Përshum’ mot Bajramin

0
823

Gjergj Jozef Kola

1.
Sapo kisha nisë shkollën fillore kur e mora vesht se Bajram do me thane: Festë.
Në vitet 70 familja jone ishte ndër të parat familje katolike shkodrane, që u vendosë në lagjen muslimane të Rusit dhe unë pamjet e xhamisë së mbyllun i kam ende parasysh. Aty mblidheshim në oborrin e xhamisë dhe bashkmoshatarët sillnin amelcina, për çdo Bajram. Aty në atë oborr lindi edhe pyetja jeme e parë e ndalueme për nji festë të ndalueme:
Ç’ka don me thanë Bajram?
Bajram do me thanë shqip: FESTE!

Kjo ishte për mue nji feste e amël, dhe si e tillë ka mbetë ende në kujtesë. Bajram ishte për mue festa e amelcinave dhe si çdo fëmijë i gëzohesha asaj, unë katoliku në lagjen muslimane të Shkodrës.

Pikërisht aty në oborrin e xhamisë së mbyllun lindi nji miqësi e vërtete dhe u mbjellen lulet e para, të brishta të asaj që unë me kohën e kam quejtë: BP, lulet e Bajrampashkës.
Për Pashkë afroja edhe unë vezë të kuqe dhe jua falja miqve të mi. Kjo festë u quejt Festa e ngjyrave. Kështu ngadalë, si fëmijë e ma vonë të rij na rritëm nji ritual, që nuk njihet askund në mbarë botën:
Ritualin BP BajramPashket, festen e amelcinave dhe të ngjyrave.

Si mbi nji tablo të bardhë, ngjyrat me kohën erdhën e u banë te amla dhe aty u krijue piktura ma origjinale, që shpirti shqiptar ka krijue ndonjihere në shek e XX.
Ishin lulet e brishta të shpirti shqiptar, këto Edelweis te Alpeve, që rriten vetëm në 2 mijë metra naltësi, lule qe nën ateizmin shtetnor më dukeshin sikur preknin qiellin, vetë Zotin me dorë.

Atëherë unë besoja se Zoti kishte krijue vetë besime të ndryshme, si ngjyrat e ylberit, për me u lidhë me te. Mjaftonte paqja, mirësia dhe gjuha e përbashkët.
Diktatura ateiste kishte shkatërrue gjithçka si nji terapi kimike në trupin e prekun me metastazat e komunizmit dhe për me mbijetue, shqiptarët rriten këto lule të harmonisë së brishtë, te cilat rrallë kush i ka në botë, i kishte.

Besoja unë atbotë në diçka të bukur, origjinale, shqiptare.

2.
Me kohën kjo lule erdhi dhe u forcue e u rrit, sepse ishte nga te paktat krijesa, që rritej me pastërti të zemrës. Askush nuk festonte Bajram dhe Pashkë, sepse do merrnin dhurata apo ndihma nga jashtë, porse jua kërkonte etja e zemres nji gja te tillë. Ndoshta kjo ishte oponenca ma e natyrshme ndaj diktatures. Hitleri futi ne Gjermani dhe Austri ligjin për me pague taksën vjetore me 1% të t’ardhunave, me shpresën se të gjithë do i ktheshin shpindën kishës se Zotit, porse ndodhi Bumerangu i famshëm. Gjermano-austriaket rrinin edhe pa hangër në ato vite dikature, porse taksen e kishës e pagueshin rregullisht.

Në Shqipninë e diktaturës komuniste Aktin ma te naltë te përsosmënise se saj, kjo lule e brishtë e harmonisë e arriti në burgun e Spaçit, kur mbramjeve të burgosunit politikë muslimanë e fshihnin copën e bukës me ia dhanë meshtarëve katolikë, të burgosun për me celebrue meshën e shejtë. Komunistat nuk u jepnin bukë katolikëve në darkë, sepse ata pregatisnin Ostet e shejta për meshë me bukën e darkës.

Shkodra ishte qyteti ku diktatura kishte ndërtue për herë të parë në hisotinë e njerzimit, muzeumn e parë ateist në botë dhe pikërisht aty ku terri asht ma i thellë, drita shkëlqen ma fort.

