POEMA E FASLLI HALITIT GODITI SISTEMIN

0
670

FATBARDH RUSTEMI

Duke qenë me studime në Tiranë, shkoja në të gjitha redaksitë ku interesohesha për krijimtarinë e miqve të mi. Kështu bëra edhe me poemën e Faslli Halitit “Dielli dhe rrëkerat” që më vonë do t’i kushtonte aq shumë. Në fakt kryeredaktori Miço Verli hezitonte ta botonte. Bëhej gati, e faqoste dhe e linte për më vonë. Unë shkoja përsëri. Ai premtonte edhe prapë ngurronte, gjersa një ditë s’di se si iu prish mendja dhe e botoi.

Një ditë kryeredaktori, që u flak diku në prodhim, takohet në stacionin e trenit me poetin Faslli Haliti i dënuar në orizore:
Unë të mora në qafë ty Faslli, por dhe mua ma futi ai myzeqari yt!

Menjëherë na shpotitën reagimet tinzare. Në fillim nisi ftohja e instruktorëve të partisë që bënin sikur s’të vinin re. Kolegët e rekrutuar kushedi se ku, por që ne i njihnim për punë të liga, na afroheshin me një farë gazmendje, të cilët në fshehtësi kishin filluar ekpsertizën e vargjeve. Gjithçka e keqe që përshpëritej, shpërtheu një ditë në gazetën lokale “Shkëndija”.

Një grup gjimnazistësh kishin pranuar të vinin emrat në një artikull, që më shumë ishte një aktakuzë kundër poemës. Poeti akuzohej se i bënte thirrje popullit të rrëmbente gurët dhe të godiste pushtetin popullor. Dritëroi do ta quante një shkrim rrugeh kishin pranuar të vinin emrat në një artikull, që më shumë ishte një aktakuzë kundër poemës. Poeti akuzohej se i bënte thirrje popullit të rrëmbente gurët dhe të godiste pushtetin popullor. Dritëroi do ta quante një shkrim rrugeçërish, gjë që na dha zemër, por siç rrodhën ngjarjet, ky reagim shtoi një armiqësi më të madhe.

Ismaili do t’i thoshte Faslliut:
Fute gazetën në një zarf dhe çoja kryeministrit me një copë letër, ku t’i thuaj: kjo është demokracia juaj?!

Ndërsa e shoqja e kryeministrit duke përmendur poezinë “Njeriu me kobure” do të shprehej me indinjatë: poeti koburen e përdor si një mjet friksimi (sikur ajo do të ishte koburja, që i shoqi do të vriste veten) arma e sigurimit të shtetit është e dashur për popullin, – do të përfundonte ajo e mallëngjyer. I erdhi radha dhe mbledhjes autodafe, ku pa i thënë asgjë, poetit i kishin dhënë disa ftesa për t’i ndarë, kur mbledhja ishte e gjitha kundër tij. Mendoni se ç’cinizëm: të ftosh me dorën tënde ata që do të marrin pjesë në rrëzimin tënd?! Salla u mbush plot.

Gaz Kohl do të deklaronte me një fashistizëm të fjalëve:
Në qoftë se do të jemi në një kodër dhe do të shohim nga lartësia e saj diku një njeri me një çadër të zezë, ajo do të na duket si një njollë e errët e parëndësishme, në hapësirën e qytetit tonë socialist. Po qe se atë çadër do ta vinim para vetes, nuk do të shihnim asgjë nga qyeteti, veçse zinë e çadrës. Kështu ndodh dhe me poemën “Dielli dhe rrekerat”.
Në këtë poemë, Faslli Haliti, e ka goditur pushtetin popullor “brinjë më brinjë!

Në aktin e dytë të mbledhjes, sekretari i parë, do t’i turrej poetit.
Të shkosh njëherë atje ku trazohen bajgat, ku njerëzve u bie bretku gjithë ditën dhe shtyhen me një kothere bukë misri, që të dërrmon dhëmbët dhe, po ta mbajti shkruaj mbroçkulla të tilla!

