Plepi i thyer

0
638

Fatmire Duraku

(fragment)

Një kohë të gjatë s’më zuri gjumi.
“Hapeni derën, derra shqiptarë… Hapeni derën!” – më zgjoi një trokitje e thekshme dhe një zë i ashpër, gjithë mllef. Brofa më këmbë dhe iu afrova dritares. Vërejta babin nga po i hapte dyert e oborrit.
Brenda – me armë të gatshme për zjarr, u futën disa milicë serbë.
“Kë kërkoni?” – iu dridhen buzët babait.
“Hesht, plak! Të mos e çelësh gojën pa të pyetur, – i tha njëri nga ata, duke e shikuar babain me përbuzje, – e qartë plakush!?” Dhe me armët e gatshme për të shtirë, ecën nga dera e shtëpisë.
“Kë keni brenda?”
Babai vetëm shikoi. Nuk foli.
“Kë keni brenda, plakush?! – u dëgjua prapë zëri i njëjtë,- mos po fsheh ndonjë nga ata të UÇK-së?”
“Ç’është kjo UÇK?” – tha babai.
”E di ti mirë, plakush, e di, por shtiresh, apo jo?”
Babai hapi derën e shtëpisë.
”Hyr ti përpara!” – i thanë.
Babai mori të hynte brenda, siç i urdhëruan ata, ndërsa unë ngadalë, me një kujdes të madh e hapa dritaren e dhomës së Megit dhe nga aty u zgjata e u kapa për degën e qershisë. E barta veten ngadalë andaj dhe pastaj, degë më degë, zbrita. Milicët tashmë kishin hyrë brenda në shtëpi, ndërsa unë përkrah murit të oborrit, rashë atje, te Plepi i Thyer. Nuk kisha mundësi të dilja jashtë, të ikja, ngase te dyert e oborrit, si dhe te dera e shtëpisë, ruanin nga dy milicë të armatosur. Ngela brenda oborrit të shtëpisë, të gjeja mënyrën të fshihesha aty, te Plepi i Thyer. Ta bëja këtë më ndihmonte dhe nata, terri i dendur.
Heshtjen vrastare, që mbretëronte brenda, e thyente vetëm vaji i thekshëm i fëmijëve, dënesjet e thella dhe të rënda, që lëviznin nga vendi çdo gjë; shkëputnin pjesë nga tërësia e gjërave dhe i ngrehnin lart-lart në ajër, diku në pafundësi… A thua çfarë ndodhte brenda!?
Ata, pasi i bënë një bastisje të ngulmët gjithë shtëpisë, secilit kënd, dolën shpejt. Nuk do të kenë kërkuar askënd ata, as luftëtarët e UÇK-së, por hynin kështu – natën, nëpër shtëpi, për t`i frikësuar fëmijët e gratë që t`i lëshonin vatrat e tyre, të iknin… Dolën me zhurmë dhe me sharje-në gjuhën e tyre të rëndë, të rrugës. Unë, i bërë një me Plepin e Thyer, prisja të iknin ata tashmë dhe të kthehesha brenda në shtëpi. Ata ikën nga erdhën, duke marrë pas dhe rojet e veta, të lëna – dy para derës së shtëpisë dhe dy para dyerve të oborrit. Njëri nga ata – befas, u shkëput nga rreshti dhe ngeli pas dyerve të oborrit. E vodhi me shikim kolonën e vogël kur ajo mori tutje udhës, që më pastaj ky të mbyllte dyert e oborrit. U shkund pakëz dhe u nis përsëri nga dera e shtëpisë.
“O zot, çka donte?!”
I ra shqelm derës së shtëpisë dhe hyri brenda me një zhurmë të madhe, që pastaj – pa vonuar, të dilte jashtë, duke e tërhequr për flokësh atë gruan e re, me sy të kaltër, fëmijët e së cilës qanin dhe ciasnin shurdhër.
“Ec, bushtër, – i thoshte ai, – tash ta tregoj qejfin unë!” E tërhiqte për flokësh dhe ia këpuste rrobat nga trupi. Fëmijët dolën pas gruas së re, por milici i parruar, i egërsuar në fytyrë dhe shpirt, i urdhëroi babait t`i kthente ata brenda dhe ta mbyllte derën e shtëpisë.
“Po e hapi kush derën më, do ta vras!” – u kërcënua ai.
Babai i futi fëmijët brenda dhe e mbylli derën. Çka mund të bënte tjetër një plak duarthatë para një bishe të çmendur, gjithherë të gatshme të pinte gjak grash dhe fëmijësh.
