Martirët e lumtur të Shqipërisë
Nga Frank Shkreli
Javën që kaloi në Shqipëri u mbajt “Forumi Ballkanik kundër antisemitizmit”. Ishte kjo një nismë shumë me vend e Kuvendit të Shqipërisë, në bashkpunim me Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, forum, në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë ballkanikë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, Izraelit dhe madje edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, iu drejtua forumit virtual me një fjalim të shkurtër. Ishin mjaft përfaqsues të vendeve pjesëmarrëse forumin virtual – përfshir edhe ata të Shqipërisë, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi. Folës të ndryshëm, përfshir zyrtarët e lartë shqiptarë, diskutuan se si vendet e Ballkanit mund të bashkpunojnë për zhdukjen e antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante për brezat e ardhëshëm. Është kjo një thirrje shumë me vend, pasi është venë re se antisemitizmi është një fenomen që, kohët e fundit, po shtohet anë e mbanë botës. Një fenomen që duhet të luftohet e të zhduket që në zanafillë, në cilën do shoqëri qoftë.
Sa interesant thashë me vete, që udhëheqsit shqiptarë, në një forum ndërkombëtar, siç ishte ai që u mbajt virtualisht në Tiranë – flasin para botës për masat dhe bashkpunimin kundër antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante: “Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, u shpreh Kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi i tha forumit se “Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën, duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit”, deklaroi kryetari i Parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.
Çfarë shprehjesh thashë — gjithnjë duke folur me veten — nga zyrtarët më të lartë shqiptarë, të cilët edhe botës demokratike i japin mësim për demokraci, pluralizëm, diversitet e tolerancë dhe më në fund Kryeministri shqiptar thekësoi nevojën për një, “thirrje ndaj ndërgjegjës kolektive”, për të vepruar. Thashë me vete gjithashtu, si mund të përputhen këto shprehje të dy udhëheqsve të lartë shqiptarë në Forumin Ballkanik mbi antisemitizmin me deklaratat, pikërisht, të këtyre dy zyrtarëve shqiptarë në Parlamentin e Shqipërisë, mbi meritat e komunistëve dhe të komunizmit, pothuaj 50-vjeçar në Shqipëri. Dihet se komunizmi, ashtu si edhe nazizmi — sidomos regjimi komunist i Enver Hoxhëls, nuk ishte aspak tolerant ndaj kundërshtarëve politikë dhe segmenteve të caktuar të popullësisë shqiptare që kundërshtonin regjimin e tij.
Kur dëgjova fjalët e zotërinjve Rama e Ruçi në Forumin kundër antisemitizmit në Tiranë, pyeta veten se cili është Rama i vërtetë dhe cili është Ruçi i vërtetë – ata që deklaruan se disa javë më pare se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë dhe se shqiptarët ishin ndarë që në vitin 1944 (duke justifikuar kështu të gjitha krimet e regjimit komunist në Shqipëri si dhe mos tolerancën politike ndaj njëri tjetrit, e pasqyruar këto 30-vitet e fundit) – apo ndoshta zotërinjt Rama e Ruçi për fat të mirë të Kombi – paskan pësuar një metamorfozë të mirëseardhur më në fund, që u pasqyrua në fjalimet e tyre në forumin kundër antisemitizmit, ku folën për “tolerancë”, “demokraci” dhe “ndërgjegje kolektive”, ndaj së kaluarës. Toleranca është një virtytë njerëzor dhe shoqëror, por disa shoqëri vuajnë, fatkeqësisht, nga toleranca ndaj së keqës. Heshtja ndaj çeshtjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim i (heshtur) i së keqës, ka thenë një amerikan i madh i shekullit të kaluar. (Fulton Sheen). Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi është krim, edhe kur shumica është në rrugë të gabuar, ka thenë ai.
Prandaj është me rëndësi të dihet e vërteta, nëse udhëheqsit aktualë të Shqipërisë do të vazhdojnë të heshtin për çeshtjet e mëdha morale të Kombit – përfshirë krimet e komunizmit dhe përballjes me të kaluarën komuniste të vendit, pasi shqiptarët – sidomos ata dhjetëra e qindra mijëra që kanë vuajtur, janë vrarë ose zhdukur nga regjimi komunist, vetëm e vetëm, se nuk pajtoheshin me atë regjim. Ata presin për 30-vjet tani – që të këthehen në veprim fjalët tolerancë, ndërgjegje kolektive, demokraci e vërtetë, zgjedhje të lira, pajtim kombëtar, kërkim faljeje për krimet ndaj njerëzve të pafajshëm, gra, pleq e fëmij – që më në fund të këto vlera të mëdha universal të këthehen në një çështje të madhe morale kombëtare për të cilën nuk mund të heshtet më.
