien butësisht e si me ritmin e rrahjes së zemrës sate, përmbi mollëzat e faqeve flasin aq përmallshëm. E sërish maja e qerpikëve bie si gjuhë amshimi mbi faqet e buta, si një ritëm shiu pranveror, si një valc vienez.

Si lentat e ylberit poemat e syve tu, me rrahjen e butë të qepallave përmbi ta, si rimat në tingëllimat e soneteve më të përkryera. Poemat e syve tu gjithmonë kanë të thonë diçka të rrallë në vështrimet e tyre si ca letra kredenciale. Sa i shumë ka skalitur pena e fatit poemat e syve tu, sa shumë i kanë marrë qiellit dhe sa shumë i kanë falë detit, poemat e pafundshme të sve tu të përmallshëm me sfonde oqeanesh.

E kur zbret nata me ngadalë përmbi qepallat e syve, poemat e syve tu nuk flejnë dot, nuk bëjnë dot gjumë. Përmbi kapakët e syve, poemat e syve tu flasin me gjuhë ëndrrash, me flakë yjesh mbështjellur majat e qerpikëve, si ca vargje të papërsëritshme lirike, si ca himne përjetësie!

Kur të zë gjumi dhe kur zë e pushon në mbretërinë e ëndrrave, një paqe e përjetshme sikur e mbërthen gjithë universin. Poemat e syve tu nuk ndalen as atëherë, sikur marrin një vrull të ri, sikur u falen një sfondi të ri lirik, sikur nisin një rrugëtim të shenjtë. E sa më shumë të zë gjumi, sa më shumë të kaplon ai, aq më shumë flasin poemat e syve tu. Sikur mëtojnë të dëshmojnë se ashtu siç mbyllen portat e syve tu blu, njëlloj mbyllen dhe portat e parajsës. Poemat e syve tu sikur mëtojnë të përjetësojnë në ligjërimet e tyre lirike, se njëlloj siç hapen portat e syve tu, njëlloj hapen dhe portat e parajsës. E sa herë që flasin poemat e syve tu, engjëjt vallëzojnë përmbi harqet e qepallave tua.

Këngë zemre poemat e syve tu, këngë e zogjve shtegtarë poemat e syve tu, zë kanarinash poemat e papërsëritshme të syve tu blu, këngë e të gjitha këngëve poemat e syve tu të kaltërt, si ca psherëtima të rralla që rrijnë të fshehura në thellësitë e stendave të muzeut krahanor, mesazhe përjetësie e gjuhë lulesh vargjet e poemave të syve tu magjistarë!

Si diamante drite e si sfonde mermeri ajo gjuhë lirike fshehur në ata dy margaritarë të rrrallë. Sa me mall flasin poemat e syve tu, me sa etje drite; sa shumë sfonde përplot butësi mëndafshi e shkrepëtima me vetëtima shpalosin poemat e syve tu. Sikur mblidhin të shtatë mrekullitë e botës në ato dy bebëza, sikur shajnisin çdo gjë, sikur ngjallin një univers të ri, sikur hyjnë në përjetësi poemat e shkruara nga sfondet e bekuara të syve tu blu!

Si brezaret me ullinj e me portokalle sfondet lirike të poemave të syve tu, si një gjuhë pëllumbash rënë në duart e tua më të butat – më të bardhat, si një tufë trëndafilash në gishtërinjtë e tu të hollë e të gjatë, si një shpërthim pranvere e si gurgullimat në kroje, si koshere bletësh e si hoje mjalte, si frymëzimet e pafajshme poemat e syve tu me gjerdanin e yjeve përmbi majat e qepallave, si ca pika shiu që bien pa pra në xhamat e dritares sate e si një pikë loti në një përgjërim të pasosur, poemat e sfondeve të kaltërta të syve tu: dëshmi deri në përjetësi se Zoti është poeti më i përsosur!