POEMA PËR FËMIJË

0
785
motrat

Faslli Haliti

poezi

EROLA

Erola përqeshi
vëllanë
e saj,
gjuhën i nxori
si spece me majë.

Ia bëri: me-me
Vëllait
si kec,
por gjuhën mamaja
ia dogji me spec…

Gjuha i dogji,
sa nisi
të qajë,
vajti në çezmë
me ujë të lajë.

Por gjuha i mbeti
si spece
e kuqe,
që shoqet ta njihnin
si vajzë me huqe.

* * *

Përqeshi Erola
një shoqe
të mirë
gishtat i vuri
në kokë si brirë.

U bë porsi dhi,
si dele,
si cjap,
erdh ujku nga pylli
ta hante me vrap.

Dhëmbët e ujkut
Erola
sa pa,
nisi të qajë,
me lot u la.

Dhe deshi të mbrohej
me brirët
e saj,
por brirët nuk ishin
dy thika me majë.

Me çifte erdh babi
dhe ujkun
e vrau,
kokën përgjysmë
me plumba ia ndau.

* * *
Përqeshi Erola
dhe motrën
një natë,
ia bëri ga-ga
Kleanës si patë.

Krahët sa rrahu,
dhe bëri:
ga-ga,
veten me pupla
të veshur e pa.

Kur puplat i dolën
dhe sqepi
me majë,
dhelpra me vrap
erdhi ta hajë.

Sheh dhëmbët e dhelprës,
tmerrohet
nga frika,
derdh lotët Erola
si qelq, pika-pika.

Po babi me çifte
dhelprës
i ra
dhe koka e dhelprës
përgjysmë u nda.

Babi e rropi
Dhelprën
menjëherë,
lëkurën e vari
të thante në erë.

Mamaja lëkurën
e bëri
pellush,
ia vuri Erolës
për dimër në gushë.

Kur shoqet ia panë
lëkurën
bojëkafe,
e tallen Erolën
si dhelpër dinake.

Erolës i erdhi
aq keq
sa nuk ka,
kur tallja papritur
mbi kokë i ra.

Nuk tallet Erola
me shoqet
më jo,
se shoqet e duan,
i do dhe ajo.

MOTRAT

Mami ish sëmurë,
dridhej,
kishte ethe,
këmbët i kish akull,
duart si dy gjethe.

Lola, Genta, Krisa
pas lojës
u harruan,
për nënën e tyre
fare s’u kujtuan.

Lola, Genta, Krisa
erdhën
në shtëpi,
të trija me etje,
me djersë dhe uri.

I pa mami vajzat
me djersë
në ballë,
në vend të qortimit,
nisi një përrallë:

Bleta, Merimanga
dhe Gjinkalla
pra,
na ishin tri motra,
të mira sa s’ka.

Motrat të trija
na kishin
dikur
një nënë të vetme,
që dergjej sëmurë.

Një ditë në ethe,
ashtu
në kllapi,
kërkoi nëna vajzat
t’i kishte në shtëpi.

Bija Merimangë
po thurte
pëlhurë
kur i vajti lajmi
që nënën, kish sëmurë.

Ku e gjeti nëna
të sëmuret
sot,
unë po end pëlhurë
pëlhurën s’e lë dot.

Dhe vazhdoi Merima,
punën
nuk e la,
për lajmin e hidhur
të fikët s’i ra!

Thërritni, tha nëna,
bijëzën
Gjinkallë,
ajo do më vijë
me lot edhe mall.

Gjinkalla këndonte
mes vapës
në drurë
kur i vajti lajmi:
që nënën kish sëmurë.»

Ku e gjeti nëna
të sëmuret
sot,
unë po këndoj,
këngën s’e lë dot.»

Gjinka moj bija,
vazhdoi
të këndonte
edhe kur mësoi
që nëna lëngonte!

Dhe vazhdoi Gjinka,
këngën
nuk e la,
për lajmin e hidhur
të fikët s’i ra!

Thërritni, tha nëna,
bijëzën
e tretë,
bijëzën e vogël,
që ma quajnë Bletë!

Bleta po gatuante
dyllë
edhe mjaltë
kur i vajti lajmi:
që nënën kish në shtrat.

Bleta la gatimin
e pikëlluar
shumë,
dhe u nis në çast
me duart me brumë.

Mbi blire dhe lule
Bleta fluturonte,
lulet derdhnin
mjaltin,
Bleta s’i shikonte.

Se s’pyeste Bleta
për dyllë
dhe mjaltë,
vraponte te nëna
që dergjej në shtrat.

Erdhe, bija ime?
tha nëna
e shkretë,
kur pa para syve
bijëzën Bletë.

Erdha, nënë e dashur,
pa më thuaj
ç’ke,
si ndihesh, moj nënë,
moj nënë, si je?

Sa më qenke lodhur!,
tha nëna
me mall,
kur Bletëzën e pa
me djersë në ballë. –

Dhe duart i paske
me miell
dhe brumë,
po pse të nxitoje,
moj bijë, kaq shumë? –

Po nëna po dridhej,
nëna
kishte ethe,
duart i kish akull,
të verdha si gjethe.

Që t’i shuhej zjarri
duhej pak dëborë;
Bleta
fluturoi,
e mori në Tomor.

Mbi ballin e nënës
që digjej, përvëlonte,
i vuri
një leckë
lecka avullonte.

Një lule këputi
bijëza
Bletë,
e mbushi me mjaltë
për nënën e vet.

Dhe bëri me ngut
një kafe
me mjaltë
për nënën e dashur,
që dergjej në shtrat.

Nëna piu kafen,
shurupin prej mjalti,
u çel
në fytyrë,
u çua nga shtrati.

Kur i shkuan ethet
dhe zjarri
i ra,
bijëzës së vet
nëna na i tha:

Kur të thirra ty Bletina,
Më erdhe
me nxitim
mjalti yt u bëftë
për njerëzit ushqim ! –

Mamaja përrallën
sapo
mbaroi,
secila nga vajzat
mjaft drejt e kuptoi.

Dhe bijat të trija
për mëmën
e vet
u bënë secila
si bijëza Bletë…

Lola lagu leckën,
ia vuri
në ballë,
Gentiana i lidhi
mamasë një shall.

Krisa i bëri
mamit
menjëherë
një kafe të fortë
me pakëz sheqer.

Kur ethet i ranë
dhe zjarri
i ra,
vajzave të trija
mamaja u tha:

Ejani te mami,
ejani,
moj bija… –
Dhe mami në ballë
i puthi, të trija.