Përtej njerëzores

0
522
Pajtim Xhelo

Pajtim Xhelo

Tregim

Në të djathtë të xhamisë rruga vijonte nën një ndriçim të zbehtë. Nja dyqind metra më tej ishte kryqëzimi. Edhe pse ishin ditët e para të janarit, moti i ngrohtë kish zgjatur orët e shëtitjes për njerëzit që nuk udhëtonin me makina dhe për ata që donin të shmpinin këmbët ngaqë kishin ndenjur gjatë ulur në ndenjëset e zyrës, apo në divanët e shtëpisë , duke parë filmat serialë në kanalet televizive. Te kthesa e kryqëzimit të rrugëve trotuari ishte aq i ngushtë, sa Nermini u detyrua të zbriste në rrugën e makinave për pak metra. Edhe pse mjekët dhe familiarët nuk i kishin treguar që jeta e saj ishte në fijet e fundit, gruaja e kish ndier këtë brenda vetes, po edhe nga mënyra se si silleshin i shoqi dhe fëmijët, sidomos vajza e vogël, e cila nuk arrinte dot ta largonte nga sytë trishtimin dhe dhëmbjen për ikjen pas pak ditësh të njeriut të saj më të shtrenjtë.

Ajo nuk mungonte kurrë në shkollë, po prej dy ditësh kthehej në shtëpi herët, duke gënjyer se mungonin mësuesit për shkak të gripit që kish rënë. Nermini e kuptonte fare mirë që vajza e gënjente, po , në fund të fundit edhe i vinte mirë që po rrinte më shumë afër saj para se të nisej në atë rrugën ku shkojnë të gjithë pas ndarjes nga kjo jetë. Edhe sot, kur do dilte, vajza i ish lutur ta merrte me vete, po i ati e kish ndaluar. ” Do shkojmë nga gjyshja, se të ka kërkuar.Nuk e dimë edhe sa do ta kemi akoma, pleqëri është. Më tha në telefon që të të çoja sonte..” Vajza nuk e kish bërë dy fjalën e të atit, kështuqë Nermini nuk kish këmbëngulur. Në të vërtetë, thellë në shpirt sepse donte të shëtiste vetëm me mendimet , të cilat edhe mund të ishin të fundit…

Ajo që pritej mund të vinte nga çasti në çast, po gruaja nuk kish më frikë nga ikja. I vinte keq vetëm që nuk u bë dot gjyshe. Vajzën e madhe sa e kish martuar dhe para një jave mori vesh që ishte shtatzanë. Ato çate Nermini harroi gjithçka, lejoi gëzimin të hynte pa trokitur në shpirtin e saj, që prej një viti ndihej bosh dhe i ftohtë, si një dimër që nuk do mbaronte kurrë. Atë mbrëmje i ish lutur Zotit që ta linte këtu sa të shihte nipin apo mbesën, që të ikte nga kjo botë e plotësuar me të gjitha fijet që e lidhin njeriun me jetën. Si të gjithë, Nermini kish përjetuar fëmijërinë e pafajëshme, pastaj pat shijuar rininë, aq sa mundej, ish dashuruar, qe martuar, ish bërë nënë, vjehrë… Priste të merrte edhe kënaqësinë e fundit që të ka borxh jeta, të bëhej gjyshe. Mesaduket këtë kënaqësi nuk do ta merrte dot. Këtë po mendonte kur zbiti nga trotuari dhe psherëtiu jo pa dhëmbje.

Veç nuk arriti të merrte frymën e fundit që kish nxjerrë me psherëtimën. Një makinë e përplasi me parakolp dhe u largua me shpejtësi për andej nga dalja e qytetit.

