PIKTORI I KAMPEVE TË VDEKJES TË REGJIMIT TË ENVER HOXHËS

0
737

Frank Shkreli

Piktori është z. Lekë Pervizi. Kampet e vdekjes janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pikërisht ai kampi famëkeq i Tepelenës.

Ditët e fundit më ra në dorë numri i posaçëm i Revistës “Kuq e Zi”, një revistë euro-shqiptare online me kryeredaktor Lekë Pervizin, e cila botohet në Bruksel ç’prej vitit 1993. Thuhej në editorialin e numrit të parë të revistës “Kuq e Zi” se botimi i saj, synonte të shërbente si tribunë shqiptarizmi, “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysmë shekulli të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës.” Jo të gjithë dolën të gjallë nga kampet e përqendrimit të regjimit më të egër komunist në Evropën lindore, por ata që patën fatin të mbijetojnë mundimet dhe terrorin enverist – dëshmitarë të gjallë të atyre krimeve anti-njerzore– sot janë ne gjendje, që në emër të bijve dhe të bijave më të dalluar të kombit, “rrnojnë për me tregue” vlerat reale të atyre viktimave të komunizmit shqiptar, me qëllim, “për me çue në vend nderin e kulturës dhe të historise shqiptare”.

Njëri prej këtyre dëshmitarëve që i shpëtoi vdekjes në kampin e Tepelenës është edhe Lekë Pervizi. Për veten dhe bashkvuajtsit e tij në kampet komuniste të Enver Hoxhës, Z, Previzi ka shkruar se, “Jemi dëshmitarë përjetues të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikueme me gjakftohësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukun të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën. Këto iu nënshtruen falsfikimit e manipulimit, sipas strategjisë së ideologjisë marksiste të zhdukjes totale të trashigimisë sonë mijavjeçare”.

Dëshmitari i gjallë i këtyre vuajtjeve e terrori, sidomos në kampin e Tepelenës, ku ai vet ka kaluar dënimin si i pa dëshiruar i regjimit komunist, Lekë Pervizi vazhdon, për më shumë se një çerek shekulli pas shembjes së komunizmit, të “rrnojë” dhe të “tregojë” për vuajtjet e veta e të familjes së tij të ngushtë si dhe të bashkvuajtsve të tij si vëllëzër e motra shqiptare, kundërshtarë politikë të regjimit enverist. Z. Pervizi e ka dokumentuar me shkrime dhe si — rradhë kush tjetër, për të mos thënë ndoshta si askush para tij që vuanin në ish-burgjet e kampet komuniste të Evropës Lindore – edhe me vizatime në copa letrash — përshkroi jetën e përditshme në kampin e Tepelenës dhe vuajtjet e tmerret që ai dhe të tjerët kanë pësuar në kampin famëkeq aty.

Numri i fundit i posaçëm i revistës, “Kuq e Zi” u kushtohet pikërisht këtyre vizatimeve të piktorit të ish-burgosur Lekë Pervizi, një testament i rradhë ky, në këtë formë i mundimeve dhe vuajtjeve në kampin e terrorit të Enver Hoxhës, në Tepelenë. Duke i shikuar ato fotografi të vizatuara në ish-kampin e Tepelenës nga Leka, njeriu normal ndjenë një shpërthim zemërimi pothuaj të papërmbajtur dhe pyet veten se si është e mundur që njeriu të veprojë në këtë mënyrë kundër njeriut, e për më tepër shqiptari ndaj shqiptarit.

Në një komunikim me Z. Pervizi, pasi lexova numrin e posaçëm të revistës online që më kishte dërguar, e pyeta se pse ka pritur gjithë këto vite që t’i botojë këto vizatime për publikun. Ja edhe shpjegimi i historisë së botimit më në fund, në një album të posaçëm. Ai më shkruan se i mbante vizatimet për vete, në disa copa letre, sa për kujtim, megjithse i kishte botuar herë pas here në revistën “Kuq e Zi”, ç’prej fillimit të daljes së saj në vitin 1993 e në vazhdim, por shton se nuk u kujtua kush që tu jepte rëndësinë që meritonin. Z. Pervizi i jepë kredi për botimin, më në fund, të vizatimeve një miku të tij i ish-përndjekur politik edhe ai — e i cili ishte në dijeni të vizatimeve të tija në kampin e Tepelenës. Në një mënyrë ose në një tjetër, lajmi për ekzistencën e vizatimeve të Z. Pervizi shkoi në veshët e zyrës së Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, në Tiranë e cila i botoi vizatimet nepërmjet Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, me drejtor Agron Tufa, shprehet Z. Pervizi. Ishin gjermanët pra, ata që mundësuan botimin e këtyre vizatimeve me një album të posaçëm me titullin, “”Rrathët e Ferrit”.

Leka shkruan se gjermanet e kishin ftuar për një një javë ndërsa kishin organizuar një mbledhje me aktivitet të posaçëm në kazermat e rrënuara në Tepelenë, ku ishin ekspozuar vizatimet e tija të zmadhuara, ku ndër të tjerë, kishte marrë pjesë dhe Ambasadori gjerman në Tiranë dhe drejtori i Kondacionit Konrad Adenauer. “Kështu nepërmjet atyne vizatimeve të shpëtueme kot prej meje (mjaft kishin humbë), u ba i njohun kampi i Tepelenës, ashtu siç ishte i ndertuem që e keni pa dhe ju në revisten, por që i të cilit kamp nuk ekzistonte asnjë fotografi, se ku e si ishte. As nuk dihej se si funksiononte e si ishin stivosun të internuemit brenda atyne kazermave vigane”. Kjo u ba shkas edhe per mbledhje të tjera dhe tashti po mendohet që të krijohet aty një muze, e të ngrihet një memorial, më shkruan Leka. “Merreni me mend, i dashun mik, se kishin kalue 25 vjet që askush s’donte të ia dinte për atë kamp famëkeq të Tepelenës. Prandaj vizatimet dolën me vonesë, kur duhet të ishin ba të njohuna botënisht që në vitet e para pas shembjes së diktaturës.

