PO VJEN PRILLI – 3 poezi nga Mustafa Spahiu

0
331
Mustafa Spahiu
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

PO VJEN PRILLI

Me sihariqe – ndezi dritë pranvera,
Prilli – lejlek – na erdhi deri te dera.

Sa dielli i madh në centrale gëzimi,
Dhe i këndshëm – përhapet blerimi.

Prilli, prilli – me bukuri,lezet galdoi!
Gjelbërimi në të katër anët vërshoi.

I ka hapur krahët – në njërën dorë,
I cicërojnë qindra zogj sa gazmorë!

Trenat e prillit – fushave rrëshqasin,
Lojën e fluturave gjerdane e zgjasin.

Dora tjetër me gishtat – dashuri! –
I zgjon fëmijët – me syçkat si inxhi.

Zgjohuni, zgjohuni – prilli i thërret:
– Mbëltoni dëshirat, t’keni shëndet.

Rrezesh shpikni – lojë pa maraze,e
Syt’e ylbereve janë rèsh buzagaze.

– Kujdes mbi ylberesh kur kaptoni,
Gjininë tuaj nuk duhet ta ndërroni!

Një prill ditëparën – e ka me shaka,
Themi gënjeshtra – qeshim hahaha!

Fijeve të barit me nder iu përkulem,
Në breg t’lumit te tamëlçaku ulem…

Ia qaj një dert, i them dëgjo, or mik,
Si nuk pata krah të artë dhe magjik?

– Tani po t’njoh në shpirt, xha poet!
Me sytë gjezdise gjelbërimin – det.

Çelësi i prillit është i çmuar shum,’
Lulet na magjepsin – falin parfum…

Dëgjo, n’kitare zymbylat këndojnë,
Prillin e paraverës’i princ e nderojnë.

Gjeth t’ri – gjallëri mbushen malet,
Kënga për prillin nuk din të ndalet…

E hënë, 29 mars 2021, në
Dardaninë Ilire

PA TITULL

Fshatrave ndeza fenerë të ndriçimit,
Asnjë qindarkë s’e kurseva askund…
Papo uragan bëhem prej zemrimit –
Pse s’me njohin kur futem n’katund?

N’lojëra takoj bylykun me çamarokë,
Pa hatërmbetje m’shikojnë ngrysur!
M’kureshtari – thot – nga je “bablok”
Është brez’i tretë n’avazesh harlisur.

Kthehem n’kujtime n’palcë shkrihem,
I ngjatjetoj me të përzgjedhurat fjalë.
Me çamarokët si lepurush përvidhem;
N’lojë buzëmbrëmjen e pres ngadalë.

Shtëpive tjegullat sa qenkan rreshkur
Dhe paskan ndryshuar plot gjësende!
Me vashëza n’valle duke buzëqeshur;
Jam “djalë” fshati iu them me ëndje…

E shtunë, 10 gusht 2019, në
Vendlindje

FANITEM PËR FSHATIN

Prindërit më kishin të vetmin djalë,
– Zemrash më ruanin sikur një flori.
Nga ati im ndërmendi këtë fjalë:
“Bir,mos humbis veten’asnjë ligësi!”

Kjo fanitje ç’më shfaqet hera-herë,
M’besoni asgjë s’honepsi çka thonë;
T’sharat vazhdojnë lodrash e poterë;
As për thashethemesh s’bëhet vonë!

Dhe ruaj karakterin tim tipik shqiptar,
Çdo gjë me djers’e punë kam arritur!
Kam gjetur alter-egon ndërgjegjelarë,
Përtej aftësive t’mia gjë s’kam pritur!

As ofiqe s’dua – n’këtë moshë i druaj!
Pikërisht n’vendlindje do isha harakat.
Jam poet fshati – të bukurën e shquaj,
Këtë e them vargjesh pa lavde aspak…

E diel, 14 korrik 2019, në
Dhèvendlindje