Gruaja mbeti e shtrirë në shpinë. Nga koka po i rridhte gjak pandërprerje. U afruan njerëz,që u përpoqën ta ndihmonin. U ndodh aty edhe një mjek që i vuri gishtat te aorta e qafës dhe tha me një fije zëri:
– Është e kotë, ka mbaruar.
Erdhi ambulanca, policia rrugore dhe policia e krimeve. Pyetën qytetarët që ishin ndodhur aty. Askush nuk e kish parë makinën, askush nuk dha ndihmesë për të bërë me dije targën apo tipin e saj.
Asgjë, asgjë, asgjë. U lajmërua që të kontrolloheshin të gjitha makinat në të dy drejtimet e mundura, nga do të qe larguar ai që shkaktoi aksidentin. Edhe nga kontrolli asnjë përfundim.Qyteti nuk ishte edhe shumë i madh, po jo edhe i vogël, që të mos humbnin gjurmët…Të paktën përkohësisht.

# #
#

Të nesërmen para dite agjenti i policisë kriminale, duke i kërkuar të falur që po e shqetësonin në një moment të tillë dhimbjeje, mori në pyetje të shoqin e Nerminit.
– E morëm vesh nga spitali që ishte me kancer. Kish dijeni që po kalonte orët e fundit të jetës?
Arianiti nuk u përgjigj menjëherë. Agjenti nuk vuri re në fytyrën e tij asnjë gjë që të shprehte dhëmbjen e kësaj ikjeje të papritur dhe të habitëshme; as hutim, as acarim, as padurim. ” Mbase ka tipin kështu – mendoi ai në krye të herës- Ka plot njerëz që kyçin vetveten.” Araniti lëvizte vetëm gishtat e duarve me nervozizëm dhe u përgjigj pa e shikuar tjetrin në sy ? – Nuk jam i sigurt, po nga ne familiarët nuk mori vesh asgjë- Heshti një hop, pastaj shtoi – Edhe nga mjekët nuk iu tha gjë.
Agjenti i policisë vuri re gishtat e tij që nuk po i bindeshin, diçka nuk po i pëlqente nga qetësia e tij, të cilën këto gishta po e tradhëtonin, po sërish mendoi që ka edhe njerëz që mbartin zakone të çuditëshme që nga fëmijëria. E pyeti sërish :
-Vure re sjellje të ndryshuar tek ajo para se të dilte nga shtëpia?
Arianiti rrudhi buzët dhe tundi kryet në shenjë mohimi. I tregoi shkurt që ai kish shkuar te e ëma bashkë me vajzën e vogël, e cila iu lut të ëmës që ta merrte me vete.
– Nermini, më falni, e ndjera nuk donte ta merrte?
Pyetja e agjentit të policisë Arianitit iu duk ca e çuditëshme, Vetëm atë çast ai ngriti kokën dhe e shikoi në sy. Pse donte ta dinte këtë hollësi ky? Sidoqoftë, iu përgjigj. – Si jo, do ta kishte marrë, po ime më që është e sëmurë, më kërkoi që t’i çoja vajzën dhe unë nuk e lash të shkonte me t’ëmëm.
Araniti bëri një shenjë me dorë, sikur të donte të thosh : ” Pleqëri, kjo moshë ka edhe fiksime! ”
– Më për hajër që nuk e lash, se tani do kisha dy humbje dhe nuk e di nëse do t’i përballoja dot – shtoi.
Në të vërtetë agjenti u bë gati t’i thosh që ai njerën humbje po e përballonte mirë, po e ndryshoi mendimin.Ai nuk para u besonte të papriturave, po kish raste, si ky i kësaj familjeje që të shtynte të mendoje, se një dorë e padukëshme shpëton nga fatkeqësia jetë njerëzore. Ja, nëna e Arianitit shpëtoi të mbesën, që mund të kish përfunduar si e ëma. Të ishte kjo një rastësi? Ai e ndërpreu hamendësimin dhe e pyeti për herë të fundit:
– Domethënë ti je i sigurt që ajo nuk pati asnjë ndryshim në sjelljen e saj para se të dilte?
– Të paktën kështu m’u duk mua – u përgjigj tjetri
Agjenti i zgjati dorën dhe e ngushëlloi :
– Mund të largoheni – i tha – Edi që zakoni kërkon që të prisni vizitat në shtëpi. Të më falni që ju hëngra kohën.
