Adem Zaplluzha “Poemat e dhimbjedashurisë”, botues “Trendi” Prishtinë, 2019
Milazim F. KADRIU
Poeti i mirënjohur Adem Zaplluzha, ndonëse krijon në vazhdimësi gjatë tërë vitit, ai viteve të fundit para lexuesve me tituj të ri vjen një herë në vit pikërisht në ditëlindjen e tij dhe atë me disa tituj. Kështu kësaj radhe më 1 shkurt, në 76 vjetorin e lindjes solli 14 tituj të ri me poezi. Në mesin e këtyre titujve ai kësaj radhe solli edhe një libër me poema. Në librin prej 310 faqesh të titulluar “Poemat e dhimbjedashurisë”, autori sjell 22 poema.
Të shkruash një vështrim për poemat e Zaplluzhës nuk është aq lehtë ashtu si që nuk është lehtë të shkruash për krijimtarinë letrare të tij ngase sado që të shkruash prapë të mbetët edhe shumë pa thënë për këtë poet që është i veçantë. Zaplluzha është poeti më prodhimtar në trojet shqiptare dhe më gjerë i cili deri tani ka botuar 177 libra kryesisht me poezi.
Edhe në librin “Poemat e dhimbjekrenarisë” Zaplluzha e dëshmon se është një poet me përvojë te gjatë. Bota poetike e tij është një botë gjithsesi interesante për shumëçka tërheqëse dhe origjinale. Ndonëse opusin e tij poetik e përbëjnë disa rrathë tematik, por poemat e këtij libri janë frymëzim i autorit nga ndjenja e dashurisë ndaj vendit, atdheut, luftës, lirisë etj.
Ai vargjet e tij i gdhend aq bukur sa që dëshmon zotërimin e tij që ka në artin letrar. Në vargjet e tij Zaplluzha shpreh ndjenjë dhe emocion dhe na sjell fakte dhe ndodhi te jetës. Vargjet e tij përcjellin me thjeshtësi, fantazi e urtësi mesazhin se ndjenja e dashurisë për atdheun, jetën, dashurinë është e madhe. Vargjet e tij flasin për të kaluarën, të tashmen po edhe për të ardhmen me mesazhin se duhet të punojmë sa më shumë që ajo që është arritur deri tash të mos humbet po të mbrohet dhe të luftojmë mbi vështirësitë dhe pengesat e saj, ngase për të ardhur deri këtu janë bërë sakrifica të mëdha e të shumta dhe ky vend disa herë është larë me gjak derisa kemi arritur në këtë ditë, andaj duhet mbrojtur.
Ja si shprehet ndër tjera në poemën “Fantazmat shqiptare”;
Në çdo fis
E kullë
Nga një këmishë e përgjakurNga një fantazmë e gjallë
E prekshme
E arritshme
Me erë gjaku të ndryshkur
Me erë fantazme
Adem Zaplluzha në vargjet e tij përdor një gjuhë të pasur dhe me vlera përmbajtjesore të pakrahasueshme. Poezitë e tij të ushqejnë shpirtërisht, ato u përmbahen ligjeve të metrikës me përpikëri dhe kanë brendi edukative.
Zaplluzha ndonëse në moshë të shtyrë ai nuk ndalet së krijuari dhe ka një elan pune po si të ishte në moshë të re dhe për këtë themi se ai jeton në tri kohë në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen ngase është shumë i freskët në vargjet e tij. Autori jeton aktivisht me ngjarjet dhe problemet e kohës sonë dhe mban qëndrim aktiv të paanshëm të cilin e shpreh shpesh edhe përmes vargut të tij.
Në poemën “Mirëmëngjesi Imzot” Zaplluzha apelon për një syçeltësi që të mos na ndodh si në të kaluarën kur për shumë kohë ishim në robëri po ta ruajmë atë që u fitua me shumë mund e gjak. Ja si shprehet ndër tjera poeti :
Në këtë natë të vonë
Kur korbat fluturojnë
S’ është koha për gjumë
Mbreti im
S’ është koha
Çafkat të këndojnë.…………………….
……………………Mirëmëngjesi Imzot!
Mirëmëngjesi
Koha është të zgjohemi sot
Ose të dremisim
Siç dremitëm me shekuj.
Një poemë në këtë libër ia kushton edhe tragjedisë së njohur të Tivarit kur në vitin 1945 u vranë e u masakruan shumë shqiptar, ata u vranë në pabesi ngase atje kishin shkuar që të luftojnë për çlirimin e ati vendi por Tivari doli të jetë besëprerë.
Në Tivar
Atë ditë fshikullonte mortja
Ishte viti 1945 mos u ktheftë më
Vetëm ky qytet i vdekjeve
I njeh trishtimet e asaj dite
Të vrarë me thikat e urrejtjes.
Në vargjet e Zaplluzhës hasim edhe akuza nganjëherë edhe të rënda për njerëzit që udhëheqin vendin por që ato akuza kanë bazën e tyre të realitetit për atë që po ndodh sot në vendin tonë kur edhe të rinjtë po ikin çdo ditë nga ky vend dhe po marrin botën në sy. Në poemën “Po ma kafshoni Atdheun e etërve” ndër tjera në vargjet e tij thotë :
Nuk di a mund të flini
Mua më ka ikur gjumi……………………….
