PËRURIM I LIBRIT ME POEZI “JEH MOTESH” TË POETES PROF. NAXHIJE DOÇI

0
603
Naxhije Doçi - Prend Buzhala

Naxhije Doçi & Prend Buzhala – Prishtinë

Në Takimin Letrar “ESAT MEKULI”, mbajtur nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës (LSHK), më 17. 12. 2019, në Biblioteka Kombëtare “PJETËR BOGDANI”-Prishtinë edhe PËRURIMI i librit tim me poezi “JEH MOTESH” të poetes -Naxhije Doçi.

Recensues për vlerësim të librit në fjalë, Prof. Prend Buzhala.
– Nderim dhe falënderim LSHK-së për Përurimin e librit “JEH MOTESH”!
– Nderim dhe falënderim për recencuasin Z. Prend Buzhala për referim-vlerësimin më përkushtim të librit “JEH MOTESH”! – Prof. Naxhije Doçi – Prishtinë – 17. 12. 2019.

Prof. Prend BUZHALA

RECENSION

VËLLIM POETIK “JEH MOTESH” I POETES NAXHIJE DOÇI
– KOSOVA DHE DËSHMORËT KRYEFJALË POETIKE –

Poetja Naxhije Doçi nuk mund t’i përfytyrojë vargjet e saj pa Kosovën, pa atdheun. Kosova është këngë mbi këngët. Dhe, sado e lashtë qoftë kënga për tokën mëmë, për mëmësinë e atdhesinë, kjo ndjenjë atdhedashurie mbetet gjithmonë e re, kurrë e shteruar, gjithmonë duke dhuruar burime të reja frymëzimi. Duke e lexuar librin poetik “Jeh motesh”, të poetes, Naxhije Doçi, lexuesit i duket sikur gjendet nëpër shekujt e tragjedive dhe luftërave për liri, me një Kosovë që na vjen përmes pamjeve si nuse shekujsh:

Nuse shekujsh Kosovë
me shpresa gufimi në përqafim të agut
stinë për stinë.
Në kujtim kohësh me hove zgjimi
mbi ty histori e thinjur
në krah baladash përthekuar
përherë me gjak trimërie madhështuar.

Kosova këndohet nëpër gjithë librin poetik, nëpër të gjithë ciklet: “Dritë mbi stuhitë” (lufta për liri, Kosova, atdhesia), “Plisbardhët e tokës sime perlë” (shenjat etnike të identitetit etnik), “Etje vargu për vende e kënde” (natyra, hapësirat etnike, lashtësia, qytetet me emblemë lashtësie e bukurie), “Ndjenjësi me dehje muze”(përqasjet poetike për frymëzimin, zgjimin, të bukurën).

Naxhije Doçi - Jeh motesh

Romantika e amshueshme e atdhesisë

Dhe kënga për Kosovën, për njerëzit e saj që u flijuan për të, nuk pushon asnjëherë. Ndër leksemat lirike, që lakohen nëpër vargje, Kosova është kryefjalë poetike. Të duket sikur atdheu i mirëfilltë i poetes, janë vargjet e strukja në to, vargjet janë një vend ku ajo merr frymë e jeton:

Harkut të praruar ylberor
rrëzëllon vargu për Kosovën
që i jep kuptimësi jetës.

Poetja nuk bën pa Kosovën. Pa vargun për të. Së këndejmi, vetëdija dhe bota ndjenjore e poezisë së Naxhije Doçit, vjen me përkushtime të reja poetike, vjen gjithnjë në frymën e kohës që e jetojmë dhe që e përjetojmë, nga njëra anë, si dhe të botës së ideve e të larushisë së frymëzimit atdhetar lirik, të shenjtërisë së dashurisë ndaj atdheut, nga ana tjetër.
Vargu vjen i drejtpërdrejtë, si retorikë e thënies, si një romantikë e patosit lirik. Është ajo një romantikë e përhershme, e amshueshme,që jeton e gjallon gjithmonë në qenien e njeriut e në vetëdijen njerëzore.

