Pjesë tekstesh të shkëputura nga libri i tetë “Biseda shpirti me babën”

0
593
Fejzë Demiri - Biseda shpirti me babën

Feiz Demiri

7.
Babë, më tregoje që jeta të hedhë deri në buzë të abisit po lejove. Duhet të jesh shumë i fortë të përballesh me jetën. Po rave në gjunjë ajo do të t’i përtypë të gjitha ëndrrat, shpresat, do të t’i vrasë edhe kohët më të çmuara. Kafshatën në fyt do ta zë, nuk do të të lërë as të buzëqeshësh. Do të t’i largojë edhe miqtë, shokët, të afërmit, zjarrin që me vite e ke ndezur do ta shuajë. Pasurinë që me vite e mund e ke krijuar, do ta bëjë terak të thatë. Do ta humbë entuziazmin, bir, ecjen nuk do ta kesh më si më parë e vullnetin për koke do të ta marrë.

15.
Ç’na gjeti gjithë kjo vetmi brenda shpirtrash që si demon i egër e i pështirë po na hakmerret. Pse koha e pashpirt na ka ndarë atje larg?!
Ku na mbeti gjithë ajo dashuri që patëm për njëri-tjetrin?!
Po gëzimi, lumturia ku mbetën apo ia kanë mbathur me të katrat! Kohë lakuriqësish, nervash e andrallash. Kohë judësh, nopranësh zemërgurësie. Biri im, një ditë çdo gjë do të ndryshojë, lolitë sheshit do të dalin…

17.
Biri im, mendja është si fara, varet në çfarë toke do e mbjellësh dhe sa kujdesesh për të. Po e mbille në një tokë të ujitur, të pllenuar dhe të pëlleshme, fara shpejt sjell fryte të bollshme dhe të ëmbla. Në të kundërtën sjell produkt të keq. Edhe në mendjen e njeriut duhet “mbjellë” të mirën, pozitiven, motivueshmërinë. Po “mbolle” negativen, mandej do të përballesh me pasojat. Ndrysho mendimin, se nga ai varet edhe jeta. Në jetë mos u bëj zemërak dhe andrallëtar, lumturia sjell gëzimplotën dhe dobiprurjen. Biri im, jeta është në ty, për ty, dhe në duart e tua, vazhdo e mos u ndal drejt yllit tënd prijatar.

18.
Jeta është e frytshme dhe e gjatë për të gjithë ata që realizojnë vepra të mëdha dhe zellshëm e shfrytëzojnë çdo moment. Mirëpo, ca të tjerë bir, harxhojnë kohën kot me gjëra të pavlefshme dhe mospërfillje. Në jetë duhet ta shfrytëzojmë çdo çast dhe ta bëjmë të frytshme atë. Jeta nuk na pret, ajo ecë në parimet e saj, në rrjedhat e saj duke mos u ndalur asnjë moment. Jeta ndahet në tre kohë: e kaluar, e tashme e ardhme. Po të jetojmë në të kaluarën do ta humbim të sotmen, hapin që jemi duke e bërë, ngase e kaluara është diçka e ikur e cila vazhdimisht pengon rrugëtimin tonë. Pengesë tjetër mjaft e madhe është pritja, e cila varet nga e nesërmja.

Edhe kjo pengon rrjedhën e jetës sonë, bir. Ne nuk mund ta parashikojmë apo ta dimë diçka që ende nuk ka ardhur apo përjetuar. E ardhmja nuk ka destinacion, ngjarjet e saj janë të mbështjella nga pasiguria. E vetmja që mund ta kontrollojmë është hapi që bëjmë sot, e tashmja e cila gjithnjë është në ecje e rrokullisje. Biri im, jetoje jetën sot, të plotë e me ndershmëri duke e bërë frytdhënës çdo çastësi.

Koha po ikën aq turravrap
Dhe kujtimet janë pjesë e memorizuar që mbeten
Edhe kur bota mendon se ka rënë mbi ty
Çdo ditë e lind një agim tjetër