………………………
Do na ikin të rinjtë
Do shndërrohen në shtërgje
Që kurrë më
Nuk do të kthehen në atdhe
Me këto vargje Zaplluzha kujton edhe të kaluarën kur shumë të rinj iknin nga vendi ynë dhe shumë nga ta nuk u kthyen asnjëherë. Po ashtu ai shpreh revoltën e tij që nuk po ruhet atdheu, liria e tij që u fitua por ai ka frikën se edhe nëse vazhdohet kështu mund ta humbin shtetin.
Atdheu vdiq ende pa u lind
Kafshojnë në veri
Kafshojnë në jug
E ju po zgërdhesheni
…………………………
…………………………
Sot u dorëzua atdheu im
I cili ngadhënjeu në luftë
U gjunjëzua
U gjunjëzua nga ata
Që ishin të ulur në dy pëllëmbë postiqe.
Zaplluzha në vargjet e tij ruan dashurinë dhe respektin për njeriun, vendin e tij dhe për çdo gjë tjetër dhe ai donë që në vendin e tij të ketë sa më shumë lulëzim por që fatkeqësisht nuk po ndodh ashtu si kemi dëshirë ne dhe autori dhe si e menduan ata që u flijuan për liri.
Duke parë gjithë këta të rinj që për ditë e më shumë po ikin nga atdheu, poeti ju bënë thirrje që mos ta lënë vendin e vetë ngase po e lënë atdheun në duar të askujt. Ai ju apelon që të qëndrojnë këtu se në të kaluarën kemi pas kohë edhe më të vështira dhe kemi qëndruar këtu.
Ndër tjera në poemën “Bijtë më të denjë të Kosovës” shprehet:
Bijtë më të denjë të Kosovës
Ofshajnë nën dheKujt po ja lini atdheun
S’po mbetet kush në këto troje
Që të mbjell zambakë mbi varre
Për të ja mbyllë një ditë
Sytë e përlotur të kësaj toke
Zaplluzha në shpirtin e tij ndjen dhembje kur sheh se çdo gjë sot po tjetërsohet, madje edhe flijimi i dëshmorëve të kombit që dhanë gjënë më të shtrenjtë jetën e tyre, për lirin e këtij vendi. Ai shpreh revoltën dhe është i gatshëm edhe deri në kryengritje ndaj të ligës dhe nuk hesht por këtë e shpreh në vargjet e tija.
Poeti vargjet e tij i shkruan me plot guxim, ku shpreh ndjenjat e tij në një punë të palodhur gjë që këtë e ka dëshmuar kaherë. Zaplluzha sjell vargje ku ka gërshetim idesh dhe ato janë të drejtpërdrejta të shkruara me një gjuhë të kuptueshme dhe me mendime të thella. Këto poezi janë të një niveli të lartë artistik dhe me plotë mesazhe.
Në këtë libër me poema autori shpreh dhembjen, dashurinë për jetën, sakrificën dhe guximin për të ecur përpara. Zaplluzha është një poet me plotë dije dhe preokupime intelektuale të cilat shprehen në vargjet e tija jo vetëm të këtij libri dhe ato janë shumë origjinale, në të gjithë librat e tij .
Redaktori dhe recensenti i librit Gjin Gjonpali në shkrimin e ti ndër tjera thotë : ”Poemat e Dhimbjekrenarisë” janë një Simfoni Poetike ku luhet deri në Oktavën e tetë Qiellore mundimi, sfida, etja për liri, dashuria, gjeneza me tërë mjegullat dhe mrekullitë e Mbijetesës, me dhimbjet dhe krenarinë, që i rrinë si kapuç i bardhë mbi sy portretit të Atdheut, të Kombit të tij.
Poezia e poetit Zaplluzha, në fuqinë e Fjalës, ka pika të ndritshme prej gjeniu.
Poemat e Dhimbjedashurisë janë të thella me kaltërsi të paanë dhe me dallgë të ngritura peshë si ato të Adriatikut e Jonit,janë një univers në vete. Pasuria gjuhësore, fjala elokuente me kumtin abstrakt e konkret, përndritja e figurave me të cilat kompozohen “Poemat e Dhemnbjekrenarisë” e fut këtë vëllim poetik në elitën e poezisë së kombeve”.
Zapluzha zgjodhi që në kopertinën e librit “Poemat e dhimbjekrenarisë” të sjell edhe këto vargje :
Kosovë çfarë poeme të shkruaj sonte
Nëpër damarët e kujtesës
Po i dëgjoj daullet e kushtrimit
Kosovë e vrarë dhe e plagosur
Shtatë herë në pritat e tradhtisë
Adem Zaplluzha edhe pas këtyre botimeve premton të na sjell edhe shumë libra tjerë. Kjo dëshmohet ngase tashmë e ka kaluar numrin 180 të librave të tij dhe kështu ai premton vazhdimësi ngase kaherë ka çimentua themelet e një krijimtarie të pasur të tij.