Përse KOASH duhet të vlerësojë zyrtarisht Figurën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut

0
789
Skënderbeu dhe vula e tij

Nga Pirro PRFITI, 22/11/2018

Viti i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i lançuar nga shteti me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, ka shënuar shumë konferenca, mbledhje e takime përkujtimore për të përkujtuar veprën e pavdekshme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Madje edhe në Itali, tek Arbëreshët, këtë muaj është përkujtuar Heroi Kombëtar. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Presidenti shqiptar.

Përkujtimore në respekt të Heroit, takime dhe mbledhje janë bërë edhe në Kosovë, Prishtinë, ku është Busti i Heroit Kombëtar, por edhe në trevat dhe diasporën shqiptare. Njihet gjithashtu kontributi i Kishës Katolike, e cila e vlerësoi Gjergj Kastriotin-Skënderbeu me titullin ‘Atlet i Krishtit’.

Shumë vende të tjera ku ka komunitete shqiptarësh, Heroi ynë përkujtohet me respekt të madh. Madje edhe shtete të tjera si Franca, Austria, Polonia, madje dhe Rusia, kanë edhe skulptura dhe përmendore të Heroit tonë Kombëtar. Shumë autorë dhe historianë të vendit dhe të huaj kanë shkruar për kontributin e jashtëzakonshëm të Heroit Kombëtar në ruajtjen e lirisë dhe pavarësisë së popullit Arbëror dhe Epirot, si dhe për më tepër, në përpjekjet për të ruajtur vlerat e Kristianizmit në Arbëri-Epir. Ballkan, dhe në Europë.

Dihet që Shteti Shqiptar i ka dhënë kësaj figure të madhërishme, e cila është ndoshta e vetmja figurë për të cilin të gjithë komunitetet fetare, i gjithë populli shqiptar, të gjitha trevat jashtë Shqipërisë të banuara më shqiptarë, e gjithë diaspora shqiptare, e njohin, e pranojnë dhe e respektojnë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit Arbëror dhe të fesë kristiane. Shteti Shqiptar i ka dhënë titullin Hero i Popullit.

Shteti Shqiptar ka bërë flamurin e familjes Kastrioti me shqiponjën e zezë dhe me sfondin e kuq si flamur kombëtar të shtetit shqiptar, por edhe të gjithë shqiptarëve. Ishte kontributi i jashtëzakonshëm i Rilindasve, kontribut i cili u shpërblye me ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912, pasi Ismail Bej Vlora e mori flamurin pas rekomandimit nga shoqëria shqiptare e Bukureshtit, dhe pasi Marigo Posso (Poçi) i qëndisi thekët e flamurit të familjes Kastrioti (tashmë Flamur Kombëtar por pa diellin me gjashtë cepa), të sjellë nga Bukureshti.

Në të gjithë botën, për figurën e Skënderbeut janë shkruar rreth 600 libra. Mes tyre janë dhjetra romane, libra historikë, studimorë dhe legjenda.

Papa Kalisti i dha titullin e Lartë, që kur Gjergj Kastrioti ishte gjallë ‘Atlet i Krishtit’ në vitin 1457 dhe këtë e dëshmon ky pasazhi shkruar në revistën “Një Komb” në shkrimin ‘Koalicioni antiosman i Papa Kalistit të II dhe Skënderbeu (1455-1458)‘: nga Ndërmarrja e kryqëzatës antiosmane nga ana e Kalistit i II dhe përfshirja e Skënderbeut në të, hodhi bazat e politikës konsekuente të Heroit shqiptar, i cili deri në fund të jetës nuk ndërmori paqe me Europën dhe mbeti ashtu si e kishte cilësuar Papa Kalisti III në 23 dhjetor 1457, “fortis athleta et verus propugnator fidei Cristianae” – Atlet i fortë dhe mbrojtës i Krishtërimit http://www.njekomb.com/?p=14445dhe https://fondacionipapaklementi.com/shqip-in-albanese/.

Po Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë përse nuk ka ndërmarrë asnjë hap gjatë këtyre 98 viteve Autoqefali, duke patur parasysh se Kisha Katolike e ka respektuar figurën e Heroit Kombëtar, që në vitin 1457? Si ka mundësi që një Hero Kombëtar, familja e të cilit dhe vetë Heroi ishin të ritit lindor orthodoks, që kishin si stemë të familjes një flamur me shqiponjë bizantine dhe më diellin maqedonas, sepse Heroi Kombëtar e quante veten si banor të Epirit maqedonas, troje të cilat ishin arbërore?