Arianiti u largua pa thënë asnjë fjalë.
Kur mbeti vetëm në zyrën e tij, agjenti , edhe pse u përpoq t’u shmangej dyshimeve, nuk e largonte dot nga mendja shprehjen pa asnjë ndiesi të fytyrës së bashkëshortit të viktimës. Disa herë pyeti veten : ” Pse e fshihte ai shikimin? Mos e kish zakon që i mbante sytë ulur edhe në jetën e përditëshme? Kish njohur edhe njerëz të tillë, po ishin të rrallë dhe përgjithësisht qenë me shpirt të keq. Edhe në kriminalistikë njihej ky fenomen, po edhe në popull thuhej rëndom : ” Syulurit fshehin mendimin dhe qëllimin e keq! ” Natyrisht, kjo muk ishte bestytni, ishte përfundim përvoje dhe studimi shkencor. Rëndom përfundimet shkencore, edhe në kriminalistikë përputhen edhe me shprehjet filozofike të popullit, të cilave nuk mund t’u bësh dot kundërshti, sepse në shumicën e rasteve, për të mos thënë gjithnjë, janë aksioma.U ngrit, trokiti në zyrën e shefit të tij, të cilit ia shaqi dyshimet.
– Duhet të vërtetoni dy gjëra- e këshilloi shefi – Mardhëniet e tij me viktimën dhe atë që mua më shqetëson, faktin që ai ka ngulur këmbë që vajza të mos shkonte me të ëmën. Shko edhe në përcjelljen e të ndierës, vëzhgo sjelljen e tij.
Në atë çast hyri një nga agjentët e tjerë.
– Varrimi u anullua, sepse mjeku që e kish në ndjekje nguli këmbë që të bëhej autopsia e viktimës – sqaroi ai dhe u largua.Agjenti mendoi se i shtohej koha për të vëzhguar sjelljen e familjarëve të gruas që kish humbur jetën në rrethana të çuditëshme dhe nxitoi të përfitonte nga kjo.
Së pari takoi mikeshën e viktimës, një grua fjalëpak që në krye të herës nuk pranoi të fliste, madje nuk donte ta priste as në shtëpi.
– Dyshoj se nuk është aksidentale vrasja e Nerminit- e sqaroi agjenti. Kjo bëri që gruaja të ndërronte mendim, e ftoi në sallonin e pritjes dhe pa e lënë akoma të ulej, e pyeti e merakosur :
– Ju keni dyshim për një vrasje të paramenduar?
Tjetri pohoi me kokë.
– Ju ishit shoqe të ngushta?
– Që nga fëmijëria.. Ajo më kish nbetur. Nuk u martova,sepse u shërbeva prindërve, që cilët ishin të sëmurë dhe ikën të dy njeri pas tjetrit.
Gruaja, Marika e quanin, u përlot.
– Më falni – i tha, po lotët nuk i fshiu. Kuptohej që vetëm një dhëmbje e një humbjeje të madhe mund të shkaktonte lotë të tillë. Marika u përpoq ta mblidhte veten, po rrëzoi kryet mbi gjoks dhe ia shkrepi të qarit me ngashërim. Tjetri priti derisa t’i kalonte dallga e dhëmbjes, pastaj i zgjati një facoletë për të fshirë lotëët , duke u munduar ta qetësonte.
– Të gjithë kemi humbur njerëzit e shtrenjtë. Nuk kemi patur forcë që t’ia rrëmbenim vdekjes. Pastaj, mesa mora vesh , Nermini i kish orët të numëruara. E dinit këtë?
– Po, ma tha para sy ditësh. Kjo është e padrejtë. Pse duhet të ikin herët njerëzit si ajo? Njerëz të tillë nuk gjen rëndom në këtë botë të trazuar. .
– Këtë nuk e kemi ne në dorë.Edhe pse shkenca po punon dhe po bëhen shpenzime marramendëse në luftën kundër sëmundjeve vrastare në moshat e reja, zor se do të ketë rezultate të shpejta. do të duhet kohë, si për çdo gjë të vështirë.
Agjenti e pa me vrejtje dhe iu duk e qetësuar disi.
– Si kalonte me të shoqin?- e pyeti ai dikur.
– Araniti është shpirt njeriu – u përgjigj ajo menjëherë.- Nuk kish ngritur një herë zërin.Në këtë drejtim mikja ime ishte me fat.
