Po kush është Albina Idrizi?

0
1162
Albina Idrizi

Me poeten, shkrimtaren Albina Idrizi, per gazeten “Fjala e lirë”, ajo na dergoj nji cikel me pozi, i urojmë Albines shtegtim te mbare ne fjalen poetike. Gjin Musa, gazetar

Albina IDRIZI e lindur në Tërnoc (Lugina e Preshevës) prej ku si fëmijë shpërngulet në Gjilan, ku kryen shkollimin fillor dhe ate të mesëm, kurse Fakultetin Filologjik, drejtimin Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është anëtare e kryesisë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Gjlan.

Autore e:
Përmbledhjes me poezi për të rritur ‘Heshtje e mbarsur’ në botim të RILINDJES, 1997.
Përmbledhjes me poezi për fëmijë ‘Ëndrra me ylberë’, 2007.
Romanit ‘Hijet e kullave’, 2009.
Përmbledhjes me poezi për të rritur ‘Dashuruar në diell’, 2010.
Përmbledhjes me tregime ‘Pergamenë e gjallë’, 2011.
Romanit ‘Për një mëngjes ndryshe’, 2015.

1.

THIRRJE PËRBRENDA

E kotë të shtiresh
Pjesë e një alegroje të kohës,
Kur përbrenda gjithmonë të fton
Një harfë Orfeu
Me miliona vjet drite rrugë:
‘Eja!
Vetëm poetët kanë
Të drejtën e zhbirimit
Nëpër tejbotë.
Atje, ku arkeologjia e fjalës
Është aq afër Zotit.
Vetëm ata munden
Të flasin me yjet, bimët, shtazët.
Të fluturojnë qiellit pa krahë,
Të kalojnë detra pa u lagur,
Të zbërthejnë enigma perandorësh,
Të këmbejnë mrekulli profetësh.
Të dëgjojnë për çdo natë
Rrëfimet e Sheherzades,
E t’i përvidhen Kreontit
Sa herë duan të kalojnë matanë.
Pastaj prapë, si asgjë
Të kthehen po aty ku janë.
Eja!’
E kotë të shtiresh,
Kur përbrenda një pastoraleje shpirti
Ngarkuar me trastën e absurdit mbi shpinë,
Gjithmonë ndjek një zë
Pas të cilit, si në përrallë,
Mbeten thërrmijat e misterit-
Cila nga ne është vërtet gjallë?!

2.

MËSO TË MË DUASH

Ti duhet ta dish
Se krejt unë, nuk jam kjo.

Nuk jam këto flokë,
Sado bëjnë të vallëzojë
Vjeshta në gishtërinjtë e tu.

Nuk jam as këta sy,
Që ngyrosin portretin tënd
Brenda një kornize qepallash
Të qullura nga ëndrrat.

As këto buzë nuk jam,
Anise mbjellin trëndafilë lëkure
Shtegut për tek ti.

As këto duar, jo!
Kur me aq mjeshtri
Të gdhendin në format që dua.

Jo, jo, nuk janë të miat.

Mëso të më duash
Gjer në frymën e fundit,
Ditë për ditë, çast pas çasti,
Dhe do ta kuptosh, i shtrenjti im
Se, unë jam vështrimi
Që flet përbrenda teje.

Jam puthja që aromon
Edhe pasi të kem shkuar.

Jam prekja që në ty ringjallë
Gjithçka, gjithpka të shuar.

Jam ajo që ti symbyllur
E sheh, e ndjen, e njeh.

Dhemb shumë, e di
Dhe, prapëseprap,
Dëshiron ta vuash.

3.

TI DUHEJ TË ISHE KËTU

(tim eti)

Ora është dhjetë e gjysëm.
Ti duhej të ishe këtu,
Ulur në krye të shkallëve
Duke më pritur për
Takimin e mëngjesit.
Me çajin tënd të zi
Sterrë para vetes,
Shoqëruar me duhan të fortë
Gati për ta ndezur, dhe
Kafenë time të hidhur përballë.

