(Marrë nga libri: “DEMOKRACIA DIKTATORIALE 2”, St. Gallen 2018, faqe 161-165)
Shkruan: SHEFQET DIBRANI
Përpjekja për të shndërruar humbjen në fitore është doktrinë staliniste: “LVV-ja duhet të kuptojë se mallkimi i djeshëm i Isa Mustafës kundër Familjes së Ibrahim Rugovës, nesër do të bëhet edhe kundër LVV-së, bile trefish më ashpër dhe më poshtërues, sepse interesat e Isa Mustafës janë vënë mbi LDK-në dhe mbi interesin kombëtar”.
Padyshim zgjedhjet e 11 qershorit 2017 e bënë LVV-në parti serioze që nuk duhet të injorohet e as të anashkalohet. Në anën tjetër, çdo veprim i papërgjegjshëm i LVV-së do të jetë me pasoja tragjike për këtë subjekt politik dhe për Kosovën. Vendi është në krizë të thellë, kurse LVV-ja deri më tani nuk ka dhënë shenja se merr përgjegjësi politike për t’u bërë pjesë e udhëheqjes qeverisëse të Kosovës. Ky rast është i dhembshëm dhe shqetësues! Si duket, LVV-ja ka rënë pre e ndikimit serb e rus, i cili është mjaft aktiv në Kosovë, me rrezikun për ta destabilizuar Kosovën, prandaj është momenti kur LVV-ja duhet të bëjë kthesë dhe të gjykojë drejt. Sjellja e saj refuzuese është e papranueshme dhe e dëmshme për proceset politike, andaj LVV-ja sa më parë që do të dalë nga ingranazhet dhe kurthet serbo – ruse është ma mirë për të dhe për Kosovën. LVV-ja urgjentisht duhet të distancohet nga tërbimi i Isa Mustafës, i cili u shfaq ditëve të fundit, veçmas kur në shtëpinë e Presidentit të Kosovës shkoi Ramush Haradinaj, për të kërkuar votën e Teutë Rugovës.
Reagimi kaq i ashpër dhe i pakontrolluar i Isa Mustafës dhe heshtja e strukturave partiake të LDK-së duhet të jenë indikacion për të kuptuar LVV-ja kurthin që po i përgatitet nga një lider i njohur për intriga dhe mashtrime dhe duhet të ketë kujdes nga kurthi ruso-serb në Kosovë. Si ka mundësi LVV-ja të shpresojë kaq shumë nga deputetët e LDK-së, të cilët e kanë gojën vetëm Rugovizëm, por asnjëri syresh nuk pati guxim as kurajë të dalë në mbrojte të Teutë Rugovës. Prandaj, pyesim publikisht çka pret LVV-ja nga frikacakët e tillë dhe nga idhnaku Isa Mustafa? Të bashkëpunosh me LDK-në e Isa Mustafës, që nuk ka parime, por zbaton vetëm standarde të dyfishta, është më zi sesa të jesh pjesë e MUP-it serb për ta shantazhuar e destabilizuar Kosovën. Janë këto arsye pse themi se është mirë që LVV-ja menjëherë të heqë dorë nga përpjekjet për të arritur marrëveshje me mashtruesin profesionist, sepse një pushtet i marrë me dallavere do të prodhojë kriza të pashmangshme, të cilat mund të jenë me pasoja të mëdha.