– Je e sigurt, nuk i kishe parë të grindeshin?
Marika u ngrit në këmbë.
– Të më falni, nuk bëra detyrën e shenjtë të shqiptarit – i tha- mikpritjen. Doni të pini diçka, apo të bëj një kafe?
Ai kundërshtoi :
– Mos u ndieni në siklet, e kam pirë kafen, alkoolin nuk e përdor, aq më tepër në kohën e punës. Ju pyeta nëse ishin grindur ndonjëherë. Të gjithë kemi kundërshti në familje, ndonjëherë edhe për gjëra të rëndomta. Shpesh padrejtësive të jetës u përgjigjemi vetën në shoqëri të ngushtë, ose në familje. Do të flas në gjuhën tonë, e bëjmë familjen tabelë qitjeje apo silenciator të zemërimit.
– Ju kuptova – ia ktheu Marika- Unë isha si e shtëpisë në atë familje dhe nuk kam rastisur kurrë të dëgjoj zë të ngritur nga Arianiti. Ai e trajtonte Nerminin si princeshë. Edhe fëmijët i ngjajnë atij.
Agjenti këmbënguli:
– Këto kohë nuk të ka shfaqur ndonjë pakënaqësi, nuk të është ankuar për asgjë?
– Kurrë. Dje më tha që do t’i mbetej peng që nuk do provonte gëzimin e gjyshes, sepse e bija pret një fëmijë. Kaq. Ishte e kënaqur nga jeta. m’a tha këtë pa u përlotur.
Agjenti u ngrit për t’u larguar.
– Faleminderit për gjithçka dhe të më falni që ju mora kohën , po e kisha të domosdoshëm mendimin tuaj .
Marika mbylli derën pas tij, u ul në divan dhe ia plasi të qarit me dënesë..
Aty nga ora dhjetë e mori në telefon vajza e madhe e Nerminit për t’i thënë që varrimi nuk qe lejuar për sot, se do të bëhej autopsia. Përse duhej autopsia? Marika u shqetësua, po nuk i tha gjë vajzës.
– Më jep pak tët atë në telefon .
– Nuk është, ka shkuar në spital, se duhej firma e tij.
E mbylli celularin dhe po vriste mëndjen të bënte lidhjen e dyshimeve për të cilat i kish folur agjenti i policisë kriminale, me këtë vendim të papritur për autopsinë.
Mëkot po e shpenzonte kohën për diçka që nuk do të nxirrte asnjë përfundim…Një çast mulliri i saj kish mbetur pa ujë dhe nuk po bluante. U ngrit, u vesh me rrobat e zeza që i kish bërë gati që mbrëmjen e shkuar dhe nxitoi për te shtëpia e Nerminit. Edhe atje nuk mësoi gjë.
– Kur të vi Arianiti do na thotë si është puna – i tha e kunata e Nerminit
– Ai ka fikur edhe celularin.
Po u deshën të kalonin disa orë që Araniti të kthehej në shtëpi. Lajmi që solli i tronditi të gjithë. Kishin kërkuar që veshkat e Nerminit të përdoreshin për transplant te një vajzë e re në spitalin Amerikan në Tiranë.
Edhe kjo duhej, nuk mjaftonte ikja tragjike e gruas së gjorë, po ja tani donin ta çonin në atëbotë të sakatuar.
– Po ti si vendose?- e pyeti e motra.
Araniti u lëshua rëndë në kolltuk, psherëtiu thellë dhe gjatë, pastaj tha :
– Kishin ardhur prindërit dhe vëllai i asaj vajzës. Ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeçe dhe afati i fundit për ta shpëtuar është dita e nesërme deri në orën njëmbëdhjetë.
Asnjë nuk foli. Në atë shtëpi, ku vdekja qe ulur këmbëkryq si mysafire e paftuar heshtja kish shpërfillur vdekjen dhe kish kthyer shikimin nga jeta tjetër, që edhe atë po e lakmonte vdekja.
Ata njerëz çasti i kish vënë para një prove të vështirë: Të vajtonin humbjen e të dashurës së tyre brenda atyre katër mureve, apo të pranonin në zemër edhe një dhëmbje tjetër, për ikjen e një vajze, që sa kish nisur studimet e larta për mjekësi?