Është ora dhjetë e gjysëm,
Dhe ti duhej të ishe këtu, tani
Kur unë hap portën e kujtimeve
Dhe të kërkoj me sy
Mjegulluar nga malli,
Pa gjetur kund fytyrën tënde
Të qetë, të qeshur, të pabefasuar,
Sepse hapat mi dëgjoje që në nismë,
Dhe rrugën e shihje të tërën
Me kthesat, laqet, gurët,
Ku kisha ngecur.

Pastaj t’i dilnim
Ditës në pritë,
Ti, kapiten i padekoruar
I lumtur që ndjeheshe
Më mirë se nesër,
Unë ushtare pa armë
Nën urdhërat enigmë –
Beso, fal, duaj,
E qarë apo e qeshur.

Ora tani kaloi dhjetën
Plus gjysmën tjetër pas saj.
Çaji nga ti duhej të ishte pirë
Dhe pa të shijuar,
Me këmbënguljen e të përmbyturit
kur kapet pas gjithçkaje
Që i prekin duart,
Dhe mbetja e athët e kafesë sime
Të nxinte fundin e filxhanit
Si brengë e papërbirë.

Oh, ti je po aty,
Vetëm unë vonohem
Gjithnjë e më tepër.
Kthesave, laqeve, gurëve
Ku kam ngecur.

4.

SYRI I SHPIRTIT

Ti ke syrin
Më të bukur në botë.

Të tillë që ndjell
Të kthejnë kurorë
Lulet brenda tjetrit,
(për të cilat as ai vetë nuk di).
Një kopsht, fundin e të cilit
Nuk e arrin askush asnjëherë.

Mund të shohësh ylber
Në heshtjen pëerballë,
Ku prehen të përqafuara
Në amalgamë ngjyrash
Trazirat e kohës.

Të lexosh tregimin e pashkruar
Me një të vetme ofshamë,
Me ankthin, frikën,
E mosmundjes së vetvetes
Për ta kaluar matanë.

5.

SOLO

Dhemb kjo jetë, dhemb
Vetja ime…!

Ti tashmë e di
Se, të fitosh
Duhet parë trishtimin
Nga afër.

T’i qëndrosh përballë
Pa ulur qerpikun,,
Pa hequr shkimin
Si para një bishe
Që duhet zbutur
Medoemos.

Je rritur, pjekur,
E rënë sërish tek
Rrënja yte, e dashur.

Nuk je më
Ajo lulja e bukur
Që kënaq syrin e kalimtarit,
Por, shtrat i dheut
Ku rritet dhe ushqehet
Syth i saj.

E, dhemb në ty…sa dhemb
Çdo mihje,
Çdo lëvrim thellësive tua.

Shtresave më të ngrohta
Të shpirtit
Ku fshehet ai burim arome
Që ndjehet në moment,
Siç ndjehet për një çast
Lumturia.

6.

SONET PËR VENDLINDJEN

(Tërrnocit)

Më vjen, përmallshëm, të të zgjas duart n’përqafim
Si degë pemësh, moskokëçarëse, andej kufiri
Të davarit mjegullën e ligë të një trilli
Si pluhurin e viteve mbi një kartolinë.

Lagjeve tua të bredh, më vjen, skaj më skaj
Me puthje të trokas shtëpi më shtëpi
Pastaj si fustan, ti qepem malit përbri
Në burim Klladaneci shikimin të laj.

Askund, askush s’më njeh kaq gjatë sa ti
Si bijë e Avniut, Sabit, Aliut, Rexhgashve…
Gjithkah, gjithkush, shkurt Albinë, më di.

Më vjen të të shtrëngoj fuqishëm në gji
Si rrënjë pemësh, moskokëçarëse, thellë nën dhe
M’linde të tillë që, më t’madhe se veten t’kem dashuri.

7.

PËR RRUGË TË MBARË

(Andit dhe Jonës)

U nisët fëmijët e mij, u nisët
E unë, nuk mund t’ju them asgjë
Nga ato që mësova për ju gjatë shekujve.

