Peticionet, fontanë dëshirash!

0
398
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 09.06.2020

Peticioni i LVV së me moton “Duam Zgjedhje”, do ta ketë fatin e peticioneve të mëparshme si; peticioni për Bashkimin e Mitrovicës, peticioni për Demarkacionin me Malin e Zi, peticioni i Elektoratit të bashkuar Rugovian në Kosovë dhe Diasporë për largimin e kryetarit auktual, Isa Mustafa, nga kreu i LDK-së i vitit 2015 apo peticioni tjetër për ‘Vjosa Osmanin kryetare të LDK-së dhe kryeministre të Kosovës’ e vitit 2019 e shumë peticione të tjera që përfunduan pa sukses dhe pa asnjë rezultat pozitiv.

Peticioni dhe protestat, rrugë e gabuar e LVV-së

Për të sqaruar efektin e peticioneve, po nisemi nga peticioni i fundit për Vjosa Osmanin. Kandidimi i zonjes Vjosa Osmani për mandatare të qeverisë nuk kishte ardhur si produkt i peticionit, por si kalkulim (i qëlluar) politik i liderit aktual për t’i shpëtuar ndëshkimit nga elektorati i dëshpruar rugovian.

Kërkesa e LVV-së për ‘Zgjedhje’, e shprehur përmes peticionit në aspektin legal është në rregull, sikurse që janë në rregull edhe nënshkrimet e aktivistëve të këtij subjekti politik.

Edhe pse dihet se efekti juridik i këtij peticioni do të jetë barazi me zero, LVV-ja këtë veprim të saj do ta përdorë në të ardhmen e afërt si alibi, që kërkesën për zgjedhje të parakohshme ta artikuloj edhe përmes protestave në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, e drejtë kjo e garantuar me ligj dhe kushtetutë.

Megjithatë, peticionet dhe protestat janë rrugë e gabuar për kthimin Vetëvendosjes në pushtet. Shëmbulli më i mirë i këtij konstatimi janë portestat masive të opozitës në Shqipëri, të cilat rezultuan të jenë të pamajftueshme për opozitën shqiptare, gjegjësisht të arritjes së qëllimit të saj politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

LVV-ja, betejën politike për krijimin e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme duhet ta bëjë në Kuvendin e Republikës së Kosovës në koordinim me partinë tjetër opozitare (PDK-në), duke e luajtur rolin e një opozite konstruktive si shumicë shqiptare në Kuvend.

Nismat ligjore, rruga e duhur për ndryshim

Nisma ligjore e LVV-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, përmes të cilit iu mundësohet bashkatdhetarëve që të votojnë në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës, duhet të pasohet me nismën tjetër ligjore për amanamentimin e një ligji të veçantë për zgjedhjen e presidentit drejetëpërdrejt nga populli, i cili do të pamundësonte futjen në pazar të postit të presidentit gjatë marrëveshjeve të ardhshme për koalicione mes subjekteve politike.

Ligji për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, do të bënte që muaji Maj i vitit të ardhshëm ta gjejë Kosovën me një president të ri të votuar nga populli, e jo të kontrabanduar si më parë nga partitë politike.

Plotësimi i vakumeve ligjore që ndodhen në Kushtetutë, duhet të jenë çështje me të cilat duhet të merren deputetet e LVV-së dhe ligjvënësit e kësaj legjislature në përgjithësi, në mënyrë që të mos na përseriten edhe në të ardhmën të njëjtat ngërçe dhe bllokada paszgjedhore, të cilat si gjithnjë po përfundojnë në konteste gjyqësore dhe çrregullime ligjore.

Kjo është rruga që duhet ta ndjekë LVV-ja dhe opozita kosovare, ndryshe pa ri-amandamentimin e Kushtetutës, peticioni për zgjedhje të parakohshme do të mbetet fontanë dëshirash, ndërsa protestat vetëm një ngushëllim për mosarritjen e qëllimit për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme.

Sikurse LVV-ja që nuk do të mund të kthehet asnjëherë në pushtet përmes peticioneve dhe protestave, edhe Vjosa Osmani nuk do të mund të bëhet asnjëherë kryetare e LDK-së përmes peticionit dhe thirrjeve nga rrjetet sociale.

Sikurse LVV-ja, që duhet t’i kthehet jetës parlamentare për të zhvilluar betejën politike për krijimin e shumicës parlamentare, për të përshpejtuar zgjedhjet nacionale, ashtu edhe Vjosa Osmani duhet t’i kthehet LDK-së duke u bërë pjesë aktive e saj, për të inicuar reformat dhe ndryshimet substanciale brenda partisë e assesi jashtë saj.

Pra, nismat për ndryshime duhet të mirren në vendin dhe kohën e duhur. Çdo nismë jashtë kohës së duhur dhe hapësirës së nevojshme vepruese do të rezultoj si e pasukseshme dhe e pa vlerë juridike.

Organizimi i peticioneve të shpeshta i humbë vlerën rendësisë së peticionit si instrument demokratik për shprehjen e dëshirave dhe pakënaqësive kolektive, duke i kthyer ato në nivele të sondazheve të studiove televizive, të cilat asnjëherë nuk janë barometër i saktë i vullnetit të qytetarëve të vendit, e për më tepër se kaq, nuk e kanë asnjë vlerë dhe peshë juridike.

Çdo çasje e gabuar vepruese e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, do të bëjnë që Hashim Thaçi të rizgjidhet përseri president i vendit dhe Isa Mustafa të mbetet përjetësisht kryetar i LDK-së.