Dhe nëse ka një ndërtim të konceptit të lirisë e të qenies ekzistenciale shqiptare, ai ndërtim a strukturim na është i ndërliqshëm aq sa e ruan thjeshtësinë e mahnitshme të komunikimit me lexuesin; dhe nëse ka një mbushullim të hapësirave lirike të kësaj poezie, atëherë ai na është ideali lartësues i lirisë, të sakrificës e flijimit suprem për lirinë, të aktit heroik të sakrifikimit për atdheun; është një mbushullim metaforik përtej një koncepti të ngushtë kundruall zhdukjes a robërisë, shuarjes a sfidave të tjera të gjallimit. E tash, në Kohën Tonë, Atdheu është kudo që ai lulëzon dhe kujton me nderim të kaluarën. Atdheu na ishte sinonim i mbijetesës, i heroizmit.

Yllësi vezullimi
mbi nënqiellin e dashurisë
je ti Pavarësi e bekuar e Kosovës
reflektimit kumbues
me ngjyresë shpirti.

Poetja ndërton pallatin e saj të kujtesës, sepse e vetmja kujtesë që meriton një monument të tillë, është atdheu me shenjat e tij etnike: plisin, flamurin, këngën, trojet, emrat emblematikë. Te kjo emblemë shënjuese, atdheu ka “dy krahë”, Shqipëri e Kosovë. Këtë perceptim e poetizon përmes një evokimi të bukur e trishtues te poezia “Shqiponjë me fletë” (Artistes-Tinka Kurti):

Në rrjedha ndalimi ishte takimi,
në të dy krahët
Kosovë e Shqipëri
enigma tis trishtimi nga liria e vrarë.

Nuk mund të heqim dorë nga këto shenja, sepse atëherë nuk jemi vetvetja. Pikërisht për arsyen pse njeriu, si individ, nuk i mjafton vetvetja, ai e realizon qenien e tij në bashkësinë e tij etnike a nacionale, atdhetare a mëmësore, si proces integrues brenda-etnik a brenda shqiptar, me vlera universale brenda-njerëzore.

Nuk është e habitshme, prandaj, pse kjo ndjenjë na është kaq e fortë që nga “Historia e Skënderbeut” e Barletit… si kujtesë e gjallë e ruajtur ndër shekuj, në memorien shqiptare e në shkrimin shqip të kësaj ndjesie sublime.

Në të gjithë librat e saj, poetja Naxhije Doçi shkruan për Vendlindjen, Kosovën, Atdheun. Prandaj, Lexuesi, së bashku me Poeten, ecin nëpër rrëfimet e shpirtit për njerëzit e sakrificës, sepse, që të dytë janë ata gjykatësit e pagabueshëm që dinë të vlerësojnë drejt, dhe armë për gjykim e kanë edhe këngën dhe edhe fjalën e bukur artistike. Lumturi mbitë gjitha lumturitë, është liria e Kosovës.

Kosovë e flakërimit krahështrirë,
Dardani e bekuar
në mijëvjeçarin e tretë rrëzëllues

Te vargjet e saj populli është i guximshëm e krenar, por që ka kaluar nëpër kalvarin e pafund të vuajtjeve të pandërprera. Edhe kur janë larg atdheut, njerëzit bëjnë gjëra të mëdha për të; dhe nuk janë të pakta rastet, që, kur vjen çasti i duhur, ai kthehet aty për të luftuar për të, për ta dhënë edhe jetën për të.

“Fuqia jonë qëndron në dashurinë tonë për atdheun tonë”, thot Terry Tempest Williams, një autore e aktiviste amerikane.
Ky është ai virtyti i nderimit për vlerat sublime, është ajo ndjesia e admirueshme për ta nderuar vendin që quhet Kosovë.

