PERSONALITET ME DINJITET PROFESIONAL DHE KOMBËTAR

0
504

Simë Gjon Dobreci, PËRMBLEDHJE VLERASH NJERËZORE, Botoi: Diti-Oli, Ulqin, 2018

Në botën kulturore, shoqërore dhe profesionale janë të rrallë personat të cilët janë bërë shëmbull për mjedisin ku kanë jetuar dhe punuar. Angazhimi profesional dhe qendrimi intelektual ndaj dukurive të ndryshme shoqërore mbetet dukuri me qasje të veçantë vetëm për personat me dinjitet shoqëror dhe kombëtar. Dhe një epitet të tillë e gëzon një personalitet i rrallë i mjedisit tonë e ky është Nderi i Kombit, dr. Simë Dobreci.

Ditë më parë dual nga shtypi libri më i ri i dr.Simë Dobrecit Përmbledhje vlerash njerëzore, botuar nga Diti-Oli, duke i ofruar opinionit të gjerë një botim interesant me një gamë të gjerë informacionesh.

Libri në fjalë në sajë të lëndës së prezantuar është i rrallë sepse paraqet një përmbledhje punimesh të autorit por edhe të autorëve të tjerë për atë. Artikujt e tillë janë botuar më parë në revistën BUZUKU, Koha Javore si dhe në revistën DIJA.

Libri është i ndarë në dy pjesë, ku e pjesa e parë ka të bëjë me publikimet që kanë për temë gjuhën shqipe, traditën dhe historinë e popullit shqiptar që jetojnë në territorin e sotëm të Malit të Zi. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë kryesisht me shkrime, polemika dhe vlerësime për aktivitetet e ndryshme kulturore dhe shkencore.

Duke qenë themelues dhe kryeredaktor i revistës BUZUKU, nga viti 2001 e deri më tash opinionit i ka ofruar një arkiv të dhënash me qasje shumëdimensionale, që paraqesin një thesar të diturive albanologjike. Në sajë të hulumtimit disavjeçarë me plot pasion për vendin e origjinës së tij autori na ka ofruar të dhëna për Shestanin në veçanti e Krajën në përgjithësi, që do mbesin si testament për brezat e ardhshëm.

Nga gama e gjerë e artikujve dhe rrefimëve të publikuara varësisht prej interesimit të lexuesve të ndryshëm mund të zgjidhën pjesë apo informata të cilat kanë qenë të panjohura për opinion e gjerë.

Në këtë aspekt personlisht dua të veçoj dokumentin për popullsinë shqiptare katolike te Braticës në vitin 1944, punuar nga dom A.Tokiqi, pastaj me mjaft inters janë të dhënat për popullsinë e Pinçit në vitet 1945-1950 dhe 2008, ku për një periudhë prej gjashtë dekadash popullsia e këtij fshati nën Rumi nga 174 banorë në vitin 2008 bie në 18 banorë, ndërsa tash kanë mbetur rreth dhjetë banorë, nga del se kemi një shpopullim të plotë që ka të bëjë me Anën e Sipërme të Krajës ku bën pjesë zona e Shestanit.

Me mjaft interes janë edhe toponimet e Braticës dhe të Pinçit e sidomos regjistri dhe emrat e luftëtarëve në Luftën e Dytë Botërore nga Bashkësia lokale e Braticës. I tërë angazhimi i dr.Simë Dobrecit në këtë mision sa informativ, është edhe kombëtar, duke dëshmuar identitetin e shqiptarë të personave përkatës në këto vendbanime, të cilëve administrata e kohës i ka paraqitur me përkatësiu kombëtare sllave.

Në libër prezantohen çështje të kohërave të kaluara por edhe të ditëve tona që janë intriguese për lexuesit. Dhe të gjitha janë shënuar me plot saktësi në gjuhën lokale te të folmës së Shestanit, me qellim që të ruhet autentiteti i të folmës lokale në gjuhën shqipe. Me një veprim të tillë dr.Simë Dobreci si rrallë kush ruan kujtimet dhe ka nostaligji për vendin e origjinës së vet, i cili fatkeqësisht e ka përfshi fenomeni shpopullimit demografik, ku si i tillë do të mbesë në kujtesë të gjeografisë historike.

Nga lënda e prezentuar në këtë botim del qartë shqetësimi i vazhdueshëm i autorit për të kaluarën dhe të tashmën e popullsisë shqiptare të Shestanit, në veçanti humbjen e identitetit gjuhësor dhe kombëtar në sajë të politikës asimiluese nga shek.XIX e deri në ditët tona.

Nga një politikë e tillë asimiluese në shënjestër ishte edhe dr.Simë Dobreci ku nga gazeta “Politika” e Beogradit është cilësuar si malazezi, i cili u konvertua në shqiptar, që dëshmohet me fotokopjen e artikullit nga gazeta në këtë botim. Dhe një qendrim i tillë antishqiptar nga kjo gazetë nuk ishte rastësi, sepse popullsia shqiptare e Shestanit vazhdimisht është trajtuar si sllave nga politika shtetërore, sepse identiteti shqiptar i kësaj popullsie për ata ishte i papranueshëm.

Në këtë aspekt kemi të dhëna me interes në këtë botim me dëshmi autentike dukuri kjo e cila ka marrë përmasa shqetësuese, sidomos për shestanasit e vendosur në Tivar e gjetiu në Mal të Zi. Por, rasti i arbëreshëve të Zarës është një dëshmi sfiduese ndaj asimilimit dhe origjinës së tyre shqiptare edhe pse të shpërngulur tre shekuj më parë nga Shestani, Ljarja e Brisku, që nuk mund të thuhet për shestanasit e ditëve tona të cilët po tjetërsohen kombëtarisht.

Shumë emocionuese në këtë botim është një letër dërguar vite më parë dr. Simë Dobrecit, përkatësisht revistës BUZUKU, nga një arbëresh i lindur në Nju Jork nga prindërit arbresh nga Zara e Kroacisë, nga të cilët ka trashëguar origjinën dhe të folmën arbnisht, i cili dëshmon krenarinë e origjinës së tij shqiptare, duke qenë model për kohën tonë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë në vend dhe në diasporë.

Duke analizuar veprimtarinë e tërësishme të dr. Simë Dobrecit, del qartë se ai mbetet një shkollë e madhe për të mësuar dashurinë për njerëzit, vendlindjen, popullin e vet si dhe vlerat e trashëgimisë etnokulturore.

Dhe në fund e them pa hezitim se dr. Simë Dobreci me punën e tij profesionale, pasionin, qendrimin parimor shoqëror, intelektual e ate kombëtar, do të mbesë shëmbull për kohën tonë dhe brezat që do të vijnë pas nesh.

Dr. Nail Draga
(Lexuar më rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 22.12.2018)