LVV-ja nuk duhet të insistojë më shumë për ta përvetësuar LDK-në
LVV-ja duhet të ulet me Ramush Haradinajn dhe Kadri Veselin për ta marrë hisen e tortës që i takon, atë hise që ia dha populli me votën e tij. Vetëm në tavolinë me elefantët duhet të tregohen muskujt, por jo me tredhakët e LDK-së. E, nëse gara e LVV-së me PAN-in niset fer, sigurisht Kosova do të marrë dritën jeshile se do të bëhet mirë. Në këto biseda, LVV-ja ka mundësi të kushtëzojë pjesëmarrjen në qeveri të atyre që nuk iu pëlqejnë, duke mos përjashtuar as kandidatin për kryetar të Parlament. Edhe posti i kryeministrit nuk duhet të bëhet pengesë, mjafton të shkëmbehet ai post me dy-tre ministri, në favor të LVV-së. E kjo është e dobishme edhe për çështjen e punësimit të zyrtarëve politikë nga radhët e LVV-së. Gjithsesi në këso marrëveshjesh duhet të ftohet si garantues Faktori Ndërkombëtar. Natyrisht, përpara se të arrihet marrëveshja, do të ishte mirë të hiqeshin të gjithë ata të cilët kanë procese gjyqësore të hapura. Pastaj të bëhet marrëveshja se si do të procedohet demarkacioni, asociacioni, kurse LVV-ja duhet të këmbëngulë për pavarësimin e gjyqësorit dhe për miratimin e përshpejtuar të ligjeve, madje duhet të bëhet edhe një ligj për fisnikërimin e shprehjes publike, para të cilit do të përgjigjen jo vetëm deputetët, por duhet të përgjigjen të gjitha mediat publike dhe personat civil të cilët shkruajnë dhe flasin publikisht.
LVV-ja duhet të marrë hapa konkretë për ta zhbllokuar gjendjen e krijuar dhe kjo duhet të bëhet duke bërë vija të kuqe me individë, por jo edhe me subjekte, pasi në këto rrethana që është Kosova, edhe një milion herë të mbahen zgjedhje, ato do të prodhojnë një rezultat të ngjashëm. Në anën tjetër, veprimtarë të LVV-së dhe kuadro të reja kanë nevojë për t’u punësuar dhe për t’i marrë përgjegjësitë për ta udhëhequr shtetin. LVV-ja nuk duhet të insistojë më shumë për ta përvetësuar LDK-në, pasi ajo parti përfundimisht duhet t’i kthehet vetvetes dhe t’i bëjë reformat e duhura, ta heqë zhugën e sistemit jugosllav nga trupi i saj. Madje, është obligim i LVV-së dhe i qeveritarëve të Kosovës që paralel me problemet e mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova të nisin hetimet sipas modelin kroat për të ndjekur penalisht Kryeministrin në detyrë Isa Mustafa, bashkë me zyrtarët e shtetërorë, të cilët duhet të japin përgjegjësi penale për korrupsionin dhe keqpërdorimin e lartë dhe t’iu konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme ata dhe familjarët e tyre, sidomos duhet të hetohen mënyra e shitjes së pronave shtetërore përreth e në Prishtinë, për të cilën flitet se janë kontrabanduar miliarda euro.
LVV-ja duhet të ndryshojë strategjinë e veprimit, t’i heqë akuzat verbale e publike, dhe çdo gjë tash e tutje duhet ta bëjë me forcën e argumentit, të cilat duhet ta realizojë përmes prokurorëve dhe drejtësisë për të cilën LVV-ja duhet të angazhohet dhe më askush nuk duhet të akuzohet, por kur ka fakte ato duhet t’i drejtohen prokurorit mbi të cilin duhet të ushtrohet trysnia e LVV-së për të vepruar sipas ligjeve në fuqi. Koha e dallavereve me dallaveraxhi duhet të marrë fund, por gjithçka që do ta bëhet, le ta bëjë LVV-ja për Kosovën, duke mos shkelur as ligjet dhe as premtimin para elektoratit, të cilit i ka garantuar një udhëheqje të dinjitetshme. Pa asnjë dilemë, LVV-ja duhet të hyjë në qeverisje të vendit, t’i punësojë veprimtarët e vet, por edhe për ta bartur fatin e Kosovës nga Lista Serbe tek faktori vendor me siglën LVV. Ky subjekt duhet të heqë dorë nga akuzat verbale dhe sidomos nga marrëveshjet me grupet e klanet për të cilat thuhet se janë pjesë e ndikimit serb dhe rus në Kosovë. LVV-ja duhet të shqyrtojë pozitën e saj indiferente dhe të marrë përgjegjësitë udhëheqëse, sepse koha e një gjenerate tjetër ka arritur.
