Po sikur të zhdukeshin të gjitha viruset?

0
542
Viruset

Nëse të gjitha viruset do të zhdukeshin, bota do të ishte shumë ndryshe, por jo domosdoshmërisht më mirë. Por çfarë do të ndodhte saktësisht?

Nga Rachel Nuwer

Viruset duket sikur ekzistojnë vetëm për ta shkatërruar shoqërinë, dhe për t’i shkaktuar vuajtje njerëzimit. Ato kanë marrë miliona jetë njerëzish përgjatë mijëvjeçarëve, shpesh duke shfarosur pjesë të mëdha të popullatës globale, nga pandemia e Gripit Spanjoll e vitit 1918 e cila vrau 50-100 milionë njerëz, tek 200 milionë njerëzit që vlerësohet se kanë vdekur nga sëmundja e lisë vetëm në shekullin XX-të.

Pandemia aktuale e Covid-19, është vetëm një nga seria e sulmeve virale të vazhdueshme dhe të pafundme. Nëse do të ekzistonte mundësia për të gjetur një ilaç që zhduk të gjitha viruset në qarkullim, shumica e njerëzve do të donin që ky moment të ishte pikërisht sot.

Por ky do të ishte një gabim vdekjeprurës, në fakt më vdekjeprurës sesa ç’ka qenë ndonjëherë çfarëdolloj virusi. “Nëse të gjitha viruset do të zhdukeshin papritur, bota do të ishte një vend i mrekullueshëm për afro 1 ditë e gjysmë, më pas të gjithë do të vdisnim” – thotë Toni Goldberg, epidemiolog në Universitetin Uiskonsin-Medison.

Kjo pasi pjesa dërrmuese e viruseve nuk janë vrastarë për njerëzit, madje shumica luajnë një rol jetik në ekzistencën e ekosistemeve. Të tjerët ruajnë shëndetin e organizmave individuale, nga kërpudhat dhe bimët, deri tek insektet dhe njerëzit. “Ne jetojmë në një ekuilibër të përsosur, dhe viruset janë një pjesë e këtij ekuilibri” – thotë Susana Lopez Shareton, virologe në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikos.

Shumica e njerëzve, nuk janë të vetëdijshëm për rolin që luajnë viruset në mbështetjen e pjesës më të madhe të jetës në Tokë, për shkak se ne priremi të fokusohemi vetëm tek viruset që i shkaktojnë probleme njerëzimit. Gati të gjithë virologët studiojnë vetëm viruset patogjenë. Dhe vetëm kohët e fundit, disa studiues kanë nisur të analizojnë viruset që na mbajnë gjallë neve dhe planetin tonë, në vend se të na vrasin.

Ajo që shkencëtarët dinë me siguri është se pa viruse, jeta dhe planeti siç e njohim sot do të pushonte së ekzistuari. Pastaj edhe sikur ta dëshirojmë me gjithë shpirt, asgjësimi i çdo virusi në Tokë, do të ishte diçka e pamundur.

Por duke imagjinuar se si do të ishte bota pa viruse, ne mund të kuptojmë më mirë jo vetëm sa jetikë janë ato për mbijetesën tonë, por edhe se sa duhet të mësojmë ende rreth tyre. Së pari, studiuesit nuk e dinë sa viruse ekzistojnë saktësisht në Tokë.

Mijëra janë klasifikuar zyrtarisht, por në fakt mund të jenë miliona. “Ne kemi zbuluar vetëm një pjesë të vogël, pasi njerëzit nuk kanë kërkuar shumë për to” – thotë Merilin Rosink, ekologe në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, SHBA. Shkencëtarët nuk e dinë se sa përqindje e viruseve në total, janë problematikë për njerëzit.

Në aspektin numerik, do të ishte afër zeros” – thotë Kërtis Satëll, virolog mjedisor në Universitetin British Columbia. “Gati të gjitha viruset nuk janë patogjene ndaj gjërave që janë më të shtrenjta për ne” – shton ai. Ajo që dimë, është se fagët, apo viruset që infektojnë bakteret, janë shumë të rëndësishëm.

Emri i tyre vjen nga termi grek “fagina”, që do të thotë “të gllabërosh”. “Ata janë grabitqarët kryesorë të botës bakteriale. Pa to, ne do të ishim në telashe të mëdha”- shprehet Goldberg.

Fagët janë rregullatori kryesor i popullatës bakteriale në oqean, dhe ka të ngjarë edhe në çdo ekosistem tjetër në planet.

Nëse viruset do të zhdukeshin befas, disa popullata bakteriale do të lulëzonin shumë; të tjerat mund të ndalonin së rrituri. Dhe kjo gjë do të ishte shumë problematike sidomos në oqeane, ku më shumë se 90 për qind e të gjithë materialit të gjallë është e natyrës mikrobiale.

Këto mikrobe prodhojnë rreth gjysmën e oksigjenit në planet, një proces që mundësohet nga viruset. Këto të fundit vrasin çdo ditë rreth 20 për qind të të gjithë mikrobeve oqeanike, dhe rreth 50 për qind të të gjitha baktereve oqeanike. Duke zhdukur mikrobet, viruset sigurojnë që planktoni që prodhon oksigjen të ketë mjaftueshëm lëndë ushqyese për të kryer si duhet fotosintezën, duke mbështetur pjesën më të madhe të jetës në Tokë.

