Pingpongu i ofertave djallëzore!

0
449
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 16.01.2020

Pas ndërprerjes së dialogut në mes LVV-së dhe LDK-së, ofertat drejtuar njëra-tjetrës nga largësia, edhe pse pa ndonjë efekt të drejtëpërdrejt, u ngjajnë predhave në ajër, ku secila nga dy subjektet po mundohen të krijojnë avantazh në terrenin politik pa e bërë asnjë lëizje para.

LVV dhe LDK po hudhin oferta pa ju përgjigjur njëra-tjetrës, duke i trajtur ofertat si jo serioze, ashtu siq janë në realitet këto dy subjekte mes tyre; të pasinqerta, hipokrite dhe të pabesa ndaj njëra-tjetrës.

Vallë deri kur do të “gjuhen” me oferta “partnerët” e koalicionit qeverisës!?

Ndoshta deri në pafundësi derisa të ndodhë ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese apo bashkësisë ndërkombëtare për zhbllokimin e situatës!?

Kjo lojë e pasinqertë e këtyre dy subjekteve, pretendente për të qeverisur me vendin, më shumë po ngjet në fushatë zgjedhore sesa në përpjekkje më arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Ndërhyrja nga jashtë, e “keqe” e domosdoshme…

Paradoksalisht në Kosovën e pas luftës të gjitha qeveritë janë formuar me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, e siq po duket do të përseritet skenari si në të kaluaren, ku pothuajse çdo herë është dashur ndërhyrja e ndërkombetarëve për formimin e institucioneve shtetërore.

Ndërhyrje do të ketë edhe kësaj radhe, por jo për arritjen e marrëveshjes LVV-LDK, për shkak se tashmë ka ‘vdekur’ koalicioni Vetevendosje-LDK, dhe për arsye se nuk ka interesim të ndërkombëtarëve për një marrëveshje të tillë.

Sikur të kishte pasur vullnet të ndërkombëtarëve për një qeveri të fuqishme vendore, që moti do të kishte ndodhë ndryshimi në vendin tonë.

Problemi është se ndërkombëtarëve më shumë ju intereson stabiliteti politik sesa progresi në Kosovë.

Sikur të ishte ndryshe që moti do të ishim shkëputur nga këto situata paradoksale të ngërçeve politike dhe prapaskenave të turpshme paszgjedhore.

Edhe sikur nesër të ndodhë marrëveshja për formimin e qeverisë së re, me stërgjatjen e panevojshme të (mos) marrëveshjes, LDK-dhe LVV e kanë dëmtuar imazhin e tyre dhe kanë humbur besimin e qytetarëve për shkak të mospërfilljes së vullnetit të elektoratit për koalicionin qeverisës, gjegjësiht të humbjes së rastit historik për ndryshimin e kursit qeverisës në vendin tonë.

Shkelja e parimeve, rrëshqitje drastike e Albinit

Konsistenca në mbajtjen e qëndrimeve dhe mbrojtja e parimeve e kishin bërë Albin Kurtin jo vetëm të veçohet prej liderëve tjerë partiak, por të jetë i dashur për qytetarët dhe respektuar prej oponentëve politik.

Rrëshqitja drastike e Albin Kurtit me ofertën për zgjerimin e ‘Qeverisë’, jo vetëm që nuk paraqet kompromis politik, është shkelje e parimeve dhe premtimeve bazike të marrëveshjes, i shndërruar tani në pazar i pastër për arritjen e qëllimit politik.

Shkelja e parimeve dhe vënja në pazar e posteve politike e ka nivelizuar Albin Kurtin me liderët e tjerë partiak. Shkelja e parimeve dhe premtimeve është manipulim i votës dhe shkelje e vullnetit të elektoratit për ndryshim.

Me këtë po deshmohet se edhe VV-ja bashkë me LDK-në, që duke e rritë numrin e ministrive tani nga 10 që proklamoheshin tëre kohën, në 14 ministri, se nuk dallojnë aspak nga të gjitha partitë tjera, sepse kjo që po ndodh në këtë fazë të marrëveshjes është pazar i pastër politik dhe kontrabanim i posteve për kënaqjen e egos për pushtet në gjysëm shtet.

Pazari me poste politike ende pa u formuar qeveria ka thyer shpresat e qytetarëve për ndryshime pozitive.

Kush mund të besoj, që nesër ky pazar të mos ngritet akoma më lartë,…nga 14 mund të shkojë në 16, 18 apo 20 ministri, e të mos flasim për numrin e zv. ministrave dhe këshilltarëve që nuk mund ta kontrolloj askush nga qytetarët e vendit.

