Pikturë madhështore, tragjike e fatale

0
511
Gani Bytyçi

Gani Bytyçi

Portreti, figura-hije, druri-qenie

Piktura e Sejdi Kapllanajt, e tëra është tronditje e dhembje. Ajo është shqetësimi dhe tronditja e një kohe, e një vendi, e një kombi. Ajo është drama dhe mbijetesa e tij e djeshme, e sotme, përhershme. Piktura e Sejdi Kapllanajt është vuajtja deri në trishtim e njeriut tonë. Ajo është trupi e shpirti i tij, i mbushur shqetësim, frikë e ankth deri në makth. Piktura e tij është njeriu ynë, përherë në ikje, gjithmonë në bredhje e rrugëtim nëpër kohë të pakohë, kohë që kurrë nuk ishin të tija, pa mundur asnjëherë të ngrinte një strehë për t’u mbrojtur nga rrebeshet e stuhitë e kohëve të liga. Piktura e tij është kohë furtunash, që atij përherë ia përmbysën strehën, ia rrënuan vatrën, e hodhën rrugëve, në kërkim të një strehe në tokën e huaj, kudo që do të mund të merrte frymë e të mbijetonte.

Dhe, këto qenie (përherë në bredhje e në ikje) përballë sulmeve e përndjekjeve të pafundme të kohëve të liga e të acarta, përherë kërcënuese, Kapllanaj na i paraqet, të gjitha pa përjashtim, me një figurshmëri aq të goditur dhe aq të fuqishme. Ato figura na shfaqen herë në ikje e zhdukje, herë drurë që përthyhen e përplasen, nga stuhitë e shekujve, të cilat i rrahin aq pamëshirshëm. Herë na shfaqen si hije, që zezona e kohëve i ka djegur e i ka nxirë deri në zhdukje. Pastaj na dalin si një varg i pafundmë e tronditës qeniesh në ikje. Dhe këto qenie (përherë në shtegtim), artisti na i paraqet të personifikuara, të kthyera (edhe) në drurë, sikur për të dhënë atë përmasën e forcës përmbytëse të rrebesheve historike, që pandërprerë e goditën njeriun tonë dhe qëndresën e tij.

Piktura e Kapllanajt, në mënyrë madhështore e paraqet njeriun tonë përballë historisë së tij tragjike e fatale. Në këtë mënyrë artisti, me një fuqi shprehëse mahnitëse, sa të thjeshtë aq të goditur, krijon figura artistike, të cilat përbrenda vetes krijojnë dhe bartin një dramatikë aq tronditëse të njeriut tonë, si në tragjeditë e Shekspirit. Në pikturën e tij, pra, shohim personazhe hamletiane, që përherë gjenden në atë zgripin e jetës, në atë dilemën “të jesh a te mos jesh”, personazhe këto, që përherë janë ne rrugëtimin e tyre të pambarim, përherë në një luftë të pafundme të tyre për mbijetesë historike, gjeografike, kombëtare.

Vizatimi

Sejdi Kapllanaj në rrugëtimin e tij artistik, së pari është nisur me vizatimin. Ai, qysh si fëmijë, gjithë universin e tij artistik e kishte perceptuar nëpërmjet majës së lapsit dhe hijes së errët të thëngjillit. Këtij pasioni ai nuk do t’i ndahet kurrë. Kështu, vizatimin Kapllanaj do ta çojë deri në përsosmëri. Më vonë, kur Kapllanaj pikturës do t’i futet deri në thellësinë e së mundshmes së saj, kur vizatimin si gjini të të shprehurit të tij artistik, do ta bëjë botën e tij të përkryer, ai do t’i përbashkojë pikturën dhe vizatimin, për të krijuar misterin e njërës me ndihmën e tjetrës, të pikturës me vizatimin. Kështu, vizatimi në pikturën e Kapllanajt do të bëhet nënshtresimi, ajo ana e fshehtë e misterioze e saj. Do të bëhet fshehtësia dhe magjia e saj.

Portreti

Portreti i Kapllanajt, si gjini arti, nga portreti i ditëve tona na çon në lashtësinë e personazheve, sikur për të na e kujtuar edhe një herë të paarritshmen dhe të pakuptueshmen e mjegulluar të kohëve e të epokave. Ato portrete na vijnë nga antika për të komunikuar me ne dhe për të na sjellë nga atje mesazhe, për të na ndihmuar që të provojmë të shkundim pluhurin e mjegullt të lashtësisë e të zbërthejmë misteret, që na i lanë peng kohët dhe epokat. Portreti i Kapllanajt është antropologjia e kohës. Së djeshmes e së sotmes. Ai nuk është fytyra e personazhit që ne na bëhet se e shohim. Është drama që e jeton ai. Është shqetësimi e frika e tij. Është ankthi e tronditja që jeta i jep atij.