“Nëse nuk kemi vdekje, atëherë nuk do të kemi as jetë, pasi jeta është plotësisht e varur nga riciklimi i materialeve. Viruset janë kaq shumë të rëndësishme për sa i përket riciklimit”- thotë Satëll. Studiuesit që studiojnë vrasësit e insekteve, kanë zbuluar se viruset janë jetike për kontrollin e popullatës së specieve.

Nëse një specie e caktuar shtohet më shumë sesa duhet, një virus do të shfaqet mes tyre dhe do t’i zhdukë ata, thotë Rosink. “Viruset janë një pjesë shumë e natyrshme e ekosistemeve” – thekson ajo. Edhe Satëll thekson se kur popullatat bëhen shumë të mëdha, viruset kanë prirjen të shumohen më shpejt dhe ta shfarosin atë popullsi, duke krijuar hapësirë ​​për jetesën e gjithçkaje tjetër.

Dhe nëse viruset do të zhdukeshin papritur, speciet konkurrente ka të ngjarë të lulëzojnë në dëm të të tjerëve. “Ne do të humbnim me shpejtësi shumëçka nga biodiversiteti në planet”- shton Satëll. Ndërkohë, disa organizma varen nga viruset për mbijetesë, ose për t’i dhënë atyre një avantazh në një botë konkurruese.

Për shembull, shkencëtarët dyshojnë se viruset luajnë role të rëndësishme për të ndihmuar lopët dhe kafshët e tjera ripërtypëse që ta shndërrojnë celulozën e marrë përmes barit në sheqerna që mund të metabolizohen, dhe që në fund shndërrohen në masë trupore dhe qumësht.

Studiuesit gjithashtu mendojnë se viruset janë shumë të rëndësishme në mbajtjen e mikrobiomeve të shëndetshme në trupat e njerëzve dhe kafshëve të tjera. Rosink dhe kolegët e saj, kanë zbuluar prova konkrete për këtë.

Në një studim, ata ekzaminuan disa kërpudha që kolonizojnë një bar specifik në Parkun Kombëtar të Jelloustounit në SHBA. Ata zbuluan se një virus që infekton kërpudhat dhe që lejon që bari të bëhet tolerant ndaj temperaturave gjeo-termale të tokës.

Kur virusi, kërpudhat dhe bimët janë bashkë, atëherë bimët mund të rriten edhe në territore me temperatura shumë të larta. Kërpudhat të vetme nuk e bëjnë dot këtë gjë” – deklaron Rosink. Infeksioni me viruse të caktuara beninje, mund të ndihmojë në largimin e disa patogjenëve tek njerëzit.

Virusi GB C, një virus i zakonshëm i lindur nga gjaku i njeriut, që është një i ‘afërm’ jo i largët patogjen i virusit të Nilit Perëndimor dhe Etheve të Dengos, është i lidhur me progresionin e vonuar të AIDS-it tek njerëzit pozitivë me HIV.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se virusi C GB, duket se i bën njerëzit e infektuar me Ebola, më rezistentë ndaj sëmundjes, dhe ata kanë më pak gjasa të humbin jetën. Po kështu, herpesi i bën minjtë më pak të ndjeshëm ndaj infeksioneve të caktuara bakteriale, përfshirë Murtajën Bubonike.

Ndërkohë pa viruse, ne dhe shumë specie të tjera mund të jemi më të prirur të sëmuremi nga sëmundje të tjera. Viruset janë gjithashtu disa nga agjentët terapeutikë më premtues për trajtimin e sëmundjeve të caktuara. Terapia me fagë, subjekt i një studimi të madh në Bashkimin Sovjetik që në vitet 1920, përdor viruse për të luftuar infeksionet bakteriale.

Kjo është një fushë që po zgjerohet me shpejtësi, jo vetëm për shkak të rritjes së rezistencës ndaj antibiotikëve, por edhe për shkak të aftësisë për të luftuar më mirë specie specifike bakteriale, në vend se të spastrojë pa dallim të gjithë popullatën tonë bakteriale, siç bëjnë antibiotikët.

“Shumë njerëz kanë shpëtuar nga vdekja duke përdorur viruse, aty ku antibiotikët kanë dështuar”-thotë Satëll. Viruset onkolitike, pra ato që infektojnë në mënyrë selektive qelizat e kancerit, po studiohen gjithnjë e më shumë si një trajtim më pak toksik dhe më efikas ndaj tumoreve.

Shkencëtarët sapo kanë nisur të zbulojnë mënyrat se si ndihmojnë viruset në vijimësinë e jetës në Tokë. Sa më shumë të mësojmë në lidhje me të gjitha viruset, dhe jo vetëm mbi ato patogjene, aq më të përgatitur do të jemi për të zhvilluar kura kundër viruseve të tjera që mund të shkaktojnë në të ardhmen pandeminë e radhës.

“BBC Future” – Bota.al

Marrë nga Nacionale.Info