Kishin harruar të shtonin një gjë
Kokat e mëdha të kohës,
Se nëna ka zemrën shumë herë më të madhe
Nga ç’mund të përfshihet në dy buzë,
Qoftë ajo edhe fjala.

Ja, ta zëmë, unë vë veshin në binarët e kohës
Dhe përpiqem të dëgjoj
Të thënat e fatit tuaj,
Të fëmijëve tuaj,
Fëmijëve të fëmijëve tuaj…

Dhe gjithçka më duket pak,
Gjithçka më duket e vogël
Për ankthin tim të madh.

U nisët fëmijët e mij, u nisët.

Sa herë ua thirra emrat
Pa mundur të shtoj më shumë,
Veç çantave të mbushura dashuri.

Athua, ai kthim koke duke buzëqeshur
thoshte se i kishit kuptuar të gjitha?!

Se në jetë fituesi nuk është gjithmonë i pari
Por ai që shtrin dorën të ndihmojë tjetrin pas tij.

E dëgjuat kur desha t’ua them këtë?!

8.

MOS HARRO TË MË ZGJOSH NESËR

Nesër, kur hëna të na ketë kthyer shpinën
Dhe pëshpëritjet e ëmbla prehen
Mbi jastëkun e zhubrosur
Me aromë pjeshke,
Mos harro të më zgjosh.

Mund të zgjatet ëndrra të më shpiej
Diku larg, shumë larg teje,
Në një botë krejt tjetër.

Dhe, kushedi, mund të më pëlqejnë
Të tjera lule,
Të tjera këngë,
Të tjera valle,
Asgjë nga parfumi i vjetër.

Diku ku flitet pa fjalë,
E ku dëgjohet pa zë.

Ku e qeshura e njërit
Rimon me gëzimin e tjetrit,
Dhe e qara me hidhërimin e tij,
Poashtu.

Diku ku mund të shtrihem mbi bar
E të vështroj retë,
Degëve të kacavirem
Si ketrushe e egër,
Të shetis zbathur nëpër shi,
Dhe krejt çfarë kam dashur gjithmonë, tjetër.

Ndaj, të lutem
Mos harro të më zgjosh nesër.

9.

KUR QESHTE NËNA IME

Kur qeshte nëna ime,
Në shtëpinë tonë
Vallëzohej dhe vetëm me fishkëllimë.

Sofra mbushej me ushqimin
Më të shijshëm në botë,
Prej reçel ftoi, bukë misri,
Copa djathi të bardhë,
Dhe lëng të kuq rrushi
Dehur në dashuri.

Kur qeshte nëna ime,
Në shtëpinë tonë
Im atë i gëzohej djersës në ballë.

Një ëndërr e re
Niste fill mbrëmjes së vonë,
E në zë foshnje buçiste pastaj.

Të nesërmen zgjoheshim
Me këngë dasme në gojë.

Kur qeshte nëna ime,
Në shtëpinë tonë
Oborri nuk kishte gardh,
As gjemb,
As hekur,
Venin e vinin pëllumba të bardhë
Duke i kënduar diellit,
Teksa ushqeheshin me
Thërrmija gëzimi
Në të nënës sime prehër.

Dikur, kur qeshte nëna ime!

10.

DITA E LINDJES SATE

(Jonës, 27 mars 1999)

Kur linde ti
Nuk kishte zogj
T’u merrja cicërimën për ninulë.
As lule të të uroja:
‘Mirëseerdhe bijë!’
Një trisht i murmë
Qarkullonte damarëve të mij,
E rrahjet e zemrës
Numëronin ankthin
E së papriturës me tmerr lufte
Që rreth e përqark kafshonte zi.
Çuditesha
(dhe sot çuditem akoma),
Nga buronte në ty
Gjithë ajo fuqi,
Kur nga copa rrënimesh
Kalitje nënën në mua,
Dhe mbi poshtërime
Ngrihje dashuri.
Sa herë të shtrëngoja në gji
Dhe i lutesha në heshtje Zotit
Të mos trembej,
Të mos ikte.