Frank Shkreli
SHËNIM: Të premtën, disa media në Amerikë dhe në Shqipëri botuan një letër që thuhet se është e nënshkruar nga ish-kongresisti amerikan, Z. Xho Dioguardi, drejtuar Kryetarit Bashkiak të Tepenës, në të cilën ai shprehet së është, “I shokuar dhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar. Kjo – ashtu siç ju e dini – lidhet me disa plane të çuditshme për të kthyer barrakat ushtarake në qytetin tuaj në një farë soj Muzeumi dhe Kompleks Memorial si “Kampi i Shfarosjes së Tepelenës”, shkruan Dioguardi në letrën e tij. Sipas letrës së botuar në gazetën Dielli në Nju Jork, ish-kongresisti i kërkon Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës që të, “Tërhiqni mbështetjen për Memorialin Kompleks i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan, “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës…dhe zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë”, citohet të ketë shkruar Xho Dioguardi në atë letër.
Me të vërtetë e kam të vështirë të besoj se kjo letër është përpiluar dhe nënshkruar nga Z. Dioguardi, por për derisa ai nuk e përgnjeshtron një gjë të tillë, atëherë ai duhet të jetë përgjegjës — si dhe autori vet i kësaj letre. Se pse Z. Dioguardi me këtë rast u bashkohet manipulimeve dhe falsifikimeve komuniste të historisë, është absolutisht e pabesueshme dhe e pa kuptueshme për mua. E kemi njohur pak si ndryshe, Z. Dioguardi. E kemi njohur si mbështetës të interesave të shqiptarëve, sidomos të çështjes së Kosovës, gjatë viteve. Çfarë ka ndodhur vetëm ai e di dhe për këtë i ka borxh një përgjigje komunitetit shqiptaro-amerikan. Pothuaj nuk ka asnjë vend ish-komunist të Evropës Lindore e Qendrore, të cilat gjatë kësaj periudhe post komuniste të mos kenë ndërtuar monumente dhe memoriale kushtuar miliona viktimave të komunizmit. Shqipëria jonë, fatkeqsisht është një përjashtim, deri tani. Pse e pengon Z. Dioguardi ndërtimin e memorialit në Tepelenë kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri? Kjo është minimumi që mund të bëhet për të kujtuar viktimat e komunizmit në Shqipëri, pasi e kaluara komuniste nuk mund dhe nuk duhet të shlyhet, ashtu siç do të dëshironin disa, por të pakën të kujtohet me memorial të tilla, siç është ai në Tepelenë.
I nderuar Z. Dioguardi, Memoriali nuk ka të bëjë aspak me Tepelenën, as me banorët e këtij qyteti të nderuar shqiptar, por me një kamp përqendrimi ku kanë vuajtur dhe vdekur njerëz të pafajshëm, ndër ta edhe gra, pleq e fëmij. Nuk ishte Tepelena as banorët e sotëm ose të djeshëm të atij qyteti që janë përgjegjës për ekzistencën e atij kampi, por ishte dhe është gjithnjë ish-regjimi komunist i Shqipërisë. Është e turpshme, sepse Z. Dioguardi ofendon shumë shqiptaro-amerikanë, shumë prej tyre viktima të komunizmit, të cilët Z. Dioguardi e di më së miri, se prej tyre ka pasur mbështetjen më të madhe financiare, politike dhe morale, gjatë 30-viteve të fundit dhe më heret, pikërisht nga bijtë edhe bijat shqiptaro-amerikanë, të shumë të përndjekurve nën regjimin e Enver Hoxhës — disa prej të cilëve edhe kanë kaluar ditët më të zeza të jetës së tyre në atë kamp përqëndrimi dhe të punës së detyruar. Dhe tani Z. Dioguardi këthehet e përgnjeshtron madje edhe ekzistencën e një kampi famëkeq siç ishte kampi në Tepelenë? Të pyes ai cilindo nga këta shqiptaro-amerikanë, disa prej të cilëve kanë qenë dhe janë shumë afër me Z. Dioguardi, se i tregojnë atij për vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre të përndjekura, disa prej të cilëve kanë vuajtur me dekada dhe shumë të tjerë kanë vdekur në kampin e Tepelenës. Fatbardhësisht, disa prej atyre që kanë vuajtur tmerret e burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar nën komunizëm, kanë botuar reagimet e tyre të ashpra në disa artikuj të ditëve të fundit, ndaj letrës së Z. Diougardi, ish- të burgosur si Prof Sami Repishti, Prof Mithat Gashi, Lek Mirakaj, Pëllumb Lamaj, e të tjerë.
Siç duket në letrën e tij, Z. Dioguardi kundërshton krahasimin e kampit të Tepelenës me kampin nazist në Aushwitz të Gjermanisë, por Z. Dioguardi duhet të dijë se ka qenë vet ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Z. Helmut Hoffman i cili kishte bërë një krahasim të tillë, pikërisht për trajtimin e tmershëm që u bëhej të internuarve shqiptarë në kampin e vendosur në Tepelenë. E vërteta është se ishte ambasada gjermane në Tiranë dhe Fondacioni gjerman Adenauer, ata të cilët kanë mundësuar botimin e skicave (disa prej tyre më poshtë) të ish-të përndjekurit Lek Previzi nga kampi në Tepelenë, (Shih artikullin më poshtë). Një vepër e pashoqe – e vetmja e tillë nga kampet e internimit dhe të kampeve të punës së detyrueshme të vendeve ish-komuniste — që është pranuar si një dokumentacion i vuajtjeve të kundërshtarëve të regjimit komunist, në kampin e Tepelenës. Për më tepër, ambasada gjermane në Tiranë meriton kredinë, si asnjë tjetër ambasadë e huaj në Shqipëri, duke e dalluar veten gjatë 20-viteve të fundit në këtë fushë, ndërkohë që u ka bërë thirrje vazhdimisht autoriteteve shqiptare që të përballen seriozisht me krimet e së kaluarës komuniste, si një doemosdoshmëri për shoqërinë shqiptare, natyrisht duke folur bindshëm nga përvoja e tyre e historisë naziste dhe komuniste.
Duket se botimi i letrës së Z. Dioguardi, drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Z. Tërmet Peçi kundër Memorialit në Kampin në Tepelenë përkon me Ekspozitën dhe Simpoziumin shkencor që ka organizuar atje këto ditë, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, me mbështetjen e PNUD Shqipëri, Qeverisë Italiane si dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë – duke shpresuar për një ndikim maksimum në dëm të përpjekjeve për ndërtimin e Memorialit në Tepelenë. Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 dhe zyrtarëve të tij, i urojmë punë të mbarë gjatë këtyre ditëve dhe në të ardhmen, për punën e tyre tepër të vështirë, por fisnike dhe tepër të nevojshme për të hedhur sa do pak dritë mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe për të kujtuar viktimat e tij. Njëherazi u u kërkojmë falje atyre që një letër e tillë vjen nga Amerika, e cila për shqiptarët ishte dje, është sot dhe do jetë nesër, shpresa jonë për një të ardhme më të mirë dhe më të lirë se në të kaluarën.
*Shkrimi dhe skicat më poshtë botuar një vit më parë, hedhin pak dritë mbi debatin e tanishëm të shkaktuar nga letra e Z. Dioguardi, dërguar Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës..
https://www.fjala.info/piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/