Heshtakët e LDK-së
Kriza në Kosovë duhet të tejkalohet me mençuri, e atë mundet me dëshmuar vetëm veprimi kushtetues e pragmatik i LVV-së. Kriza politike nuk kalohet me inate, as me ngërçe politike, as me vakum institucional, aq më pak me strukturat e ndikimit serb në Kosovë, qofshin ato nga Lista Serbe apo nga strukturat e Lidhjes Komuniste që përfaqësohen nga Isa Mustafa. LVV-ja, nëse mendon ta krijojë një qeveri me LDK-në, edhe nëse i siguron numrat, nuk është në gjendje të krijojë një qeverisje stabile, prandaj nuk duhet të insistojë, sepse i kthehet bumerang për veten e saj. Në këto rrethana dhe me këtë formulë edhe PDK-ja, por edhe koalicion PAN, kanë të drejtë për të shantazhuar një qeveri të drejtuar nga, për më tepër të një humbësi serik siç është Isa Mustafa dhe LDK-ja e udhëhequr nga ai. LVV-ja duhet të kuptojë se aktivizimi i strukturave serbe dhe i mediave të ndikuara nga Serbia kundër saj dhe kundër Kosovës është i madh dhe me ndikim të fuqishëm, prandaj urgjentisht LVV-ja duhet ta ndryshojë qëndrimin strategjik, dhe bashkë me Faktorin Ndërkombëtar, veçmas me amerikanët, duhet të ulen për bisedime, sepse Kosova ka nevojë për një stabilitet të qëndrueshëm politik.
LVV-ja duhet të kuptojë se mallkimi i djeshëm i Isa Mustafës kundër Familjes së Ibrahim Rugovës, nesër do të bëhet edhe kundër LVV-së, bile trefish më ashpër dhe më poshtëruese, sepse interesat e Isa Mustafës janë vënë mbi LDK-në dhe mbi interesin kombëtar. Janë këto arsye pse themi se një koalicion me LDK-në do të ishte vetëvrasje politike për LVV-në. E themi këtë, madje duke e lutur LVV-në të shikojë përtej inateve të grumbulluara, do të shihet se të gjitha programet politike të LVV-së mund të realizohen më mirë me PAN-in, sesa me dallaveraxhiun Isa Mustafa. LVV-ja duhet t’i shohë përpjekjet për reforma brenda PDK-së, por jo brenda bunkerizimit të LDK-së. Kjo parti duhet të kuptojë se SHIK-u i Kadri Veselit ka kohë që nuk është aktiv, por duhet të ketë kujdes nga RIINVESTI i Isa Mustafës, i cili tashmë është në ofensivë. E, kur t’ia shtojmë kësaj të fundit përvojën 50- vjeçare të sistemit komunist, duke i pasur parasysh edhe infuzionet financiare që i derdh Serbia për ta shantazhuar Kosovën, SHIK-u i Kadri Veselit për LVV-në mbetet një supë e mëngjesit, karshi Riinvestit nga i cili jo që rrezik LDK-ja dhe Kosova por kanë me ia parë sherrin kësaj dyfytyrësie edhe aleatët tanë ndërkombëtarë, veçmas Gjermania, Anglia dhe Amerika.
LDK-ja është në krizë të thellë, kurse për t’iu ikur reformave të brendshme shih me çfarë yryshi u turren drejt Familjes së Presidentit Historik, kurse PDK-ja shihet hapur se është në kërkim të reformave për t’u ndryshuar, për të hequr barrën e akuzave për krim të organizuar dhe për të sjellë një gjeneratë që nuk e ka bagazhin e së kaluarës dhe për t’i sjellë vendit reforma të përgjithshme. Derisa PDK-ja i ka stolisur me urdhra, grada e merita veteranet e saj, LDK-ja i ka përjashtuar dhe askush nga kjo parti as nuk do sytë me ua pa, pa le më me ua njohur meritat pse kanë vepruar në kohë të vështira. Në anën tjetër, nëse PDK-ja i ka nderuar e respektuar veprimtarët e vet në Diasporë, LDK-ja i ka përjashtuar, madje për ta nuk dëgjon as KP i LDK-së, por as delegatët e Kuvendit Zgjedhor, le më të shtrojmë pyetjen pse askush nga strukturat e LDK-së nuk e paskan ngritur në diskutim Huan Popullore e as Fondin e Trepërqindëshit, për të cilin ka iniciativa penale.