Le të hidhemi tek Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe përse KOASH duhet të vlerësojë kontributin e jashtëzakonshëm të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe ta vendosë atë jo vetëm në Kalendarin Orthodoks, por edhe në ditët për të përkujtuar çdo vit heroizmin e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij që dhanë jetën për të ruajtur atdheun dhe religjionin. Në fakt, KOASH nëpërmjet Lidhjes së Intelektualëve dhe me kërkesën e intelektualëve, ka bërë në vite vetëm dy takime përkujtimore (një në 2016 dhe një 2018) për të kujtuar Heroin Kombëtar, dhe takime të tilla janë bërë edhe në të kaluarën me përpjekjet e intelektualëve orthodoksë.

Por kjo është farë pak në raport me atë që ka dhënë Heroi Kombëtar jo vetëm për lirinë e atdheut, por e rëndësishme për komunitetin orthodoks është vlerësimi i kësaj figurë nga KOASH, sepse familja Kastrioti njihet si një familje ortodokse, e cila së bashku me popullin e saj me princërit e asaj kohe luftuan kundër pushtuesit osman dhe u përpoqën fort për të ruajtur atdheun dhe fenë. Si ka mundësi që Kisha Orthodokse Autoqefale nuk vlerëson figurën e birit të saj, i cili luftoi me burrëri me ushtarët dhe me të gjithë popullin e Arbërisë dhe të Epirit kundër pushtimit osman, banorë që ishin me shumicë dërrmuese të ritit lindor, çka e konfirmojnë arbëreshët e Italisë, arb-arvanitasit e Moresë pra të Greqisë së sotme, arbërit dhe shqiptarët e Rumanisë dhe të Ukrainës të tërë të ritit lindor orthodoks.

Si ka mundësi që Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë të hezitojë për të vlerësuar në rrugë religjioze ashtu si veproi para 550 vitesh Papa i Romës, Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, babai i të cilit, Gjon Kastrioti, vëllezërit Reposh dhe Kostandin Kastrioti, janë varrosur në Manastirin e Hilandarit në Malin Athos (Mali i At-it)?

Vetë Varri i Heroit Kombëtar, ndonëse është vendosur fiktivisht në Lezhë, aktualisht nuk dihet se ku janë të vendosura eshtrat e tij, sepse sipas historiografit të shquar Dhosi Lipe, janë zhvendosur nga familja dhe legjenda e Marin Barletit se varri u hap nga osmanët ka shumë mundësi të jetë jo e vërtetë. Këtë fakt e konfirmojnë dhe historianët osmanë të asaj kohe. E vështruar nga kjo pikëpamje, KOASH nuk ka bërë shumë madje, mund të themi se ka bërë pak për këtë Hero Kombëtar, i cili është edhe i komunitetit orthodoks shqiptar.

Për këtë arsye, disa intelektualë orthodoksë kanë bërë një Promemorie drejtuar KOASH dhe Komunitetit Shtetëror të Kulteve për të krijuar një Komision, i cili do të vlerësojë figurën e tij nga ana religjioze orthodokse me qëllim që ta vendosë këtë Hero Kombëtar në vëndin që meriton: në Kalendarin Orthodoks.

Argumenti është se secili respekton njeriun e tij dhe jo t’ua lërë vetëm të tjerëve. Në këtë aspekt, shumë vende të tjera të Lindjes dhe të Perëndimit kanë vlerësuar figurat religjioze si nga ana shtetërore, pra si të themi laike, ashtu dhe nga ana religjioze, përsa i përket anës shpirtërore të të cilëve u përkasin heronjtë.

Komuniteti orthdoks shqiptar, por dhe ai i huaj presin të ngrihet një Komision për të vlerësuar dhe vendosur në Kalendarin Orthodoks emrin e lavdishëm e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sepse figura e tij në mos është totalisht e barabartë me shenjtorët, martirët, dëshmorët bizantinë të orthodoksisë, mendoj se ua kalon çdo njërit nga ata, për nga vepra e tij madhështore dhe heroike.

Vlerësimin e tij e presim me padurim, ndryshe do të vërtetohet thënie e Testamentit të Ri se: “Heroi vlerësohet gjithkund, përveçse në vendin e tij“, dhe këtu bëhet fjalë për bashkësinë orthodokse të Shqipërisë.

Shpresojmë se në këtë 550 vjetor, KOASH do të dijë të dalë mbi ngurtësinë 98 vjeçare të të lënit në harresë të klerikëve, patriotëve orthodoksë, por mbi të gjitha të anashkalimit të Birit të dashur të Orthodoksisë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.