Halla e Nerminit nisi të qante me ligje, ashtu si dinin andej nga anët e Labërisë. Të tjerët mbajtën vesh të përlotur :

– Moj e shkretë jetime pa fat,
As të vdekur s’të lanë rehat,
Nuk the një fjalë kur të vranë,
Ku ishin nëna me babanë?
As motër s’ke të veshi të zeza,
As të mbajë arkivolin një vëlla,
Dy koce të bukura si vesa,
Edhe burrit u bëre hata.

Vajza e madhe iu afrua, e rroku përqafe për ta pushuar, po halla kish vendosur t’i bindej shpirtit q i dhëmbte dhe e çoi vajin deri në fund. Ajo qante bukur dhe nuk kish asnjë burrë, sado i fortë të hiqej, që të mos futej në vallen e ligjeve të saj, që kërkonin burim për lotë kristal. Në Labëri thoshin : Kur vajton ajo hesht dhe stuhia, pushon edhe shiu, zbresin e dëgjojnë edhe hëna me yjet.
Motra e Arianitit fshiu lotët nga sytë dhe kur halla e Nerminit pushoi ligjet e vajit, pyeti:
– Po ti si vendose, do ndihmohet vajza e re?
I vëllai heshti përmes lotëve që zbrisnin rrëke nga sytë.. Edhe të tjerët nuk guxuan të flisnin. Për një çast të vetëm ata shikuan njeritjetrin . Marika, si ta kish kuptuar mëdyshjen e Arianitit, i bëri shenjë me kokë vajzës së madhe. Në fytyrën e saj nuk pa kundërshti. Ajo iu drejtua hallës :
– Nerminin tonë nuk na i sjell dot njeri në këtë jetë. Asaj rruge nuk është kthyer më njeri. Meqë bëhet fjalë për të shpëtuar një jetë tjetër, them se edhe Nermini po të kish mundësi të fliste, do ishte gati ta shpëtonte vajzën e re. Atë nuk mundëm ta shpëtonim, nuk e mbrojtëm dot nga ajo që ndodhi, po këtë tjetrën e kemi ne në dorë të mos ia lemë vdekjes. Nermini ishte njeriu me shpirtin më të mirë në botë. Edhe me vdekjen e saj ajo do t’i japi shpresë jetës.. Them se nesër tek ajo vajzë do shohim në një farë mënyre Nerminin tonë duke rijetuar.
– Këtë e vendos vetm Arianiti – ia ktheu halla- Ne të tjerët mund të japim vetëm mendim. Madje, edhe vajzat nuk mund të dalin para tij.
Ajo i hodhi një vështrim të shpejtë vajzës së madhe.
– Po – tha ajo- Halla ka të drejtë.. Ne do jemi dakord me vendimin e babit.
Arianiti mori frymë i lehtësuar. Deri atë çast ai e kish ndier veten si një fajtor përpara një trupi gjykues që pret t’i japi pafajësinë, apo ta dënojë me jetëburg. Rrotulloi sytë mbi fytyrat e të gjithëve dhe kur u bind se të gjithë ishin dakord me mendimin e Marikës, tha :
– Unë e dhash miratimin tim pa pyetur asnjë nga ju, se puna nuk priste. Mendova atë që sapo tha Marika. Nëse Nerminin nuk e ktheja dot këtu mes nesh, le të shpëtoja një tjetër jetë. Shpirti i saj do jetë edhe te ajo vajzë.
Vajza e madhe e përqafoi të atin, pastaj afroi pranë të motrën dhe i tha :
– Tani do kemi edhe një motër tjetër. Ti baba nuk mund të veproje ndryshe. Ndihem krenare për ty.
