Dea Halimi
Në ambientet e Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi” në Prizren me rastin e Ditës së Flamurit u mbajt promovomi i librit “Shkreptimë e Agimit” të autorit Nexhat Halimi. Rreth librit foli letrari dhe gazetari Skender Zogaj, duke cekur pika kyçe të librit të cilat autori i ka marr në shqyrtim. Ai theksoi se Prizreni me begatinë e tij të bujshme kulturore e historike duke e vënë në pah ngjarjen më të madhe historike “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” ka hyrë në çdo zemër dhe gjithherë është aktuale.
Ishte një mbrëmje e suksesshme ku referuan rreth librit dhe Kaltërina Meka, Dea Halimi, Kadri Skaja, Berat Bahtiu dhe botuesi Fatmire Duraku.
Kaltrina Meka thekson se: ““Shkreptimë e Agimit”, romani i Nexhat Halimit, i cili tek sa doli nga shtypi, merr në shqyrtim disa ngjarje, data e çaste të rëndësishme të kohës nëpër të cilat ecën njerëzit e fortë të Kryeqytetit tonë kulturor e historik, Prizrenit. Ngjarja fillon me Ymer Prizrenin, me Sofrën e tij të shtruar sot në fshatin e lindjes së tij – në Zgatar, e përfundon me vdekjen e të njëjtit në Ulqin të Malit të Zi. Ndërmjet futen ngjarje të rënda të aktivitetit të tij në krye të Lidhjes Shqiptare, me theks të veçantë Në njëqind vjetorin e ngjarjes më të madhe shqiptare të Lidhjes së Prizrenit.
Autori thekson se” isha këtu, i vetëdijshëm, se koha i merr njerëzit, por mbesin gjurmët e tyre, mbesin datat, mbesin çastet, ngjarjet, pikat e gjakut që do të shënojnë një pikë drite të popullit të robëruar atëherë nën Turqi. Autori tregon për përpjekjet e bëra, që të shkruante një fejton, por nga një kënd tjetër, jo ajo rrjedhë që e ka shkruar historia, veç në biseda me njerëzit që kishin afër njëqind vjet dhe mbanin mend ndonjë gjë nga kjo ngjarje tepër e madhe e popullit shqiptar.”
Ndërsa botuesi i librit foli rreth krijimtarisë së autorit duke cituar dy analist –Anila Xhekaliut dhe Mensur Raifit:
“Krijimtaria letrare e Nexhat Halimit shtrihet në shtatëdhejtë libra zhanresh të ndryshme. Për 50 e ca vjet krijimtari, ky autor botoi poezi, prozë tregimtare dhe prozë të gjatë si dhe drama për fëmijë dhe për të rritur.
Dramën e parë për fëmijë, të blerë dhe të botuar nga Qendra për Kulturë e Kosovës, e shkroi në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, ndërsa romanin e parë “Deri në kryq” e shkroi në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare dhe e botoi në vazhdime te “Flaka e vëllazërimit” e Shkupit. Dy vjet më vonë botoi dhe librin me tingëllima “Parakalimi i etjeve” te revista letrare “Jeta e re”.
Vazhdoi pastaj me një ritëm të caktuar të botojë libra në poezi, tregime dhe drama… kështu, deri te botimi i romanit “Vigma e fajkoit” , pastaj “E çara në zotin” – kushtuar Ulqinit në çastet dramatike të tërmetit të vitit 1979.
Për këtë roman, si dhe për “Vigmën e fajkoit” mori lëvdata të shënueshme nga lexuesi dhe nga kritika. Madje, në Shqipëri romani ‘Vigma e fajkoit” do të çmohet nga kritika si një prurje e veçantë në letërsinë shqipe.
Anila Xhekaliu, ndër të tjera thotë “ Nexhat Halimi është lërues i disa zhanreve letrare ku kullon pa pra gjak poeti. Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë 100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”.
Është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë…” thekson ajo.
Në këtë shkrim për këtë rast po e përmend edhe një vlerësimin të njërit ndër kritikët e shquar, Mensur Raifit, i cili, në shkrimin mbi poezinë e Nexhat Halimit, pos të tjerash thotë edhe këtë mendim: “…Vjershat e Nexhat Halimit janë margaritarë të vërtetë poezie – kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet, me strofa e rima të caktuara, të rregullta, si dhe krijimet në varg të lirë – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një – tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim.”
Ndërsa Berat Bahtiu foli për se si redaktori i Gazetës “Rilindja” Maksut Shehu, do të vendosë të përcaktojë Nexhat Halimin të shkruajë për ata që e nisën rrjedhën e “Agimit”, të cilën gjë ai do ta bëj me vullnet të veçantë: Me këtë rast, autori i librit, zhvilloi kohë më parë njëzetedy biseda me anëtarët e “Agimit” dhe do ta botojë Librin “Shkreptimë e Agimit” për t’i përkujtuar vuajtjet dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi Shoqëria Kulturore e Artistike e Prizrenit, për t’i dhënë vulë kohës së rëndë dhe tejet të guximshme dhe për ta krijuar rrugën e krijimit të zgjimit shpirtëror e kombëtar nga të ndjekurit e të persekutuart për një kohë kaq të gjatë.
Promovimi u hap me recitimi e tri poezive nga libri nga nxënësit e shkollës së mesme “Ymer Prizreni” u interpretuan disa pika muzikore të përcjella me piano nga Rrahmi Ymer.
Botimin e Librit e mundësoi Shoqëria kulturore-Artistike “Agimi”, ndërsa e botoi Shtëpia Botuese “Fad”, libri ka 130 faqe.