PETRIT RUKA IKU, POR SHPIRTIN E LA MIDIS NESH

0
150
Kolec Traboini - Petrit Ruka

Kolec P. Traboini

Në mëngjesin e ditës së sotme, ndërroi jetë poeti dhe kolegu ynë i filmit Petrit Ruka (21 gusht 1954 – 6 korrik 2021). Shpesh themi se poetet nuk vdesin. Ose thjeshtë diku kanë ikur e nuk gjendën më në mes nesh. Themi kësisoj sepse ata kanë lënë fjalën e tyre, vargjet, shpirtin, brengat.

Por edhe gëzimet të cilat më së paku i njohin poetët në jetë, sepse janë nga ajo racë njerëzore që tundohet e pikëllohet për hallet e botës. Lënë pas një vlerë të paçmuar, testamentin e tyre poetik për brezat që vijnë, të cilët breza nuk do të mungojnë të thonë, ta duam atdheun siç e kanë dashur poetët.

Pushosh në Paqe miku e kolegu ynë poet! Të gjithë për në atë udhë jemi, por ti u nise para kohe.

(Në foto Petrit Ruka dhe K. P. Traboini, dalë në Boston, USA gjatë xhirimit të filmit dokumentar “Faik Konica”.)

K. P. Traboini
6 korrik 2021


PETRIT RUKA

BABA, NE IKËM

(shkruar kur nga fshati iku dhe i fundit…)

Baba, ne ikëm,… shtëpinë e braktisëm,
një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota,
dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
si kyç një palë lot vendosëm tek porta…
Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
në metropole që mblidhen si punë e iriqëve,
(e ke parasysh kur e vjelin një pemë
dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!…)
U ngjeshëm këtej ndër halle të reja,
e humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
gati gjithçka në dyqane luksoze,
dyqan – psikologu, të kallajis dhe zemrën…
Ne ikëm dhe varrin ta futëm në një video,
të dielën të takojmë në xhamin vizual,
me mend i vëmë lulet, dy lot, një cigare,
jetojmë me simbole,… në një botë me manual.
Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
tani gjithçka e mbajmë në një kuti,
kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
në xhamin e tij takon çdo njeri..
Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasmë,
puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent,
dhe nënën e qan nga mijëra kilometra
tek e fusin në varr, me video – konferencë.
Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
qëllova i dobët dhe mbytem në lot.
Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
një kohë arixhinjsh jeton sot bota,
ah, ik edhe thur kanistra pikëllimi…