Përsiatje rreth vëllimit poetik “Teshtima” të poetit Nezir Prokshi

0
192
Nezir Prokshi - Teshtima

(Nezir Prokshi “Teshtima”, (poezi), SHB “Meshari”, Prishtinë, 2020)

Vëllimi poetik “Teshtima” i poetit Nezir Prokshi është një përmbledhje poetike që dëshmon për unin poetik të vetë autorit. Në të gjitha poezitë e kësaj përmbledhjeje, poeti Nezir Prokshi mban qëndrim ativ ndaj jetës dhe botës (në kohë dhe hapësirë). Ky poet i talentuar duke dashur që t’i vazhdojë lidhjet me traditën e shëndoshë kombëtare, me leksikun dhe metaforikën e pasur ka arritur që në artin e tij poetik t’i shkrijë dhe t’i unifikojë individualen me kolektiven, vendlindjen me universalen…, duke krijuar kësofare art të mirëfilltë me një strukturë specifike dhe me një stil unikal mjaft të pasur gjuhësisht dhe të shtresuar me vlera të përhershme sipas urdhrit teoriko-letrar.

Duke qeni i këtillë, poeti Nezir Prokshi me artin poetik të tij, tanimë ka zënë një vend të merituar në sofrën e poezisë bashkëkohore shqipe, ngase vepra e tij sublimon më së miri dhe shpreh të gjitha veçoritë thelbësore të artit poetik, sepse poezia e tij është autentike dhe e vetvetishme.

Karakteristike për vëllimin poetiK “Teshtima” të poetit Nezir Prokshit është larmia tematike dhe motivika. P.sh., te poezitë e motivit atdhetar atdheu shikohet jo vetëm përnga kuptimi gjeografik, por edhe si një universum etnik, ngase ai është pikënisje e domosdoshme drejt horizonteve gjithëkombëtare të përgjithshme:

Sa e vogël hapësira dhe merrja vrapin
E ngjitesha majave të maleve drenicase
Trupoja Qyqevicën, Fushën e Kosovës
Llapin kapërceja këmbë dhe kthehesha në Ulpianë
Merrja frymë, thithja ajër
Pastaj shihja kalatë, adon e vogël Apollonia
Tek kalëroja kthesave madhështore
Udhës Via-Egnatia
Tej një brezareje limonësh dukej Deti Jon
Sa lëar e sa afër Çamëria!…

Gjuha, fjalori mjaft i pasur, shprehjet figurative etj., janë mjaft të dendura dhe të freskëta, pastaj tematika dhe motivika, janë elemente që poezinë së Prokshit e ngrehin drejt lartësive të artit poetik shqiptar.

Duke besuar në rolin dhe rëndësinë e poezisë, Prokshi përmes vargjeve të veta shpreh porositë dhe na bën me dije se prore duhet të jemi me popullin, duke punuar për të ndershmërisht dhe drejt, të pathyeshëm e me dinjitet:

Kur më hedhin gazra
Zjarr kur ndezin mbi mua
Skuqem, nxihem
Më forcojnë
Shpirt më japin
Kur bie mbi ujë
Mbi mua rigon shi
Loti pikon në vija
Kthehem në bardhësi.

E gjithë poezia e Prokshit është e pasur me figuracion të bollshëm poetik. Melodia, ritmi dhe narracioni i vargut derdhen në një metaforikë moderne, që pastaj na intrigon me pasurinë dhe shtresimin asiciativ.

Në viset e atdheut (Shqipëri, Kosovë, Çamëri…) bashkëkombësit e poetit jetojnë e veprojnë në bazë të rregullave të edukatës familjare, duke shtuar dashurinë ndaj atdheut. E vargu atdhetar i Nezir Prokshit është i pasur edhe me toponomastikën (Çamëria, Molla e Kuqe, Drenica, Llapi, Këlcyra, Driloni etj., etj), prandaj poezitë e këtij lloji do të na mbesin në kujtesë, ngase përjetohen fuqishëm duke bartur tek ne diçka a shumëçka nga etonogjeneza jonë e lashtë, siç është besa shqiptare:

Fjalë e besë e tyre e lidhur n’Prizren
Si ta ndjekim hasmin, ta bashkojmë atdheunë…

Në vargjet e veta poeti Prokshi ka shfaqur lirikën, dramatikën e heroikën. Oshëtima e kohërave, ritmi i errët i jetës dhe dhembjet e thella për njeriun, në vargun e tij shndërrohen dhe rriten si himin madhështor për jetën tonë shpirtërore (t’i kujtojmë poezitë: “Larg e sa afër Çamëria”, “Rekuiem për lirinë”, “Në Fushë-Mollë” e ndonjë tjetër).

Vendlindja është edhe Çamëria me plagë në shtat, edhe Shqipëria, edhe Drenica me kulla të bardha dhe të forta, të gjitha prej guri, ndërtuar nga eshtrat e të parëve dhe të pasardhësve: Këto janë ato shtëpi shqiptare që përherë janë të hapura për miq e shamirës, plot fëmijë, për të cilat lindet dhe vdiset, por se kurrë nuk do të mbeten vetëm dhe të braktisura:

Ti ke emrin e kullave
Ti ke emrin e grykave
Ti ke emrin e maleve
Ti ke emrin e krenarisë
Ti ke emrin e besës
Ti ke emrin e historisë
Ti ke emrin e sakrificës
Ti ke emrin e Arbërisë
Tim ban emrin e lirisë…

Edhe kur është i revoltuar, edhe kur është i ndjeshëm dhe nostalgjik, elegjiak dhe melankolik, i idhët dhe i pikëlluar; edhe kur është ironik dhe i shqetësuar, edhe kur mban në kujtesë edhe kur vuan, edhe kur gëzohet e edhe kur është i drejtë, vertikal, vargu i poetit Nezir Prokshi është autentik dhe unikal. Edhe atëherë kur qiellin e poezisë së tij e mbulojnë tonet e errëta, atë shpejt e mbisundojnë kthjelltësitë dhe drita e diellit ledhatues…

Poeti Nezir Prokshi është poeti ynë, që beson në njeriun dhe në poezinë.