PËRSE RRAH ZEMRA JOTE?!

0
510

Xhemail Peci

Përse nëpër refkëtima e nëpër psherëtima, përse nëpër stendat e muzeut krahanor herë si eshkë e herë si unor, nëpër ato hapësira përplot magjira, nëpër ato kroje me hoje parajse ku vetëm engjëjt kanë qasje, nëpër ato shtigje me shenjtëri drite, përse rrah kjo zemra jote si të ishte krejt prej një tjetër bote?!

Përse në ato ritme e ato tik-take që ndezin zjarr dhe yjet lart në thellësinë e kësaj nate, përse me ata kapilarët si shtigjet më të holla të parajsës e me atë gjuhën e ëmbël si vetë hojet e mjaltës, rrah kaq shumë e kaq përmallshëm, përse rrah kaq mallëngjyeshëm e përse është kaq delikate, kur rrah kaq përgjërueshëm kjo zemra jote mëshirëplote?!

Përse fsheh kaq shumë thesare e përse ka kaq shumë visare në ato thellësi përplot ëmbëlsi, e përse kur rrah ashtu në shenjtëri ai tik-taku i zemrës sate, më shumë se një çokollate i ngjanë një bote sipërore përplot mrekulli, kur me një ritëm nga më të rrallët i fton engjëjt që drejt qiellit të ngjisin shkallët; o përse rrah kjo zemra jote sikur të ishte binjake me sfonde parajse?!

Përse kur zogjtë kanë kaq shumë mall e kur kanarinat imitojnë zërin tënd, përse kur pëllumbat të vijnë prapa tek hedhë ata hapa e në mendime kredhesh pa shikuar mbrapa, përse kur bletët lakmojnë hojet e zërit tënd përplot butësi e kur polemi i luleve mblidhet sërish të gjegjë pranverë në sfondet e hapësirave të saj, përse rrah kaq thekshëm kjo zemra jote sikur të jetë vetë përjetësia e kësaj bote?!

Përse kur bien pikat e shiut me ritmin e tyre në xhamat e dritares sate, përse kur në thellësi të çdo nate ritmi i pikave të shiut mëton të këndon këngët e pakënduara, përse kur cepat e yjeve të bien përmbi qepallat e kur hëna të lëmon ballin me gjithë vetullat, përse rrah kaq përgjëruar si të jetë një krua i bekuar, kjo zemra jote si një shenjtëri përplot përjetësi që qëndron sipër çdo lloj bote?!

Përse në kodet e fshehta të ligjërimit të thelpinjve të saj të hollë lirik, e në timbrin e zërit tënd melankolik si vetë kori i zogjve tek mblidhet rreth saj me vrik, përse rrah kështu kjo zemra jote, sikur të ishte një kod i përkryer i portave të shenjta të parajsës?!

Përse edhe kur bie në gjumë e kur i mbyllë ata sytë e kaltërt që në vete fshehin galaktika yjesh e planete të një jete që veç engjëjt i kanë për vete, përse edhe kur kolovitesh në ëndrra a në gjumin më të thellë, prapë njëlloj rrah kjo zemra jote, sikur të ishte një epiqendër e të gjitha planeteve dhe epiqendra e gjithë universit?!

Përse çdo gjë e ëmbël dhe e dashur, përse çdo bardhësi dhe butësi, çdo këngë e kanarinave dhe çdo melodi e zogjve, përse çdo thesar e çdo nektar apo ar, përse çdo mrekulli dhe magji, çdo dëshirë e mëshirë vie dhe bie tek kjo zemra jote, dhe përse sërish rrah e tillë sikur të ishte një përjetësi për dashuri?!

Përse, edhe kur nuk zgjohesh e kur në gjumë çlodhesh, kur ëndrrat të vijnë në sytë e tu blu e kur në ta qiellin e tyre e shtrijnë, kur gishtërinjtë e hollë e kur faqet si mollë ndrijnë përplot nur e kur mbi supet e drejta të bien flokët e gjata si një pyll me gështenja, përse edhe kur nuk zgjohesh sërish rrah njëlloj kjo zemra jote, si të ishte preludi më i bukur dhe pasqyra më besnike e një bote sipërore?!

Përse, përse rrah gjithmonë kështu me tik-takun e saj prej një ore, e ngritur sipër universit si një përmendore të cilën engjët në rrugëtimin e tyre të përjetshëm, e marrin gjithmonë duke i treguar parajsës për thesaret e papërsëritshme, e duke i rrëfyer Zotit me gjuhën e lotit?!

Përse është e tillë bardhësi e zemrës sate, përse është e tillë shenjtëri e saj, përse është përjetësi çdo sfond i saj e çdo cep e çdo kapilarë që rrjedh brendapërbrenda sikur të ishte një ujëvarë që nga qumështi i artë i parajsës për nga mrekullia nuk ka të ndarë, dhe përse rrah gjithmonë kështu, sot e mot, sikur të jetë një orë e kurdisur nga vetë Zoti, për t’u mos ndalur kurrë sa të jetë stina e moti?!

Kështu rrah gjithmonë kjo zemra jote, më e shenjta e çdo bote! Kështu rrah ajo me atë tik-takun që nuk shuhet kurrë, sepse vetë tik-taku i zemrës sate vë në lëvizje çdo gjë: edhe krahët e shkruar të fluturave, edhe grumbujt e bardhë të pëllumbave, edhe tufët e zogjëve, edhe këngët e kanarinave, edhe galaktikat e yjeve, edhe krahët e engjëve dhe tok me ta, edhe portat e shenjta të parajsës!

Zoti edhe mund të falë një parajsë tjetër, por kurrë një zemër më të shenjtë se tënden!…