Varrimi u bë të nesërmen, një varrim madhështor, sepse të dy edhe Nermini, edhe Arianiti ishin nga fise qytetare të njohura., plus që ajo e ndjera pat qenë golëmbël me të gjithë, Vonë, kur kishin mbetur vetëm familiarët dhe nuk priteshin vizita sipas zakonit , trokiti dera dhe Marika që e hapi mbeti në mëdyshje përballë një të panjohuri, i cili përshëndeti dhe po priste ta ftonin. E mori me mënt hutimin e tjetrës dhe sqaroi :
– E di që është vonë dhe zakoni nuk lejon vizita, po nuk mund të rrija pa ardhur. Jam vëllai i vajzës që sot bëri transplantin e veshkës që doli me sukses.
Marika i dha dorën dhe e ftoi brenda, akoma e tronditur nga e papritura. Edhe të tjerët u habitën. Djali i ri u ul, duke marrë vajzën e vogël pranë vetes.
– Tani ke edhe një vëlla- i tha. Pastaj u kthye nga vajza e madhe- Edhe ti gjithashtu. Prindërit donin të vinin vet, po dikush duhet të rrinte te motra, që të mos mbetej vetëm kur të përmendej. Erdha t’ju falënderoj dhe t’ju ngushëlloj për humbjen e rëndë meqë nuk arrita dot të merrja pjesë në përcjelljen e fundit,
Nuk ndenji shumë pasi piu kafen. Para se të largohej la mbi tavolin te filxhani i kafes një zarf.
Vajza e madhe e Arianitit i tha prerë :
– Këtë jo, sepse kuptohet keq. Babi nuk e bëri për para.
Djali vuri buzën në gaz dhe u justifikua:
– Bëra zakonin. Si origjinë jemi edhe ne nga këto anë, po do kemi kohë të njihemi më mirë. Nuk besoj se do ma përplasni derën në fytyrë kur të vi hern tjetër si vëlla i madh. Lavdi Zotit punët më kanë ecur mbarë dhe do jem në gjendje t’ju ndihmoj në të gjitha drejtimet.
– Derën do ta kesh hapur – ia ktheu vajza- Po për ndihmë nuk besoj se do të kemi nevojë. Të pasur nuk jemi, po punojmë dhe e përballojmë jetën si gjithë të tjerët.
Kur u largua ai Marika hapi zarfin dhe lëshoi një britmë habie; në zarf ishin dhjetëmijë Euro.
Vajza e rrëmbeu zarfin dhe nxitoi shkallëve që ta arrinte për t’i kthyer paratë, po makina po largohej tashmë. Ai kishte ikur.
– Tani e tepëroi vërtetë – iu drejtua të atit kur hyri, duke e lëshuar zarfin mbi tavolinë.
Araniti nuk tha asgjë, po paratë nuk guxoi t’i prekte, jo më t’i fuste në xhepin e vet. Edhe të tjerët kishin mbetur të shokuar. Po mbanin në mendim e në shpirt shijen e hidhur të shitjes së trupit të Nerminit Ai djalë nuk kish vepruar mirë. Mirënjohjen mund ta tregonte me forma të tjera, jo si tregëtar që kish mbetur i kënaqur nga malli që bleu prej tyre. E keqja ishte se nuk u dinin as adresën atyre njerëzve.
Arianiti pati përshypjen se shkaku i kësaj fyerje ishte ai.
– Gjë që zgjidhet – tha – Ata do të vinë sërish dhe do ua kthejmë mbrapsht.. Harrojeni tani , zëreni se nuk ndodhi. Boll kemi hallin e madh që na ra mbi kokë, ai nuk rregullohet; hesapi me të gjallët ndahet në çdo kohë, pret.

