Po shpërthyen trazira, Kosova rrezikon kthimin në protektorat të OKB-së

0
532
Arbana Xharra - Skënderbeu

Nga: Arbana XharraRevista Drini30 Mars 2020

Kosova aktualisht është peng i përplasjes së egove të Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit, të cilët po shtyhen se cili është më i fortë.

Po paralajmërohet një kaos politik, ku asnjëra palë nuk është gatshme për kompromis. Thaçi do të provojë të krijojë një qeveri, duke përjashtuar LVV-në, kjo e fundit do të përpiqet të mbesë në pushtet kështu, me qeveri të rrëzuar, gjë që në aspektin demokratiko-politik dhe të kulturës politike nuk është gjë e pastër.

Sipas procedurave, presidenti ia jep mandatin partisë se parë, LVV-së, e cila do të luaje lojëra e nuk do ta dërgojë emrin, me synimin që gjithçka të shtyhet. Sidoqoftë nëse LVV e pranon mandatin dhe brenda një afati të caktuar nuk arrin me kriju shumicë, atëherë presidenti vendos me ja dhënë mandatin partisë së dytë LDK-së.

Arritja e koalicionit ndërmjet LDK dhe LVV nuk doli aq e lehtë, siç e parashikonte partia e Albin Kurtit dhe segmente të caktuara në LDK. Ajo nuk zgjati shumë dhe u shoqërua me një luftë të ashpër ndërmjet të dyja palëve.

Mbërritja e mundimshme e këtij koalicioni linte të kuptohet, se kemi të bëjmë me përplasje ndërmjet dy botëkuptimeve diametralisht të kundërta nga njëra tjetra. LVV është parti e revoltës së majtë – e përzier me elemente fetare – ndërkaq LDK është parti konservative e së djathtës.

Gjersa e LVV fiton vota në sajë të liderit të saj absolut, LDK mund t’i llogarisë votat në një bazë të gjerë dhe tradicionale që parimisht voton LDK-në.

Kriza kulminoi pikërisht nga ky dallim i madh programor që kanë dy partitë ndërmjet veti. Kryeministri merrte vendime ashtu siç e do natyra e liderit absolut: pa pyetur askend! LDK nisi të ndihej si patericë, mirëpo nuk reagonte dot, ngase një pjesë e bazave të saj kërkonte me ngulm këtë model qeverisjeje – me LVV-në.

Mos heqja e taksës dhe tallja, përbuzja dhe injorimi i Amerikës i vuri kapakun gjithë kësaj.

Në Kosovë – përtej militantëve esktraradikalë të majtë nga Tirana dhe elementëve fetarë brenda LVV – nuk ekziston masë që mund ta leverdisësh me retorikë kundër Amerikës. Me një fjalë nëse do që me siguri ta humbësh pushtetin, ngatërrohu me SHBA-të – pavarësisht se kush është aty president.

Sipas asaj që thuhet për inteligjencën e Albin Kurtit, duket sikur gjithë këtë manovër ta ketë bërë me vetëdije. Përndryshe nuk do të kishte shkarkuar një ministër të LDK-së vetëm për opinionet e tij dhe do ta hiqte taksën menjëherë, sidomos pas shpërthimit të pandemisë, qoftë si masë të jashtëzakonshme, me çka as reputacioni nuk do t’i gërvishtej.

Ai nuk i bëri këto dy lëshime kaq të parëndësishme. Të parëndësishme ngase Agim Veliu s’mundte të vendosë për asgjë vetë dhe heqjen e taksës e kishte paralajmëruar edhe vetë.

Tash do të formohet me siguri një qeveri semiteknike. Partitë do të delegojnë njerëzit e afërt të tyre dhe do ta formojnë një qeveri kalimtare, siç e modelon presidenti Thaçi. Deri në zgjedhjet e ardhshme. Pas atyre LVV mund të kthehet në pushtet vetëm nëse i fiton 51% zgjedhjet, përndryshe nuk shoh shpresë tjetër për të në horizont. Se a mund të ndodhë kjo në Kosovën siç e njoh, dyshoj shumë rëndë. Madje mund ta marr guximin për një prognozë: Albin Kurti e dogji kartën e tij, për ta pasur qeverinë në Kosovë.

Se presidenti Thaçi është i njohur për „komplote“ të tilla s’është sekret publik, por sa i aftë duhet të jetë ai, ta mund njeriun më inteligjent e intelektual të Kosovës – siç trumbetohet rreth figurës së zotëri Kurtit?

Logjika atëherë, sipas fakteve që kemi tani, thotë se LVV i kontriboi puçit të organizuar nga Thaçi, duke bërë veprime për t’u vetë rrëzuar. Absurde apo?!

Po shpërthyen trazira, Kosova rrezikon kthimin në protektorat të OKB-së dhe mirupafshim “Republikë”. A nuk është ky ideali i rusëve, serbëve dhe disa tjerëve?