Iliriana Koleka
E dini historinë e Meduzës, Perseut dhe Andromedës?
Mua më pëlqen shumë, se bëj një paralelizëm midis Perseut dhe Enver Hoxhës, si dhe Andromedës dhe Shqipërisë.
Andromeda u sakrifikua nga të tjerët për të zbutur egërsinë e perëndive.
Perseu, që kalonte andej, e gjeti Andromedën të lidhur vetëm, duke pritur ta kullufiste egërsira Meduza.
Perseu i preu kokën Meduzës dhe shpëtoi Andromedën (dheun e njerëzve nga Andros = Ndre = burrë ose njeri, grekët e kanë marrë prej nesh se rrokja “Ndre” është më e shkurtër se “Andros”).
Pra, Andromeda ose dheu i burrave priste Perseun, që të çlirohej nga egërsira me shumë gjarpërinj në kokë, Meduza.
Në ilustrimin e këtij shkrimi djathtas, poshtë, jepet Andromeda me Perseun, që shohin kokën e Meduzës të pasqyryuar në ujë, një riprodhim i pikturës “The Baleful Head”, (koka e të vdekurit) e piktorit Sir Edward Coley Burne-Jones.
Sipas gojëdhanës, koka e Meduzës, s’duhej të shihej në sy, drejtëpërdrejtë, se dhe e vdekur, të gurëzonte, ndaj e shihnin të pasqyruar në ujë.
Enver Hoxha shpëtoi Shqipërinë nga kullufitja e shumë gjarpërinjve dhe për këtë duhet t’i jemi historikisht mirënjohës përherë.
Herë tjetër i kam marrë me radhë gjarpërinjtë e jashtëm: Evropa (Anglia) Ballkani (fqinjët grekë e jugosllavë) etj., etj. si dhe ata të brëndshëm : fukarallëku, injoranca (analfabetismi në masë), mungesa e rrugëve, hekurudhave, industrisë, bujqësisë së përparuar, moçalet. Kush do të dijë si ishte Shqipëria në 1945, mjafton të lexojë se si e përshkruan im atë (ministër i botoreve në atë kohë).
Tani, po dal në gjëndjen e sotme.
Sot, kapitalizmi ka ndruar ngjyrë. Nuk ka më borgjezi të mirëfilltë, apo shtresë të djathtë, që valviste si vlera (megjithëse hipokrite) punën, familjen, atdheun, flamurin, jo.
Sot kemi hyrë në erën e asaj, që Marksi e quante “Financ-kapital” pra të kapitalit finanziar, ku pjesa udhëheqëse e botës nuk punon fare, vetëm bën qejf, nga një kazino në tjetrën, nga një jaht në një vapor lluksi, nga një ishull, në një tjetër.
Tërë bota, udhëhiqet nga një oligarki finanziare, që rron me shitje dhe blerje virtuale aksionesh, pra që s’prek fizikisht punë me dorë.
Këta zotërit tanë të financës po na çojnë drejt një lëmshi tokësor, të përbërë nga një masë njerëzish, pa identitet të përcaktuar, gati robotë, pa gjuhë, zakone, tradita gjyshërish e katragjyshërish. Pa bashkime professionale, pa të drejta për punonjësit, pa komunista dhe pa shoqëri civile që lyp hesap dhe e kontrollon oligarkinë financiare. Financa është vetë zot e vetë shkop. Nuk do kufij, nuk do dogana, nuk do taksa, nuk do ndryshime idesh e mendimesh, madje do dhe shpërbërjen e familjes (bërthamë që s’kapërxehet lehtë, kur lidh anëtarët e saj me ndjenja të vërteta dashurie).
Pra, masa e rruzullit njerëzor duhet të jetë pak a shumë me të njëjtat ide politike, të dëgjojë të njëjtën muzikë, të shkruajë me të njëjtin stil poezi, të pikturojë me të njëjtin stil etj., etj..
Shkurt muhabeti, njeriu, të jetojë me ato thërrime, që Financkapital vendos t’i japë dhe ta bëjë veshin shurdhër kur zotrat lozin luftrash, shkatërrojnë fqinjin me shkaqe idiote, duke u dëfryer me hedhje bombash si vile rrushi, që i’a bëjnë mishin fela fela.
Ne jemi bërë një masë uniforme njerëzish budallenj, që duartrokit, sa herë, që meduza kullufit Andromedën e radhës me gjarprinjtë e saj të Kapitalit Financiar.
Kështu jemi katandisur?
S’kalon asnjë Perse (Enver) andej pari, që t’i presë kokën Meduzës e të shpëtojë Andromedën (Shqipërinë e më gjërë botën)?
Kalon, që ç’ke me të, çdo ditë e çdo orë, vetëm se nuk e sheh Andromedën të lidhur, që bërtet.
Kalemaxhinjtë, ose llapaqenët, që mbështesin Meduzën, nuk e lënë ta shohë. Ata paguhen për të na e mbushur mëndjen me gjëra që s’ngrejnë peshë, si p.sh. terrorizmi në Evropë apo SHBA, i cili vret disa dhjetra deri në qindra njerëz) duke lënë në heshtje terrorizmin e Amerikës në Siri, Irak, Avganistan, Libi, Kore, Vietnam, Laos, Hiroshima, Nagasaki, Rrypin e Gazës (me dorën e Izraelit) etj., etj., që vret me miliona njerëz e shkatëron qytete e fshatra të tëra.
E keni vënë re sa i ka të ardhurat për kokë një banor i Avganistanit, Sirisë, apo gjetkë ku bëhet luftë, në krahasim me një banor të SHBA-së apo të një vëndi satelit të tij, ku kalemaxhinjtë qorrojnë Perseun?
Ehe, ka ca gjëra që njeriu i sotëm i kapërxen, se do të mbushi barkun, do thoni ju.
Po pse ai banori i Sirisë, që po vdes këtë çast, sipas jush s’do ta mbushë barkun?
Mbushni barkun o njerëz, mbushni, se me barkun plot vdes më i lumtur.
Ja pra pse Perseu sot është i qorruar.