Po. Maskarenjtë e shpëtuan maskarain!

0
466
Henri Çili

Arben Duka Dita.al, 3 mars 2020

Dosja me përgjime e prokurorisë,
na la të gjithëve pa fjalë,
dukej e kopsitur aq mirë,
sa Çili s’kish asnjë shans për të dalë!

Por krejt atë punë që flet qartë
e zhbënë maskarenjtë dhe këtë herë,
Gjendet një gjykatës i pavetuar,
dhe t’i hedh të gjitha në erë!

Zagarët u turrën në ekrane,
në mbështetje të Çilit si në kor,
në kulmin e “grushtit të shtetit”,
Presidenti me Çilin u mor…

Rama s’e zuri fare në gojë,
dhe pse si mik të tij e përgojojnë,
kanalet nëndhe të komunikimit,
ne nuk i dimë si funksionojnë!

Me detyrim për paraqitje,
Çilin me butësi e ledhatuan,
pa diskutim – i dashur lexues,
maskarenjtë maskarain e shpëtuan…

Masa e sigurisë tregon më së paku,
mungesën totale të rrezikshmërisë,
duke paralizuar goditjen e parë,
i hapet drita e gjelbër pafajësisë!

S’e dimë ç’do bëjë prokuroria,
nëse do t’i apelojë masat e sigurisë,
po gjyqtari i Përmetit vulosi,
degjenerimin total të drejtësisë!

Akuzat kundër Çilit janë të rënda,
Përgjimet janë prova të sakta,
ndaj ai duhet të rikthehet brenda,
dhe kjo duhet të jetë më e pakta!

Gjykatat e faktit ende s’janë prekur,
ato janë mbushur me kalbësira,
duke pritur “gijotinën” e vetingut,
janë kthyer të gjithë në vampira!

Vetingu ka filluar nga lart,
po sitos vetëm “kokat e mëdhaja”,
po në gjykatat e faktit – në fakt,
është vendi ku bëhet hataja!

Po. Maskarenjtë Çilin e shpëtuan,
dhe kjo me realitetin nuk stonon,
po kriminelët që vranë Ibrahimin,
tani nuk ka Zot që i shpëton!

Çili do kthejë “dhuratat” që mori,
Edhe për këtë ja vleu skandali,
pastaj do vrapojë nëpër studio,
të na bëjë leksione morali!

Në mbrojtje do ta marrë preçëria,
dhe në hero do kthehet kjo viktimë,
Çili ka ende kocka për të hedhur,
dhe kockaxhinjtë ne i dimë!

Jetojmë kohën e maskarenjve,
ndaj Çili është një i shpëtuar,
po në sytë e njerëzve të ndershëm,
do mbetet përjetë i diskretituar!

Deri në përfundimin e “gjyqit”,
Çili quhet i pafajshëm akoma,
ndaj si presidenti i UET,
do vazhdojë të firmosë diploma!

Arben DUKA