Piendi di sogni i fiumi – libër me poezi në italisht nga Zef Mulaj

0
2463
Zef Mulaj - Prendi per mano

Ja si vleresohet poeti dhe shkrimtari Zef Mulaj per liberin e ri te botuar ne gjuhen Italiane.

LUMENJ ENDRRASH”
Libër me poezi në italisht

Parathënia nga Lino Palanka

Zef Mulaj përballohet me “haikun” një lloj krijimi poetik në dukje i thjeshtë: tri vargje që ngjajnë si pa agresivitet dhe, të themi kështu, pa ambicie për të dhënë mesazhe “me peshë”. Diçka e lehtë, pak a shumë si shpresa e Pegysë që hidhet e përdridhet si adoleshente duke ia dhënë dorën fesë dhe dhëmshurisë, motrave të saj të mëdha, më solemne dhe hijerënda. Po askush, megjithatë s’e vë re që është ajo, shpresa, që do të përshkojë botët dhe do t’i shndërrojë. Energjia e vërtetë krijuese, rinia gjithnjë e rinovueshme.

Një forcë revolucionare si është formati i mesazhit të haiku-ve, bij të ndjeshmërisë aq të rafinuar sa edhe të lashtë që na vjen nga Lindja e Largët, me saktësi nga Japonia. Të udhëhequr nga dora dhe zemra e aftë, janë një dëshmi se nuk është shkruar asgjëkund që për t’u kuptuar është gjithnjë e domosdoshme të shpjegosh dhe të thërrmosh, të endesh në pafundësi brenda fjalëve dhe figurave, të shpikësh pa tjetër diçka të re: figura, lodra fjalësh, qasje të guximshme, gjithçka veç të jetë “e re”.

Përkundrazi, Mulaj arrin të na rrëfejë vetveten dhe botën e vet me përdorimin e kujdesshëm të thjeshtësisë që e kujtova në fillim: nën sytë e lexuesit rrjedhin pritjet e zemrës dhe spekulimet e mendjes, udhëtimet e fantazisë, dashuria dhe thika e ftohtë e ndjenjës së zhdukur, entuziazmi dhe zhgënjimi; domethënë, ngjarjet e përditshme e rrjedhjes sonë të jetës, të mbyllur siç jemi aq shpesh brenda nesh, me frikë nga e panjohura, të pasur me keqardhje, të plagosur nga bota, në kërkim të vazhdueshëm të mënyrës për ta pajtuar absurditetin e saj ( të botës) dhe dëshirën tonë të pamposhtur për ta kuptuar. Mbase edhe kjo është një iluzion.

Struktura e haikut dhe, në të vërtetë, edhe historia e tij, na bëjnë të mendojmë menjëherë për një vegël, të krijuar për të kapur magjepsjet e zemrës dhe të natyrës, heshtjeve të akullta nga të cilat dalin bukuria, shkëlqimi i fytyrës së dashur nën hënë:

“Po bëj gjithçka/ pse të dua: a s’e di ? / Hyrje e lirë.
E vërtetë, po s’mbaron këtu se më vonë ngjet që gjendesh brenda meditimesh të mprehta mbi rolin e poetit:
Lotì shpëton / e vjedh poeti i kujdesshëm / Dhimbje e luleve

dhe në fjalët e tij në errësirë që janë edhe historia e tij dhe brenda indinjatës kundër shkencës të shndërruar në motor dhune dhe masakre:
E pashë, a e di? / shkencën tënde të saktë /e drejtuar drejt masakrës
Përdorimi i piritit/ Shkatërrime në masë/ Ku do jetë paqja ?

Rrëmbim i dhimbshëm/ ankth i gjatë për shkatërrimin kriminal të shtëpisë së njerëzve që njerëzit shkatërrojnë çdo ditë:
Re dhe zjarr/ Ozon dhe oksigjen, për ne / Po azot …. karbon ????
Delir shiu/ I ngrohtë dhe acid /bie mbi dhe

A do të zgjidhim çdo gjë?
Përballë një skenari të tillë duhet një ndërgjegje qytetare për t’u rizbuluar dhe guximi për të zbritur në betejë për të rifituar ndjesinë e zbehur të asaj që është autentikisht njerëzore; para se tyë bëhet natë; para se të errësohet dielli. Për gjithnjë. Autori e ndjen trysninë e shtytjes së të pamëshirshmes, e lindur nga mungesa e solidaritetit universal, nga perandoria e egoizmave, nga vrapimet drejt majës së malit të parasë dhe të pushtetit:
Botë e tmerrshme/ Mizori e gjithësisë/ Dhimbje e luleve.

A ka ndonjë ilaç për këtë ? S’do të vijë nga ai që s’ka ndërgjegjen e detyrave; në goditjen e parë të shpatës frikacaku arratiset dhe zhytet në turpin e vet: duhet të gjejmë shpresë për ta ndezur dritën në errësirën që të lulëzojnë drurët e trëndafilave të lulëzojnë dhe ylberët të kurorëzojnë qiellin.

Dhe për të gjetur forcën për të vazhduar të luftojmë për një botë më të mirë dhe atë që është mbase më e madhe për të bashkëjetuar me hidhërime e brenga e ankthe që kanë ecur përherë krah për krah me ne drejt fatit tonë:
Ruhet dhimbja / E një kohe të kaluar/ Shih përpara.

Besoj se e kam për detyrë të mos shkëput penën nga fletët e Mulajt para se të kem vënë re një aspekt të këtyre haiku-ve që më duket se nuk është për t’u lënë padore. Domethënë mësimet e thithura nga autori në leximet e tij të shumta dhe të ripropozuara këtu me një përpikëri të pasur me hijeshi.

Jehona të Ungaretit dhe të Bodlerit (Shpirti i verës ….), jehona, e përsëris: dhe kujtimi i rënkimit të Kuazimondos:
Është gjithnjë njeriu / I kohës së përjetshme/ Tradhëton vëllanë.
Dhe gjithashtu, një interpretim të goditur të baladës së përjetshme të Prevertit mbi dashurinë:
Kjo dashuri/ E bukur si lule / Kaq e sigurt.
Mos lëviz/ Kemi harruar / Dashurinë e largët
Në pyllin/ e kujtesës së lashtë/ Shenjë jete.

Ka mënyra e mënyra për t’i thithur mësimet e poetëve të mëdhenj. Është mënyra intelektualist servile e atij që ecën në gjurmët e tyre dhe është mënyra e atij që si Mulaj merr të dhëna prej tyre për t’i shpalosur më vonë velat për udhëtimet që janë të tijat dhe të askujt tjetër.

E njoha Mulajn vetëm pak kohë më parë. Do të kem folur me të nj’a dy a tri herë. Po më ka mbetur gjithnjë i pranishëm në kujtesë. Do të thotë se është një njeri i aftë për të transmetuar mesazhe dhe emocione që kanë një kuptim dhe një forcë të tyre të vetën. Mendoj se nuk është pak.

Dergoi per publikim Gjin Musa, gazetar