Aureola lirike e përkushtimeve
poetike për dëshmorët

Ndryshe, ky vëllim vjen edhe me kujtesën lirike për dëshmorët, me një vizion lirik përkushtues, e ku profili i tyre përvijëzohet nga gjurmët që lanë. Është ai mesazhi domethënës për vetëflijim njerëzor për lirinë. Dëshmorët kanë armë të tyre mbrojtëse guximin, vendosmërinë, shpirtin e tyre luftarak, zemrën e tyre liridashëse. Kanë pathyeshmërinë e tyre për të arritur te fundshekulli njëzet, si finale mijëravjeçare e kësaj rendjeje:

shekullin njëzet të ankthit
mbi Kosovën me bedena sublime guri,
dritë për të sjellë mbi errësirë,
lirinë e shumëpritur
me valëvitje të buzëqeshur flamuri.

Kjo maratonë flijimesh e krye-emrash, nis me poezinë kushtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, vazhdon te brezi i gjyshit luftëtar lirie, deri te koha jonë me emrin emblematik të Bacë Adem Demaçit, me poezitë përkushtuese për dëshmorët Tahir Sinani, Fadil Nimani, Ismet Jashari Kumanova. Selim Berisha. Te kjo aureolë përkushtimore vijnë edhe poezitëkushtuar artistes Margarita Xhepa, poetit Ragip Syla etj. Dëshmorët e të rënët janë ata që vihen në plan të parë, më shumë se sa vetë ngjarjet e asaj kohe. Në skenën e historisë lëvizin gjakimet për liri, lëviz shpirti i pathyeshëm me vizione të reja kohore. Ky vizion sublimohet jo vetëm te Pavarësia e Kosovës, por edhe te formimi i Ushtrisë së Kosovës:

Toka ime e shenjtë në shteg dielli
Kosovë
në dhjetorin mrekullues 2018
madhështi dhe krenari për ne
urim i bekuar
formimi i USHTRISË SË RE!

Nuk është e habitshme, prandaj, përse pas luftës, shumica e librave poetikë, janë Lirikë e Luftës. Në sfondin e tyre të përgjithshëm poetik bashkëjetojnë ende jehonat e gjëmimet e shpirtit dhe shenjat e rezistencës anteike. Holokausti, eksodet biblike, martirizimet. Zemërimet e poetëve për ta gjykuar barbarinë, janë të pafundme.

Ndërsa poezia na vjen si dëshmi e gjurmë shpirti, e përbiruar nëpër vuajtje e vdekje, nëpër rrënime e tmerre, nëpër gjakimet poetike të shpirtit e nëpër shkretëtirat e mundimeve kolektive. E, mbi të gjitha, poezia dëshiron ta shquajë edhe një dëshmi tjetër: dëshminë e mbijetesës, dëshminë e kikave të etnisë. Poetja Naxhije Doçi parapëlqen metaforat eepitetizimet që ngërthejnë fjalën dritë, rrëzëllim, diell, ndritje, rreze:

Erdhe si lulja e prillit
me urtinë e ndritur në harkim urash,
si rrezja e diellit në zenit
dritë për të bërë.

Ndryshe, imazhi që vjen në dehjen e lirisë, as nuk mund të përfytyrohet pa këso aureola dritësimesh, koha e rezistencës dhe ajo e luftës do të kuptohen e semantizohen në thelbin e tyre tragjik e dramatik, aty ku e arrijnë kulmin e ballafaqimit e të kundërshtimit E mira dhe E keqja, Njeriu dhe Jonjeriu, Liria dhe Robëria.

Poetika orfeike e muzës

Te cikli i fundit poetja i shpalon ndjesitë e reflektimet e saj lirike mbi muzën.

Tashmë Muza e Kujtesës së Luftës së Trishtë dhe Historisë, Mnemosina, ia lë vendin perëndeshave tjera të frymëzimeve (cikli “Ndjenjësi me dehje muze”). Këto vargje përshkohen, si në gjithë librin, nga fryma orfeike, nga një anabazë (rimëkëmbjeje, ndryshimi) që afirmon pandërprerë humbjet e djeshme dhe fitoret e të sotmes.