Poeti po dënohej për nxirje të realitetit, ku dhe më zi po deklarohej vetë sekretari i parë me mërinë që zbaraste.

Ditët do të rëndoheshin. Poetin e “Këshilluan” të shkonte në orizore për të njohur jetën e një populli të lumtur në vuajtjet e veta. Pasi e takoi Kadarenë për së dyti në Tiranë, siç do të më thoshte poeti, i propozoi një takim me Ramiz Alinë.

Puna është, që të mos ia kemi me hile Partisë” – e kishte qetësuar shkrimtari. Takim me Ramiz Alinë i realizuar, mbase, me ndërmjetësinë e Kadaresë, siç më ka folur poeti, ka qënë një takim dashamirës. Ajo që na pëlqeu, ishte këshilla e tij në fund të bisedës, që poeti mos t’i hidhte ujë verës.

Optimizmin e takimit me Rmiz Alinë, Faslliu e bëri të ditur në rreth, ku dikush do t’i thoshte:
Ramizi s’di ku ka kokën e vet!

Menduam se ia hodhëm, por kundërshtarët tanë dinin më shumë nga ne. Një mikut tonë që shkruante tregime, sekretari i parë i rrethit, pyetjes së tij:
– Ç’të bëj unë, të shkruaj?
Iu përgjigj rreptë:
– Shkruaj, por futi në qyp!”

Një i deklasuar, që dihej se ishte i policisë së fshehtë, kishte shkuar në shtëpinë e Faslliut për ta provokuar.
– Partia nuk më sheh me sytë e tu të fëlliqur! – i kishte shfryrë poeti.

Dikush propozoi që unë, të përjashtohesha nga fakulteti, si mbrojtës i flaktë i poetit. Mbas kësaj zallahie, cilët ishin fitimtarët? Rrozhgot e letërsisë, që s’kishin botuar asgjë ose kishin botuar paçavure. Ndiheshin triumfatorë, tejet të kënaqur, që kishin hequr qafesh pjesën e zgjedhur. Këta ishin diktatorët tanë që sot bëjnë fajtorë të tjerët për poshtërsitë e tyre.

Fjalët në vesh ishin e gjithë katastrofa e fateve tona. Një klerik, para se të shkatërrohej tempulli i tij, kishte shkuar tek “veshi i partisë” dhe ishte lutur: me tempullin bëni ç’të doni, por u thoni të mos më poshtërojnë. Pas kësaj nuk e kishin luajtur. Ruaja për shtypjen se njerëzit e pushtetshëm kishin vetëm vesh, ndaj shpesh ata kishin pamje babaxhani. Në qenien e tyre s’kishte sy. Sytë ishin gjetkë.

Ata që shihnin gjithçka, ishin veçse shërbëtorët e regjimit, sigurisht pjesa më legene e shoqërisë. Ata i shihnin të gjitha dhe ua përshpërisnin babaxhanëve në vesh. Eh, si egërsoheshin mullarët e mishit, kur zëgali i fjalëve u futej në vesh! Atë, çka të tjerët ua fusnin në vesh, sikur të mundnin e ta shinin në sytë e tyre, do të ishin më dinjitozë në zemërim dhe sigurisht do të bënin më pak dëme. Por ata për shumë arsye ishin të dënuar të mos kishin sy.

(S’gjeje një mbledhje, ku të rëndësishmit, të mos i përshpëriste në vesh një i parëndësishëm. Dhe sytë janë kurdoherë më të rëndësishëm nga veshët.)

(Poetit iu ndal botimi prej 10 vjetësh. U hoq nga një antologji poetike, që do të botohej në Francë, ku do të ishte bashkë me emrat e Ismailit, Dritëroit dhe Fatosit. Ishte caktuar dhe në një delegacion që do të shkonte në Kosovë. Megjithatë shkoi në afërsi të Kosovës së Vogël, fshat në kufi me rrethin e Elbasanit.)