# #
#

Në zyrën e shefit Policisë së Krimeve zërat e lartë të krijonin përshtypjen e një grindjeje. Sapo kish ardhur raporti i autopsisë së trupit të Nerminit dhe bashkëngjitur edhe akti i dhurimit të veshkave një vajze në Tiranë, që ishte shtruar në Spitalin Amerikan 1 .Për aktin e dhurimit, ata nuk i kishin sinjalizuar dhe debati po bëhej për këtë. Shefi akuzonte agjentin që kish marrë përsipër çështjen.
– Unë nuk pash ëndër shef- u mbrojt ai.
– Po informatori yt atje, përse paguhet? Për të na hedhur hi syve? Jo, miku im, këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me papërgjegjësi, problemi do parë thellë. Brenda mesditës dua gjithë bisedat telefonike të mjekut, të mjekut ligjor, të burrit të viktimës, Arianitit, të familiarëve të vajzës që bëri transplantin e veshkës. Ti – iu drejtua ai punonjësit më të ri të krimeve- Do shkosh në Tiranë. Në bashkëpunim me Policinë kriminale atje do të ndjekësh fijet që mund të lidhin kirurgun e transplantit me ndonjë menaxher të këtyre punëve. Ku u mor vesh menjëherë aksidenti, që të nesërmen prindërit e vajzës dhe vëllai i saj erdhën në spitalin e qytetit?
Shefi i Krimeve iu drejtua sërish agjentit të çështjes ” Viktima ” si e kishin quajtur dosjen e Nerminit;
– Dyshoj se ka lidhje edhe mjeku që ndiqte ecurinë e sëmundjes së viktimës.
Agjenti nuk tha asgjë. Shefi u bëri me shenjë të largoheshin E telefonoi Komisari i Policisë së Qarkut. I dha urdhër të prerë:
– Brenda dyzetetetë orëve duhet të njoftohet Ministri i Punëve të Brendëshme për rezultatet e hetimit të këtij rasti flagrant. Bashkëpuno me Shikun.
Shefi i Plicisë së Krimeve u alarmua. Në njëzetenjë vitet e shërbimit të tij në këtë detyrë, kjo ishte hera e parë që po përballej me një rast kaq të vështirë, Deri tani ai kish dyshuar për vrasjen e gruas ; ishin disa rrethana që e patën shtytur që në krye të herës në këtë dyshim. Tani nuk flitej më për dyshim. Hetimi kish hyrë në ciklonin e një stuhie mafioze. Të ishte vallë burri i viktimës qendra e këtij cikloni?.
Agjentin e Shikut që duhet të takonte e gjeti në zyrën e vet. Po e priste, edhe ai i shqetësuar
– Gjithçka ndodhi shpejt dhe na gjeti të papërgatitur – tha ai – Sidoqoftë, fola me shefin tim në Qendër pak më parë.Duket se i kanë gjetur fijet që lidhin kirurgun e spitalit Amerikan me një grup mafioz që i ka rrënjët në Hollandë. U kontrolluan bisedat e tij telefonike me ta . Gjatë kohës presim të vihen në pranga kirurgu dhe dy prej tyre. Prangat nuk besoj t’i trimërojnë. Deri tani asnjë keqbërës nuk u ka përballuar atyre.
Rreth orës katërmbëdhjetë telefonoi Komisari i Policisë Kishin ndaluar mjekun e Nerminit, i cili nuk kish bërë asnjë qëndresë.
Shefi i krimeve ndoqi pas dritares marrjen e tij në pyetje në prezencë të avokatit.
– Për aksidentin mora vesh nga telefonata e kirurgut që do bënte transplantin e veshkës – tregoi ai.
– Kishe patur lidhje të vjetra me atë kirurg?- e pyeti agjenti i dosjes ” Viktima”