Poetja nuk ndien nevojë që të jepet pas performancave stilistike-gjuhësore të paradigmave krijuese. Nuk jepet as pas kërkimeve të dimensioneve të tjera të lirizmit. Te lirizmi i saj troket ajo FJALË e ripërtëritur, e ringjallur, e cila e ngërthen vetëdijen e ligjërimit, e cila di si të flasë, di si duhet vënë kontaktin me realitetin, me botën përreth.

Poetët anglezë e përfytyronin muzën e tillë si një perëndeshë e bardhë, Naimi e përfytyronte si engjëll që këndon mirësinë, De Rada, si pëllumb të Anakreontit, Fishta si zanë dhe orë shqiptare. Lasgush Poradeci e përfytyronte si Zog i Qiejve.

Kurse poetja Naxhije Doçi e ka muzën e saj në çastet e netëve të pagjumë. E kur kjo muzë realizohet nëpër këndime lirike, ajo është e ngazëlluar mu si qenia e poetes:

Kur nuk ka gjumë të qetë
nga fajësitë e montimeve të stisura
muret shushurisin tepër zhurmshëm,
nata përqafon heshtjen…
Thellë në brëndi
flakëron guxim i gufuar
në hulumtim hapësirash të ndezura
me përshtypje kohësh.

Secili poet ka muzën e tij dhe përfytyrimin personal për të. Është fytyra e muzave që, si imazh, jeton në kujtesën e në botën e brendshme të krijuesve. Është ndjesia e zjarrtë, një gjakim a një dëshirë si qenie e lartësuar. Qenia e lartësuar është e denjë të jetë në mbretërinë e përndritur të muzave. Muza është rruga a shtegu për të depërtuar te thellësitë e botës së brendshme. Është përvoja e papërsëritshme e secilit krijues, kur hyn në atë shteg drite, a në thellësitë e psikës etë shpirtit. Ai ÇASTI kur ti je në kontakt me muzën, është diçka që “fluturon” a shkëputet nga ti, është pasqyra e shpirtit tënd. Carl Jung e quan “anima”. Është Çasti kur ti shikon diçka tmerrësisht të bukur dhe të dashur si heshtje e frikshme.

Po Fjala?
Fjala është “Në stolisje fjalësh të strallta/ me urata biblike për diellin.”
E, atëherë, cila gjuhë mund t’i zërë ato çaste?
Është gjuha e vërtetë poetike, thonë poeticienët, pjesa më e mirë që poetët shkëpusin nga vetja.

Me të i radhis në letër
përpjekjet e viteve që shkuan
në rrjedha përkushtimi,
qëndis lirshëm melodi vargu
të mos mbesin në hije hirësitë sublime
me peshë purpuri në histori
për dheun tim të dëlirë
me lashtësi të dëshmuar në shtresime.

Sa e papërmbajtshme është poetja, Naxhije Doçi për t’u takuar sa më parë me këtë mbretëri drite e gjuhe! Shpirti gjen imazhin e vet te kjo muzë, te kjo dritë, te kjo gjuhë arti! Tashmë muza më nuk ka imazh as pamje, por vetëm një vagull drite, një shajni. Muza lozonjarte ik në drejtim të panjohur. Sinonime të muzës janë motivet për dashurinë, rininë, të bukurën, te një varg lirikash që përfshihen te ky cikël. Poetja kthehet në gjuhën e saj, në gjuhën që dallon nga e përditshmja. Është një tjetër realitet e që quhet realitet artistik. Jeton me një botë ndryshe nga ajo e përditshmja. Muzat të kanë joshur, të kanë futur andej, e ti assesi të dalësh i kthjellët prej saj.

Prof. Prend BuzhalaKorrik 2019