Pjesë nga romani “Ëngjëlli i Koresë”

0
725

Kristaq Turtulli

Vajza u gëlltit dhe, eci djathtas drejt klasës së baletit, megjithëse është akoma herët për të filluar provat. Hynë brenda, ambienti është i qetë. Vironi i mori me kujdes dorën e vogël, të bardhë të May Lee-së, e mbajti një copë herë mes dy pëllëmbëve, filloi ta përkëdhelë lehtë. Vajza dridhet, do të largohet, nuk mund, sytë i ka të trembur, por diku në cepa fshihet një ngazëllim i thellë. Ai e tërhoqi butë, gati ma ndierë, drejt cepit të klasës, ku nuk bie shumë në sy. Ajo e ndoqi pas e mpirë e hutuar. Ka filluar të ndjejë rrahje zemre për këtë djalosh të pashëm, të mirë, prej një vendi shumë të largët. Por ka frikë, shumë frikë, tmerrësisht frikë, që e bën të dridhet si purtekë dhe të llahtariset në gjumë.
Vironi ngriti me shumë kujdes doçkën e vogël, bardhoshe, delikate të vajzës dhe e vendosi pranë faqes së vet. E puthi.
– May Lee, të lutem më thuaj, s’kemi të drejtë të duhemi?- e pyeti ultazi, dhe e pa drejt në sy.
Vajza u rrëqeth, lëkura iu prushërua. Faqja e ashpër e mashkullit i shkaktoi mornica. I kaluan si elektroshok në brendësi të trupit. Nuk di çfarë të thotë, ndjehet e përfshirë nga një zjarr i madh. S’e ka provuar më parë llavën e zjarrtë që derdhet furishëm në pejzat e trupit. I ndrydhte me forcë, i përzinte me trishtim, pendesë të heshtur, me nervozizëm, me dhunë vrullet dhe emocionet e shpirtit për djalin e huaj, që trokiti në dritaren e shpirtit të saj.
May Lee e pat vendosur me ngulm, me inat të verbër, me dhembje të brendshme, betuar me heshtje, gjunjëpërkulur, duarshtrenguar, buzëtharë, përpara se të binte të flinte. Në asnjë mënyrë, të bëhet pre e ndjenjave të brishta, emocioneve, zjarreve gjithëpërfshirëse, që të çojnë në rrugë të gabuar ku s’mund të merren me mend pasojat. Qau mbytur, kafshoi buzën, mbledhur kutullaç në shtroje, ngaqë betime të sinqerta në buzë të mbrëmjes ose në prag të mëngjesit, vijnë prej gjykimit të ftohtë. Ndërkohë ndjenjat burojnë prej tajfuneve shpirtërore dhe s’ka zot ti ndalë. Këtyre dallgëzimeve oqeanike kërkon me ngulmim tu verë frerin, ti bëjë zap si kuaj së azdisur. Butësia, bukuria, mirësia e djalit e çarmatosin sa gjendet pranë tij. Ia rrëzojnë, thërrmojnë në çast muret e larta të kështjellës së frikës dhe të pasigurisë…
Ai iu afrua pranë. Ajo përshkundi kryet, ndjeu frymëmarrjen e tij të shpeshtë, do të largohet me vrap, nga sytë këmbët, mos kthejë kokën prapa. Nuk mundet, ndjehet e pranguar dhe një afsh pështjellues është ndehur në dhomë. Po qarkohet prej avujve të nxehtë, vuri dorën në zemër. Gjoksi i ngrihet dhe i ulet me shpejtësi, është e përfshirë prej zjarreve të mëdha, këmbët i qëndrojnë të mpira si trungje, s’mund të lëvizë…
Vironi e vështroi ngultas, iu duk sikur ballit i bukur i vajzës është mbushur me margaritarë të vegjël, shkëlqim verbues. Kapsalliti sytë i befasuar, pa e bërë të gjatë hodhi krahun rreth qafës së saj të derdhur, e puthi në buzë. Puthje e lehtë, me majat e buzëve si një puhizë dhe fllad pranveror, që ndjehet lehtë, ëmbël, shungullon sythet e virgjëra të brishtësisë. Ata s’e kuptuan në morën frymë, thithën ajër, apo është pjalmi i parë i nektarit që i shkundi dhe i bëri me flatra. U puthën përsëri fort, me sytë e mbyllura.
Janë të hutuar, nuk e kuptojnë akoma se bashkimi i buzëve është një fushë e papërballueshme magnetike. Krahu i tij shkoi pak poshtë, në gjoksin e të vogël dhe të plotë, gishtat lëvizën drithmaz, prekën lehtë, me ndrojtje, gjithë delikatesë, përfshinë topthat e vogla. Vajza u drodh, u ndeh, fërgëlloi, mbylli sytë, u kapërdi. Është hera e parë që puthet dhe preket në drithërimë e ndjenje nga një mashkull.