– Jo, deri para një jave. Atë ditë, kur lash punën, te porta e jashtëme e spitalit më prisnin dy djemë të fuqishëm, që më thanë të hyja në makinë. E pash veten ngushtë dhe u binda. Më çuan në një shtëpi jashtë qytetit. Ishin të mirëinformuar për sëmundjen e Nerminit. Më urdhëruan që të shpejtoj me orë fundin e jetës së saj, se u duhej veshka për të shpëtuar jetën e një vajze të re. U shpjegova që nuk kish arsye pse ta shpejtoja, se Nermini nuk do të shtyhej më shumë se dhjetë ditë. Më thanë që puna nuk pret deri athere, se jeta e asaj vajze ishte në rrezik., se duhet të nxisja fundin sa më shpejt për gruan e gjorë.
– Dhe ti e nxite?- e pyeti agjenti.
– I gënjeva. Mbrëmë vonë më morën në celular dhe më thanë : ” Herën e parë na mashtrove, tani bëj llogari kokën. Bëj autopsinë dhe na jep veshkat urgjent. Do kesh një shpëblim të majmë. NESËR NË MËNGJES DO NA KESH ATY. EDHE NJË HERË PO TË PARALAJMËROJMË, LLOGARIT JETËN TËNDE. MOS PROVO TË LAJMËROSH NDOKËND.” Të nesërmen sollën edhe prindërit e vajzës me të vëllanë, që burrit të asaj të gjorës t’i vinte keq dhe të pranonte dhurimin e veshkës së të shoqes.
– Dhe ai pranoi – e ndërpreu agjanti- Pranoi kundrejt ndonjë shpërblimi?
– Nuk iu premtua asnjë shpërblim, të paktën në praninë time.
– Po ti?
Mjeku ktheu sytë nga avokati i tij, i cili nuk i tha asgjë, Priti pak çaste dhe u përgjigj :
-Ata dy tipat më dhanë pesëmijë Euro.
Agjenti i vuri përpara disa foto dhe i tha të veçonte ato të atyre dy tipave. Mjeku i veçoi.
– Këta të dy – tha. Ajo që donte Policia kriminale ishte arritur dhe agjenti i dosjej ” Viktima” u ngrit për t’u bashkuar me shefin e tij dhe me të tjerët.
Për një gjë ndihej i kënaqur; të paktën Arianiti ishte i papërzier në tërë këtë vepër mafioze. I kishin rënë kot në qafë, po zanati i tyre i justifikonte dyshimet, të cilat ishin baza e arritjes tek e vërteta. Në mbrëmje e thirri Komisari i Policisë.
– Ata dy sekserët e organeve të transplantit u arrestuan – i tha – Ata e kishin vrarë Nerminin e gjorë me makinë. U arrestua edhe kirurgu që ishte i dypunësuar në Spitalin ” Nënë Tereza” dhe në atë ” Amerikan 1″
– Po vëllai i vajzës që i vendosën veshkën? – Jo, ai nuk kish të bënte as me kirurgun, as me sekserët. Thjesht rrinte në pritje të gjetjes së veshkës që do t’i shpëtonte jetën të motrës., pa ditur rrethanat si u sigurua ajo veshkë Natyrisht, kur të marrin vesh të vërtetën do ndihen disi të lënduar, po jo fajtorë.
Të nesërmen ata të dy shkuan për ngushëllim në shtëpinë e viktimës. Kërkuan të ishin në një ambient të veçuar së bashku me familiarët, pasi shtëpia ishte plot me njerëz.. Komisari i Policisë u tregoi shkurt për të vërtetën e vrasjes së Nerminit..
Vajzës së madhe i ra të fikët, kurse Arianiti qëlloi kokën disa herë me grushta.
Shefi i Policisë kriminale u ngrit për ta qetësuar.
– Më lini – u lutej Arianiti- Më duket se edhe unë u bëra pjesmarrës në atë krim, u bëra edhe unë kriminel, që firmova dhurimin e veshkave të gruas sime të gjorë, hyra në mëkat me të dhe me Zotin. Zoti le të më ndëshkojë!
Kur gjendja ishte qetësuar disi, Komisari i Policisë u ul pranë Arianitit.
– Në vendin tënd të gjithë ashtu si ti do të kishim vepruar – i tha.
Kurse shefi i Policisë Kriminale shtoi :
– Veprimi yt ishte përtej njerëzores. Si ti mund të veprojë vetëm një njeri me zemër të madhe…Vetëm një fisnik.

Fund

Pajtim Xhelo, 03 shkurt 2020