Si finale te madhe, kjo lule e brishtë e harmonise fetare, kjo Edelweis shqiptare, e arriti ne vitin 1990, kur katolike dhe muslimanë bashkë hapën së pari kishën katolike dhe celebruen meshën e shejtë dhe nji jave ma mrapa xhaminë muslimane dhe festuen së bashku.
U duk sikur koha e arte e poetit te kombit At Gjergj Fishta, që kishte lidhë me drita kompanjelin me minaren, po trokiste në dyert e historise së re shqiptare.

3.
Me ardhjen e demokracisë, postkomunistat që morën në dorë pushtetin, nuk u kujdesën aspak me e mbrojte lulen e brishtë të harmonisë par excellence të shqiptarëve. Ata ishin nga natyra ateistë e megjithatë kjo nuk i ndalonte me marrë pjesë në çdo ceremoni fetare, Bajram e Pashkë, jo per transhendencë, porse për dukje dhe kapital politik. Ata nuk e panë asnjiherë si nji krijesë të shejtë të mbijetesës së shqiptarit harmoninëreale, që ishte krijue nën diktaturë, porse u kujdesën me ruejte raporte të mira me të huejt, me cilindo të huej prej cilitdo vend, që vinte dhe derdhte thesin me para.

Helmi i Proselitizmit i hyni deri në rranjë lules Edelweist të shqiptarëve.

Nisi të krijohej nji shkëputje artificiale, u mbjellën shkurre që vinin nga katër anët e botës dhe ata ia zunë frymën lules Edelweis të harmonisë fetare të shqiptarëve.
Politikanët ateistë, postkomuniste, nxorën fitimet e tyne materiale nga kjo dhe as që ju interesoi nxjerrja te paktën e legjislacionit me mbrojtë shpirtin e brishtë të harmonisë shqiptare. Ky veprim do të sillte nji Bumerang të frikshëm.

Aktualisht në asnji vend të botës nuk prodhohet ma shumë helm ndaj besimeve të njeni-tjetrit se sa ndër shqipfolës sot. Ne asnji gjuhe te botes nuk fyhet e shahet besimi i tjetrit në youtube, se sa ndër shqiptarë. Ne forumet e mediave sociale askund nuk ka ekstremizem ma te madh dhe e gjithë kjo falë ateistëve postkomunistë, që sundojnë me nji pragmatizëm primitiv e të pamoralshëm.

Objektet e kultit përpiqen kush e kush me kumbue e gjimue në qiell ma fort, a thue se Zoti del në dritaren e qiellit me ndi se kush ka za ma të fortë atje poshtë, ndërsa postkomunistat në pushtet qeshin e tallen e duket sikur thojnë:
He, ju e deshtët fenë, ja tek e keni, nxirrni sytë njeni-tjetrit.

Sot në këtë truall Arbnor shkelin dhe hjedhin hekur e beton, arabë dhe turq, grekë dhe italianë, e për shqiptarët ka mbetë shumë pak vend me mbjellë e me rritë lulen e brishtë të harmonisë fetare.

Ajo lulja e brishtë e Edelweises shqiptare, që unë kam quejte në fëmini BP nuk asht ma aty. Ajo mbahet ne zemrat e brezit tonë, që u rritëm në ateizëm e megjithate e deshtëm Zotin, transhendencën, njashtu në mënyren tonë, të çiltër, e pa asnji interes material.

Dami i madh që postdiktaura i ka pa kombit shqiptar asht thuejse i pariparueshëm. Duke i lanë shqiptarët në nji mjerim te pafund ekonomik, me 100 euro pension, ju ka hapë rrugë rrymave fetare të ndryshme me lëshue rranjët e tyne fanatike. Askush ma fort se në llomin e mjerimit dhe te vorfnisë nuk rritet fanatizmi fetar.

Polarizimi i brezit të ri në Shqipni asht i pashembullt në historinë e kombit shqiptar.

4
Luga me sherbet, që kryeministri i majtë (katolik) shqiptar iu dha besimtarëve muslimanë në këtë pragbajram ishte si nji garuzhdë me helm, për ekuilibrin dhe harmonine fetare të shqiptarëve.

Atdheu asht i shejtë dhe i përket të gjithëve dhe ai nuk mund t’i atribohet nji besimi të vetëm si BURIM.

