Zymer Mehani
Poezia e autores Valëza Fusha na imponohet me shumësi idesh e motivesh duke na ofruar mesazhe akt uale. Në vargjet e veta autorja Fusha na sjell përpara vizionin e saj autorial dhe poetik, ku shkrihen tematika e motivika, pastaj thekset e aktualitetit të shoqërisë sonë, virtytet e veset, përjetimi i thellë i jetës dhe i proceseve jetësore, si dhe pasqyrimi i tyre në psikën dhe në moralin njerëzor.
Tipar dominant në poezitë e vëllimit “Mallëngjim vargjesh” të poetes Valëza Fusha është perceptimi si fenomen poetik, që mbështetet në fiksim të marrëdhënieve specifike si mes poetes dhe realitetit jetësor, natyror, subjektit dhe objektit, po ashtu edhe raportit të saj ndaj gjuhës, si mjet me të cilin e artikulon përcepsionin poetik.
Poezitë e motivit social poetja Valëza Fusha i ka ndërtuar përmes asocionimit të temave shoqërore, duke u mbështetur në aktualitet dhe në realitet të kohës, duke i konkretizuar dhe riartikuluar tematikat, në pajtim me kërkesat e rrethanave në të cilat jeton ajo vetë. Poezitë e tilla janë një lloj dokumenti tronditës mbi rrethanat shoqërore që sjell varfëria e që lënë vrragë në psikën e njeriut. Të tilla janë poezitë “Skamja”, “Labirint” e tj.
Poezitë për atdheun zënë një vend të rëndësishëm në krijimet e Valëza Fushës. Në poezitë e motivit atdhetar, autorja identidikohet me truallin dhe tokën amtare për të treguar se kuptimi i jetës së njeriut ka vlerë vetëm në atdhe, për të cilin duhet luftuar e punuar. Poezitë që i kushtohen atdheut janë kryesisht poezi me frymë kombëtare e me një ndjenjë malli të pashuar. Janë të bukura poezitë: “Atdheu ynë”, “Tokë e përbuzur” e ndonjë tjetër.
Poezitë e poetes Valëza Fusha, qoftë të motivit social, atdhetar, dashuror, pejizazhist, qoftë të llojeve tjera motivore, gjithmonë depërtojnë në thelbin e gjërave. Të tilla janë poezitë refleksive-meditative “Mos”, “Bojë malli”, “Furtunë kohe”,”O Zot”, “Ramazan” e tj. Për këtë arsye na duken poetike edhe vargjet, në të cilat poetja merret me problemet nga më të ndryshmet, ngase ajo niset nga përditshmëria, në mënyrë që ngjarjeve t’u japë status artistik e përgjithësues.
Edhe figura e nënës zë vend të veçantë në poezinë e poetes Valëza Fusha. Nëna, krijesa që na ka sjellë në këtë jetë, zë një vend, jo dosido, por të veçantë. Ajo zë një vend nderi te poezitë e shumë poetëve. E njëjta gjë vlen edhe për poeten e talentuar Valëza Fusha, që nënës i ka dhënë një vend nderi. Në poezitë e kësaj poeteje figurën e nënës e gjejmë të skalitur në kuptim të drejtpërdrejtë, ngase ajo është nëna që na ka lindur dhe rritur me shumë mundime e andralla. Të tilla janë poezitë “Nënë”, “Nanë”, “E dashura nënë” etj.
Çdo varg i poezisë së poetes Valëza Fusha është ndjenjë për njerëzit, për moralin, karakterin e njeriut, për dashurinë ndaj atdheut e kombit. Janë të bukura poezitë “Buzëqeshja”, “Një dolli”, “Falje kërkoj”, “Gëzim gjej”, “Shpesh mbetesh në vetmi” e ndonjë tjetër.
Edhe poezia pejzazhiste është e bukur, prandaj Valëza Fusha e kultivon me sukses, ngase njeriu në natyrë gjen prehje shpirtërore. Shpeshherë, natyrës ai ia shpreh brengat, hallet, mërzinë si dhe fatkeqësitë që e shoqërojnë dhe i shtohen dita e ditës. Të bukura janë poezitë “Nga valëzat e detit”, “Vetëtimë”, “Qielli gri” “Natyrë”, “Një natë”, ”Pranverë”, “Fllad pranvere” etj.
Në natyrë gjendet e bukura, qetësia shpirtërore, madhështia njerëzore si dhe lumturia. Poetja në natyrë e humbet lëndën e vet shoqërore dhe shndërrohet në një qenie të natyrës.
Gjuha e poetes Valëza Fusha në këtë vëllim poetik paraqitet e kulluar, e thjeshtë dhe e qartë. Edhe fjalori është i kapshëm. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me kërkesat teoriko-letrare.
Metri dhe rimimi i vargjeve janë të ndryshëm.
Zymer Mehani, Podujevë, më 27 tetor 2020