Andaj në asnjë mënyrë LVV-ja nuk duhet ta lëndojë Diasporën me metodat e Isa Mustafës. Deputetet e LDK-së u treguan heshtakë, jo vetëm ndaj deklaratave të çmendura të Isa Mustafës, kundër Familjes Rugova, por asnjëri prej tyre nuk ka pasur guxim të kërkojë dorëheqjen publike të Isa Mustafës, as të marrin iniciativa për ta shkarkuar. Veprimtarët dhe deputetët e LDK-së janë bërë heshtakë, në pritjen e kocit për ta lëpirë që mund t’ua japë dikush, por një gjë të tillë LVV-ja nuk duhet ta bëjë kurrë. Deputetët e LDK-së e kanë mbrojtur me fanatizëm Isa Mustafën, ata ju kanë akuzuar juve më zi e më keq sesa PDK-ja, sepse këto akuza iu kanë ardhur kryesisht nga strukturat drejtuese të LDK-së, ndërsa nga koalicioni PAN, kryesisht akuzat e tilla kanë ardhur nga deputet e frustruar për shkak të humbjes së madhe. LVV-ja nuk duhet të mashtrohet nga “Uniteti i rrejshëm” që na qenka krijuar përreth Isa Mustafës, sepse është rreziku më i madh për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. LVV-ja duhet të dalë nga letargjia që e ka pllakosur, dhe të gjejë veten në këto rrethana.
Edhe pse është fituesja morale dhe faktike e këtyre zgjedhjeve, por koalicionet parazgjedhore ia prishin këtë ngazëllim, pasi këto marrëveshje janë të themeluara sipas rendit kushtetues. Gjithsesi LVV-ja duhet të hyjë në qeveri, jo për pazare e kontrabandë, por për të miratuar ligje të favorshme për kontrollin institucional, të vendoste stabilitet dhe marrëdhënie të mira me Amerikën dhe Bashkësinë Ndërkombëtare, ajo po e bjerrë kohën duke lutur Isa Mustafën, i cili është në hall për vete nga humbja e madhe. LVV-së këto zgjedhje ia krijuan rastin historik për të dëshmuar se është parti Shtet-Formuese dhe e së ardhmes, ajo duhet t’i tejkalojë shantazhet nga ndikimi serb e rus, i cili është mjaft i fuqishëm dhe kryesisht është drejtuar rreth saj.
LVV-ja duhet kuptuar se analizat dhe porositë e atyre që janë kumbarë tradicionalë të serbëve bëhen për të prodhuar kriza për interesa serbe. LVV-ja gjithqysh duhet të dalë mbi këto interesa dhe të mos bjerë viktimë e pazarllëqeve ballkanike. Përpjekja për të shndërruar humbësin në fitimtar është doktrinë staliniste, prandaj i bëj thirrje publike LVV-së për t’i shqyrtuar qëndrimet e saj, kurse Kosovës t’i japë një qeveri pragmatike sipas pragmatizmit si veprim politik që e ka LVV-ja. Në këtë përpjekje u bëjë thirrje vendeve të BE-së dhe Amerikës të ushtrojnë ndikimin e tyre politik e diplomatik për t’u realizuar kjo ide, pasi vetëm me një qeveri të këtij formati, Kosova i përshpejton hapat drejt integrimit në strukturat evropiane dhe ato botërore.
(Autori është veprimtar i LDK-së që nga themelimi dhe njohës i zhvillimeve politike në LDK).
Botuar në: Filolet.com, 24.07.2017; Fjala.info, 24.07.2017; Kosova Sot, 25 korrik 2017.