Kaluen gjashtë presidentë e disa qeveri, që as u shkonte mendja fare dhe as që e donin daljen në shesh të mizorive të komunizmit mbi qenje njerëzore (shqiptare) të pafajshme”, përfundon ai shpjegimin e tij, që pati mirësinë të më dërgonte në lidhje me vonesën e botimit të këtyre vizatimeve dokumentuese dhe historike me vlerë të madhe, nga një dëshmitar i gjallë i jetës dhe krimeve që bëheshin në kampin e Tepelenës nga regjimi komunist kundër popullit të vet. Megjithse Lekë Perrvizi me modesti thotë se nuk e bëri publikimin e këtyre vizatimeve me qëllim që të “delte si burë i mirë”, ai shpreh mirënjohjen e tij dhe falënderon gjermanët me interesimin e tyre, e bënë të mundur daljen në shesh të këtyre vizatimeve historike nga jeta dhe e krimet në kampet shqiptare të përendrimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat Z. Pervizi thotë se, “Ambasadori gjerman në Tiranë i kishte krahasuar me Auschvitzin, për trajtimin miserabël që iu bahej të internuemve, pavarësisht nga përmasat strukturale më të vogëla, por për nga përmasat kriminale të mëdha.”

Në një artikull dje nga Përparim Halili, botuar në gazetën Telegraf të Tiranës thuhet se dosjet e kampit të Internimit dhe të kryengritjes antikomuniste së Zhapokikës në Tepelenë janë zhdukur më 1991. Për më tepër Z. Halili shkruan se strukturat e kampit të Tepelenës janë hedhur për dhe, siç duket në përpjekje për të zhdukur çdo provë i ekzistencës së kampit të tmerrit duke shtuar se “Në vitet 1994-1995 mbi varret e 175 (fëmijve “armiqë” të moshës deri në 12 vjetë) dhe 789 të rriturve të vdekur në kampin e Tepelenëns, ish-qeverisja e viteve 1993-1995 ka ndërtuar pallate banimi për strehimin e ish-të dënuarve politikë dhe kolektorin qendror të ujërave të zeza të qytetit, pa bërë zhvarrimin që u kërkua me protesta prej familjarëve të viktimave”.

Përparim Halili shkruan gjithashtu se “dosjet e kampit të Tepelenës janë zhdukur qysh në korrik të viti 1991”. Kam shkruar shumë, por më kot, gjatë këtyre viteve për mos përballjen serioze me të kaluarën komuniste të klasës politike shqiptare të të ashtuquajturës periudhë post-komuniste, një fenomen ky që në mendjen e njerzve normal është vështirë të kuptohet ose të pranohet në një shoqëri që e konsideron veten demokratike, antare e NATO-s dhe aspiruese për integrim të plotë euro-atlantik. Por, ajo që me të vërtetë prekë thellë dhe ndezë ndjenjat morale të njeriut është se si edhe sot nostalgjikët e atij regjimi dhe të diktatorit, siç shkruan edhe “Piktori i Kampeve të Vdekjes”, “Të ngrenë lavde kriminelëve e xhelatëve dhe aq më keq atij lloj diktatori të paskrupullt e paranoik që e trajtojë popullin e vet si të ishte bagëti e jo qenje njerëzore”.

Megjithse e papranueshme, për këtë situate të krijuar në Shqipëri, nuk është për t’u habitur kur të merret parsyshë se si klasa politike, “majtas e djathtas”, e këtij çerek shekulli post-komunizëm, po trajton sot ish-të përndjekurit politikë duke i përjashtuar krejtsisht nga jeta politike e vendit, gjë që bën të ndhjehen si të huaj në vendin e vet. Ndërsa është pa pranueshëm gjithashtu edhe refuzimi i tyre banal dhe i pa moralshëm për tu përballur, njëherë e mirë, me të vërtetën e të kaluarës komuniste dhe me krimet e regjimit të Enver Hoxhës, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste të kontinentit evropian.

Falë nderës Zotit që kombi shqiptar ka ende miqë siç janë gjermanët, të cilët po ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës të historisë së krimeve të një sistemi totalitar e gjakatar. Falënderojmë Zotin gjithashtu edhe për piktorin Lekë Pervizi, i cili “rrnoi për me tregue” dhe i cili me vullnetin e tij të fortë dhe me ndjenjën e tij të thellë, kishte vendosur heret që e keqja të kundërshtohej dhe të luftohej me çdo mjet e mundësi, madje edhe në rrethanat e një kampi përqëndrimi, siç ishte ai i Tepelenës. E falënderojmë Z. Pervizi edhe për “kokëfortësinë e mos-nënshtrimit” që ka treguar në kampin e përqendrimit që edhe në kushte jashtzakonisht të vështira i ka bërë dhe i ka ruajtur vizatimet – megjithse jo të gjitha — nga jeta dhe të struktuarave të kampit ku ka qëndruar e që sot i ka të botuar dhe na i sjellë si dokumentacion historik për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm.

“E vërteta triumfon kur bëhen sakrifica dhe mundime për t’a qitur në dritë të vërtetën”, ka thënë babai i kombit amerikan, Xhorxh Washingtoni. T’i jemi mirënjohës Lekë Pervizit që me botimin e këtyre vizatimeve nga jeta në kampin e terrorit në Tepelenë, hedh sado pak dritë mbi të vërtetën e krimeve që ndodhën në atë vend.