Kush mund të besoj tutje që edhe Albin Kurti nuk do të bëjë pazare me territore të vendit ngjashëm sikurse pararendësit e tij me Daçiqin e Vuçiqin.

Pas këtij veprimi skandaloz të Albin Kurtit për zgjerimin e ‘qeverisë’, qytetarët do të bien në depresion edhe më të thellë, pasiqë shpresat për ndryshim po vdesin akoma pa lindur qeveria.

Nëse dikush ka patur një fije shprese, se në Kosovë mund të kthehet sundimi i ligjit dhe qeverisja për interesa të shtetit dhe qytetarëve, ajo shpresë u fundos në greminë.

Tanimë për qytetarët e vendit, pak rëndësi ka, kur dhe si formohet qeveria

Siq duket takimi i fundit i liderëve të LVV-së dhe LDK-së ishte më i vështiri dhe vendimtari për ndarjen e rrugëve në mes këtyre dy subjekteve politike. Java e ardhshme mund të shënojë fundin dilaogut për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së dhe fillimin e një krize të re politike me pasoja të rënda dhe afatëgjatë për vendin.

Zbatimi i skanarit përjashtues për lëvizjen Vetëvendosje, e çertifikuar si parti e parë politike fituese e zgjedhjeve, ku përmes kontrabandimit të deputetëve të kurdiset grupi më i madh parlamentar i LDK-së, në mënyrë që t’i bëjë presion LVV-së për më shumë hise në marrëveshjen e koalicionit, ose ta kushtëzon atë duke zgjedhur partner të tjerë bashkëpunues në mesin e partive të PAN-it, me AAK-në dhe Nisma, plus minoritetet e suportuar nga PDK-ja në kuvend, do të prodhojë pasoja zinxhiore për vendin.

Kështu pra, sikurse në të kaluarën e afërt, edhe tani, për kënaqjen e egos së një grupi të vogël njerëzish në politikë, do të pësojnë qindra e mijëra qytetarë të pafajshëm qoftë duke protestuar apo ikur nga vendi i “mallkuar”.

Në situatën e krijuar, edhe pse nuk janë zgjidhje, vetëm zgjedhjet e reja mund ta evitojnë krizën e thellë politike dhe trazirat e pashmangshme në vend.

Përgjegjësit kryesor për çdo lloj trazire në vend, do të jenë LVV dhe LDK, dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, përkatësisht Albin Kurti dhe Isa Mustafa, që nuk arritën të tejkalojnë interesat personale për të mirën e vendin dhe të ardhmen prosperuese të qytetarëve.

Kur lideri është i pari dhe i fundit i partisë

Përderisa në partinë më të vjetër në vend, në LDK ka plot kuadro të afta dhe më të përgatitura sesa lideri i partisë, në LVV nuk ka personalitet që mund ta zavendësojë Albin Kurtin.

Kjo ka bërë që Albin Kurti të mos ketë këshilltarë të zgjuar në situatat e caktuara, siq ishte rasti me zgjerimin e ministrive, gjegjësisht ofertës së fundit drejtuar LDK-së, e cila më shumë se këtë subjekt, ka irrituar qytetarët e vendit, të cilët mbanin shpresë në mbajtjen e premtimeve të liderit të LVV-së.

Edhe pse, ky gabimi i parë i Albin Kurtit nga fillimi i bisedimeve me LDK-në, është gabim i rëndë dhe i parekuperueshëm në aspektin politik, i dëmshëm në aspektin moral dhe psikologjik, nga i cili nuk do të këndellet shpejt lideri shpirtëror i LVV-së.

Unë, si aktor indirekt në politikën kosovare, nuk po mund qëndroj indiferent ndaj zhvillimeve politike, edhe pse nuk kam forcë të bëjë atë që duhet, nuk kam ndërgjegje të rri pa bërë asgjë.

Për këtë arsye reagimet e mia janë shprehje e brendshme shpirtërore dhe e dashurisë së pakufishme ndaj atdheut dhe qytetarëve të vendit tim, për të kontribuar sado pak në funksion të ndryshimeve pozitive, e asnjëherë në funksion të një apo subjekti tjetër politik.

Vetëm djalli hesht para padrejtësive dhe fatkeqësive, qofshin ato produkt i natyrës apo egoizmit njerëzorë!

E vetmja fije e shpresës për qytetarët e vendit ka mbetur tek ngjizja e një force të re politike nga elita intelektuale në Diasporë, në bashkrendim me forcat progresive në Kosovë, për të përmbysur një herë mirë këtë klasë kusarësh politik që po bëjnë pazare me poste politike për marrjen e pushtetit dhe që bëjnë pazare më pastaj me territor të vendit për ti mbajtur ato poste të turpit.