Nga Mero Baze
Ka një vëmendje të shtuar ndaj reagimeve politike rreth arrestimeve të fundit në grup në Lezhë, apo operacioneve të policisë ndaj një grupi rreth 40 vetësh që merreshin me trafik ndërkombëtar.
Tek rasti i Lezhës, ndjeshmëria politike u rrit ngaqë mes të arrestuarëve ishte dhe kryetari i Bashkisë, i Partisë Demokratike, ish- drejtori i Hipotekës i Partisë Socialiste, dhe zyrtarë të tjerë.
Disa e quajnë deklarimin e Bashës të nxituar, disa radikal, disa e quajnë të butë, e të tjerë qesharak, secili sipas oreksit të vet. Në fakt, mua mu duk më shumë njeri në hall për faktin se si duhet të reagonte, se sa i shqetësuar për të arrestuarit.
E vërteta është se reagimi politik ndaj arrestimeve, bie në sy ngaqë Shqipëria për vite të tëra, ka qenë një fushë e lirë për trafikun, mashtrimet me pronat, plaçkitjen e qytetarit etj. Ndryshimet e fundit në drejtësi dhe sidomos fillimi i zgjimit nga gjumi i Prokurorisë, po ndryshojnë realitetin dhe është e qartë se drejtësia po funksionon. Me aq shumë abuzime sa ka pasur dhe me aq shumë tolerime ndaj padrejtësive, mund të kemi një periudhë të re të mbushur me arrestime dhe ndalime personash përgjegjës, ndaj nuk do të na bëjnë më përshtypje në të ardhmen reagimet politike. Sot na duken interesante se deri më sot kemi bërë vetëm politikë, dhe jo drejtësi.
Gjithkush që vidhte apo plaçkiste në këtë vend, ka pasur mbështetje politike, dhe për inerci gjithë vëmendja po drejtohet tek fakti se çfarë tha Lulzim Basha apo Edi Rama për arrestimet, pse Basha e mori dhe Flamur Nokën në krah me dy ish- deputetët të Lezhës, çfarë sinjali është ky, e marrëzira të tjera. Reagimet politike ndaj arrestimeve bien në sy, ngaqë deri tani nuk ka pasur arrestime, por vetëm reagime politike dhe akuza në ajër. Tani do të ketë arrestime dhe kur ka arrestime, deklaratat politike nuk pinë më ujë. Mirë është të mos bëhen fare, por dhe po u bënë, nuk i hyjnë në punë njeriu.
Fakti që bien në sy, tregon se në vend të drejtësisë, ka funksionuar politika, por jo se janë të rëndësishme.
Tani po funksionon drejtësia. Ose së paku ka nisur të funksionojë. Arrestimi në bllok i gjithë zyrtarëve përgjegjës për transferimet e tokave në Lezhë duhet të vazhdojë me histori të ngjashme në gjithë bregdetin, nga Velipoja në Ksamil. Aty i kanë gjurmët gjithë pushtetet në Shqipëri, gjithë njerëzit që kanë ndarë hektarë të tëra pa qenë kurrë pronarë të tyre, gjithë gjykatësit që i kanë pajisur me letra, gjithë prokurorët që kanë parë dhe kanë heshtur, dhe gjithë politikanët që i kanë përdorur këto histori për vota.
Ndaj mos u merrni me reagimet e Lulzim Bashës ndaj asaj që ndodhi në Lezhë. Dhe ai vetë të mos lodhet kot. Do ketë raste të tjera dhe më të forta, ndaj duhet ta ruajë zërin, se po e nisi me këtë ritëm me zë të lartë në Lezhë, nuk do ketë fuqi as të hapë gojën kur të dalin disa tridhjetë hektarësh nga Narta në Ksamil. Lajmi nuk është se politika po reagon ndaj drejtësisë, por lajmi i vërtetë është se drejtësa po funksionon dhe po trondit politikën. Dhe ne duhet të mësohemi me lajme që kanë të bëjnë me vendosjen e drejtësisë dhe jo me me reagimet politike që vajtojnë për vendosjen e drejtësisë.
Kemi kohë pa dëgjuar zhurma prangash dhe jemi mësuar me kakarisje politike. Bile jo vetëm ne, por dhe politikanët. Duan dhe ata pak kohë të mësohen me idenë që funksionimi i drejtësisë është normalitet. Pastaj nuk do t’i dëgjoni më!