Fatkeqësia e kombit tonë aktualisht qëndron në atë se tash 30 vjet postdikaturë figurat kryesore të shtetit vazhdojnë me kenë njerëz të formuem nën shkollat e diktaturës si mendësi dhe si kulturë.

Ç’ka jena na si komb që nuk po arrijmë me nxjerrë në krye të vendit njerëz që kanë mbarue dhe janë formue në Perëndim? (Popull me mentalitet turqeliko-islamik! /shënimi im AÇ)

Përshum’ mot Bajramin miq të mirë të fëminisë dhe rinisë time, që u rritëm bashkë dhe bashkë me ne edhe ajo lulja e shejtë e harmonisë fetare, për të cilën unë kam kaq nostalgji në zemër.

Gjk18


Gjergj Jozef Kola e publikova shkrimin tënd te Fjala e Lirë, fajin me sa po shoh unë, ti jua len ateistave, që duke ulur ndikimin fetar, i bënë shqiptarët më të mirë me njëri-tjetrin dhe ulen dallimet e identitetin fetar hebraiko-arab, që mbjellin fetë monoteiste, e ata nuk panë ndasi fetare në atë kohë dhe jetuan në harmoni me njëri-tjetrin. Kurse tani kur feja është e lirë, dhe e hallakatur, miliona Euro po harxhohen në objekte fetare, sidomos në shtëpia saude, e shqiptarët në vend që të shkollohen e arsimohen, në vend që të punojnë e zhvillohen, një palë po merren me piskamat arabe, me altoparlante, e një palë tjetër po e gjen shpresën në peligrinazhin e tyre në kishën e Laçit…

E për të dyja palët nuk kanë faj ateistat, por të vetmin faj që ateistat kanë tani, është se nuk po munden sot ta ulin ndikimin fetar si në Perëndim, pasi urrejtja për Enverin e harmoninë fetare, që ai krijoi në atë kohë, është kaq e madhe, sa nuk guxon kush kaq lehtë me dalë kundër këtij shkretimi fetar disproporcional e irracional, që po na çon drejt dështimit si komb dhe drejt konflikteve të mundshme fetare, pasi nuk i jep feja bukë kujt, vetëm sa i kultivon neurozat fetare dhe ia rritë narcizmin e identitetin fetar…

Prandaj vërehet kjo padurueshmëri e shoqërisë sonë ndaj zhurmave fetare. Një mik i imi nga Bajza, që ishte zgjuar nga gjumi në orën 4:00 të mëngjesit nga kumona e kishës aty, më tha: “Sikur kjo të ndodhte në SHBA, më parë do e arrestonin atë, që prishë qetësinë publike, se sa do i binte kumonës herën tjetër…” Por tek ne, kanë kaluar në shkretim dhe në zhurma akustike të papërballueshme fetare, të dëmshme për shoqërinë, jo prej ateizmit, por nga urrejtja për ateizmin dhe shkretimi për Zotin. E duke bërtitë, besimtarët e shembur kujtojnë, se po tërheqin vëmendjen e Zotit, i cili sipas tyre, duhet me ua zgjidhë besimtarëve, problemet që ata kanë, e që ata duhet me i zgjidhë vetë dhe mos me pritë gjë nga qielli! Se ai lart është një iluzion, që të mban me shpresë, por fakte nuk ka, se i ka dhanë kujt gja deri më sot…

Kështu që unë jam me atë, që për shqiptarët është më mirë ulja e ndikimit fetar, orientimi racional drejt dijes e shkollimit, punës e zhvillimit, se kjo puna e harmonisë fetare, duke rritur identitetin fetar, është vetëm iluzion, e nuk na çon drejt zhvillimit e harmonisë si shoqëri, por vetëm drejt ndarjes e konfliktit. Duke tërhequr sa mundet secila fe për vete, ne vetëm sa ndahemi si shqiptarë, duke krijuar identitete fetare hebraike-arabe të ndryshme, e jo identitet shqiptar. Kjo po shihet edhe në këto vjet me marrëzinë tonë kolektive, sikur po shpikim rrotën, dhe finanimet e huaja e kanë bërë të veten, pa dyshim, duke krijuar ‘koka arabe’ e ‘koka turku’ në këtë vend të shqipeve, të cilat i bëjnë rezistencë arsyes, nga padija e madhe dhe iluzioni, që mbjell krijon besimi fetar…

Arben Çokaj