– Viron, – pëshpëriti ajo pa hapur sytë.
– Fol shpirt, – ia bëri ai ultazi.
– Oh! Të lutem më thuaj; ç’është kjo, dashuri apo lojë? – Vajza heshti një hop, hapi sytë ngadalë, si të trembet se mos zhgënjehet. Vështroi djalin drejt në sy dhe shtoi: – Mos u tall, vërtet më do shumë?
– Po May Lee, të dua shumë, shumë. Sa bota.
– Ah! Jam e lumtur që më do shumë, – mërmëriti ajo dhe shtoi si psherëtimë: – Jam e trembur që më do dhe të dua dhe, kam shumë frikë!
Nuk do të mendojë asgjë, në trurin dhe zemrën e saj u ndeh pëlhura e freskët e dashurisë. Lëvizi qafën ngadalë dhe afroi kokën pranë shpatullës së tij, buzët e saj u hapën dhe priti e etur puthjen e furishme të djalit. Të dy janë përfshirë, përhumbur, duan të shijojnë deri në fund puthjet e para të zjarrta. Buzët e djalit lëvizën gjithë etje nëpër buzët e zhuritura të vajzës, po përvëlohej e tëra, i mbahej fryma, krahët iu varën, i vjen zali.
Oh nëne! Sa vullkane shpërthyen në ato çaste!? Sa ajsbergë u shkrinë, u copëtuan dhe kodrat e zbutura të akujve filluan të enden në oqeanin e hutimit! Gjuha e lagur e djalit lëvizi mbi buzë si të zbusë sado pak llavën e zjarrtë, por nuk qëndroi aty, kërkoi me ngulm të hyjë brenda, të thithë lëng prej gojës së saj, të tresë përfundimisht mjegullën e ngurtësuar. Vajza u shkund, gjuha e tij lëvizte me shpejtësi brenda gojës, u bashkua me gjuhën e saj, ndjeu të eksitohej, i vjen për të qarë, të klithë. I hipi dëshira ta prekë, ta ndjejë djalin. U shtrëngua, u ngjesh mbas tij dhe e puthi e thëthiu me afsh…
Diku larg, në krahun e djathtë u dëgjua gërvima e derës dhe hapa të nxituara shkelin brezin e lëshuar të xhelozisë. Të dyve u ngjau shungullimë që hyn mes dy brigjeve të puthitura. May Lee u drodh, u alarmua, u përmend, erdhi në realitet dhe vrulltas largoi buzët nga ai. Vironi i zgjati kokën me buzët përpara dhe, vështroi me inat andej nga u dëgjua zhurma, U bë gati të shajë, të bërtasë për ndërhyrjen e çmendur, harbute mes puthjes së shënjtë. May Lee duket e tmerruar, trupi iu ftoh, filloi të dridhet, njëlloj si të jetë duke parë një ëndërr të purpurte dhe befas disa thonj të gjatë, të ndytë, të pështirë e çorën, e gjakosën. Eci prapthi, e zverdhur në fytyrë. Pesë hapa larg derës qëndron shoqja, roja e saj Çao Dao Bu, që i vështron sy zgurdulluar.
Trupi i May Lee-së u lëkund. U mbaj mbas kolonës, sytë e Çao Dao Bu-së bredhin si zare në ruletë herë nga mikja dhe herë nga djali, është e skuqur, damarët e hollë mbi vetulla i dridhen. U mbështet pas kolonës pranë derës dhe kroi kokën me inat.
May Lee kafshoi cepin e buzës, ndjehet e ligështuar. Sa shpejt u shua zjarri i shpirtit prej akullit të ftohtë. Ajo gjithnjë i shmangej përgjimit dhe gjykimit gjysmak të mikes së saj. E mblodhi menjëherë veten. Kapërdiu me nxitim lëngjet e gojës. Dëgjoi zhurmën e rrokullisjeve të tyre drejt pusit të stomakut. Tendosi trupin dhe për herë të parë në jetën e vet, ngriti krahun, fshikulloi ajrin, pëllëmba e saj shkoi dhe përcëlloi rrëshqanthi faqen e ashpër të djalit. U dëgjua krismë e thatë.
– Si guxon! – i tha.
E qëlloi lehtë, me mollëzat e gishtave, por çuditërisht mjekra e Vironit shkoi majtas. I kërciti arëza e qafës, si të kishte pësuar një grushtim mjeshtëror, të fortë, të papërballueshëm në nofull. Ngriti vetullat përpjetë, por s’lëvizi prej vendit.
– Ëh, pëf, tëf! – ia bëri së largu Çao Dao Bu.