PJETËR BUDI NISMËTAR I PROZËS SHQIPE

0
916
Pjetër Budi - proza

Botohen për herë të parë vepra Pjetër Budi PROZA. E përgatiti për botim dhe e përcolli me një studim hyrës prof. dr. ANTON NIKË BERISHA. E botoi Qendra shqiptare e studimeve letrare “Pjetër Budi”, Tiranë 2019.

Anton Nikë Berisha

PJETËR BUDI NISMËTAR I PROZËS SHQIPE

Fjalë paraprake

Për hartimin e studimit tim “Pjetër Budi poet dhe prozator” të botuar më 2015, përdora tekstet e veprave të përkthyera dhe të botuara nga Pjetër Budi “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), të transkriptuara nga Gunnar Svane. Në dy pjesët kryesore që e bëjnë studimin: Budi poet dhe Budi prozator, vështrova një varg veçantish që e cilësojnë poezinë dhe prozën e tij, duke e konkretizuar me një varg shembujsh, përmes të cilëve dëshmohen disa nga vlerat poetike të mirëfillta të poezive dhe të prozave të tij. Për të ndriçuar burimin kryesor ku u mbështet Budi për hartimin e poezive dhe të prozave të tij, ato i krahasova me tekstet biblike, sidomos me Psalmet dhe me Letrat e Shën Palit, po dhe ndriçova dhe lidhjen e tyre (të poezive) me poezinë tonë gojore.

Libri “Proza e Pjetër Budit” ndahen në dy pjesë: 1) Studimi hyrës dhe 2) tekstet e prozave – parathënieve dhe të pasthënieve të hartuara nga Budi. Teksteve e prozave botohen sipas transkriptimit të Gunnar Svane, me të vetmin ndryshim: në vend të zakoneve dyshe që i përdori Budi (po edhe Svane) si, fjala vjen aa, ee, ii, uu, oo etj., për të shënuar gjatësinë e tyre, i zëvendësova me zanoret me theks të rrafshtë: ā, ē, ī, ū, ō etj., që nënkupton gjatësinë dyshe të zanores. Veprova në këtë mënyrë me qëllim që teksti të lexohet më lehtë. Pa dashur të mohoj rëndësinë e punimeve dhe studimeve të deritanishme të prozës së Pjetër Budit, ose ato pak botime ku janë dhënë pjesë të veprave të tij, tekstet e parathënieve dhe të pasthënieve që botohen të plota për herën e parë në një vëllim, dëshmojnë mirëfilli rëndësinë dhe vlerën e tyre letrare poetike dhe teologjike; qenësia e mesazheve teologjike dhe kulturore të këtyre krijesave të Budit mbetet aktuale edhe sot e gjithë ditën.

Dhëntë Zoti që botimi i prozave të Budit, që bëjnë fillesën e zhvillimit të prozës sonë të shkruar (pas Pasthënies së “Mesharit” (1555) të Gjon Bdek Buzukut) të nxitë edhe studimin më të mirëfilltë të prozave të tij, po edhe të tri veprave të përkthyera e të botuara nga Budi “Doktrina e krishterë”, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman”, të cilat brenda tyre kanë edhe tekste të hartuara nga vetë Budi, pra nuk janë të përkthyera nga asnjë vepër tjetër, si, fjala vjen, teksti për gjamën botuar në “Rituali romak” (i sjellë në fillim të këtij libri), po dhe shtesat e ndryshme e të shumta të teksteve që ai i përktheu. Një punë e tillë do të ndriçonte mirëfilli, qoftë cilësinë dhe saktësinë e përkthimeve, përkimet poetike me burimet përkatëse biblike dhe teologjike, qoftë origjinalitetin e disa pjesëve të veprave “Doktrina e krishterë”, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman”.

Studimin hyrës duhet marrë më tepër si një mundësi që prozat – parathanjet dha mbasthanjet e Budit të lexohen, të komunikojnë dhe të ndikojnë sa më mirëfilli te lexuesi.

Prishtinë, tetor 2018

* * *

Botimi i librit “Proza e Budit”, përgatitur dhe shoqëruar me një vëzhgim të përimtësuar nga prof. dr. Anton Nikë Berisha, është ngjarje e veçantë për kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe, në mënyrë të posaçme për letërsinë e hershme shqipe, sidomos për krijimtarinë e Pjetër Budit. Më në fund lexuesi, studiuesi i letërsisë së periudhës së parë të letrave shqipe, njohësit e Budit, kanë në dorë edhe prozën e tij.

Botimi i prozëshkrimit të Pjetër Budit, pason botimin e librit “Poezia e Budit” të vitit 1986, përgatitur nga prof. dr. Rexhep Ismajli, ku janë përmbledhur më vete poezitë e autorit (ribotuar më 2006).

Në këtë botim “Proza e Budit” janë përfshirë parathëniet, mbasthëniet, testamenti poetik i Pjetër Budit, marrë nga librat “Doktrina e kërshtenë” (1618), “Pasqyra e t’rrëfyemit” (1621), “Rituali roman” (1621) dhe letra nisur kardinal Gocadinit, që krijojnë mundësinë e leximit të ri dhe të studimeve të ndryshme të tyre.

Rëndësi më vete, që madje e sjellë në një dritë të mëvetësishme prozën e Budit, të munguar gjer më tani, ka studimi prirës, i detajuar, thellësisht shkencor, për vlerat dhe shtresimet artistike të shumëfishta të prozës së Budit, hartuar nga prof. dr. Anton N. Berisha.

Mbërritja në duart e lexuesit e “Prozës së Budit”, krijon mundësi të shumta të komunikimit, tashmë edhe me prozatorin, krahas poetit, njërin nga autorët e parë të shquar të letërsisë mesjetare arbënore.

BEHAR GJOKA