Nganjëherë njeriu shpreson edhe kundër shpresës. Sbpresova se diskutimet në “Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit”, t’u kenë kujtuar, të pakën për një moment udhëheqësve shqiptarë edhe holokaustin komunist shqiptar ndaj mijëra shqiptarëve kundështarë të regjimit komunist, në përgjithësi, dhe holokaustin fetar shqiptar në veçanti. Këto mendime po më sillen në kokë, ndërkohë që Kisha Katolike Universale dhe sidomos Kisha Katolike Shqiptare — anë e mbanë trojeve arbërore — po përgatitet që me 5 Nentor, 2020 të shënojë Festën e Martirëve të Lumë shqiptarë – Vinçenc Prenushi me 37 shokët — festën pra të 38 martirëve: qendresën, virtytet e tyre njerëzore, morale, kombëtare, shpirtërore si dhe mesazhin e tyre për aktualitetin e sotëm shqiptar politik dhe moral, për shoqërinë por sidomos për udhëhqesit aktual të Shqipërisë.
Shpresojmë e shpresojmë, për zgjimin e një ndërgjeje morale mbarëkombëtare, por deri kur? Unë nuk e di se ku e gjeni ju forcën morale – si udhëheqës të atij vendi – që haptas të vazhdoni të mbroni një regjim gjakatar siç ishte komunizmi. Nostalgjikët e komunizmit shqiptar ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura përgjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, me të cilin ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë.
Heret ose vonë, shoqëria shqiptare do të ketë një “zgjim të ndërgjegjes kolektive”, përsa u përekt krimeve të komunizmit. Por në këtë ndërkonë, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja duke mbrojtur një regjim që nuk mund të mbrohet — ju nuk i bëni nder as vetes, as Kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur peng Shqipërinë e mjerë, larg Evropës ku e ka vendin e saj të denjë dhe larg vlerave perëndimore. Ndërkohë që me deklatrata e juaja, në favor të komunizmit,viktimat e atij rgjimi po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën në mbrojtje të atij regjimi diktatorial. Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës Katolike dhe të Kombit – të cilët do të kujtohen javën që vjen — por të gjitha viktimat e tre feve kryesore në Shqipëri, nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve shqiptarë — tani bota e njeh pak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.
Për 30-vjetë tani, jo vetëm historia e Kombit shqiptar pret përgjigje prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve due pjesëmarrësve në këto krime të institucioneve të dhunës komuniste. Presin përgjigje gjithashtu edhe martirët, në ditën kushtuar atyre me 5 Nentor, 2020. Ata duan dhe kërkojnë të dinë pse-në. Duan të dinë pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit me deklaratat e papërgjegjshme të nostalgjikëve të regjimit enverist, madje edhe nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit e të qeverisë shqiptare? E gjithë kjo ndodhë në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarësimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO, ndërkohë që botës i japin mësime për demorkaci e tolerancë dhe bejnë thirrje botës për gjoja, “ ndërgjegje kolektive” ndaj së kaluarës.
Vetë martirët e Kishës Katolike shqiptare në ditën e tyre me 5 Nentor, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime ndaj askujt, pasi në prag të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por martirët e pafajshëm u kërkojnë sot autoriteteve shqiptare, zbulimin e të vërtetës ndaj të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës – kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre në shekullin XXI – në emër të të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:
“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit. Ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi? Por nuk ka gjâ, mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë s’bashkut!”. (Marrë nga vepra “Çinarët” e françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, nga Radio Vatikani).
Ka ardhur koha për veprim. Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta propagandistike boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra, se më në fund, pas 30 vjet postkomunizëm jeni gati – personalisht, institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni, të pranoni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerëzore të regjimit të Enver Hoxhës. Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist — të gjallë e të vdekur — në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u kthehet një pjesë e dinjitetit të tyre” dhe siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan Shtetit, Mike Pompeo në fjalën e tij në Forumin Ballkanik kundër anti-semitizmit, “Duhet të garantohet siguria e çdo personi, për të mundësuar që të gjithë të jetojnë krah për krah në paqe”, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose pikëpamjesh politike. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve!
Kthejani pra, dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë Kombit shqiptar duke i bërë “thirrje ndërgjegjes sonë kolektive” për përgjegjësitë që mban historia e kaluar komuniste dhe udhëheqsit aktualë të shtetit shqiptar ndaj viktimave të pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës. Unë jam i bindur se, eventualisht, edhe në Shqipëri, më në fund, “E vërteta dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”. (Vaclav Havel.)
*Skicat më poshtë, të botuara një vit më parë, hedhin pak dritë mbi kampet e vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës.
Piktori është Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pikërisht kampi famëkeq në Tepelenë, është njëri prej tyre.