Është drama shpirtërore që e jeton ai. Ai është fuqia e të shprehurit artistik të dhembjes njerëzore nga ana e autorit të tyre. Personazhet-portrete të Kapllanajt, të gjitha pa përjashtim, janë të veçanta. Apo janë njerëz të rëndomtë, të cilët autori, me magjinë e alkimisë së tij, ato i shndërron në personazhe të veçanta. Portretet e tij janë lufta e përhershme, që bëjnë ato personazhe. Ato janë gjithë plagë e vragë, që kohët, epokat i kanë lënë mbi fytyrën, mbi trupin dhe shpirtin e njeriut tonë. Ato janë plagët e kombit e të atdheut tonë.

Figura-hije

Figurat/personazhe, që na shpërfaqen në gjithë pikturën e Kapllanajt, janë përherë në lëvizje dhe brendapërbrenda tyre ato kanë një dinamikë tronditëse. Ato janë qenie që kanë frikë e ankth, që vuajnë e rënkojnë, që ikin e fshihen, që kthehen e shpërfaqen, që durojnë e luftojnë për të mbijetuar. Ato janë personazhe që kërkojnë lirinë, që kërkojnë jetën e tyre.

Peizazhi

Sejdi Kapllanaj e krijon edhe peizazhin, por peizazhi që bën ai, është krejt i veçantë. Ai, atë e krijon vetëm si asociacion të ideve artistike, si bartës të tyre. Peizazhi i tij është larg për të qenë real. Ai është aq i figurshëm e aq artistik. Si i tillë ai e krijon një metaforë të shkëlqyer dhe aq përmbajtjesore, duke bartur e duke shprehur kështu një përmbajtje shumëkuptimësie përbrenda vetes. Peizazhi i Kapllanajt nuk jep një pamje natyre, një trazim a tërbim moti, një përmbytje a stuhi ere, siç mund të mendojmë në shikim të parë. Peizazhet e tij, nëpërmjet figurës artistike që krijon ai, kurdoherë na e japin një ndjenjë, një rrethanë emocioni, një trazim a një tërbim individual, shoqëror a historik. Ato janë shqetësim e rebelim, janë ndjenjë njerëzore. Ai trazim moti, ajo furtunë që na jep artisti, është trazimi shpirtëror i njeriut, janë dhembja e vuajtja e tij e përhershme.

Figura artistike

Figurën artistike Kapllanaj e krijon me një lehtësi, thjeshtësi e mjeshtëri mahnitëse. Ai me secilën lëvizje e krijon një figurë artistike aq komplekse dhe aq përmbajtjesore. Është pozicioni, është forma, është konteksti i atyre figurave artistike, që na bëjnë të mendojmë e të komunikojmë gjatë me to. Janë përmbajtja, ndjenja, emocioni e mesazhi që na i përcjellin ato.

Kulla si simbol

Kapllanaj është lindur e është rritur në Gllarevë. Në pikturën e tij (pashmangshëm) guri do të zërë vend të rëndësishme si element për krijimin (artistik) të kullës, kështjellës, strehimores, për të bërë qëndresën. Dhe kulla si simbol në pikturën e Kapllanajt herë është e lëkundur, herë e dëmtuar, herë e ndezur flakë, herë e bërë shkrumb e hi dhe e rrafshuar me tokë, ashtu si vetë jeta e njeriut të këtij nënqielli. Piktura e Kapllanajt është kulla (qëndresa), që është sulmuar pareshtur, historikisht.

Koloriti

Koloriti që derdh në pikturën e tij Sejdi Kapllanaj ka një çiltëri magjepsëse. Ai është i përflakur, i pastër e gjithë shkëlqim. Ai kolorit nganjëherë na vjen gjithë dritë e shkëlqim. Herën tjetër na shfaqet i errët e pis i zi. Ngjyra e tij është e errëta e frikshme e pushtuese, hijezeza dramatike, e kuqja e përflakur dhe e ndezur e dhembjes drithëruese, e kaltra e qiellit dhe e detit si hapësirë e shpresës, optimizmit dhe e perspektivës. Vepra e Kapllanajt është arti që na emancipon estetikisht, shpirtërisht.

Gani Bytyçi, Cyrih