Krejt i çartur në fytyrë, aty-afër Plepit të Thyer, e përplasi për tokë gruan e re, të cilën deri atëherë e tërhiqte për flokësh dhe ia copëtonte rrobat. Ajo tashmë kishte ngelur gjysmëlakuriqe. Ia drejtoi grykën e revoles në ballë dhe i përjargur e urdhëroi t`i hapte këmbët, ndërsa me dorën e majtë, që i dridhej fare, përpiqej kot t`i zhvishte pantallonat e veta… E kishin mbuluar djersët dhe zjarri; ngatërrohej në çdo gjë. E hoqi pushkën nga krahu, e mbështeti – aty, për trungun e trashë të Plepit të Thyer, në anën e kundërt timen dhe, gjithë egërsi, u hodh mbi trupin e njomë të gruas së re, të mundur nga dridhjet. Sapo ra trupi i tij mbi trupin e saj, gati e shtangur, lëshoi një klithmë të tmerrshme, gjatë jehut të së cilës unë rrëmbeva fuqishëm pushkën, që ai kishte mbështetur për Plepin e Thyer dhe e godita me kondak dy a tri herë, nga prapa, në kokë. Gjaku që shpërtheu, më spërkati gjithë fytyrën. Ai ra me ballë në tokë, e gruaja e re bëri një lëvizje pak anash dhe e hoqi nga vetja atë copë pa formë, e cila lëshonte erë të rëndë të rakisë së kumbullës, që ta zinte frymën. Gruaja e re, nga po ngrihej nga toka, deshi të thoshte diçka.
“Mos fol!” – ia bëra duke pëshpëritur.
“Nuk ia doli të më ndynte…” – tha ajo dhe e mbuloi fundin e barkut me të dyja duart. Unë e ktheva kokën në anën tjetër, e hoqa xhemperin tim dhe ia ofrova, pa shikuar fare nga ajo. E veshi. Xhemperi im i binte deri te gjunjët.
“Si t`ia bëjmë tash këtij?” – e shikova gruan e re, duke bërë me dorë nga milici i parruar në fytyrë që qelbej nga era e rakisë së kumbullave, mbi gjakun e vet. Ajo rrudhi krahët. Ishte krejt e humbur. Sytë e saj nuk e kishin më ngjyrën e thellë të qiellit në të aguar.
“Duhet ta heqim nga këtu!” – thashë.
E tërhoqa pak zvarrë dhe u mendova. Ishte shumë i rëndë. Si do ta bartja, për ta fshehur diku, për t`ia humbur gjurmët. Nuk guxoja ta zvarrisja; do të ngelin prapa gjurmë gjaku…
“Po ta gjejnë edhe të vetmen pikë të gjakut, do t`i vrasin të gjithë brenda shtëpisë!” – thashë unë dhe vërejta se ajo po dridhej edhe më fort.
“Unë i kam fëmijët brenda!” – mezi shqiptoi.
“Do ta mbart në shpinë unë, – thashë dhe e shikova gruan e re, – ndërsa ti zhduki gjurmët këtu!”
Ajo lëvizi kokën në shenjë pohimi.
Vendosa ta mbartja deri te Drini dhe ta hedhja në ujë. Ishte rrugë e gjatë, e vështirë dhe natë. Nuk më binte asgjë tjetër në mend.
“Do ta hedhim në Dri…” – thashë dhe për një kohë heshta.
Gjëja e parë, që ia dola të bëja më pastaj, qe të zbritja nga teli i petkave një këmishë dhe t`ia lidhja kokën me të milicit të pajetë. T`ia ndalte gjakun, të mos pikonte udhës nga do ta mbartja për t`ia fshehur trupin, t`ia humbja gjurmët. Gjakun që ngeli në tolë, pasi e çova lart trupin e tij dhe e mbështeta për trungun e Plepit të Thyer, mbeti ta fshinte gruaja e re, me një rrobë tjetër, të hequr nga vigu. Pak më vonë i ra gjithë vendit me një rrometë, që të humbnin të gjitha gjurmët…
E tërhoqa dhe pak kufomën nga Plepi i Thyer dhe rashë në gjunjë. Ajo ia zuri të vdekurit duart dhe i lëdhoi mbi supet e mia. Ia mora duart dhe bëra përpjekje të ngrihesha më këmbë. Nuk ia dola. I vdekuri tashmë ishte në shpatullat e mia. Provova për të dytën herë dhe u ngrita. Ecja bukur shumë i kërrusur. Një ecje e vështirë natën me një të vdekur në shpinë.
Ajo vinte pas meje, bashkë me pushkën, revolen, me një torbë dhe rrobat, me të cilat pastruam tokën nga gjaku.
“Ecë, – tha pastaj ajo, – zbrit andej nga pemishtja. Vij pas teje!”
Ecja natën, si i pakokë. Në secilën lëvizje më vështirësohej frymëmarrja. A do të rrëzohem këtu, aty apo atje… Ecja me vështirësi të madhe. Nisi të më prente me thikë dhe një dhembje në shpinë, aty, tek qesh qëlluar nga arma serbe, kohë më parë. Ajo vinte pas meje dhe më jepte zemër.
Dy hije natën, me një të vdekur, që kundërmonte duhmë të rëndë të rakisë së kumbullës.
E shikoja: mezi lëvizte dhe ajo. Në një çast i ra torba e milicit nga dora dhe u çel… mbi bar ranë sy të nxjerrë, veshë të prerë dhe gishta të këputur njerëzish.
“O zot, – ra në gjunjë ajo, – ç është kjo?”
“Mos fol, – mezi qita fjalë nga goja, – mblidhi, futi në torbë prapë dhe ecë!”
Bëri ashtu siç i thashë.
Tutje vëreja vezullimën e ujit të Drinit…